Në kohën që italianët po përgatisnin terrenin për kthimin e Esatit, plani për vrasjen e pashait po përparonte. Më 21 maj, pas një qëndrimi prej dy javësh në Tiranë, studenti nga Libohova, Avni Rustemi, ishte kthyer në Itali. Avniu kishte lindur në vitin 1895. Ishte shtatvogël dhe thatim, hundën e kishte të mprehtë, mollëzat pak të dala, si të skalitura, sytë të futur dhe buzët përherë të mbledhura. Edhe pse i ri, jeta e tij kishte qenë e ngjeshur me ngjarje. Në moshën 12 vjeç, e kishin dërguar në Janinë për studime dhe, pas 3-4 vjetësh, në Stamboll. Më 1912 kishte bërë një vit në një kolegj pedagogjik të Gjenevës, ku kishte mësuar frëngjishten. Dy vjet më vonë, në kohën e Vidit, kishte luftuar kundër epirotëve në jug. Më 1915, ishte kthyer në Janinë për të studiuar në një shkollë izraelite dhe për të mos harruar frëngjishten. Më 1917 ishte emëruar mësues në Tepelenë. Në fillim të 1919-s kishte hyrë nxënës në kolegjin italo-shqiptar San Demetrio të Kalabrisë dhe, që nga fillimi i vitit 1920 studionte në Romë me bursë të qeverisë së Durrësit.
Vështirë të dihet se me ç’njerëz u takua dhe çfarë bëri Avniu gjatë qëndrimit në Shqipëri mes datave 5 dhe 21 maj 1920, por kur kaloi kufirin me tren nga Italia për në Francë, ai kishte në xhep 6,800 lira dhe 300 franga, që llogariten gjithsej në rreth 4,255 dollarë me vlerën e sotme. Avniu arriti në Paris më 31 maj dhe u vendos në Hotel des Tuileries, që ia kishin rekomanduar disa studentë italianë në Romë. Meqenëse hoteli ishte i shtrenjtë, pas disa ditësh mori me qera një dhomë në rrugën Faubourg Monmartre. Avniu thoshte se kishte shkuar në Paris për të ndjekur ndonjë kurs mësuesie dhe kishte vendosur që, ditët e para të shëtiste nëpër kryeqytet. Më 2 qershor shkoi në selinë e delegacionit shqiptar në Hotel Campbell, pranë Harkut të Triumfit, ku u takua me shumë prej anëtarëve. Mit’hat Frashëri i rekomandoi të vizitonte një ekspozitë shqiptare, që hapej të nesërmen.
Në ekspozitë Avniu takoi një 47-vjeçar me emrin Gjergj Goga, i cili i tha se ishte sekretar i Esatit dhe banonte në Hotel Continental, Rruga Castiglione. Goga kishte disa javë që kishte ardhur nga Korfuzi me kërkesë të pashait. Dhoma e tij ishte njëkohësisht zyrë, ku ai mblidhte koleksione pullash për Esatin dhe priste artikuj gazetash, që i interesonin pashait. Goga thoshte se dilte nga hoteli vetëm me lejen e eprorit. Disa ditë më vonë, Avniu shkoi ta takojë në hotel dhe të dy biseduan rreth 30 minuta në dhomën-zyrë të Gogës. Avniu iu lut t’i rekomandonte dikë që të mund ta ndihmonte për të kryer studime në Paris dhe Goga i dha adresën e tregtarit Zef Ashiku, që jetonte në Paris. Megjithëse në bisedë nuk u fol për Esatin, Avniu duhet të kishte krijuar tani një ide pak a shumë të qartë për jetën e banorëve shqiptarë të Continentalit.
***
Mbrëmjen e së shtunës, në Continental erdhi nga Nisa nipi i Esatit, Xhemil bej Vlora, për të cilin pashai kishte dashuri të veçantë. Nuk ishin parë prej një viti e gjysmë.
