Nga Pallati i Kongreseve, Policia e Shtetit dhe Guardia di Finanza janë duke shpalosur raportin vjetor të bashkëpunimit mes dy shteteve fqinje në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike.
Sipas Guiseppe Spinas, ky raport ka treguar se kemi një rënie të ndjeshme të trafikut drejt italisë krahasuar me vitin 2017. Afërsisht 81% më pak se vitin e kaluar.
“Janë asgjesuar 36 mijë bimë vetëm gjatë vitit 218 ndërkohë që numërohen 4242 bimë me pak se ç’kishim në vitin 2017,’ u shpreh Spina.
Nga ana tjetër edhe Ardi Veliu, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se ‘rreth 40% më shumë është sasia e fluturimeve monitoruese gjatë vitit 2018, në krahasim me vitin 2017’.
Fjala e Plote e Veliut
“PËR NJË SHQIPËRI PA KANABIS”
FJALA E DREJTORIT TE PERGJITHSHEM TE POLICISE SE SHTETIT DREJTUES MADHOR ARDI VELIU.
MASAT E MARRA NGA POLICIA E SHTETIT PËR PARANDALIMIN DHE GODITJEN E VEPRIMTARISË KRIMINALE TË KULTIVIMIT TË BIMËVE NARKOTIKE PËR VITIN 2018
Policia e Shtetit gjatë vitit 2018, u angazhua maksimalisht në përmbushjen e detyrave të përcaktuara në Planin Kombëtar të Veprimit Kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit 2017 – 2020, ku theksi kryesor i Planit Kombëtar Kundër Kanabisit është përpjekja e përbashkët ndërinstitucionale për goditjen e gjithanshme dhe frontale që ka për qëllim identifikimin, zbulimin dhe shkatërrimin e grupeve dhe rrjeteve kriminale që janë aktive në fushën e kultivimit dhe të trafikimit të kanabisit, duke bërë që Shqipëria të dalë nga harta e kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë vitit 2018 Policia e Shtetit, në bashkëpunim me organet ligjzbatuese dhe të gjitha institucionet e tjera të përcaktuara në Planin Kombëtar të Veprimit u angazhua në një operacion të gjerë dhe të kombinuar, për identifikimin e hershëm dhe goditjen që në gjenezë të përpjekjeve për kultivim apo trafikim.
Që në muajin Janar, nisëm punën me identifikimin dhe analizimin e problematikave të evidentuara gjatë vitit 2017, hartimin e një plani masash të detajuar, duke u bazuar në pesë kollona kryesore:
1. E para në parandalimin e këtij fenomeni duke ndërmarrë një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi për qytetarët.
2. Në kontrollin e pandërprerë të territorit duke goditur rastet e evidentuara që në gjenezë, pra që në momentet e para të tentativës për kultivim.
3. Në identifikimin, gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale që rrjedhin nga kjo veprimtari kriminale duke çuar para drejtësisë personat përgjegjës.
4. Në bashkëpunimin me agjensitë ligjazbatuese brenda dhe jashtë vendit duke vënë theksin në Misionin e Monitorimit Ajror nga GdF, me pushtetin vendor, Ministrinë e Mbrojtjes dhe gjithë aktorët e tjerë të përfshirë në Planin Kombëtar të Veprimit.
5. Si dhe në kollonën e pestë atë të ndëshkimit të punonjësve të administratës dhe punonjësve të Policisë që do shpërdorojnë detyrën apo do bëhen palë me ata persona që do tentojnë të kultivojnë bimë narkotike.
I kushtuam rëndësi të veçantë në strategjinë tonë, përfshirjes së gjerë të publikut në procesin e informimit, nëpërmjet sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit, duke krijuar mundësi praktike për sigurimin e informacionit nga qytetarët.
Në këtë kuadër u zhvilluan shumë takime sensibilizuese, konferenaca poronocime për shtyp, u prodhuan broshura sensibilizuese, ku kontributin më të madh në drejtim të sensibilizimit të komunitetit e dhanë institucionet arsimore, dhe për këtë gjej rastin ti falënderoj të gjithë nxënësit dhe mësuesit për këtë. U krijuan dhe funksionuan periodikisht taskforcat qëndrore dhe vendore. Morën përgjegjesi të gjithë institucionet shtetërore, administratorët e njësive vendore, bizneset private, punonjësit e zjarfikseve, policia bashkiake apo Sherbimi i Privat i Sigurisë Fizike.
o Kontrolli periodik i territorit në funksion të identifikimit të sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike.
