Skënderbeu i këtij sezoni është transformuar i gjithi, ndryshe nga sa jemi mësuar të shikojmë në vitet e fundit. Për ish-sulmuesin e korçarëve, Arbër Abilaliaj, shkaqet janë komplekse.
Vlonjati rreshton arsyet përse po dridhet Skënderbeu, por nuk e shikon të rrezikuar. Ish-sulmuesi jep alarmin, pasi sipas tij 70% e klubeve të Superiores nuk janë të interesuara për garën, ku problemet, kryesisht financiare, i kanë bërë që të dorëzohen para kohe.
Arbër, si e komentoni situatën e fundit që po kalon Skënderbeu, i cili është transformuar nga ekipi që jemi mësuar të shikojmë?
Kur e nisi mirë sezonin, u duk si një gjë shumë e mirë për të qenë e vërtetë. Por, duket se hallet dhe problemet ndikuan në ecurinë e mëtejshme. Kampionati nuk është as një javë apo tri javë, apo as dy ndeshje të mira. Janë 36 ndeshje dhe ishte e vështirë që të mbahej ai ritëm kaq gjatë. Me sa e kam ndjekur Skënderbeun, përveç problemeve të tij, gjyqësore apo paqartësia, iu shtuan edhe halle të tjera jashtë fushës. Nuk e di sa e vërtetë është ajo që është thënë për ndeshjen e fundit me Kastriotin, por është një turp i madh nëse realisht ka ndodhur.
Ecuria jo e mirë ka qenë edhe para Kastriotit. Edhe në vitet që ka vuajtur nuk është parë një Skënderbe i tillë në rezultate…
Sigurisht, nuk e kam në kujtesë se kur i ka ndodhur për herë të fundit Skënderbeut një gjë e tillë. Skënderbeu gjithnjë është projektuar si një ekip për të dalë kampion, por që nga vera dhe deri më tani vazhdojnë akoma që të largohen lojtarë. Kam përshtypjen se presidenca dhe ata që e drejtojnë klubin po mundohen të minimizojnë deri diku goditjen, pasi UEFA po i lë varur. Kjo pritje sikur i ka rrënuar korçarët, jo vetëm nga ana financiare, por edhe nga durimi dhe qetësia që kanë qenë arma më e fortë e klubit deri në sezonin e fundit.
Goli nuk ka qenë problem për Skënderbeun në sezonet e fundit, ndërsa tani skuadra e vuan shumë gjetjen e golit. Pse ndodh kjo?
Të shënosh gol është një bashkëveprim mes reparteve dhe nuk është e lehtë që të shkosh deri aty. Deri në sezonin e fundit, Skënderbeu kishte sulmuesit më të mirë, mesfushorët më të mirë, si dhe mbrojtësit e krahëve më të mirët në Shqipëri. Tani vuan për këtë arsye, se skuadrës i janë larguar pikërisht këta elementë që përmenda më lart. Aktualisht, në vijën e parë kanë lojtar të rinj dhe të talentuar, por të paprovuar se sa vazhdimësi do të kenë. Ndaj, për të parë Skënderbeun që jemi mësuar, duhej një ndërthurje e këtyre elementëve të rinj me lojtarë me përvojë. Besoj kjo ka ndodhur edhe për shkak të paqartësisë që kishte klubi.
Edhe gjykimi ka ndryshuar sjellje me korçarët, pasi po shikohen veprime kundër tyre që nuk evidentoheshin më parë. Si e gjykoni këtë ndryshim trajektoreje nga i ashtuquajtur i favorizuar në i ndëshkuar?
Për mua, edhe në të shkuarën, të pakta kanë qenë rastet që gjyqtarët kanë qenë kaq “dashamirës” ndaj Skënderbeut. Mendoj se ka qenë ekipi ai që i minimizonte këto dukuri me fitore bindëse, duke bërë që të mos binin në sy gabimet e arbitrave ndaj Skënderbeut. Ndërsa këtë sezon duket qartë se ekipi nuk e ka atë fuqi e cilësi për të reaguar. Pra, skuadra nuk e ka potencën për të mposhtur edhe 5-10% të tendencës që kanë arbitrat në një ndeshje. Skuadra ka një mori problemesh, pasi ata që luajnë janë të paqartë se çfarë do të ndodhë me Skënderbeun pas 3 muajsh. Janë njerëz që janë të lidhur me kontrata deri në fund, por lojtarët kur shikojnë se majtas-djathtas u largohen futbollistë çdo merkato, nuk është aspak e lehtë të luash. Pra, nuk mund të përqendrohesh si individ dhe si grup në këtë situatë.
A e rrezikon Skënderbeun situata aktuale në renditjen përfundimtare?
Nuk e shikoj Skënderbeun deri në atë pikë sa për të menduar të keqen. I kanë mundësitë për ta kthyer situatën në favorin e tyre.
Futbolli shqiptar po përjeton një mori problematikash këtë sezon. Juve si ish-lojtar çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje këtë vit?
Pjesa dërrmuese e skuadrave kanë probleme financiare, administruese. Realisht, nuk e di se çfarë po ndodh, por shikon klube të dorëzuara, klube drejt shpërbërjes, kriza financiare. Duket se vetëm tri ekipe luftojnë, ndërsa të tjerat sikur janë pajtuar me disa llogari të bëra ndoshta në mendjen e tyre, pasi nuk shikohet interes nga klube të ndryshme që të ngjiten në renditje. Me dorëzimin e këtyre klubeve nga problemet financiare apo situata të tjera, kampionati duket pa interes dhe pa vlerë për pjesën dërrmuese të klubeve. Hiq tri të parat, të tjerat duken si të painteresuara në kampionat dhe të dorëzuara për mbarëvajtjen e garës. Është e trishtë kur e thua, por është e vërtetë. Shkon në stadium dhe nuk e di se çfarë do të servirin.
Ku e shikoni çudinë?
Po ja, shembulli më i fundit është Kastrioti që fiton dy ndeshje radhazi, madje me skuadra që askujt nuk ia shkonte mendja. Pra, është një situatë që nuk i jep bukuri maksimale kampionatit apo vlerë futbollistëve që luajnë kur shikon ekipe të dorëzuara.
Cilat janë verdiktet e Abilalajit për këtë sezon në Superiore?
Nisur nga ajo që kemi parë, duket se Kastrioti akoma nuk është dorëzuar, të paktën me dy fitoret e fundit. Nuk e di se çfarë mund të ndodhë më vonë sa i përket mbijetesës. Ndërsa për titull shikoj Partizanin dhe Kukësin deri në sprintin final, por varet se cila do të jetë ecuria e Teutës në këto javë. /Panorama Sport/