Çështjet e ngritura prej vëzhguesit të ONM mbi profesionalizmin dhe raportet e Inspektoriatit për vetingun u debatuan për gati dy orë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit gjatë seancës dëgjimore me kryeinspektoren Marsida Xhaferllari.
Çështjet e ngritura prej vëzhguesit ndërkombëtar mbi profesionalizmin dhe rolin e Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë u debatuan për gati dy orë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit gjatë seancës dëgjimore me kryeinspektoren e këtij institucioni, Marsida Xhaferllari.
Kandidate për të marrë postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, por edhe për një nga vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, Xhaferllari u gjet sipas relacionit pa probleme në kriterin e pasurisë dhe atë të pastërtisë së figurës. Megjithatë, relatori i çështjes vuri në dukje se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kishte ngritur disa çështje sa i përket kriterit të profesionalizmit.
Dosja ndaj Xhaferllarit u shqyrtuar nga një treshe e kryesuar prej Firdes Shulit, me anëtare Xhensila Pine dhe relator Roland Ilia. Ky i fundit theksoi se hetimi administrativ nuk kishte gjetur asnjë problem në kriterin e pasurisë dhe se po ashtu nuk ishte gjetur asnjë problem në kriterin e pastërtisë së figurës.
Ilia megjithatë theksoi se nga vëzhguesi ndërkombëtar, Hans Kijlstra ishin paraqitur disa gjetje sa i përket profesionalizmit të Xhaferllarit. Sipas relatorit, kishte paqartësi nëse ajo kishte statusin e magjistrates, pasi ndërkohë kishte marrë statusin e nëpunësit publik. Po ashtu u diskutua nëse kishte konflikt interesi për faktin se si ish-kryeinspektorja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ajo i ishte nënshtruar rivlerësimit profesional nga një prej inspektorëve vartës.
Relatori ngriti dyshime edhe për qëndrime kontradiktore të Inspektoriatit të drejtuar nga Xhaferllari në vlerësimet profesionale të disa gjyqtarëve për llogari të procesit të vettingut. Sipas Ilias, në disa raste vonesat në shqyrtimin e çështjeve nga gjykatësit ishin cilësuar problematike dhe në raste të tjera nuk ishin konsideruar me probleme.
Xhaferllari kundërshtoi një për një dyshimet e ngritura, ndërsa në parantezë pretendoi se dosja e saj duhej të ishte shqyrtuar ndër të parat dhe se vonesat në shqyrtim kishin krijuar probleme proceduriale, pasi tani ajo gjykohej për punë të kryer pas fillimit të procesit.
Xhaferllari e ka filluar karrierën si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, ku ka shërbyer nga viti 1999 deri në vitin 2007. Në periudhën dhjetor 2007 deri në shtator 2008, ajo ka punuar si këshilltare e Ministrit të Drejtësisë dhe nga shtatori 2008 e deri në janar 2013, si drejtore në Drejtorinë e Kodifikimit si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë në Ministrinë e Drejtësisë. Në vitin 2013, Xhaferllari u emëruar Kryeinspektore në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, një post që ajo e ka mbajtur deri zëvendësimin e KLD-së me Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Përveç kandidaturës për Inspektore të Lartë të Drejtësisë, Xhaferllari ka kandiduar gjithashtu për një nga vakancat e hapura për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
Relacioni mbi profesionalizmin
Relatimi në lidhje me pasuritë dhe figurën e Xhaferllarit ishte i shkurtër. Ilia vuri në dukje se ajo i justifikonte pasuritë dhe kishte kryer deklarim të saktë. Ai po ashtu theksoi se hetimi i thelluar i KPK-së nuk kishte gjetur probleme dhe ishte në të njëjtën linjë me raportet e ILDKPKI dhe DSIK.
Por relatori Ilia u fokusua në kriterin e profesionalizmit. Kryesisht duke vënë në dukje se Xhaferllari kishte prej vitesh statusin e nëpunësit civil dhe se për shkak të shkëputjes mund të mos kishte më statusin e magjistratit.
Po ashtu u theksua se kishte dyshime mbi konflikt të mundshëm interesi mbi vlerësimin profesional të punës së saj si kryeinspektore. Sipas relatorit, ky vlerësim ishte bërë, ashtu si edhe për subjektet e tjera të rivlerësimit nga Inspektoriati që ajo drejtonte.
Ilia shtroi për diskutim po ashtu edhe faktin që përtej perceptimit publik, Inspektoriati i KLD-së si institucion ndihmës i vetingut, kishte sjellë raporte pozitive për gjyqtarët duke mos vënë në dukje të metat.
Relatori u fokusua edhe te një denoncim ndaj një gjykatësi, i cili ishte trajtuar nga Inspektoriati, por që kishte pasur vonesa. Ai gjithashtu theksoi se kishte dyshime dhe kërkoheshin shpjegime mbi vendimin e Inspektoriatit për të mos nisur procedime disiplinore ndaj anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
Një pjesë e mirë e relacionit u fokusua edhe në vlerësimin e raporteve mbi aftësitë profesionale të gjykatësve që Inspektoriati kishte bërë për llogari të procesit të rivlerësimit. Ilia vuri në dukje se në disa raste kishte dyshime për “standarde kontradiktore”.
Ai përmendi me iniciale disa prej gjykatësve të vlerësuar nga inspektoriati dhe tha se qëndrimet ndaj tyre ishin të ndryshme krahasimisht me gjykatësin G.M. Ai tha se në disa raste, tejkalimi i kohës së gjykimit ishte parë si problematik dhe në raste të tjera jo.
