Një grup i vogël arkitektësh të deligjitimuar që investojnë për intersa personale kanë firmosur një peticion kundër projekt ligjit për “Urdhërin Profesional të Arkitekteve” dhe i kërkojmë Qeverisë Shqiptare, Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë e në vecanti znj. Belinda Balluku, të marrë masat menjëherë për mosmiratimin dhe ndalimin e këtij projekt ligji.
Sipas tyre ky projekt ligj është antikushtetues dhe kërkon monopolizimin e tregut të lirë të Arkitekteve në Shqipëri.
Peticioni i plotë
Me anë të këtij peticioni i kërkojmë Qeverisë Shqiptare, Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë e në vecanti znj. Belinda Balluku, të marrë masat menjëherë për mosmiratimin dhe ndalimin e një projekt Ligji “Për Urdhërin Profesional të Arkitekteve” të hartuar në mënyrë të njëanshme dhe paragjykuese nga një grupim i vogel të Shoqatës së Arkitektëve Shqipërisë Sh.A.Sh.
Kjo nismë e tyre nën emrin e arkitektëve të Shqiperisë, nuk perfaqeson shumicen, madje është iniciuar në fshehtësi pa pjesmarrje të gjërë të grupit të interesit.
Ky projketligj theksojme është antikushtetues dhe kërkon monopolizimin e tregut të lirë të Arkitekteve në Shqipëri.
Në lidhje me përmbajtjen e këtij projektligji:
1. Së pari, ekzistenca e një urdhri është krejt e panevojshme, aq më tepër në kushtet e Shqipërisë, pasi i gjithë profesioni është i rregulluar me ligj. Nuk ka patur një kërkesë nga profesionistët e fushës për të shtuar hallka burokratike dhe nuk është e qartë ministria që ka iniciuar këtë proçes, gjë që dëshmon mosnjohje të kushtetutës dhe legjislacionit të vendit. Projekti në fjalë është hartuar vetëm nga një shoqatë (SHASH), e cila ka barazuar veten me urdhërin. Kjo është antikushtetuese dhe në konflikt të hapur interesi, gjë që çon në krijimin e situatës së monopolit. Projekti i propozuar bie ndesh me të drejtat e liritë e individëve dhe me një sërë ligjesh, përfshi ato të ndërtimit dhe të arsimit.
2. Hidhen hije dyshimi mbi ata që do të kontrollojnë “gjithçka”, duke tejkaluar sistemet akademike, ligjore, ekzistuese dhe që vet mbeten të pakontrollueshëm. Theksojmë se iniciatorët e këtij ligji janë pikerisht përgjegjësit e situatës aktuale të ndërtimit dhe të edukimit në këtë fushë në Shqipëri.
3. Sipas hartuesve të projektit, urdhëri do të jetë një organ i pavarur dhe jo buxhetor, por nëse është i tillë, atëhere është si çdo OJF tjetër profsionale dhe nuk ka pse të marrë më shumë të drejta se profesionistët e lirë, apo se grupimet e tjera të profesionistëve. Nuk ka pse të kontrollojë jetën profesionale të askujt, madje nuk ka si të mbledhë taksa e gjoba (sqarojmë: sipas draftit nëse nuk përfshihesh në urdhër, pra nuk paguan një tarifë, nuk ke të drejtë të projektosh). Maksimumi që mund të kontrollonte urdhri mund të ishte etika profesionale e mbështetësve të vetë, mbi bazën e një kodi etik të diskutuar në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente me profesionistët që preken. Kodi duhet të përfaqësojë të gjithë arkitektët dhe jo grupe të ngushta të vetëshpalluara.
4. Propozimi që urdhëri të hartojë kurrikula e të ndërmarrë programe trajnimi që lehtësojnë futjen në provim është antikushtetues. Kjo është krejt e pabazë pasi Urdhëri nuk ka kredite akademike dhe as njohuritë e nevojshme. Aq me tepër nuk mund të zëvendësoje e të dalë mbi të gjitha strukturat e njohura me ligj dhe të akreditura në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
5. Në nenin 5 të tij thuhet se qëllimi i urdhërit është të garantojë etikën në profesion dhe sigurinë e qytetarëve. Atëherë nëse qëllimi është i tillë, provimi i shtetit (që sugjeron Urdhëri) nuk mund të përfshijë asnjë pyetje profesionale, por vetëm pyetje që kanë të bëjnë me standardet e projektitmit në arkitekturë. Ndaj do të ishte e udhës që të hartoheshin këto standarde më parë. Arkitekti i cili zotëron kreditet akademike sipas niveleve të studimit nuk ka pse të përgjigjet për idete konceptuale, apo çështje të tjera subjektive por vetëm për aspekte ligjore.