Në zbatim të detyrave të pëcaktuara në planin e detajuar dhe rigoroz për kontrollin e territorit, morëm masa për evidentimin dhe goditjen e fenomenit që në gjenezë me goditjen e farërave, siguruam informacion dhe goditëm kultivimin e fidanëve dhe bimëve narkotike kanabis sativa në sera diellore, tunele të braktisura, ish rezerva shtetërore dhe çdo ambient tjetër të mundshëm, për përdorim nga grupet kriminale.
Ndarja e zonave të kontrollit dhe të përgjegjësive, duke organizuar grupe përgjegjëse për territore konkrete, që nga qendra deri në bazë, ku çdo punonjës policie kishte përgjegjësi për një territor të caktuar, ishte një tjetër masë efikase.
Në total për vitin 2018, Policia e Shtetit, në kontroll territori angazhoi 19.862 grupe kontrolli, ku janë kryer gjithsej 415.506 orë shërbimi.
o Ndërtuam harta dixhitale të sipërfaqeve të tokave, pyjeve dhe kullotave, ku ishin kultivuar bimë narkotike përgjatë viteve, ose potencialisht mund të kultivoheshin bimë narkotike gjatë vitit 2018.
Implementimi dhe fonksionimi i rrjetit informatik të Policisë së Shtetit i sistemit elektronik “GIS – NARKOTIK”. Ky sistem na siguroi të dhëna të plota dhe na mundësoi raporte analitike për:
• Kontrollin e territorit.
• Informacionet e dërguara nga agjensitë e tjera ligjzbatuese.
• Raportet e monitorimit ajror.
• Rastet dhe vendet e kultivimit të bimëve narkotike.
o Një drejtim tjetër i punës tonë ishte forcimi i kapaciteteve e njësive të specializuara për luftën kundër drogës nëpërmjet trajnimit, vlerësimit të informacionit dhe pajisjes me mjetet e nevojshme.
E rëndësishme për Policinë e Shtetit në vitin 2018 ishte marja, vlerësimi dhe ezaurimi i informacionit policor, pasi nëpërmjet orientimit të burimeve të informacionit, policia ndërtoi punën e saj, kontrolloi persona me precedentë kriminalë dhe filloi hetime proaktive.
• Për vitin 2018 u morën dhe u trajtuan, 2517 informacione policore për kultivim të bimëve narkotike.
• U çelën 40 procedime policore për persona të dyshuar me tendencën e Kultivim të bimëve narkotike.
Gjithashtu u çelën 40 procedime proaktive me metoda speciale të hetimit për Kultivim të bimëve narkotike dhe u realizuan 24 prej tyre ose 16 procedime me shumë se një vit më parë dhe 19 procedime të realizuara me shumë.
o I kemi kushtuar vëmendje të vecantë bashkëpunimit me partnerët, duke e parë fenomenin e kanabisit si një shqetësim real rajonal dhe ndërkombëtar.
Kemi vendosur tashmë standartin e bashkëpunimit nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave dhe informacionit me policitë e rajonit. Ajo që bie në sy për shkak të mënyrës së bashkëpunimit dhe arritjes së suksesit është bashkëpunimi me palën italiane si partnere e ngushtë në hetime të përbashkëta operacionale.
Ndaj më lejoni sot këtu që të falënderoj kolegët e Policisë Italiane, misionin e Interforzës, Guardia di Finanza-s si edhe Universitetin i Dytë të Napolit, për kontributin dhe ndihmën e çmuar që po i japin Policisë Shqiptare.
Rezultat ishte projekti i Bashkimit Europian “SANCAS”, në të tre komponentët e tij, mbikëqyrjen ajrore, mbështetja në fushën e teknologjisë dhe trajnimi i njësive të specializuara për luftën kundër drogës.
Në vitin 2018, e filluam bashkëpunimin shumë herët, për këtë skuadra e Guardia di Finanza filloi fluturimet ajrore të monitorimit prej datës 5 Prill 2018.
U kryhen 40% më shumë fluturime se vitin e kaluar.
Janë kryer gjithsej 69 misione fluturime monitorime ajrore me 187 orë e 42 minuta fluturimi, ose 43h 26’ më shumë se në vitin 2017.
