Mungesa e informacionit për tregjet dhe trendet e konsumit po krijon flluska në prodhimet bujqësore. Fermerët në zonat prodhuese të vendit – Korçë, Lushnjë dhe Fier reduktuan prodhimin prej humbjeve të larta që solli superprodhimi i qepës, preshit, patates dhe domates në vitin 2017.
Çmimet me pakicë të këtyre produkteve janë aktualisht 3-4 herë më të larta se në vitin e kaluar. Por çmimet e këtij viti po nxisin mbjellje pa kriter të preshit dhe qepës, duke sinjalizuar për një flluskë tjetër. Ekspertët këshillojnë krijimin e platformave të informacionit për bujqit, ndërkohë Agropikat dhe bursa e çmimeve bujqësore kanë dështuar
Prodhuesit e perimeve të dimrit, të cilët patën fitime të larta këtë vit, për shkak të shitjeve me çmime gati katër herë më të larta të qepës, preshit, lakrës rrezikojnë të përballen me humbje të mëdha vitin që vjen. Vetëm në Pazarin e Korçës, këto ditë tregtarët kanë shitur rreth 250 mijë euro farë qepë, duke sinjalizuar se vitin tjetër do të ketë kultivim masiv të saj. Superprodhimi, pa gjetur treg eksporti, do të ulë çmimet dhe do të kalbë produktin, ashtu si edhe në vitin 2017 dhe kjo përkthehet në humbje për fermerët.
Flluskat në bujqësi po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, kryesisht nga mungesa e orientimit dhe informacionit mbi nevojat e tregut. Shumica e prodhuesve bujqësorë nuk punojnë me kontrata të rregullta dhe mbjelljet bëhen nisur nga tradita dhe mundësitë se sa kërkesa që udhëhiqet nga tregu. Nevion Telha, ekspert i bujqësisë në zonën e Korçës, pohoi se, sektori është i orientuar në dy-tre kultura, të cilat prodhohen në këtë zonë si qepa, patatja dhe mollët, pasi edhe kushtet klimatike i favorizojnë.
Vitin e kaluar, pati superprodhim të qepës dhe patates, për të cilat çmimi i shumicës shpesh ishte 10-20 lekë. Fitimet e fermerëve nga shitjet nuk mbuluan as kostot, duke bërë që shumë prej tyre të hiqnin dorë nga kultivimi këtë vit. Nga 1000 hektarë që ishin mbjellë me qepë gjatë 2017 në rajonin e Korçës më 2018 nuk u mbollën as 150 hektarë. Mirëpo, ata që mbollën qepë këtë vit, patën fitime shumë të larta, pasi çmimi i saj nga depot e fermerëve ishte 60 lekë për kilogram. Ky nuk është sinjal i mirë për të ardhmen e largët, pasi “humbjet” janë te dera për shkak të superprodhimit që pritet këtë vit.
Në kohët e sotme, bujqësia moderne nuk është e orientuar nga planifikimi por nga informacioni. Ismail Beka, koordinatori i projekteve në zyrën e GIZ (Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar) tha se në vend të planifikimit se çfarë kulturash bujqësore duhen mbjellë, duhet një sistem informacioni ku bujqit të njihen me kërkesat e tregtarëve dhe grosistëve. Ky sistem është i thjeshtë, nuk kushton shumë dhe është një metodë që udhëheq prodhimin bujqësor në botën e zhvilluar.
Beka thotë se në kohët e sotme, askush nuk mund të planifikojë saktë se çfarë duhet të mbillet në bujqësi dhe çfarë jo. Këtë e përcakton vetëm tregu. Bujqit mund t’i afrohen tregut, pohon Beka, vetëm nëpërmjet një sistemi efektiv informacioni. Tregtarët mund të ekspozojnë nevojat e tyre për prodhime bujqësore dhe në këtë mënyrë, bujqit e interesuar mund të prodhojnë nisur nga një kërkesë paraprake ku shanset për shitjen e prodhimit janë mbi 90%.
Ministria e Bujqësisë përllogarit se, në Shqipëri vetëm 15% e fermerëve prodhojnë me qëllim tregtinë dhe mund të përmbushin nevojat që kërkojnë kontratat afatgjata. Por edhe kjo kategori fermerësh përballet herë pas here me flluska. Leornad Janji, fermer në zonën e Fierit, tha se për 11 vjet ka kultivuar domate, të cilat i ka shitur nëpërmjet kontratave kryesisht për eksport, por shpesh çmimet ishin shumë të ulëta dhe spekulative, duke mos justifikuar as kostot.
Ai tha se tani e ka mbyllur aktivitetin dhe ka emigruar sërish drejt Italisë për të ushtruar të njëjtin aktivitet. “Në janar të vitit të kaluar isha tek Agropika, e shumëreklamuar nga qeveria shqiptare. Pavarësisht se në bazë të ligjit më takonte subvencion për shkak të sipërfaqes që mbillja, nuk më dhanë asnjë informacion se çfarë kulturash bujqësore do të mbilleshin në nivel lokal apo rang vendi, si dhe sipërfaqen që planifikohej të mbillej”, tha Janji.
Ai pohon se çmimet e ulëta që dha shumica vitin e kaluar për domatet krijuan humbje të mëdha te fermerët, ndaj ata këtë vit kanë mbjellë më pak, duke krijuar hendek në treg dhe eksporte. E njëjta përvojë vlen edhe për perimet e dimrit, qepën, preshin dhe pataten.
