Erdhi në merkaton e janarit në Korçë, por Shqiprim Taipi u bë menjëherë pjesë e formacionit të Skënderbeut, madje që në ndeshjen e parë, ku edhe debutoi me fanellën bardhekuqe. Tashmë duket se është një pjesë e rëndësishme e ekipit.
Futbollisti shqiptar nga Lugina e Preshevës tregon dallimet mes futbollit maqedonas dhe atij shqiptar, teksa zbardh edhe mënyrën sesi u transferua në Korçë. /Panorama.
Kush është Taipi, nga vjen dhe kush jua ka vendosur emrin?
Unë jam Shqiprim Taipi dhe vij nga Tërnoci, Lugina e Preshevës. Emri im lidhet me origjinën e familjes sonë, prandaj etërit e mi vendosën të më quanin Shqiprim.
Si erdhi për ju ky transferim te Skënderbeu?
Me Skënderbeun arrita të lidh kontaktet përmes menaxherit Ertan Demiri. Unë, në atë kohë, isha në bisedime me klubin e Shkëndijës së Tetovës për të prishur kontratën që më mbante të lidhur me ta. Demiri më kontaktoi dhe më bëri me dije se Skënderbeu kishte nevojë për një mesfushor difensiv dhe vendosa ta shoh më me interes këtë gjë.
Pse u larguat nga Shkëndija e Tetovës?
Ishte një vendim i përbashkët me klubin, pra, gjithçka e kemi zgjidhur me konsensus. Te Shkëndija kisha pak hapësira për të luajtur dhe mendova se një ndryshim ambienti do të bënte mirë për karrierën time.
Nuk ju stepi fakti që klubi është i dënuar nga UEFA dhe ka apeluar çështjen në KAS?
Jo, për mua nuk është problem që Skënderbeu nuk luan në Europë. Unë erdha këtu, pasi më kanë treguar se Skënderbeu është një klub i madh dhe mjaft profesionist, plus që e kisha parë në edicionet që ka luajtur në Ligën e Europës. Mund të them se pavarësisht sesi do të shkojnë gjërat, unë jam i lumtur që jam këtu si pjesë e Skënderbeut.
Keni luajtur tri ndeshje, si ju duket tashmë ekipi i Skënderbeut?
Po, është e vërtetë, u bë ndeshja e tretë që luaj me Skënderbeun në kampionat dhe jam i lumtur që trajneri Orges Shehi më dha menjëherë besimin për të qenë pjesë e ekipit. Në këto tri takime kam kuptuar se me të vërtetë kemi të bëjmë me një klub mjaft serioz dhe korrekt, si dhe me një ekip që ka cilësi mjaft të mira për të ecur përpara edhe këtë sezon.
Sipas Shqiprim Taipit, çfarë mund të arrijë këtë sezon skuadra ku ju bëni pjesë?
Ekipi ka cilësi të mira, por për fat të keq, në ndeshjet e fundit, përveç kësaj me Laçin, nuk kemi marrë rezultatet e duhura. Mund të them se Skënderbeu është ende në garë, pavarësisht diferencës me kreun. Kampionati është shumë i gjatë dhe mbi të gjitha tepër i fortë. Besoj se nëse ruajmë ritmin, shumë shpejt do të jemi në garë për objektivin titull, minimalisht në vendet që të çojnë në Europë. Kemi besim se do të jemi pjesë e Europës këtë sezon, pasi shpresat për të fituar gjyqin në klub janë të mëdha.
Si të pritën në Korçë dhe çfarë raporti keni me lojtarët e tjerë?
Në Korçë, që në momentin e parë kur erdha, kam parë një klimë fantastike. Shumë të ngrohtë për afrimitetin që të japin tifozët si dhe personat që janë pranë ekipit. Nga ana tjetër, edhe bashkëlojtarët më kanë pritur shumë mirë, duke më bërë menjëherë pjesë të grupit. Me pak fjalë, jam i lumtur që jam këtu, edhe pse kam vetëm disa me skuadrën korçare.
Flamurtari është kundërshtari i radhës, dini diçka për skuadrën vlonjate?
Është një ndeshje e vështirë, si çdo takim i këtij kampionati. Besoj se pas fitores me Laçin, kemi për detyrë të ruajmë këtë ritëm dhe të bëjmë më të mirën tonë, me qëllim që të vijojmë me rezultatet pozitive. E thashë edhe më lart, kemi pasur disa rezultate jo të mira dhe duhet që të rikuperojmë tani atë që kemi lënë pas në ato gjashtë ndeshje.
Ku ndryshon kampionati maqedonas me atë shqiptar?
Për sa i përket infrastrukturës, nuk mund të them se ndryshojnë shumë. Në Maqedoni ka disa terrene që nuk janë të përshtatshme për të luajtur futboll, ashtu siç ka edhe këtu në Shqipëri. Sa i përket cilësisë, besoj se ka ngjashmëri të mëdha, por edhe dallime. Kampionati shqiptar është më fizik dhe luhet futboll më i shpejtë se në Maqedoni.