Nga Boldnews.al
Shtetasit Admir Tafilaj, Fran Marashi, dhe Gëzim Guri, gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Korçës, kanë planifikuar një plan për tu larguar nga vendi ku ata vuanin dënimin. Për këtë arsye ata kanë komunikuar me persona, të cilët ndodheshin jashtë burgut në gjendje të lirë. Këta persona janë Ervis Lami, Bledjan Deda, Alfred Qefalia, Albi Mcimi dhe Olsian Maçi.
Disa prej këtyre personave kanë bërë takime me shtetasin Admir Tafilaj në IEVP Korçë. Gjatë takimeve Admiri u ka treguar atyre për idenë që kishte ai për t’u larguar nga burgu. Për këtë ai u ka kërkuar ndihmë shtetasve Ervis Lami, Bledjan Deda, Alfred Qefalia dhe Albi Mcimi. Ndihma që ata do ti jepnin Admirit dhe shokëve të tij konsistonte në futjen në IEVP Korçë të armëve dhe municioneve.
Detyra e tyre ishte që të montonin dhe fshihnin këto armë në një frigorifer, që do ta dërgonin në IEVP dhe më pas Admiri do të mundësonte që ky frigorifer të mbërrinte tek ai. Për këtë arsye në shtëpinë e Ervisit ka ardhur një person i paidentifikuar akoma, i cili u ka sjellë armë e municion që përbëheshin nga dy automatikë kallashnikov, dy pistoleta TT, një automatik shars, si dhe nga dy krehëra me municion për të gjitha armët si më sipër.
Më pas Ervis Lami, Bledjan Deda dhe Albi Mcimi kanë blerë një frigorifer të përdorur dhe pasi i kanë hequr kapakët kanë montuar atje armët si më sipër. Më pas e kanë mbyllur sërisht dhe Bledjani është nisur për në Korçë së bashku me frigoriferin. Pasi ka mbëritur në Korçë ai e ka lënë atë tek ambientet e burgut me qëllim që të merrej pas procedurave nga Admiri. Pas dy ditësh Admiri njofton se e ka marrë frigoriferin me sukses.
Pas këtij veprimi Ervis Lami, Bledjan Deda, Alfred Qefalia dhe Albi Mcimi kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me tre të burgosurit Admir Tafilaj, Fran Marashi, dhe Gëzim Guri, me qëllim planifikimin dhe më pas realizimin e planit të arratisjes së tyre nga ambientet ku vuanin dënimin. Për këtë qëllim ata kanë marrë me qera një shtëpi në qytetin e Korçës.
Në këtë shtëpi ata (Ervis Lami, Bledjan Deda, Alfred Qefalia dhe Albi Mcimi) janë takuar disa herë me qëllim planifikimin e planit të arratisjes. Për të pasur sukses plani i tyre ndihmësat kanë siguruar ditë më parë një litar me gozhdë, një sasi tritoli prej 200 gr dhe një shirit skene krimi. Këto ata do t’i përdornin me qëllim krijimin e një situate hutimi që do t’i ndihmonte ata për t’u larguar pas arratisjes së të burgosurve.
Pasi kanë bërë të gjithë përgatitjet e mundshme të dy grupet, si të burgosurit ashtu edhe ata që do t’i ndihmonin të largoheshin nga burgu, kanë vendosur që planin ta realizonin në datën 23.11.2013. për këtë arsye në datën 22.11.2013 në qytetin e Korçës kanë mbërritur shtetasit Ervis Lami, Bledjan Deda, Alfred Qefalia dhe Albi Mcimi.
Të pestë këta kanë shkuar për në banesën e shtetasit X, që e kishin marrë më parë me qera. Të nesërmen ata janë ndarë në dy grupe: në grupin e parë bënin pjesë Albi Mcimi, Olsian Maçi dhe Alfred Qefalia. Këta persona po udhëtonin me një automjet tip passat që drejtohej nga Olsian Maçi.
Në grupin tjetër bënin pjesë Ervis Lami dhe Bledjan Dedja në automjetin tip Peugeot që drejtohej nga Bledjani. Në automjetin e parë kishin të vendosur litarin me gjemba, shiritat policorë të skenës së krimit, ndërsa në automjetin e dytë kishin të vendosur lëndën eksplozive të përgatitur nga Ervis Lami.
Rreth orës 18.00 ata i ka marrë ne telefon Admir Tafilaj, duke iu thënë që të niseshin. Grupi i parë ka vendosur në afërsi të rrugës që të shpie tek IEVP litarin me gozhdë dhe shiritat e policisë, ndërsa Ervisi dhe Blediani kanë vendosur lëndën eksplozive në afrësi të komisariatit, shpërthimin e saj ata e komandonin me celular. Pasi kanë mbaruar këto punë ata janë bashkuar sërisht në varrezat e fshatit Qatrom.
