Nga Ledio Braho
Fundjava e kaluar, pas protesës më të madhe opozitare në vend, prodhoi dhe një lëvizje politike të pakonsumuar më parë nga një opozitë në vend – djegien e mandatave parlamentare nga partitë politike të opozitës.
Tashmë që duket se fenomeni “djegies” është më afër se kurrë, kanë nisur dhe debatet mbi teknikalitetin e kësaj procedure, por kjo është më pak e rëndësishmja. Nëse në çdo fenomen tjetër procedura është thelbësore, në rastin e djegies së mandateve dhe deligjitimimit të organit ligjvënës, kusht i mjaftueshëm dhe i domosdoshëm është vullneti politik. Koalicioni opozitar, pas shprehjes së këtij vullneti, nuk ka më kthim pas, do të dorëhiqet en bloc nga pushteti legjislativ që legjitimohet vetëm nga prania e opozitës.
Ajo që vlen per t’u sqaruar është se përse opozita arriti në këtë modus operandi pas pak më shumë se pesë vitesh opozitë? A është djegia e mandateve një “shkak-pasojë” dhe cilat janë shkaqet?!
Shkaku Nr. 1 – U desh një mandat i tërë opozitar që të dekriminalizohej pushteti legjislativ dhe një sërë funksionesh publike pjesë e pushtetit ekzekutiv dhe atij vendor;
Shkaku Nr. 2 – Shqipëria, sot është i vetmi vend në Këshillin e Europës (ndoshta dhe më gjerë) që nuk ka një Gjykatë Kushtetuese, nuk ka një Gjykatë të Lartë, e po ashtu shumë shpejt nuk do të ketë as gjykata apeli, këtu flasim për gjykata funksionale dhe jo për parashikime kushtetuese apo ligjore;
Shkaku Nr. 3 – Shqipëria, sot ka një Prokurore të Përgjithshme të Përkohshme që edhe nga vetë zgjatimi i titullit të funksionit që mban, duket që e mban atë detyrë në sajë të një artifice kushtetuese që mbështetet që në krye të herës vetëm nga maxhoranca parlamentare. Është pikërisht kjo Prokurori që duket si zgjatim i administratës dhe që heton gazetarët, por nuk ankimon vendimet e pafajësisë së deputetëve të maxhorancës që blejnë aksione bankash me ta ardhura nga paga;
Shkaku Nr. 4 – Reforma në drejtësi dhe veçanërisht vettingu po sjellin shkarkime gjyqtarësh dhe prokurorësh, por ende sot, pas gati pesë vitesh reformë në drejtësi, është e paqartë se di do të plotësohet sistemi nga një raport i tillë i zhdrejtë mes shkarkimeve dhe emërimeve;
Shkaku Nr. 5 – Në kupolën e “drejtësisë së re”, një investim energjish dhe fondesh nga vendet më demokratike të botës, demaskohen që në nisje të saj “komunistë të vjetër” si për të na treguar se janë të pazëvendësueshëm;
Shkaku Nr. 6 – Blerja e votës është shndërruar në institut zgjedhor a thua se rregullohet nga Kodi Zgjedhor si mënyrë votimi, e provuar kjo nga OSBE-ODIHR dhe nga dosje penale që flenë në raftet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në një sistem të tillë vota është një mekanizëm në duart e Niçes (jo filozofit) dhe jo të qytetarit;
Shkaku Nr. 7 – Fuqia e pushtetit ekzekutiv që e ka bërë të pamundur që të ketë një sipërmarrje të lirë të vërtetë jashtë rradhëve të tyre. Është pikërisht kjo lidhje simbiotike që ka nxjerrë në pah mega-aferën korruptive “DH Albania” në dëm të taksapaguesve shqiptarë;
Shkaku Nr. 8 – Shqipëria, sot ka një qeveri që në gjysmën e saj është teknike dhe e pavotëbesuar nga sovrani;
Shkaku Nr. 9 – Shqipëria, sot qeveriset nga një maxhorancë që ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë vetting në çdo fushë te jetës publike, por e refuzon atë te vetja;
Shkaku Nr. 10 – Shqipëria, sot është një vend i braktisur nga rinia e saj. E vetmja shpresë e çdo shqiptari për një jetë më të mirë, mbetet ajo e largimit nga Shqipëria.
Këto janë dhjetë nga shkaqet që nxisin këdo shqiptar për të protestuar ndaj një maxhorance arrogante që legjitimohet vetëm nga prania e opozitës në Kuvend.
Djegia e mandateve, nëse nuk do të pasohet nga një reflektim i maxhorancës për t’u tërhequr nga arroganca e shifrave të “votimeve” të 2017, përveçse një ekzekutivi të sajuar dhe një gjyqësori të cunguar, do të sjelli edhe një legjislativ që do t’i ngjajë Sheshit të Flamurit në Vlorën e 16 shkurtit 2019.
Por 16 shkurti nuk do të mbahet mend për Vlorën e asaj dite, por për Tiranën e asaj dite.
P.S. Kushdo që mundohet të intepretojë Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor në lidhje me institutin e “djegies së mandateve” duhet të kuptojë që opozita nuk është listë dhe karrige, por është mision për garantimin e Republikës.