Mbrojtja e Xhaferllarit
Gjatë mbrojtjes së saj, Xhaferllari vuri në dukje disa herë punën e bërë nga institucioni që ajo kishte drejtuar për llogari të vetingut. Ajo theksoi se kishte marrë pjesë në procesin e bërjes së ligjeve për reformën në drejtësi dhe po ashtu vuri në dukje se ishte “krenare për punën e bërë nga institucioni”.
Xhaferllari tha se ata kishin kryer rivlerësimin profesional të 110 gjyqtarëve dhe se gjatë gjithë kësaj kohe, nuk kishin marrë asnjë vërejtje apo sugjerim prej KPK-së apo ONM-së për probleme në këtë proces. Inspektoriati i KLD-së ka kryer procesin e vlerësimit profesional të gjykatësve që më pas i janë nënshtruar hetimit administrativ nga KPK.
Në fillim të mbrojtjes, Xhaferllari theksoi ato që i quajti probleme proceduriale të procesit ndaj saj, duke vënë në dukje faktin që po gjykohej për punën e bërë, pas fillimit të procesit të vetingut. Xhaferllari këmbënguli se duke qenë kandidate për Inpektorin e Lartë të Drejtësisë, procesi ndaj saj duhej të ishte mbyllur me kohë, duke lënë të kuptohet se mjaft prej çështjeve të ngritura në seancë nuk do të kishin ekzistuar.
Megjithatë ajo theksoi se nuk do të mbrohej me procedurë, ndërsa kundërshtoi pikëpyetjet e ngritura nga relatori Ilia. Ajo tha se procesi i rivlerësimit të saj ishte bërë prej një grupi pune të caktuar nga KLD. Ajo shpjegoi se për këtë çështje kishte vënë në dijeni Presidencën dhe grupin e punës së ngritur pranë KLD-së, sa i përket vetingut dhe ky grup pune kishte caktuar se vlerësimi profesional i saj do të bëhej “nga inspektori më i vjetër në detyrë”.
Ajo tha se gëzonte statusin e magjistrates, duke qenë se ligji i aplikuar kur ajo kishte lënë punën si gjykatëse për një vend në Ministrinë e Drejtësisë, nuk kishte parashikime për humbjen e këtij statusi.
Pyetjes së vëzhguesit ndërkombëtar dhe shqetësimit të tij për shkëputjen për një kohë të gjatë nga sistemi i drejtësisë, Xhaferllari iu përgjigj duke thënë se nuk ishte shkëputur asnjëherë dhe se puna që kishte bërë kishte qenë gjithmonë e lidhur me drejtësinë.
“Unë kam qenë në të gjitha krahët e ligjit, si zbatuese gjatë kohës që isha gjykatëse, si kodifikuese gjatë punës në Ministrinë e Drejtësisë dhe më pas edhe si hartuese,” tha ajo.
Ajo kundërshtoi gjetjen për qëndrime kontradiktore në vlerësimin e gjykatësve, ndërsa tha se Inspektoriati nuk kishte marrë asnjë vërejtje deri në atë moment. Xhaferllari tha se çështja e marrë si etalon ishte një mendim shtesë i kërkuar nga KPK dhe nuk mund të krahasohej me vlerësimet standarde që institucioni kishte bërë. Ajo shpjegoi se vlerësimi i dosjeve nuk bëhej vetëm mbi kriterin e kohës, por edhe mbi kompleksitetin e një çështjeje apo problematika të tjera që ajo kishte.
Duke iu referuar një rasti konkret, ajo shpjegoi se megjithëse gjykatësi kishte kaluar afatin një mujor të shqyrtimit të çështjes, shqyrtimi i saj për 3 muaj e 16 ditë ishte gjykuar si jo problematik prej Inspektoriatit, për shkak të specifikave të çështjes.
Po ashtu ajo shpjegoi hollësisht pse raportet e Inspektoriatit nuk dilnin me përfundime apo vlerësim me nota mbi gjyqtarët, sa i përket profesionalizmit. Xhaferllari tha se kjo punë i përkiste Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe se kompetenca e Inspektoriatit ishte vetëm të raportonte në mënyrë që KLGJ apo KPK në rastin e procesit të vetingut, të merrnin vendimet.
Megjithatë ajo kundërshtoi pretendimin se raportet ishin pozitive, duke lexuar disa cilësime të cituara në vendimet e KPK-së, ku gjyqtarët vlerësoheshin negativisht apo mjaftueshëm. Ajo tha se nga 12 gjyqtarë të hetuar edhe në aspektin profesional, 4 ishin shkarkuar bazuar në këto raporte dhe se kjo ishte një shifër jo e vogël. Ajo po ashtu shpjegoi vendimin për të mos proceduar anëtarët e Gjykatës së Lartë, pasi sipas saj institucioni që ajo drejtoi nuk mund të merrte kopetenca shtesë që nuk i ishin dhënë nga ligji.
Xhaferllari pranoi dhe kërkoi ndjesë sa i përket vonesës së trajtimit të një ankese nga një qytetare, por tha se institucioni nuk kishte pasur asnjëherë staf të plotë, ndërsa ngarkesa kishte qenë e madhe. Në përgjigje të një pyetjeje nga kryesuesja e trupit gjykues, Xhaferllari tha se Inspektoriati kishte dërguar 70 gjyqtarë për masa, por vendimi për masat që i kërkoheshin KLD-së merrej nga Ministri i Drejtësisë.
Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për Xhaferllarin do të shpallet më 11 mars.
/BIRN/