Ngadalësimi i tregut të reklamave nuk po e ndal “luftën” mediatike, përkundrazi. Televizione të reja informative po hapen, ndërsa gara mes atyre ekzistues është forcuar ndjeshëm, ndonëse shumë pak arrijnë të jenë fitimprurës. Printi po shkon drejt vdekjes së ngadaltë, teksa shënjestron një grupmoshë relativisht të vjetër, që nuk është bërë ende e varur nga interneti. Mediat online veprojnë në një mjedis kaotik dhe reklamat në këtë segment, pas rritjes së shpejtë vitet e fundit, tashmë rrezikojnë rënien. Sa qarkulloi tregu i reklamave në vitin 2017, sipas të dhënave nga bilancet zyrtare dhe si vlerësohet ai në 2018-n, bazuar në monitorimet e sekondave televizive e sipërfaqeve në print e online…
Mediat dhe tregu i reklamave po ecin në dy drejtime tërësisht të ndryshme. Në tregun mediatik, konkurrenca është shtuar. Gara mes televizioneve është ashpërsuar, me emisione politike, programe argëtimi e humori, seriale e telenovela që konkurrojnë në çdo orar të ditës e të natës. Televizione të reja, me fokus informativ, po vijojnë të hapen edhe nga marka ndërkombëtare. E gjitha kjo për të tërhequr vëmendjen e një audience që “hutohet” me smartphone, Netflix, YouTube e zgjidhje të tjera teknologjike që sa vijnë e shtohen.
Gazetat, prej disa vitesh, janë në agoni dhe me titujt për pensionet, apo pronat, shënjestrojnë një grupmoshë relativisht të vjetër, që nuk është bërë ende e varur nga interneti. Mediat online vërtet janë në lulëzim, por veprojnë në një mjedis të parregulluar dhe luftojnë me çdo kusht dhe shpesh jashtë çdo etike për të rrëmbyer një klikim më shumë, ndërsa reklamuesit po bëhen përzgjedhës edhe me këtë segment që vetëm dy vjet më parë, ishte në rritje të shpejtë, duke rrezikuar t’i “braktisin” shumë shpejt.
Në kahun tjetër, reklamuesit, ata që u japin mediave ushqimin e tyre të përditshëm (të ardhurat) po shkurtojnë ndjeshëm buxhetet e marketingut, të parat që priten në kohë krize. Kompanitë e celularëve, reklamuesit më të mëdhenj historikë, dy vitet e fundit kanë rezultuar me humbje, duke reduktuar fondet që kanalizojnë në media. Bankat, të zëna me proceset e shitblerjeve, po rrinë gjithashtu në heshtje. Me ecuri më pozitive është segmenti i tregtisë me pakicë, supermarketeve, ushqimeve e pajisjeve elektroshtëpiake.
Prej disa vitesh, tregu i reklamave në vend vlerësohet i mbërthyer në shifrat e 37-39 milionë euro në vit, ku peshën kryesore e zënë televizionet, me rreth 70% të totalit. Ato po arrijnë të rezistojnë me një luhatje prej rreth 3% në vit, herë në rritje e herë në rënie, duke u përmirësuar në 2018-n, pas rënies së shënuar në 2017-n. Me tkurrje dyshifrore dhe pa shpresë është shtypi i shkruar, që po bie vazhdimisht nga konkurrenca e fortë që po vjen nga mediat online, ndërsa si reklamues besnikë u kanë mbetur vetëm kompanitë që janë pjesë e grupit përkatës mediatik. Mediat online i janë gëzuar vitet e fundit zhvendosjes së reklamuesve nga printi, por në 2018-n duket se edhe ky segment ka arritur pikën e maturimit, duke ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes, madje duke shfaqur edhe rënie. Reklamat Outdoor e morën lehtë veten në 2018-n, pas rënies në 2017-n.
“Duke pasur parasysh skenën e tejmbushur të medias shqiptare dhe tregun e vogël të reklamave në vendin tonë, çështja e shpërndarjes së reklamave në të vërtetë është çështje e mbijetesës së vetë medias”, thotë Remzi Lani, drejtori i Institutit të Medias, që bashkëpunoi në përgatitjen e këtij raporti.
TREGU I REKLAMAVE 2017-2018
Në total, tregu i reklamave në vend, në vitin 2017, vlerësohet të ketë arritur në rreth 37 milionë euro, me një rënie prej 6%, duke shënuar performancën më negative të viteve të fundit. Të ardhurat e televizioneve, gazetave, kompanive outdoor shënuan rënie, radio u rrit lehtë, ndërsa vetëm segmenti online shënoi zgjerim dyshifror.