Të dielën, më 13 qershor në mëngjes, Esati bashkë me Xhemilin dhe Elizën bënë një vizitë në shtëpinë e re. Pastaj pashai u kujdes që gazetës së Parisit, Le Temps, t’i dërgohej një promemorie e tij, me të cilën donte të bënte publike kërkesën për dëmshpërblime, meqenëse dukej e pamundur që kjo punë të zgjidhej me rrugë diplomatike. Në tekst Esati shpjegonte gjerë e gjatë peripecitë e tij, nga koha e Vidit e deri në mbarim të luftës europiane dhe përmendte kontributin që kishte dhënë për aleatët. Në fund hynte në thelbin e kërkesës: “Gjatë më shumë se katër vjetëve, nuk kam marrë asgjë nga të ardhurat e konsiderueshme që më sillnin pronat e shumta. Vazhdoj të paguaj shpenzimet civile dhe ushtarake të qeverisë sime që ndodhet në Selanik dhe kam marrë përsipër pensionet e ushtarëve të gjymtuar e të familjeve të atyre që ranë në fushën e betejës në Shqipëri e në Selanik. Me ndërgjegje të plotë vlerësoj se këto shpenzime kapin 10 milionë franga. Me pak fjalë, nga bashkëpunimi im unë nuk marr veçse humbje materiale dhe përbuzje morale”. Promemorja mbyllej me fjalët: “Kjo pasojë e dyfishtë është rezultat i refuzimit tim ndaj pretendimeve të Italisë. Mendimi se kam bërë detyrën time deri në fund dhe me besnikëri të plotë, mund të ishte për mua një ngushëllim i çmuar, nëse jeta nuk do të kishte kërkesat e saj dhe nëse nuk do të më duhej të siguroja shpërblimin material të atyre bashkatdhetarëve, të cilët, duke besuar tek unë dhe te shpirti i barazisë së Francës, gjatë tre vjetëve braktisën familjet dhe mirëqënien e tyre për të bashkëpunuar me mua. Gjaku shqiptar vaditi fushat e betejës dhe, për hir të drejtësisë, nuk duhet harruar!”.
Atë ditë, ai do të hante drekë me Xhemilin dhe Elizën në restorantin L’Escargot d’Or. Në orën një pa një çerek zbritën të tre për të shkuar tek automobili, që ishte parkuar në të djathtë të hyrjes së Continentalit. Esati kishte veshur një xhaketë gri, mbi të cilën mbante rozetën e Oficerit të Legjionit të Nderit dhe Kryqin francez të Luftës. Para se të dilnin, u tha të dyve ta prisnin në automobil, sepse do të vonohej pak. Kur Xhemili, Eliza dhe shoferi ishin duke pritur, u dëgjuan dy krisma të forta. Nga pasqyra Xhemili pa një njeri me revolver në dorë përpara portës së hotelit. Të dy dolën nga automobili dhe u larguan me vrap, pa e kuptuar se ç’po ndodhte.
Pak minuta më vonë u mësua se ishte vrarë Esat Pasha dhe njeriu që kishte shkrehur armën kishte qenë Avni Rustemi. Ky kishte qëndruar i fshehur pas njërës prej shtyllave të hyrjes në pritje të pashait. Me të dalë Esati nga porta kryesore, Avniu i kishte ardhur nga prapa dhe e kishte qëlluar nga një farë distance me një revolver Smith & Wesson, që mbante me vete. Plumbi, sa trashësia e gishtit, kishte depërtuar nën qafë, pranë shtyllës kurrizore dhe, kur trupi ishte duke u rrotulluar e po rrëzohej dhe viktima kishte ngritur krahët për t’u mbrojtur, Avniu e kishte qëlluar përsëri, kësaj here përballë, në anën e majtë të kraharorit, pothuajse në lartësinë e sqetullës. Esati kishte bërë disa hapa, kishte rënë në gjunjë dhe ishte rrëzuar buzë trotuarit. Ndërkohë që vrasësi e kishte lëshuar revolverin në tokë dhe po përpiqej të ikte, dy portierë e kishin mbërthyer për gryke dhe shoferët e taksive, që ishin ndodhur aty pranë, i kishin gjuajtur me grushta në fytyrë. Ishte dashur ardhja e një polici që ata ta lëshonin. Avniu nuk kishte bërë asnjë rezistencë, por fytyra i ishte ënjtur dhe gjakosur nga goditjet.
