Donika ka kaluar një kalvar të vërtetë vuajtjesh me familjen e ish-bashkëshortit të saj. E sikur të mos mjaftojë fakti që ajo po rriti e vetme fëmijët në Itali, paragjykimet e ndjekin nga prapa. Opinioni i shtyn prindërit e saj që vazhdimisht t’i kërkojnë që të rikthehet tek martesa e mëparshme. Ajo ka ardhur për t’i thënë “stop” kësaj situate.
“Unë isha dhjetë vjeç, gjyshja pësoi një paralizë dhe u ndjeva shumë keq, por ashtu prapë e sëmurë kishte atë dashurinë e vet. Gjyshja ndahet nga jeta, por unë isha gjithmonë mbas gjyshes dhe prindërit mendonin se unë nuk i doja ata. Vdes gjyshja dhe bëjmë 6 mujorin e saj. Mamaja shkon për të ndihmuar një komshie aty bëjnë muhabet për të lidhur një fejesë. Unë isha 15 vjeç, ndërsa djali ishte 28, pra 13 vite më i madh dhe jetonte në Itali. Djali më takoi dhe tha këtë vajzë nuk mund ta fejoni në asnjë vend, sepse kjo do jetë e imja, pa përgjigjen time, pa praninë time. Nuk e njihja fare. I thanë që unë doja, më detyruan, komshia gënjeu dhe unë u fejova. M’u këput shpirti më keq, sesa kur vdiq gjyshja. Të nesërmen ai iku në Itali. Nuk mund ta duroja më jetën. Shkova tek shtëpia e tij që atë ditë dhe ndjenja dy javë me nipër, mbesa, kunata, vëllezër që një person i vetëm nuk ia dilte dot. Në Korrik u fejova, në Maj vjen im shoq, një javë kaloi fejesa dhe pastaj vendosëm të martoheshim. Vjehrra më thotë nëse nuk je shtatzënë do të çoj andej nga ke ardhur. Dua të shtoj familjen më thoshte. Mbeta shtatzënë në Dhjetor. Duhet të vazhdoja me analizat, kontrollohet, mirëpo një ditë ishte ditë e humbur për to, sepse duhet të shërbeja. Isha 7 muajshe dhe vjehrra për të ditur se çfarë do vinte në jetë shkuam në spital”.
“Ata donin djalë, por unë me zemër doja një vajzë. Linda njërën vajzë dhe mbeta prapë shtatzënë për të lindur një djalë, por përsëri erdhi një vajzë dhe ata e pritën përsëri më keq. Burri ishte në Itali, në lindje ka qenë vetëm 2 javë dhe më pas ka ikur. Pas dy vitesh ngela prap shtatzënë për të lindur djalin dhe fëmija i tretë erdhi djalë. Babai i fëmijëve nuk ekzistonte. Fëmijët i thërrisnin baba kunatit. Familja e burrit nuk më linin që unë të flisja dhe të përshëndesja njerëzit aty afër, sepse djali i tyre abuzonte ndaj alkoolit dhe kishte problem edhe bixhozin”.
“Linda djalin dhe e futën në inkubator, sepse ishte në rrezik për jetën, nuk më vinte askush. Isha si skllave, është shumë e rëndë, por ashtu ndiesha. Ata ishin shumë, por unë isha vetëm një. Gjashtë fëmijë nuk mund të jetonim në një shtëpi, sepse familja u shtua. Duhet të ndërtonim një shtëpi. Unë kam edhe motrën që u martua me kunatin e vogël, vjehrra vendosi që njëri nga këta duhet të kujdesej për prindërit e mi dhe donte që mua dhe burrin tim të më kthente tek prindërit, sepse atje kishte tokë dhe ndërtuam shtëpinë”.
