Nëntorin e vitit 2013, Shqipëria i hapi dyert sistemit të drejtësisë administrative me pritshmëritë për zgjidhje të shpejta të mosmarrëveshjeve të shkaktuara nga autoritetet publike.
Si pjesë e këtij sistemi u ngritën gjashtë Gjykata Administrative të shkallës së parë dhe Gjykata Administrative e Apelit, të cilat numërojnë së bashku 48 gjyqtarë. Prej pesë vitesh, gjykatat e shkallës së parë e kryejnë funksionin e tyre në Tiranë, Shkodër, Durrës, Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë.
Ato janë kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që lindin nga aktet administrative, aktet nënligjore normative, marrëdhëniet e punës së nëpunësve publikë si dhe ndërhyrjet e paligjshme dhe mosveprimet e autoriteteve publike.
Gjykata Administrative e Apelit është një e vetme me seli në Tiranë. Ajo shqyrton ankimet kundër vendimeve të shkallës së parë si dhe ushtron juridiksion fillestar për mosmarrëveshjet me objekt aktet nënligjore normative.
Ndonëse historia e Gjykatave Administrative në Shqipëri është e shkurtër, pjesa më e madhe e gjyqtarëve që ushtrojnë funksionin pranë tyre kanë një karrierë më shumë se 15 vjeçare në sistemin shqiptar të drejtësisë dhe i nënshtrohen vetingut njësoj si të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë të vendit.
Në gjurmët e katër studimeve të mëparshme, BIRN ndërmorri një analizë të thelluar të deklaratave të pasurisë së 48 gjyqtarëve të Gjykatave Administrative. Të dhënat e përftuara tregojnë se 31 gjyqtarë ose 65% e totalit nuk arrijnë ta justifikojnë pasurinë të paktën për një vit të deklarimit të tyre.
Pasuria e pajustifikuar nga të ardhurat neto evidentohet në 55 deklarata të gjyqtarëve administrativë ose në 9% të totalit të deklaratave të analizuara. Ajo kap një vlerë prej 110 milionë lekësh ose 15% të pasurisë totale të deklaruar.
Listën e gjyqtarëve me probleme në justifikimin e pasurisë e kryeson Gjykata Administrative e Apelit me 21 deklarata. Ajo pasohet nga Gjykata Administrative e Gjirokastrës dhe më pas ajo e Tiranës.
Testi i mësipërm i justifikimit të pasurisë nuk ka përfshirë minimumin jetik të gjyqtarëve dhe familjarëve të tyre. Nëse në këtë analizë do të llogaritej edhe minimumi jetik sipas INSTAT, vetëm 1 gjyqtar nga 48 që e kryejnë funksionin në Gjykatat Administrative do të arrinte të justifikonte pasurinë.
“Flamujt e kuq” të pasurisë
Kontrolli i pasurisë është një ndër shtyllat kryesore të procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri, proces i cili sapo përmbylli vitin e parë të funksionimit të tij. Problemet në justifikimin e pasurisë janë bërë deri më tani shkak për shkarkimin e 41 gjyqtarëve, prokurorëve dhe ndihmësve ligjorë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Bashkë me subjektet e dorëhequra, rreth 53% e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kaluan deri më tani nëpër filtrat e vetingut kanë humbur vendin e tyre të punës. Pesha e kontrollit të pasurisë në procesin e vetingut e nxiti BIRN të ndërmerrte një analizë të thelluar të strukturës së pasurisë së deklaruar nga gjyqtarët e Gjykatave Administrative në Shqipëri.
Nëpërmjet kërkesave për të drejtë informimi, BIRN administroi nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, 650 deklarata pasurie të dorëzuara nga gjyqtarët e Gjykatave Administrative nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.
Të dhënat e plotësuara nga gjyqtarët në secilën deklaratë vjetore u hodhën në një databazë dhe iu nënshtruan analizës aritmetike dhe logjike, e cili bazohet në një nga format e kontrollit të përdorura nga ILDKPKI për të hetuar pasurinë e zyrtarëve dhe është e njohur si një nga praktikat më të mira ndërkombëtare.
BIRN analizoi gjithashtu trendin e të ardhurave dhe shpenzimeve si dhe fushat kryesore të investimit të pasurisë.
Në vitin 2003, gjyqtarët që punojnë sot në Gjykatat Administrative deklaronin së bashku pasuri me vlerë 97.4 milionë lekë. Në fund të vitit 2017, pasuria e gjyqtarëve të Gjykatës Administrative kap vlerën e 844 milionë lekëve ose gati 9 herë më e lartë se viti fillestar i deklarimit.
Në të njëjtin trend me gjyqtarët e tjerë të vendit, edhe gjyqtarët e Gjykatës Administrative i kanë drejtuar investimet e tyre në tregun e pasurive të paluajtshme.