Kur arritën Xhemil beu dhe Eliza, ata panë të tronditur trupin pa jetë të Esatit, që shoferi dhe disa të tjerë e kishin sjellë brenda hotelit dhe e kishin shtrirë mbi qilim, pranë ashensorit. Viktimën e bartën sipër, në apartamentin 176. Në mbrëmje e transportuan për në shtëpinë e re, në rrugën Villa Said, ku trupit iu bë autopsia.
Në polici, Avniu u mor në pyetje nga komisari Eugène Jublin, të cilit i shpjegoi me një frëngjishte të rrjedhshme se po rrinte në hyrje të hotelit duke pritur Gjergj Gogën për t’i kërkuar një informacion, por papritur kishte parë Esatin të dilte dhe në kokë i kishte hipur gjaku. “Pashë se si ecte i kapardisur dhe në mendje m’u shfaqën të gjitha krimet që kishte bërë ky diktator kundër bashkatdhetarëve të mi. Në kokë m’u shfaq si në një pasqyrë e tërë e keqja që i kishte bërë atdheut tim…Eca drejt Esat pashës, nxora revolverin dhe e qëllova dy herë”, – tha Avniu. “Nuk më vjen keq për aktin tim. E quaj një shërbim ndaj çështjes shqiptare dhe ndaj gjithë patriotëve të vendit tim që e hoqa qafe gjeneralin”, – tha ai, duke u kujdesur të shtonte se vrasjen nuk e kishte bërë me paramendim. Kur Jublin i tha se nuk ishte e nevojshme të kishte me vete armë zjarri për të kërkuar një informacion, Avniu iu përgjigj: “Te ne, njerëzit dalin gjithnjë të armatosur”.
Shtypi i Parisit i kushtoi vrasjes shkrime në faqet e para. Kryesisht, Esatit i thureshin elozhe si mik i Francës dhe i Serbisë. Le Temps botonte tekstin e plotë të promemorjes së Esatit, që gazetës i kishte arritur vetëm pak minuta para ngjarjes. Le Monde Illustré shkruante se bashkë me Esatin “u shua një personazh i një epoke tjetër, u zhduk ai pak romantizëm që kishte mbetur. Me të u zhduk klefti dhe Orienti, të cilëve u kënduan me aq zjarr Hygoi dhe Bajroni”.
Auguste Gauvain, i cili e kishte njohur Esatin qysh në Luftën e parë Ballkanike, aludonte në Journal des Debats se vrasja duhet të ishte nxitur nga qeveria italiane, meqenëse atentatori kishte ardhur nga Roma dhe thoshte se e kishte blerë armën në Itali. Ai shkruante se hetuesit duhet të përcaktonin se nga erdhën mijëra frangat që Avniu kishte në xhep. “Janë shumë për një shqiptar… në një kohë kur francezët nuk gjejnë dot shtëpi ku të fusin kokën në qytetin e tyre”, shkruante Gauvain. Le Temps nuk ishte e vetmja që bënte aluzion për Italinë si porositëse e vrasjes. Ambasadori italian në Paris, Bonin Longare, i kërkoi Ministrisë së Jashtme franceze që t’i jepej fund kësaj “gjuhe skandaloze”. Për t’i përgënjeshtuar zërat, ambasadorit iu desh të flasë vetë me gazetarët, të cilëve u tha se në fakt, marrëdhëniet e Italisë me Esatin po shkonin drejt përmirësimit kohët e fundit.
Edhe në shtypin e Beogradit pati shumë elozhe për Esatin dhe aludohej se dora e vrasësit ishte e armatosur nga Italia. Miku i Esatit, Kryeministri Vesniç, mbajti një fjalim të gjatë në parlament, ku e quajti pashain “martirin e parë të idesë kombëtare shqiptare”. Duke iu referuar tërthorazi Italisë, ai tha se shpëtimi i popullit shqiptar nuk mund të kërkohej jashtë një marrëveshjeje me fqinjët, sidomos me Serbinë.