“Mbas tre viteve, goca bëri 7 vjeç, mamaja shkon tek vjehrri dhe vjehrra dhe rrugës për në shtëpi goca kishte lotuar, syri ishte nxirë dhe lotonte. Në Peshkopi nuk kishte okulist, mjekët më thanë të shkonim në Maqedoni ose në Tiranë. Vjehrri dhe vjehrra më thanë mos u bë merak. Vajza arriti në një pikë sa humbi shikimin. Babai i vajzës më thoshte të pyesja prindërit. Nuk besonin, thoshin se unë e ekzagjeroja. Kur vajza u bë keq shkuam në Tiranë. Shikimi nuk i vjen më, thanë mjekët, rrezikohej jeta, sepse infeksioni kishte kaluar në një gradë shumë të rëndë. Vjehrri thoshte se s’ka më fugona për në Dibër, nuk donte t’ia dinte për vajzën. Unë jetoja me prindërit, ai vinte i pirë, ishte i dhunshëm”.
“Ishim dy motra për dy vëllezër, sakrifikoja aq shumë që mos të shkatërrohej familja e motrës, prindërit. Edhe sot nuk e kam bërë divorcin. Shkova në Itali, për të vizituar gocën, sepse këtu nuk mundesha. Vajzës iu rikthye shikimi. Goca më falenderon çdo ditë për këtë. Atje fillova edhe punë, por të gjitha paratë i merrte ai, vendosa të shkoj në polici dhe morën masën mbrojtëse 600 metra mos të afrohej, por nuk e zbatoi dhe vinte i pirë. Aktualisht është në arrest edhe për 2 vite.”
Këtë herë gazetari i rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” shkoi në Maqellarë, Dibër për të dhënë mesazhin Agushit dhe Nafijes, dy prindërve të Donikës.
“Unë kam ardhur që ju nuk duhet të jetoni më për njerëzit, që ju të jetoni ashtu siç jeni, jo nën presionin e të tjerëve. Ju e dini sa kam vuajtur unë me katër fëmijë, por më shumë e vetme. Kam ardhur këtu ta bëj publike, sepse ju gjithmonë më thoni faji jot. Nuk është faji im, kur dikush nuk e do veten dhe fëmijët e vet, nuk do asnjë në botë përveç alkoolit dhe bixhozit. Ju e dini shumë mirë sa kam vuajtur, por kjo është më shumë kur ju më merrni në telefon, apo keni ardhur nga Dibra vetëm për të më thënë që duhet ta falësh, por ishin gjykatat ato që vendosën për fatin e atij, nuk vendosa unë. Mamaja gjithmonë më merrte gjithë njerëzit dhe kurrë nuk ma ka thënë në sy që ti duhet ta falësh, apo diçka tjetër. Nuk është e mirë për një fëmijë që dy prindër të thonë që për ne je shkatërruar, nëse ti nuk e tërheq denoncimin, por nuk ishte në dorën time. Jam ndjerë shumë keq, kur ti erdhe nga Shqipëria dhe më the kam ardhur babai këtu të them disa fjalë, sepse babai jot nuk mund të flejë natën, sepse kur zgjohem në mëngjes gjej familjen e burrit në shtëpi për të më thënë që duhet të flasësh me vajzën. Erdhe dhe më the një fjalë shumë të rëndë, jam mërzitur shumë, sepse ti nuk je ai që e thua këtë, por nga presionet e të tjerëve më the që ti nga unë je e vdekur, nëse ti nuk e fal më burrin tënd dhe i nxehur ike, kur unë kam duruar 15 vjet, pa folur me asnjë njeri në botë, që im shoq abuzonte me alkoolin, me bixhozin. Tani kur unë mora një vendim, të gjithë njerëzit thonin e la Donika burrin. Po kur ai burrë e linte Donikën të vetme? Pa bukë, me lot.”
Ardit Gjebrea: Agush, kam unë një pyetje për ty. Ti e di gjithë historinë e vajzës tënde. Ti e di shumë mirë se ç’ka hequr ajo. Edhe zonja jote e di. Po pse i thoni që ta falë atë ?
Agushi: Ardit, njeriu bën në jetën e vet një gabim.
Ardit Gjebrea: Po 15 vjet Agush ?
Agushi: Rakinë e pinte ai, luajti bixhoz. Tani dënimin e ka mbaruar. Të gjitha gabimet që ka bërë i ka pranuar. Kjo tani është në dëshirën e vajzës nuk është në dëshirën time. Si të dojë vajza.
Ardit Gjebrea: Po si mundet që një baba ti thojë vajzës fale? A e do vajzën tënde Agush?