Në total për vitin 2018, nga Monitorimet Ajrore, janë identifikuar 675 bimë narkotike canabis sativa ose 4.642 bimë më pak se në vitin 2017.
o Punë të pandërprerë kemi bërë për goditjen e aktivitetit kriminal të kultivimit të bimëve narkotike, nëpërmjet zhvillimit të veprimeve operacionale për asgjësimin e bimëve narkotike dhe kryerjes së veprimeve procedurale për dokumentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve.
Rezultatet e arritura përgjatë vitit 2018 janë ndër më të mirat që nga fillimet e viteve 90.
• Evidentuam 263 vepra penale për kultivim të bimëve narkotike.
• Janë implikuar 220 shtetas.
• Janë arrestuar e ndaluar 106 shtetas.
• Janë konstatuar janë asgjësuar 35.985 bimë narkotike.
E krahasuar me një vit më parë rezulton se janë:
• 30 raste kultivimi më pak,
• 30.942 bimë narkotike më pak,
• 9.689 fidanë/kubikë më pak.
o Rezultat të ndjeshëm na dha puna efikase për parandalimin, identifikimi, zbulimi dhe goditja e grupeve kriminale të trafikimit të kanabisit dhe aseteve që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.
Pavarësisht nga sa shpreha më lart, do të ishte e pakuptimtë dhe puna e Policisë së Shtetit do të konsiderohej gjysmake nëse ajo nuk do t’i kushtonte të njëjtën vëmendje si goditjes së kultivimit të bimëve narkotike edhe fazave të tjera të veprimtarisë kriminale, goditjes së trafikimit të saj dhe sekuestrimin e aseteve që rrjedhin nga kjo veprimtari.
Gjatë periudhës referuese në bazë të statistikave të kolegëve italianë, kemi një rënje të trafikimit drejt tyre me 81%.
Të nderuar Pjesmarrës:
Ajo që në themel e bëri të suksesshëm punën tonë këtë vit, ishte integritetit i punonjësve të policisë të ngarkuar me detyra në fushën e parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike dhe vendosmëria për të ndëshkuar cilindo punonjës policie që do abuzonte me detyrën apo do bëhej palë me shkelësit e ligjit.
Me vendosmëri reaguam ndaj çdo konstatimi të moszbatimit të detyrave funksionale, implikimi apo shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit, ku si rezultat gjatë vitit 2018 u përjashtuan nga policia 14 punonjës policie si dhe u arrestuan apo ndaluan 9 të tjerë.
Shembull i vendosmërisë së punës tonë, për plotësimin e detyrimeve të Planit Kombëtar të Veprimit në luftë ndaj kanabisit, pa shmangur asnjë aktor në këtë betejë, është procedimi penalisht i 43 zyrtarëve vendorë, administratorë të njësisë administrative, kryetarë fshati dhe inspektorë të shërbimit pyjor, roje ujësjellësi etj, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Mos kallëzim krimi”.
Serioziteti i analizimit të situatës, vlerësimit të saj, gjetjes së rrugëve efikase të bashkëpunimit me të gjithë faktorët dhe aktorët dhe goditjes në themel të kësaj paligjshmërie, bashkëpunimit të ngushtë dhe koordinimit të veprimeve me skuadrën e Guardia di Finanza bëri që gjatë vitit 2018, kultivimi i kanabisit në Shqipëri të shkonte në shifrat më minimale përgjatë tre dekadave të fundit.
Aktualisht jemi duke zbatuar operacionin kundër kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2019, për të cilin jemi ambiciozë, duke minimizuar akoma më tej rastet e kultivimit dhe të trafikimit të bimëve narkotike.
Për Policinë e Shtetit është një sfidë e madhe viti 2019, pasi kemi përpara disa sfida të cilat kërkojnë impenjim maksimal, devotshmëri dhe profesionalizëm, për të bërë të mundur një sezon turistik me parametra optimale në fushën e rendit e sigurisë dhe ndjekjen dhe menaxhimin e shërbimeve në funksion të stinës zgjedhore, etj.
Me masat që kemi marrë dhe po zbatojmë, si dhe duke vlerësuar treguesit që kemi arritur, në drejtim të goditjes së kultivimit të kanabisit, jam i bindur se gjatë këtij viti do të përmbushim prioritetin tonë dhe të Qeverisë Shqiptare, pasi Policia e Shtetit i ka të gjitha mundësitë ta bëjë këtë.
Ju faleminderit për vëmendjen.