Në Paris, Pashiçi i tha agjencisë së lajmeve Radio se vrasja e Esatit ishte për të ardhur keq. “Së pari, – tha ai, – sepse pashai ishte mik i serbëve dhe i francezëve; së dyti, sepse ky shef i fuqishëm i klaneve veriore, i vrarë nga një shqiptar i jugut, mund t’i ngrejë klanet njërin kundër tjetrit”. “Ne serbët, – tha Pashiçi, – mendojmë se Shqipërisë i duhet dhënë pavarësia, sepse kështu ajo do të qetësohet përgjithnjë. Esati e ndoqi këtë qëllim me të gjitha forcat. Që kjo të arrihet tani, më duket shumë e pamundur…”.
Serbët kishin edhe një merak, siç del nga një telegram që zyrtari i tyre i lartë, Momçillo Ninçiç, i dërgonte Pashiçit nga Beogradi: “Esat Pasha, – shkruante ai, – mes sendeve të tjera ka patur edhe një sënduk metalik, ku ruante arkivën sekrete dhe aty mbante marrëveshjen që ne kishim me të. Në rast se ai nuk ia ka dhënë sëndukun për ruajtje përfaqësisë sonë në Paris, atëherë duhet ta shtiem në dorë përmes ndonjërit prej njerëzve të pashait sa nuk është vonë. Gjithsesi, sënduku nuk duhet të bjerë në dorë të ministrit të Jashtëm shqiptar, sepse është njeri i pandershëm”. Ninçiç siç duket e kishte fjalën për Pavli Terkën, që ai mendonte se mund t’ia dorëzonte arkivën italianëve.
Në të vërtetë, të gjitha sendet e Esatit ishin dyllosur dhe bllokuar nga qeveria franceze menjëherë pas vdekjes. Autoritetet franceze kontrolluan në të gjitha bankat kryesore dhe rezultoi se Esati kishte llogari rrjedhëse në Bankën Franceze të Tregtisë dhe Industrisë në shumën 266,017 franga, ose 225,600 dollarë me vlerën e sotme. Një ditë para se të vritej, ai kishte tërhequr nga kjo llogari 20 mijë franga, që iu gjetën në xhepin e pantallonave. Sipas dëshmive të Elizës, Esati kishte edhe një kasafortë në Crédit Lyonnais, ku, përpara syve të saj, kishte depozituar “sasi shumë të rëndësishme parash”.102 Për kasafortën dëshmon edhe shërbëtori i pashait, Anton Papadhopullos.
Më 15 qershor, Pashiçi i raportoi Beogradit se njerëzit e pashait në Paris kishin mbetur pa asnjë mbështetje materiale. “Esat pasha nuk e ka marrë ndihmën tonë prej disa muajsh. Është e domosdoshme që nëpunësit dhe njerëzit e tij të shërbimit të paguhen, të paktën me një shumë prej 100 mijë frangash (rreth 85 mijë dollarë sot)”, shkruante Pashiçi. “Ata e dinë se ne nuk e kemi shlyer atë që i detyrohemi Esat pashës dhe nuk kanë se kujt tjetër t’i drejtohen për ndihmë. Mendoj se ky është borxhi ynë moral dhe interesi ynë politik”.
Nga Durrësi, Castoldi i raportonte Romës se kishte zbuluar disa të dhëna që kishin lidhje me vrasjen e Esatit. “Më rezulton, – shkruante ai, – se kur vrasësi kishte qenë në Tiranë kohët e fundit, kishte siguruar 8 mijë lira nga arka qeveritare. Pas kësaj i ishin paguar edhe shuma të tjera”. “Duhet besuar, – shtonte Castoldi, – se për eliminimin e Esatit, vrasësi ka marrë porosi nga grupet kundërshtare të pashait, sidomos nga Ahmet bej Zogolli, armik i tij personal”. Castoldi nuk thotë se nga e ka marrë këtë informacion, por gjetjet e tij përputhen me disa dëshmi të mëvonshme. Sipas Mustafa Krujës, ka qenë Ahmet Zogolli që ka premtuar para për Avniun. Në librin Plumba politikës, autori Kastriot Dervishi shkruan se Avni Rustemin e gjeti mësuesi Sali Çeka, që vepronte në zonën e Elbasanit. Çeka ia përcolli Avniun Aqif pashë Elbasanit, që ishte anëtar i Këshillit të Naltë dhe armik i betuar i Esatit. Ali Asllani, funksionar i lartë i administratës, plotësoi çekun me para nga arka e Këshillit të Naltë.