Në fund të vitit 2017, ata zotëronin së bashku rreth 500 milionë lekë pasuri të paluajtshme të deklaruara.
Të dhënat e studimit sugjerojnë se mesatarisht çdo gjyqtar e ka rritur vlerën e pasurive të paluajtshme nga 1.5 milionë lekë në fillim të detyrës në rreth 10.4 milionë lekë vitin 2017. Në këtë vlerësim nuk janë përfshirë pasuritë e paluajtshme të përfituara nga trashëgimia apo të dhuruara, për të cilat subjektet deklarues nuk kanë shënuar vlerë në formularin e deklarimit.
Dy kategoritë e tjera të mëdha janë likujditetet në bankë dhe kursimet në Cash.
Në fund të vitit 2017 rezulton se vlera akumulative e llogarive bankare është 185,1 milionë lekë, ndërsa ajo e likuiditeteve në Cash është 103,8 milionë lekë, duke përfaqësuar respektivisht 21.9% dhe 12.3% të vlerës totale të të gjitha aseteve të deklaruara.
Automjetet, të cilat zënë kryesisht kategorinë e pasurive të luajtshme zënë 4.3% të totalit të pasurisë me një vlerë prej 36 milionë lekësh. Por kategoria që ka pësuar rritjen më të madhe në krahasim me veten është huadhënia, e cila është rritur me 25 herë nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.
Huadhënia dhe kursimet në cash shënojnë një fluks të lartë të parasë së gjyqtarëve, e cila mbahet jashtë sistemit bankar.
Mbajtja e likuiditeve Cash jashtë sistemit bankar konsiderohet në praktikat më të mira ndërkombëtare si një ‘flamur i kuq’ ose shenjë transaksionesh të dyshimta, çfarë duhet të shtyjë organet përgjegjëse të ndërmarrin një kontroll të plotë administrativ për subjektet e identifikuara.
Të dhënat e analizës së BIRN tregojnë se gjyqtarët e Gjykatave Administrative mbajnë në formën e huave dhe të kursimeve rreth 14% të totalit të aseteve të tyre jashtë sistemit bankar, duke përfaqësuar dhe pjesën më “informale” të pasurisë së deklaruar të këtyre gjyqtarëve.
Të ardhurat dhe borxhet
Përgjatë 14 viteve të deklarimit, 48 gjyqtarët e Gjykatave Administrative në vend kanë siguruar të ardhura me vlerë 1.3 miliardë lekë. Megjithatë, të ardhurat nga funksioni i gjyqtarit zë vetëm 45% të të ardhurave familjare të subjekteve të analizuara.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtarët dhe familjarët e tyre raportojnë një shumëllojshmëri burimesh, të cilat kategorizohen nga biznesi, dhuratat në cash, fitimet nga transaksionet me pasuritë si dhe qiradhënia.
Në analizën e pasurisë së gjyqtarëve të Gjykatave Administrative, zëri i dytë më i lartë pas pagave është ai i të ardhurave nga biznesi. Gjyqtarët kanë deklaruar së bashku të ardhura me vlerë 97 milionë lekë në këtë kategori, ose 7.3% e të ardhurave totale.
Fitimet nga shitblerja e pasurive dhe të ardhurat nga qiratë konkurojnë me njëra-tjetrën, duke zënë respektivisht 5.7% dhe 4.9% të totalit të burimeve financiare. Ndërsa dhuratat në cash janë 17.5 milionë lekë dhe zënë 1.3% të totalit. Rreth 19.2% e të ardhurave të gjyqtarëve në Gjykatat Administrative buron nga biznesi, shitblerja e pasurive të luajtshme/paluajtshme, dhuratat dhe qiradhënia.
Të ardhurat e larta nga këto burime konsiderohen në praktikën ndërkombëtare të kontrollit të pasurisë si ‘flamuj të kuq’ dhe sinjale për organin që administron kontrollin e pasurisë për analiza më të thelluara të subjektit deklarues dhe familjarëve të tij.
“Flamuj të kuq” ngrenë edhe borxhet e gjyqtarëve administrativë, të cilat janë përdorur gjerësisht si burime për shtimin e pasurisë. Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë gjyqtarët deklarojnë së bashku 340 milionë lekë detyrime, ku zëri kryesor përbëhet nga kreditë bankare.
Borxhet ndaj kompanive të ndërtimit kapin rreth 95 milionë lekë përgjatë gjithë periudhës deklaruese, ndërsa huatë ndaj personave të tretë janë rreth 83 milionë lekë. Bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, detyrimet e larta jashtë sistemit bankar konsiderohen si indikatorë transaksionesh të dyshimta dhe identifikohen si “flamuj të kuq”.
Rreth 53% e vlerës totale të detyrimeve që 48 gjyqtarët e Gjykatës Administrative kanë deklaruar lidhen me kompanitë e ndërtimit dhe persona të tretë. /BIRN/