Qarkorja e 25 qershorit 1945/ Emrat e të pushkatuarve dhe të dënuarve me burgim nga gjyqet ushtarake në qershor ’45 me akuzën “nxitje të dezertimeve dhe përhapje të parrullave disfatiste…”
Një qarkore e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, e firmosur nga Enver Hoxha dhe e shpërndarë në gjithë repartet ushtarake me 25 qershor 1945, lajmëronte një varg ekzekutimesh që ishin bërë përmes gjyqit ushtarak, të disa pjesëtarëve të kësaj ushtrie, të cilët vinin nga rradhët e Ballit, Legalitetit apo Xhandarmërisë e Milicisë.
Me akuzën se ata kishin mbetur përgjithmonë “tradhëtar” dhe nuk kishin ndërruar rrugë, dhe duke i fajësuar se kishin bërë agjitacion e propagandë kundër regjimit të ri “Demokratik”, siç e quante Enver Hoxha, 12 pjestarë të ushtrisë partizane ishin pushkatuar para reparteve të tyre, pasi ishin dënuar me vdekje nga gjyqi ushtarak. Po ashtu ishin ekzekutuar edhe dy civilë të dënuar po ashtu me vdekje me të njëjtën akuzë.
Qarkorja e shpërndarë nga Enver Hoxha rendit edhe një varg të dënuarish të tjerë me burgime, të përjetshme, 30 vjet, 20 vjet, 10 vjet e deri në 2 vjet burgim, duke cilësuar se ata do të vuanin dënimin në kampet-burgje me punë të detyrueshme. Një prej këtyre të dënuarve është Avni Bejkova, i dënuar me burgim të përjetshëm. I ndarë nga jeta vetëm një vit me parë Avni Bejkovavërtet vuajti dënimin me burg për shumë vite e më tej vijoi sërish dënimin me internim derisa ra regjimi komunist.
Ajo që bie në sy në këtë qarkore është gjuha e urrejtjes e përzgjedhur me kujdes nga Enver Hoxha, për kundërshtarët politikë, duke dashur të përcjellë në rradhët e ushtrisë ku do të lexohej qarkorja sa më tepër urrejtje për armiqtë e pushtetit të Hoxhës, e për t’i frymëzuar të ishin të pamëshirshëm ndaj tyre. Më poshtë e sjellim të plotë këtë dokument mjaft domethënës për faktet tragjike që përcjell dhe metodat e dhunshme me të cilat erdhi në pushtet regjimi komunist dhe e mbajti këtë pushtet për 45 vjet.
***
Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare
Seksioni Juridik
Tiranë 25.VI.1945
Qarkore
Gjithë reparteve ushtarake
Disa ushtarakë që gjer dje kanë qenë në rradhët e organizatave tradhtare të Ballit, Legalitetit, në Milici, e Xhandarmëri kanë luftuar me tërbim deri në fund kundra popullit dhe Ushtrisë Heroike Nacional Çlirimtare, krah për krah me okupatorët fashistë, vazhduan rrugën e tradhëtisë edhe në gjirin e ushtrisë tonë.
Duke përfituar nga zemërgjërësia që karakterizon ushtrinë tonë dhe pushtetin demokratik dhe nga shpallja e amnistisë datë 28 Nëntor 1944 renegatët e poshtëshënuar kanë vazhduar me koshiencë të plotë tradhëtinë e tyre duke bërë agjitacion e propagandë disfatise, për të përçarë unitetin e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, kanë përhapur parrulla disfatiste për të zbritur moralin e lartë ushtarak, kanë bërë mbledhje të fshehta në formë grupesh të vogla në lidhje dhe me civilë. Kanë projektuar e tentuar me u arratis në mënyrë të organizuar duke marrë edhe armë me vete. Kanë bërë plane sabotazhi kundër stabilimentave ushtarake e kanë patur qëllime terroriste kundër oficerave e mandej të kapërcenin kufirin për në Greqi, për t’u bashkuar si mercenarë në shërbim të reaksionit grek, kundra interesave të nalta t’atdheut, kundra integritetit tokësor dhe indipendencës së Shqipërisë.
Vepra e tyre tradhtare e kriminale është akoma më e shëmtuet për shkak se ushtrija jonë heroike, si gjithnjë duke dhënë shembull për vllazërimin e plotë të popullit shqiptar, ju shtriu dorën, i nxorri nga tradhtija ku ishin zhytur, ju fali veprat e tyre kriminale e tradhtare që kishin kryer, duke i konsideruar si të gabuar, i barazoj me bijtë më të denjë, më të ndershëm e më trima të popullit shqiptar, i quajti partizanë; Oficerat Ushtarak e Politik, me anë konferencash të shpeshta, me këshillime biseda vëllazërore e me gazetat e murit ju kanë treguar rrugën e drejtë, ju dhanë mundësinë të rehabilitohen, t’edukohen, të skjarohen politikisht dhe të shkëputen njëherë e mirë nga rruga e gabuar e dallavereve dhe e tradhëtisë, pa mos bërë asnjë dallim midis partizanit të vjetër ose të rinj.
Porse gjithë këto përpjekje shkuan kot. Këta renegatë me vetëdije e shpirt reaksionari të pakorrigjueshëm kanë vazhduar tradhëtinë e tyre duke mohuar gjakun e dëshmorëve të rënun për liri dhe sakrificat e panumërta të popullit shqiptar. Porse shpirtgjerësi nuk do të thotë dobësi dhe për këtë gjë shpata e Drejtësisë me vënd ra mbi këta tradhtarë duke dënuar:
ME VDEKJE: Enver Meka, Hajdar Teki, Sefedin Faslli, Harun Hysenaj, Syrja Zoto, Estref Mustafaraj, Nexhip Canka, Mehdi Lamçe, Faik Tartari, Lec Ndreca, Zef Sadrija, Gjon Cufi, – partizanë të brigadës së I-rë dhe civilat Faredin Angoni e Myrteza Sleusha.
ME BURGIM TË PËRJETSHËM: Avni Bejkova
ME 30 VJET BURGIM: Luigj Camuku
ME 20 VJET BURGIM: Mehmet Shere, Luto Mustafa, Hysejn Seiti, Can Dedoshi, Luigj Cepi e Tef Nika.
ME 10 VJET BURGIM: Samit Muço, Hajro Zyberi, Shyqri Shasho, Safet Seiti, Baki Jonuzi.
ME 5 VJET BURGIM: Riza Iljazi, Osman Mail
ME 6 VJET BURGIM: Jashar Aliu
ME 2 VJET BURGIM: Muharem Saliu.
Të dënuarit me vdekje u ekzekutuan para reparteve, ku bënin pjesë edhe të dënuarit e tjerë do të vuajnë ndëshkimin me punë të detyrueshme.
Kjo qarkore të këndohet e të komentohet gjerë e gjatë në të gjithë repartet me anë konferencash.
Vdekje Fashizmit Liri Popullit
Komandant i Përgjithshëm
Gjeneral Kolonel
Enver Hoxha
(firma, vula )
/KUJTO.AL/