Castoldi raportonte se “qeveria shqiptare kishte filluar përpjekjet për shpëtimin e vrasësit” dhe se ajo do të dërgonte në Paris njeriun e duhur, që do të ndërhynte pranë shtypit dhe qeverisë franceze. Ky njeri, sipas tij, do të shpjegonte aktin politik të Avniut dhe do të përpiqej të ndikonte mbi procesin gjyqësor. Do të ishte në interesin tonë, – shkruante Castoldi, – që edhe shtypi italian të ndiqte një kriter të tillë. Me vrasjen e pashait, esatizmi duhet quajtur një kapitull i mbyllur”.
Dy muaj pas vrasjes, ministria e Jashtme franceze ngarkoi përfaqësuesin e saj për të hapur në praninë e familjes dhe të noterëve kasafortën e dyllosur të Esatit në Crédit Lyonnais, ku ai mbante para dhe dokumente. Fatkeqësisht, përmbajtja e kasafortës nuk rezulton në dokumentet e arkivit francez. Kur u hoqën vulat e dyllit në baulet dhe në kasafortën metalike në Villa Said, letrat ishin në rrëmujë të plotë. Dokumentet, që kishin të bënin me subjekte fare të ndryshme, si qeveria e përkohshme në Durrës, administrimi i pronave të Esatit, apo komanda e Taborrit në Selanik, ishin vendosur pranë e pranë në të njëjtat zarfe. Në grumbullin e dokumenteve, mes të cilave një pjesë ishte në turqisht, ndodhej propozimi i Komitetit Mysliman të Tiranës në vitin 1915 që Esati të arrestonte Krajewskin bashkë me të dërguarin serb në Durrës dhe të shpallte luftën e shenjtë. Ishin gjithashtu letrat që ai i kishte dërguar në korrik dhe gusht 1918 ambasadorit amerikan në Paris, William Sharp, të cilit i shpjegonte gjendjen në Shqipëri dhe shërbimet e saj për Antantën. Në një dokument tjetër ishin shënimet e tij për takimin me Presidentin Wilson në prill 1919. Në një grup të veçantë ndodheshin dokumentet personale të Princeshës Sofi, të kapura nga shqiptarët kur kishin marrë Konakun pas ikjes së Vidit. Disa dokumente personale të Esatit, që zyrtari i ministrisë franceze i shqyrtoi me vëmendje, ishin korrespondencë me përfaqësuesit e Italisë dhe Serbisë në Durrës. Zyrtari raportoi se në asnjërën prej letrave nuk gjeti diçka të padëgjuar, apo që të vinte në dyshim besnikërinë e Esatit ndaj Francës. Në raport nuk përmendej gjetja e ndonjë marrëveshjeje të pashait me Serbinë, ose me Greqinë. Familja e Esatit nuk e kundërshtoi hapjen e dokumenteve nga francezët, madje tha se do të ishte më mirë që ato të depozitoheshin në ministrinë e Jashtme të Francës sesa në ndonjë vend tjetër.
– E kisha takuar rastësisht te Sheshi i Operës.
– Vërtet rastësisht?
– Po, zoti Kryetar. Rasti është mbreti i botës.
Kryetari buzëqeshi dhe foli me një ton të lehtë ironie:
– Ishte padyshim rasti, që ju çoi te një dyqan armësh për të blerë këtë revolver, apo jo?
– Më duhej një armë për t’u mbrojtur.
– Dhe e mbanit gjithnjë me vete? Ajo duhet t’ju bezdiste me ato përmasa.
– Ka parizienë që mbajnë armë edhe më të mëdha, tha Avniu.
Një ditë, – vazhdoi i pandehuri, – pashë Esatin duke dalë nga hoteli Continental
– Iu binda ndjenjave të mia. Ashtu si njeriu kënaqet kur kundron një lule të bukur, që lind nën rrezet e diellit, ashtu edhe neveritet kur shikon një objekt tmerri.