“Monitor” e ka bërë vlerësimin e tregut të reklamave për 2017, duke u nisur nga tregues direktë të matur nga disa drejtime:
-të ardhurat e kategorive kryesore të tij, televizioneve, shtypit të shkruar, outdoor dhe online, të matura në pjesën kryesore nga xhiro që aktorët kryesorë kanë deklaruar në bilancet e tyre të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
-shpenzimet e kompanive kryesore për marketing, kryesisht telekomunikacione, banka, produktet që lëvizin shpejt nga rafti (FMCG), sipas raportimeve të detajuara në bilancet përkatëse.
Për vitin 2018, vlerësohet se tregu ka shënuar përmirësim të lehtë, i udhëhequr nga rritja e reklamave në televizione. Gazetat kanë vijuar me rënien dyshifrore, ndërsa segmenti i internetit ka ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes, duke sinjalizuar se po arrijnë në pikën e ngopjes, duke rrezikuar rënien. Në total, tregu vlerësohet të jetë rritur në 2018-n me rreth 5-7%, duke arritur sërish në nivelin e 39 milionë eurove.
Vlerësimi i vitit 2018 është bërë duke u bazuar në sasinë e sekondave (njësi shitjeje e televizionit) të reklamës të transmetuar në mediat televizive, sipërfaqes (në cm²) në shtypin e shkruar, online (px²) dhe në outdoor (m²) sipas të dhënave të siguruara nga kompania monitoruese Idra Media (të dhënat e sakta, sipas bilanceve të raportuara nga televizionet, radiot, kompanitë outdoor janë të disponueshme vetëm pas korrikut 2019).
Televizioni
-Nga deklarimet në bilanc të televizioneve kryesore në vend, vlerësohet se të ardhurat e këtij segmenti ishin 29 milionë euro, në vitin 2017, me një rënie prej 6.5% me bazë vjetore, duke iu kthyer rënies pasi kishe shënuar rritje për dy vite radhazi. Televizionet kombëtare shënuan të gjitha tkurrje, ndërsa më e mirë ishte performanca për kanalet informative.
Për vitin 2018, vlerësohet se tregu ka shënuar ecuri më pozitive, me një rritje prej 7-10%, duke u ngjitur sërish në nivelin e 31 milionë eurove, teksa monitorimet e Idra Media tregojnë rritje të ndjeshme të sekondave të reklamave të transmetuara në televizionet kryesore nga dy kategori kryesore, telefonia celulare dhe tregtia me pakicë.
Shtypi i shkruar
-Të ardhurat e shtypit të shkruar vlerësohen në rreth 1.8 milionë euro në vitin 2017, me një rënie vjetore të fortë prej 18%, në bazë të të ardhurave të deklaruara në bilanc nga mediat kryesore në vend dhe monitorimeve nga Idra Media. Për herë të parë në vitin 2017, reklamat online i tejkaluan ato të shtypit të shkruar, në një tendencë që tashmë duket e pakthyeshme.
Tkurrja e shtypit të shkuar ka vijuar me ritme dyshifrore edhe në vitin 2018, sipas monitorimeve të Idra Media, teksa tregu vlerësohet të ketë zbritur në 1.4 milionë euro, me një reduktim të mëtejshëm prej gati 20%. Reklamuesit e mbetur janë kryesisht ata që kanë lidhje pronësie me mediat e grupit përkatës, ndërsa telekomunikacionet, që ishin burimi kryesor i të ardhurave, janë zhvendosur online. Edhe bankat preferojnë që të kapin tregun e synuar përmes reklamave në internet.
Outdoor
-Tregu i outdoor vlerësohet në rreth 2.8 milionë euro në 2017-n, i llogaritur në bazë të të ardhurave të deklaruara në bilanc nga kompanitë kryesore që veprojnë në këtë kategori, duke shënuar rënie të fortë vjetore prej 12.5%. Sipas monitorimeve të Idra Media, vlerësohet që tregu outdoor e ka marrë lehtë veten me 3.5% në 2018-n, duke arritur në 2.9 milionë euro.
Internet
-Tregu online është në zhvillim të shpejtë dhe më i vështiri për t’u matur, për shkak të informalitetit të lartë. Që prej vitit 2015, kur ky segment monitorohet nga Idra Media, ka shënuar rritje të shpejtë dyshifrore. Por segmenti vlerësohet të jetë ngadalësuar në 2018-n, duke u rritur me vetëm 4-5%, në kontrast me interesin e madh që po marrin mediat online, ku numri i tyre po shtohet nga dita në ditë.
Tregu i reklamave online vlerësohet të ketë arritur 2.5 milionë euro në vitin 2018. Ekspertët presin që ai të vijë në tkurrje, pasi reklamuesit po gjejnë forma më eficiente të publicitetit online.
Radio
-Radio vlerësohet të tërheqë rreth 0.9 – 1 milion euro në vit, sipas të ardhurave të deklaruara nga radiot më të mëdha në vend. Në 2017-n, segmenti raportoi rritje të lehtë, pas tkurrjes së vitit të mëparshëm. /Marre me Shkurtime nga Monitor/