Agushi: Unë e dua vajzën time.
Ardit Gjebrea: Po ta ka rrahur, ta ka dhunuar.
Agushi: Këto nuk i kam ditur të rrahurat.
Ardit Gjebrea: Sigurisht që po.
Agushi: Jo, sigurisht që jo. Nuk i kam ditur.
Ardit Gjebrea: Atëhere, të ka dhunuar apo jo Donika?
Donika: Po.
Agushi: Për dhunë ne nuk e dinim.
Ardit Gjebrea: Në mënyrë sistematike, por Donika nuk ka dashur ndoshta dhe të të lëndojë që të thotë.
Agushi: Nëse e ka rrahur, të nesërmen të më tregonte mua.
Ardit Gjebrea: Çfarë do bëje ti?
Agushi: Unë vëlla e motër nuk kam, do mblidhja fisin dhe ta shkatërronim këtë punë. Ai në punë të vet dhe vajza në drejtimin e saj.
Ardit Gjebrea: Agush kanë ikur ato kohëra. Sot nuk ka më farefis.
Agushi: Unë vajzën time nuk e kam prek, e kam rritur si me bukë e pa bukë.
Ardit Gjebrea: Sot nuk është më koha të mbledhësh farefisin, sepse nëse farefisi thotë që vajza ta durojë, do ta durojë vajza? Sot vendos vajza për jetën e vet dhe për fatin e vet.
Agushi: Kur shkurorëzohet një familje duhet të mbledhësh farefisin që kush i ka fajet.
Ardit Gjebrea: Unë i respektoj shumë zakonet tuaja, por në këtë rast ky zakon nuk vlen, kur ka drru në mes.
Agushi: Ka bërë gabim vajza që nuk më ka treguar.
Ardit Gjebrea: Ja tani vajza ta tregoi. Tani vajzës nuk besoj që ju do t’i thoni më fale.
Agushi: Ajo e di vetë.
Ardit Gjebrea: Ajo e di vetë këtë gjë, derisa nuk e fal, por asaj i dhemb shpirti që ti nuk e mirëkupton. Ajo ju ka thirrur sot të dyve që ta mirëkuptoni vajzën. Sepse ajo e di vetë këtë gjë, fëmijët e kanë parë vetë. Imagjino ato fëmijët që i keni si dritë, mbesat dhe nipin që të shikojnë nënën e tyre që dhunohet nga babai. Si mund të rriten ato fëmijë me këto skena përpara syve ? Ata do t’i marrin me vete gjatë gjithë jetës këto skena dhe do jenë të traumatizuar që të kenë në kujtesën e tyre jo një nënë që përqafohet nga babai i tyre, por një nënë që dhunohet nga babai i tyre. Këtë ne duhet ta kuptojmë shumë fort dhe mos ta lejojmë.
Agushi: Ajo e di vetë, unë sa të kem mundësi do e mbështes.
Ardit Gjebrea: Dhe do jesh me vendimin e saj.
Agushi: Po me vendimin e vajzës, patjetër.
Ardit Gjebrea: Ajo e ka zgjidhur jetën e vetë. Tani do dashurinë tuaj dhe mbështetjen tuaj, sepse për fat të mirë ajo i ka dalë zot vetë jetës dhe madje bravo i qoftë që çon përpara një familje me fëmijë. Ajo ka ardhur enkas nga Italia, sepse i dhemb shpirti për ju dhe nuk do edhe një dhimbje tjetër, se boll dhimbje ka patur në jetë.
Agushi: Prej nesh s’do ketë dhimbje kurrë.
Të kthehesh pas nuk është zgjidhja e duhur, por as të harrosh çfarë ka ndodhur. Tani që Donika gjeti mbështetje nga prindërit e saj, një kapitull i ri hapet në jetën e saj. E ardhmja është gjithmonë më e bukur sepse lufton paragjykimet e vjetra. Ky ishte një mesazh i fortë për të gjithë prindërit që gjenden në pozita të tilla si Agushi dhe Nafija. Në fund të ditës, asgjë nuk ka më të shtrenjtë se familja. Nëse një pjestar vuan, e gjithë familja vuan./tvklan.al