– Dhe qëlluat? Pra, ndjenja juaj u përkthye në dy të shtëna revolveri?
– Ishte një gjest instinktiv. Duhen kuptuar ndjenjat e një zemre shqiptare.
– Këtu, ne i kuptojmë ndryshe gjërat. Kur vjen si mysafir në një vend, duhen respektuar ligjet dhe zakonet e vendit.
– Unë e ndieja veten si në shtëpinë time. Sidoqoftë, ajo që mund t’ju them është se veprova i nisur nga një ndjenjë e pastër.
Shadija nuk ishte në gjyq. Ajo përfaqësohej nga dy avokatë, të cilët kishin thirrur si dëshmitarë gjeneralët Gouraud dhe Sarrail si dhe gazetarët Edouard Julia, Auguste Gauvain dhe Raymond Recouly. Gjenerali Gouraud nuk ishte në seancë, por i kishte shkruar kryetarit të gjyqit për gjestin e Esatit në vitin 1916, që i kishte dhuruar 5 mijë franga për t’ua shpërndarë të vejave të ushtarëve të vrarë. Gjenerali Sarrail tha se nuk kishte përveçse fjalë lavdërimi për Esatin si njeri dhe si bashkëpunëtor. Këtë, – tha ai, – e dëshmova duke i akorduar atij medaljen e vetme që mund të jepja, urdhrin e Kryqit. Edouard Julia e quajti thjesht legjendë atë që thuhej për Esatin se ai ishte një kondotier i aftë për çdo të ligë. Përkundrazi, – deklaroi Julia, – Esati ishte përfaqësues i familjes më të rëndësishme të Shqipërisë, i Toptanëve. Pastaj foli Auguste Gauvain, sipas të cilit, Esati ishte patrioti i përkryer shqiptar, që i solli çështjes së Antantës një kontribut të dobishëm, por që nuk iu shpërblye. Gauvain tha se në bisedat e shumta që kishte patur me Esatin, ky kurrë nuk e kishte sharë qeverinë e Tiranës, por i kishte përmendur pengesat që nxirrte Italia, për të mos i lejuar shqiptarët të bëheshin zotër të vendit të tyre.
Dëshmitarët e palës mbrojtëse dhanë për Esatin një pasqyrë krejt të kundërt dhe debati u ashpërsua. Profesori Jacque Ancel, që kishte shërbyer në frontin e Selanikut, tha se frankofilia e Esatit ishte një mashtrim, sepse pashai ishte sa frankofil, aq edhe serbofil, turkofil dhe italofil. Një tjetër dëshmitar, Gaston Richard, tha se në të gjithë Orientin dihej publikisht që Esati urdhëroi vrasjen e komandantit të Shkodrës, Hasan Rizait. Esati, – tha ai, – ishte një kondotier i paskrupullt, i cili tradhtoi sulltanin për xhonturqit, pastaj xhonturqit për Bashkimin Liberal. Delegati i shqiptarëve të Amerikës, Mit’hat Frashëri, tha se të gjithë ata që ai përfaqësonte e konsideronin Esatin si tradhtar. Studenti shqiptar Llazar Fundo deklaroi se Avniu bëri atë që do të kishte bërë çdo shqiptar tjetër, nëse do të ishte gjendur përballë një “monstre” të tillë si Esat pasha.
Në të vërtetë, në Paris nuk po gjykohej akti i Avniut por politikat e Esatit. Në mes të gjullurdisë që krijonin britmat e avokatëve dhe lëvizjet e togave të zeza në ajër, Avniu dëgjonte i qetë dhe indiferent, a thua ishin francezët ata, të cilëve u takonte të interesoheshin për historinë dhe për fatin e Shqipërisë. Në anën tjetër rrinin ulur po aq indiferentë dhe me pamje të bezdisur të 12 anëtarët e jurisë, të zgjedhur mes qytetarëve të Parisit. Ata nuk kishin asnjë ide për qeverinë e Tiranës apo të Selanikut, nuk dinin thuajse asgjë për historinë e shqiptarëve. Ata ishin thirrur për të gjykuar mbi një vrasje, mbi faktet dhe mbi motivin e vrasësit.
