Biznesmeni kosovar Ramiz Kelmedi ka lëshuar akuza të rënda ndaj Erion Veliajt dhe Bashkisë së Tiranës. Në një intervistë për SYRI.net nga Stambolli, ku ndodhej i shtruar në spital, Kelmendi është shprehur se Veliaj i ka mashtruar deri në momentin që janë paguar paratë, 1.6 milionë euro për të gjitha lejet që janë dhënë.
Sipas Kelmendit, pas nisjes së punimeve vetë Veliaj ka kërkuar nga firma e tij, që ti falë tokën Bashkisë së Tiranës, pronë me vlerë 7 milionë Euro. Kelmendi është shprehur se nuk mund të falë një pronë të tillë Bashkisë së Tiranës.
Intervista
Përshëndetje Z. Kelmendi, në një letër të hapur tuajën akuzoni Bashkinë e Tiranës për një gjobë. Si qëndron e vërteta?
Jo vetëm njerëz të bashkisë, por edhe vetë Erion Veliaj ka kërkuar që pronën të ja dorëzoj bashkisë. Ai ka kërkuar që pronën të ja dorëzojmë bashkisë, gjoja nga vullnetarizmi që kemi ne ndaj Tiranës.
Ne nuk kemi dakord për ti dhënë pronën prej 7 milionë eurosh.
Veliaj është shprehur se prona do të shpronësohet? Flet për shpronësim dhe ju falje?
Nëse ka pasur kërkesën për shpronësim nuk ka pas detyrimin për të dhënë lejet e ndërtimit. Ai gjithmonë thoshte që këtu nuk ka asnjë projekt për terminal e asnjë gjë tjetër për bashkinë.
Sa para është paguar nga ju?
Janë paguar 1.6 milionë euro për dokumentet dhe lejet e bashkisë.
Keni qenë në dijeni nga bashkia për shpronësim apo për zhvillime të tjere?
Procesi i lejeve ka zgjatur më shumë se 2 vite dhe gjatë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë diskutim për zhvillime. Kam biseduar me bashkinë dhe me Veliajn dhe e kam pyetur a ka zhvillime dhe më është shprehur se nuk asnjë zhvillim, pasi terminali sipas tij ka tokën e vetë.
Ai nuk na ka thënë asgjë në lidhje me leje zhvillimore apo gjë tjetër.
Nëse do ishit në dijeni të një projekti, do kishit aplikuar për leje dhe të kishit paguar 1.6 mln euro?
Unë e kam pyetur kryebashkiakun a është e lirë kjo pronë? Për asnjë moment, deri kur kam paguar paratë gjithçka më kanë thënë se është e rregullt dhe ligjore. Nuk duhej të ishin paguar të gjithë ato para. Shikoni, nëse ka dokument shpronësimi që është bërë në ministrinë e Transportit që ka pasur shpronësim dhe ka nënshkruar Veliaj për investimin, ky është një krim i organizuar mes Bashkisë së Tiranës dhe biznesmenëve të ndryshëm, për ti shkaktuar dëm kompanisë time.
Keni pasur ndonjë kontakt me Ramën apo njerëz të tij?
Jo nuk më ka kontaktuar asnjeri. Por para se të jepej leja, kemi pasur një mirëkuptim mes Ramës, Veliaj dhe është shprehur se do të jepej leje brenda 5 ditësh. Por leja është dhënë shumë vonë. Unë kam pasur disa takime dhe në asnjërin prej takimeve nuk kam pasur asnjë deklaratë që prona nuk do të jepej?
Ju thoni se në Tiranë ka mafie pronash dhe që po largojnë biznesmenët?
Nuk është e nevojshme që kryebashkiaku ti thotë njeriut tim në takim, ‘a e di sa vlen tani ajo pronë’. Kryebashkiaku nuk ka pse të interesohet se sa vlen ajo pronë, por duhej të ishte gati për të treguar se bashkëpunimi mes Shqipërisë e Kosovës është i mirë. Unë kam investuar dhe në Mal të Zi e Maqedoni e të gjitha lejet i kam marrë sipas ligjeve në fuqi.
DMth ju po thoni se nuk keni pasur asnjë përplasje?
Askund nuk kam pasur probleme, as në Lushnje e as në bashkinë e Fierit ku unë kam investuar. Në Mal të Zi, kryeministri i vendit më ka thënë që ta kontaktoj sa herë që kam nevojë për të investuar.
Sa vende pune do i shtoheshin Tiranës nëse investimi juaj do të bëhej?
Ky objekt ka qenë shtesë, për të eksportuar fruta e perime për në Europë. Klasi i parë për në Europë, klasi i dytë për në Kosovë dhe Shqipëri.
Cilat rrugë do të ndiqni ju për këtë problem?
Të gjitha rrugët e ligjshme. Sapo të kthehem në Kosovë do të zhvilloj një takim me kryeministrin e Kosovës. Kam kontaktuar me ambasadorin e Kosovës në Shqipëri. Më ka kontaktuar edhe kreu i grupit parlamentar, duke u shprehur që të mos kthehet një përplasje politike.
Po prokuroria ka bërë ndonjë lëvizje në lidhje me këtë çështje? Veliaj ka akuzuar se ju e keni shantazhuar bashkinë?
Asnjë biznesmen nuk mund të shantazhojë bashkinë. Bashkia i ka marrë lekët, i ka përdorur lekët. Nuk mundet që bashkia të thotë se janë shantazhuar. Kjo ka nxitë në momentin kur bashkia i ka dërguar inspektorët të shtunën në mbrëmjen për të rrëzuar rrethimin e pronës. Kanë shkuar të dielën dhe kanë shkatërruar gjithçka tonën, edhe pse ka qenë vendosur ndalimi.
Pas kësaj kemi shkuar në polici dhe policia nuk ka pranuar të marrë asnjë denoncim dhe asnjë deklarim nga ne. Ne kemi detyrimet tona që i kemi plotësuar të gjitha.
Ju thoni që policia është rreshtuar me bashkinë, prokuroria nuk ka nisë asnjë hetim. Institucionet duket se kanë marrë anë.
Unë nuk mund të them ashtu, por faktet po flasin për këtë gjë. Ka qenë një marrëveshje e nënshkruar mes tre palëve, as ne nuk do vazhdonim punimet dhe as bashkia nuk do vinte të shkatërronte. Ne kemi shkruar në prokurori që ta denoncojë këtë rast, sipas të gjitha procedurave ligjore.