6. Në vazhdim, ideja që urdhëri të vendosë për nivelet e kualifikimit të profesionistëve është e papranueshme, pasi këtë e vendos sistemi arsimor i liçensuar dhe diplomat e shkallëve të ndryshme të njohura dhe të mbrojtuara me ligj. Pra si mundet një OJF të dalë mbi fuqinë e kushtetutës dhe legjislacionit arsimor, si edhe te institucionet e specializuara, liçensuara, akredituara prej vitesh?
7. Sipas projekt ligjit, askush që nuk është i regjistruar në regjistrin e arkitektëve, që e menaxhon Urdhri, nuk ka të drejtë të ushtrojë profesionin. Dhe po ashtu, urdhëri do të kontrollojë liçensat. Kjo është një ide totalitare dhe me rrezikshmëri të lartë për të thelluar edhe më tej monopolet ekzistuese. Pra një OJF pa kredenciale akademike e ligjore, madje me probleme të thella me çfarë ka bërë deri tani, paska të drejtë të vendosë nëse një arkitekt që ka përmbushur detyrimet ligjore të caktuara në shkolla brenda e jashtë vendit, të ushtrojë profesionin apo jo?! Kjo kërkon guxim ta mendosh!
8. Thuhet në draft se arkitekti duhet të grumbullojë kredite çdo vit, si mjekët, që të mund të mbajë liçensën. Për këtë duhet të shkojë në konferenca e seminare, në trajnimet e urdhërit, të shkruaje artikuj, etj. Nëse nuk i grumbullon kreditet kështu, atëherë duhet të rijapë provimin përsëri. Është tërësisht e paimagjinueshme pasi kemi të bëjmë me profesionistë praktikantë dhe jo me akademikë apo shkencëtarë.
9. Në projektligj thuhet se urdhrin do ta akreditojë qeveria ose SHASH. Në fakt mjafton të mendojmë këtu se SHASH, e cila ka shkruar me vetshpallje dhe në mënyrë të njëanshme këtë projektligj, do të akreditojë vetveten, dhe se SHASH është vetëm një nga shoqatat ekzistuese në këtë fushë. Ky konflikt interesi nuk besoj ka nevojë të komentohet më tej. Kjo hap udhën e politizimit të urdhrit. Sa herë të ndryshojnë pushtetet dhe profesionistët do të detyrohen të militantizohen.
Në konkluzion, ekzistenca e një urdhëri është krejt e panevojshme në kushtet e Shqipërisë, pasi i gjithë profesioni është i rregulluar me ligj. Në legjislacion mungojnë vetëm “standardet e projektimit” dhe “kodi i ndërtimit”, por pjesa e liçensave dhe përgjegjësive profesionale është e mbuluar, si me ligje të veçanta edhe me përcaktimet shtesë në ligjin e planifikimit. Vetë procesi i lejes së ndërtimit dhe akti i kolaudimit mbulon tërë ligjshmërinë e procesit të projektimit. Në këto kushte, urdhëri është vetëm një formë monopolizimi, kontroll i parave/tenderave që kanalizohen në arkitekturë dhe vret cilësinë e projektimit dhe arkitekturës, përveçse shkatërron iniciativat e lira dhe tregun konkurrent. Nisma dëmton të gjithë komunitetin profesional, dhe sidomos profesionistët e rinj. Projektligji të kujton censurën e organeve si “lidhja e shkrimtarëve” të periudhës së diktaturës.
Nisma është iniciuar nga një grup/lob i vogël arkitektësh të deligjitimuar që po investon për intersa personale. Projektligji është hartuar pa pjesëmarrjen e të gjithë spektrit profesional dhe institucional që preket nga ky ligj.
Linku i peticionit: https://www.change.org/p/peticion-kunder-urdherit-te-arkitektit?recruiter=83749756&utm_source=share_petition&utm_medium=facebook&utm_campaign=psf_combo_share_abi.pacific_post_sap_share_gmail_abi.gmail_abi&utm_term=share_petition&recruited_by_id=d46249c1-1165-404d-a859-a15f63b1de35&utm_content=fht-14305356-en-us%3Av2&fbclid=IwAR3Hmg1_NiSrpI93HWiYdLscoT1Olnx_dQK2RQWsqOjGGNasdLmCBMZRipA