Avokati i Avniut, ishte Anatole de Monzie, njeri me mendje të mprehtë, që do të bëhej disa herë ministër i Francës. Me mjaft elokuencë, De Monzie e ngriti mbrojtjen e të pandehurit mbi tezën e krimit të pasionit, që ai tha se ishte bërë “me paramendimin e një populli të tërë”.
– A ishte krim politik? Jo, ishte një krim pasioni, sepse nuk ka gjë më të shenjtë sesa dashuria për atdheun. Ajo që Avniu dinte për Esatin ishte se ky ua kishte shitur Shkodrën malazezëve, pasi i kishte tradhtuar të gjitha palët. Në Durrës, ai kishte kryer masakra të tilla, që ia bënin të pamundur kthimin në Shqipëri. Në Paris, Esati jetonte si princ. Ndërkaq, memorandumi malazez provon se pashai pranoi ta jepte Shkodrën. Pra, për shqiptarët, ai e tradhtoi dhe e shiti vendin e tij, një copë këtu e një copë atje. Kështu shpjegohet urrejtja për tradhtarin që ushqente ky mësues i vogël në vendin e tij, – tha De Monzie nën duartrokitjet e shqiptarëve të shumtë në sallë. Nuk dihej se si kishte arritur De Monzie në këto përfundime për ta nxjerrë Esatin tradhtar, por duket se ky ishte varianti që i ishte treguar atij nga Avniu. Në karrierën si jurist De Monzie kishte përvojë me “krimet e pasionit”.
Jurisë iu desh të konsultohej rreth gjysmë ore për të marrë vendimin, i cili nuk ishte i lehtë. Në një rast, anëtarët e saj thirrën kryetarin e gjyqit për ta pyetur se sa mund të dënohej i akuzuari nëse shpallej fajtor. Mbrëmjen e 30 nëntorit juria e liroi Avniun nga akuzat dhe praktikisht ia hodhi fajin të vrarit. Në emocionin e përgjithshëm që shkaktoi vendimi, vetëm një njeri nuk reagoi: mësuesi Avni. Në fytyrën e tij nuk pati asnjë emocion, asnjë grimë loti. Ai u largua nga salla pa folur dhe pa falënderuar jurinë, ndryshe nga ç’ishte zakon në raste të tilla.
Pas vdekjes, trupi i Esatit u dërgua nga familja në një depo mortore të Parisit, për t’u mbajtur, deri sa të merrej një vendim se ku do të varrosej përfundimisht. Njëra nga të bijat, Nafije Toptani, u interesua pranë autoriteteve franceze nëse trupi i të atit mund të transportohej në Shqipëri, por nuk është e qartë se ç’fat patën përpjekjet e saj. Ajo që dihet është se arka prej plumbi me numër 17 vazhdoi të qëndrojë në depon e Rrugës D’Aubervilliers të paktën deri në tetor 1921. Familja paguante 45 franga në muaj (rreth 46 dollarë me vlerën e sotme) për ruajtjen e trupit.
Më vonë, eshtrat e Esatit u varrosën në mënyrë thuajse të fshehtë në një lagje të varfër të kryeqytetit francez. Në vitin 1929, qyteti i Parisit vendosi të sjellë në një vendvarrim të vetëm në Thiais eshtrat e ushtarëve serbë dhe malazezë, aleatë të Francës, të vrarë në Luftën Botërore. Eshtrat e Esatit u sollën në atë parcelë më 2 korrik 1934. Nuk dihet që Esati të ketë lënë ndonjë testament për t’u varrosur pranë ushtarëve, kundër të cilëve luftoi në Shkodër dhe dy vjet më vonë i ndihmoi të shpëtonin nga katastrofa e plotë. Por argumenti i varrit përdoret edhe sot në valën e pasioneve për ta akuzuar Esatin si tradhtar.
*Nga Ilir Ikonomi – Pjesë nga libri “Esat Pashë Toptani: Njeriu, lufta, pushteti” / Tema /