Ndërkohë në brendësi të IEVP të burgosurit Admir Tafilaj, Fran Marashi dhe Gëzim Guri ishin duke realizuar pjesën e tyre të planit të arratisjes. Ata u kanë dhenë armë edhe shtetasve Eduart Lulo, Gëzim Toma, Gëzim Guri dhe Reis Haxhiraj, duke i bërë tashmë edhe këta të fundit pjesë të planit të arratisjes.
Në orën 1500 të datës 23.11.2013, në brendësi të IEVP ishte hapur ambjenti i klasës, që është një ambient i përbashët për argëtim dhe që ndodhet në Godinën A të Sigurisë së Lartë. Pas hapjes së këtij ambjenti, të dënuarve të këtyre dy sektorëve u ishin hapur dyert herë pas here për të shkuar në klasë. Nga Sektori “4” kishin shkuar në klasë të denuarit Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri, Gëzim Toma, Reis Haxhiaj dhe Eduart Lulo, kurse nga Sektori “3” kishin shkuar në klasë të denuarit Flatur Gora, Kastriot Maksuti, Dan Hutra, Pelivan Latollari dhe Reshit Adri.
Të dënuarit Gëzim Toma dhe Eduard Lulo, sapo kanë dalë nga klasa, kanë nxjerrë armë të cilat i kishin me vete, ndërsa i dënuari Reiz Haxhiraj, ka shkuar tek dhoma nr.7, ku vuante dënimin shtetasi Fran Marashi dhe ka marrë nga dritarja e kësaj dhome një send të mbështjellë me leckë, ku më pas nxorri një armë prej andej. Njëri prej të dënuarve që dolën së fundmi nga klasa, ka shkuar tek vendi ku po mbahej i shtetasi Luan Liçkollari dhe i ka vendosur tytën e armës në kurriz këtij shtetasi, ndërsa i dënuari Admir Tafili, ka dalë jashtë, duke përdorur për hapjen e dyerve, çelësat që i kishte marrë Luanit.
Nën kërcënimin e armëve, të dënuarit kanë mbyllur në banjon e kolonës, punonjësit Arben Potka, Gjergji Këllezi dhe Bledar Kollçinaku, ndërsa Luan Liçkollari, sapo ka ndjerë që nuk kishte më armë të drejtuar në trupin e tij, është ngjitur menjëherë në katin e dytë, konkretisht në ambientet e paraburgimit dhe që prej andej, ka tentuar të lidhej me telefon me zyrën e informacionit. Më pas, ka zbritur në kolonën nr.2 dhe ka nxjerrë tre punonjësit e I.E.V.P.Korçë, nga vendi ku ishin mbyllur.
Ndërkohë, të denuarit Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri, Gezim Toma, Eduart Lulo, Reis Haxhiraj dhe Flatur Gora, pas daljes nga Godina A, kanë kaluar para ambientit të observimit dhe që prej andej, ishin drejtuar për tek dera e tunelit (dedektorit) e më pas kanë dale në rrethimin e jashtëm, nga ku më pas dhe janë larguar.
Pasi kanë dalë jashtë murit rrethues të betonit ata kanë kaluar rrjetën nëpërmjet një të çare në këtë rrjetë. Ndërkohë me qëllim që të frikësoheshin punonjësit e burgut nga jashtë burgut është qëlluar me dy mitraloza. Pasi kanë dalë përfundimisht jashtë ambientit të I.E.V.P, Drenovë-Korçë, ata janë shpërndarë në tre drejtime të ndryshme.
I dënuari Flator Gora ka ikur i vetëm dhe është nisur me drejtim banesën e tij në fshatin Pojan. Ai është kapur në flagrancë duke udhëtuar për në këtë banesë në fshatin Dishnicë. Të dënuarit Admir Tafilaj, Fran Marashi, dhe Gëzim Guri, janë nisur për në drejtim të qytetit të Prrenjasit. Ata janë kapur në flagrancë në një magazinë të braktisur në këtë qytet.
Të tre të dënuarit e tjerë, Gezim Toma, Eduart Lulo, Reis Haxhiraj, duke përdorur armët i kanë marrë automjetin Myfit Ustallit, i cili ka qenë duke udhëtuar rastësisht në vendin ku u kap nga të arratisurit, dhe janë janë larguar në drejtim të shtetit të Greqisë, ku më pas janë arrestuar nga autoritetet e këtij shteti. Automjetin e shtetasit Myfit Ustalli me targa KO 0387 B ata e kanë braktisur në një rrugë dytësore në afërsi të fshatit Ravonik.
Shtetasit Admir Tafilaj, Fran Marashi, dhe Gëzim Guri kanë hipur në dy makinat që po i prisnin bashkëpunëtorët e arratisjes dhe më pas janë larguar për në drejtim të Tiranës.
*Arratisja e Bujshme nga burgu i Drenovës, ekstradohet Toma pas arrestimit në Greqi