Flluskat janë shtuar
Viti 2018 duhet të konsiderohej i artë për bujqësinë për nga kushtet klimatike. Reshjet e bollshme në kohën e mbjelljes dhe rritjes së perimeve ishin garancia për prodhimin e lartë, por ndodhi ajo që ekspertët e “Tiranës” nuk e kishin pritur. Bujqit braktisën ngastrat, duke kufizuar mbjelljet e serave e në fushë për shkak të humbjeve që kishin pësuar në vitin 2017. Bujqësia, sidomos në Shqipëri, ka njohur thuajse si zakonisht humbje për shkak të çmimeve të ulëta, por vera e vitit 2007 nuk ishte e zakonshme për ta. Fermerë në zonën e Korçës dhe Fierit gjatë vitit 2017 kanë shitur të gjithë prodhimet nën kosto në rastin më të mirë, pasi shumica është kalbur në fushë.
Prodhimi i lartë dhe mungesa e kontratave të qëndrueshme nga njëra anë dhe spekulimi me çmimet nga ana e tregtarëve dekurajuan fermerët për të mbjellë gjatë verës 2008. Të dhënat nga drejtoritë e bujqësisë nga Qarku i Fierit dhe Korçës tregojnë se sipërfaqet e mbjella me perime ranë ndjeshëm në vitin 2018. Për pasojë tregu pati vështirësi në furnizim normal, duke bërë që çmimet e perimeve dhe zarzavate këtë vit të ishin të larta. Gjatë verës 2008, një kilogram domate u shit mbi 100 lekë, ndërsa perimet e dimrit, si presh, lakra,
qepa dhe patatja po shiten me çmime trefish më të larta 12-13 lekë kilogrami.
Ata që kishin mbjellë, këtë vit fituan shumë, por shitjet e farërave dhe fidanëve në zonat prodhuese sinjalizojnë se flluska do të përsëritet vitin tjetër pasi fermerët do të rrisin sërish sipërfaqet e mbjella.
Eksporti i fruta-perimeve ra më 2018 për herë të parë pas dy dekadash
Prodhimi i kufizuar bujqësor çoi në rënie të eksporteve të perimeve dhe frutave më 2018 për herë të parë pas dy vitesh. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, eksportet e frutave dhe perimeve ranë më shumë se 1% në vitin 2018, me më shumë se 100 milionë lekë. Mungesa e prodhimit ndikoi negativisht edhe furnizimin e tregut vendas, duke rritur furnizimet nga importi vitin e kaluar. Gjatë vitit 2018 importet e frutave dhe perimeve u rritën me 13% pas një stanjacioni në 2017.
Gjatë 2018-s u eksportuan jashtë vendit rreth 9.5 miliardë lekë fruta dhe perime, ndërsa në vitin 2017, 9.62 miliardë lekë. Ndërsa importet shënuan 9.4 miliardë lekë nga 8.3 miliardë lekë që ishin më 2017. Kjo ishte rritja më e madhe që nga viti 2015. Zhvillimet në tregtinë e jashtme të frutave dhe perimeve reflektojnë ecurinë e prodhimit vendas. Për shembull, në vitin 2017, kur prodhimet vendase arritën kulmin, tregtia me jashtë për herë të parë që nga viti 1990 shënoi suficit në fruta dhe perime. Eksportet shënuan rritje 21% në raport me 2016-n. Ndërsa importet u rritën vetëm me 0.2% kundrejt vitit 2016. Si importet edhe eksportet janë rritur që nga viti 2012, por shitjet jashtë vendit janë rritur me ritme më të shpejta se importet deri në fund të vitit 2017. Situata ka ndryshuar kryekëput në vitin 2018 në favor të importeve të cilat ju kthyen rritjes me ritme dyshifrore.
Në pesë vitet e fundit, eksportet e frutave dhe perimeve janë pesëfishuar, nga 1.8 miliardë lekë më 2012 në 9.5 miliardë lekë në 2018. Ndërsa importet janë rritur në pesë vite me 26%. Mungesa e standardit në varietete dhe kultivimi i tyre nga njësitë fermere në sipërfaqe në më pak si një dynym nuk garanton fitime për kultivuesit.
Në fshatin Verri të Fierit, në zemrën prodhuese të vendit fitimet për një dynym me domate qenë vetëm 20 mijë lekë vitin e kaluar. Kostot për një dynym serë domate arritën në rreth 80 mijë lekë, teksa të ardhurat nga shitja nuk ishim më shumë se 100 mijë lekë. Tregu nuk është i garantuar dhe mungojnë kontratat e shitjes, shpesh ndodh që prodhimi të mos i justifikojë kostot. Pavarësisht kësaj situate, perimet nga serat në Shqipëri mbeten një nga produktet me leverdi. Mirëpo që investimet të finalizohen, duhet që të sigurohet një sipërfaqe më e madhe toke sesa përpunojnë fermerët aktualisht.
Duke kultivuar perime, më e pakta, fermerët do të mund të sigurojnë një pjesë të nevojave të veta për ushqime. Familjet fermere në Fier llogarisin se nuk ka asnjë leverdishmëri në sera në më pak se 5 hektarë. Por për Ministrinë e Bujqësisë, për të filluar një biznes në bujqësi, duhen të paktën 20 hektarë, teksa mesatarja e fermave bujqësore aktualisht nuk është më shumë se 1.2 hektarë./Monitor