Fituese e Kupës së Shqipërisë 2018, por edhe një ndër sportistet më elitare të sportit të shtangës, me shumë pjesëmarrje në aktivitete ndërkombëtare, si Europianë e Botërorë, i fundit ai në Almati të Kazakistanit, në vitin 2014. Shqiponja Brahja, edhe pse 45- vjeçare, vazhdon të punojë fort, stërvitet ende dy herë në ditë dhe siç nënvizon ajo vetë në një prononcim për “Panorama Sport”, rezultatet e saj janë ende shumë të larta, brenda normave jo vetëm shqiptare, por edhe ndërkombëtare, ndonëse peshëngritësja, papritur ka parë që gjithçka t’i mohohet me forcë dhe me urdhër.
I akuzuari direkt i saj është presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Theodhor Masllavica, me këtë të fundit që të paktën sipas akuzës, i ka mbyllur me urdhër të gjitha dyert e klubeve të mundshme shqiptare, me justifikimin e moshës së madhe. Vetë Shqiponja Brahja nuk ka ndërmend që ta lërë me kaq, por kërkon të jetë sërish protagoniste e shtangës, ndonëse sipas saj, është Theodhor Masllavica ai që ka urdhëruar të gjitha klubet shqiptare që të mos e federojnë, sepse në këtë mënyrë, pa qenë pjesëtare e një klubi, ajo nuk mund të garojë dhe aq më shumë që të testojë veten për të fituar me të drejtën e saj mundësinë për të marrë pjesë në Europianin e ardhshëm të peshëngritjes, i cili do të zhvillohet në muajin prill, në Gjeorgji. Dhe si rrjedhojë e të gjitha këtyre, Brahja ka lëshuar akuza direkte ndaj kreut të shtangës shqiptare:
“Jam mbi 15 vjet sportiste elitare e peshëngritjes, pjesë e ekipit kombëtar, duke marrë pjesë në shumë aktivitete ndërkombëtare. Sigurisht që gjithçka e kam fituar mbi bazën e rezultateve, por në të njëjtën kohë jam edhe nënë e tri fëmijëve. Arsyeja se pse unë vazhdoj të merrem me këtë sport është sepse kam një dhunti dhe dua që ta kultivoj ende. Për këtë arsye vazhdoj të stërvitem dy herë në ditë madje. Formën time jam gati që ta vërtetoj me teste, shkurtimisht jam fituesja e Kupës për vitin 2018. Sivjet, kam arritur një formë të shkëlqyer dhe jam e bindur kur them se isha pretendente për medalje në Europianin që pritet të zhvillohet në muajin prill. Por, këtë të drejtë ma ka mohuar Theodhor Masllavica. Të gjithë ne shpresuam se duke larguar presidencën e kaluar (referuar ish-presidentit të peshëngritjes, Elez Gjoza) shpëtuam, por ndërkohë më duket se kemi rënë nga shiu në breshër, sepse Masllavica jo vetëm që po më hedh punën poshtë, por ndërkohë po tenton të bëjë një fushatë të hapur kundër meje, duke më larguar edhe nga klubi, në mënyrë që të mos kem as mundësinë të ushqehem edhe me bukën e gojës”. Shqiponjë Brahja ka qenë së fundmi pjesë e klubit të Teutës, por ndërkohë ajo ka parë që t’i mbyllen të gjitha dyert ku ajo ka trokitur, jo vetëm në klubet e Tiranës, por edhe në atë të Durrësit dhe të Shkodrës, por përgjigjja ka qenë e njëjta:
“Theodhor Masllavica mendon se e ka federatën pronë personale dhe arsyen se pse më ka mbyllur mua të gjitha dyert e di vetëm ai. Ai i ka veshur me fustan shefat e klubeve, madje i kërcënon ata, se nëse më pranojnë mua, nuk do ia dërgojë sportistët e tyre në kompeticionet ndërkombëtare. Jam ankuar edhe te zëvendësministri i Sporteve, por edhe përgjigjja e tij ka qenë absurde: ‘Nuk kemi ne të drejtë të flasim me federatën për çështjen tuaj, sepse është jashtë përgjegjësive tona’. Por ky është një tjetër mashtrim i madh, një papërgjegjshmëri, duke qenë se federata paguhet nga buxheti i shtetit. Ndaj, është përgjegjshmëri ligjore e ministrisë që mos të fyejë të drejtat e sportistit. Po i bëj këto akuza, madje denoncoj presidencën e peshëngritjes dhe zëvendësministrin e sporteve (Kostandin Shkurtaj), sepse unë e provoj me rezultate se meritoj të garoj ende. Diskriminimi më i madh që më është bërë mua është mohimi i të drejtës për të marrë pjesë në aktivitetet ndërkombëtare. Këtë të drejtë Masllavica ma mohoi edhe vjet, ka qenë Agron Haxhihyseni (ish-sekretari i peshëngritjes) që ma ka konfirmuar me justifikime nga më të ndryshmet, si për shembull fakti se kam një moshë madhore, ndërsa unë me rezultate e them paksa edhe me ironi, se mund t’i kem edhe më të larta sesa të meshkujve. Ndoshta ka edhe ndonjë ndjesi xhelozie ndaj meje…
Nuk e di, por di të them se Masllavica është ulur në atë poltron për të vjedhur lekë, jo për të na dhënë lekë ne sportistëve. Edhe dy vegla që na erdhën dhuratë, i ka marrë vete, me justifikimin se do t’i zëvendësojë. Gjithë kjo revoltë e imja vjen sepse po më shkelet një punë 15-vjeçare, një përvojë e gjatë ndërkombëtare, por po diskriminohem edhe si nënë e tri fëmijëve, duke qenë se më është mohuar edhe që të marr një rrogë, duke mos më lejuar të jem pjesë e asnjë klubi. Më kanë shkatërruar jo vetëm moralisht, por edhe ekonomikisht. Madje, edhe në Kupën e javës së kaluar, deshën të më skualifikonin me kast, sepse pa mbaruar një kategori, vunë emrin tim, në mënyrë që të garoja pa nxehje, pa asgjë. Nuk e di, po ndoshta Masllavica, mund të kërcënohet edhe nga sportistët e tjerë elitarë në mënyrë që të mos paguhem, sepse një sportiste elitare si unë duhet të paguhet dhe nga federata edhe nga klubi dhe kjo mund të jetë një lëvizje si shenjë xhelozie ndaj meje. Dyert e klubeve shkurt m’i ka mbyllur Masllavica, këtë ma ka konfirmuar edhe Kreshnik Leka, shefi i klubit Teuta, një person që më njeh dhe më vlerëson. Por, më e keqja është se ndaj meje është ngritur një pluhur i madh, më kanë degjeneruar figurën, duke kaluar edhe në ofendime të rënda. Kur i kërkova Masllavicës arsyen se pse nuk më dërgoi vjet në Europian, përgjigjja ishte: ‘nuk dërgoj femra në Europian, sepse degjeneroheni, bëni kurvlliqe’.
Kjo është diçka fatale, sepse unë mbi të gjitha jam edhe e martuar dhe nënë e tri fëmijëve. Ndihem shumë e ofenduar, sepse nga të gjitha këto që po them, thelbi është që Theodhor Masllavica më ka prekur figurën, më ka shkatërruar 15 vite punë dhe më ka goditur edhe ekonomikisht. Dhe unë këtë gjë nuk do ta lë me kaq”, përfundoi Shqiponja Brahja.