Si shoferë dublantë kamioni të pajisur me letra greke apo fshirje të ekspulsit në pasaporta, këto ishin disa nga mënyrat që përdornin të arrestuarit për trafikimin e klandestinëve në vendet e BE-së, SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë.
Referuar dosjes së Prokurorisë, personi që luante rolin kryesor në grup ishte Dritan Gramozi, ndërsa pjesa tjetër luanin role të ndryshme në funksion të trafikimit në këmbim të shumave të ndryshme të parave. Kështu, Gramozi, i shpallur tashmë në kërkim, në bashkëpunim me disa persona të tjerë trafikonin qytetarë të ndryshëm të Shqipërisë dhe jo vetëm.
Sipas Prokurorisë, ai e ushtronte aktivitetin në Stjar të Delvinës, në banesën e tij, ku siguronte dhe prodhonte dokumente të falsifikuara, karta identiteti të shteteve të ndryshme, si Greqi, Itali, Bullgari, Çeki apo Rumani.
Pasi siguronte persona që do të udhëtonin në mënyrë të paligjshme, kundrejt përfitimit monetar, i pajiste ata me dokumente identifikuese të falsifikuara, si dhe në bashkëpunim me persona të tjerë të grupit iu mundësonte atyre kalimin e paligjshëm kryesisht në Qafë Botë, Kakavijë dhe Rips. Si bashkëpunëtorë për kalimin e personave në kufirin e gjelbër Gramozi kishte shtetasit Dashamir Seferi, Rezart Hoxha dhe Afrim Emini, të cilët merrnin përsipër kalimin e tyre në drejtim të Greqisë.
Pas kalimit të kufirit kujdeseshin persona të tjerë të grupit, të cilët i akomodonin në hotele në shtetin fqinj. Ndërkohë, pjesë të grupit janë persona, të cilët siguronin njerëz që donin të largoheshin në mënyrë të paligjshme dhe i lidhnin ata me Dritan Gramozin, por jo vetëm.
Ndërkohë, si pjesë e grupit është edhe kreu i Shoqatës së Etnisë Vllahe, Simon Këri, i cili për shkak të njohjeve në Greqi merr përsipër sigurimin e të interesuarve me dokumente greke.
PJESË NGA DOSJA
Shtetasi nën hetim, Simon Këri, i cili është kryetar u Shoqatës së Etnisë Vllahe, evidentohet në rolin e ndërmjetësit në aktivitetin e kundërligjshëm në bashkëpunim me lidhjet që ka në Shqipëri dhe Greqi. Ky shtetas merr përsipër sigurimin e dokumenteve, me qëllim emigrimin e shtetasve në drejtim të SHBA-ve, Angli dhe Kanada.
Në funksion të këtij qëllimi, nëpërmjet lidhjeve të tij në Greqi, merr përsipër të sigurojë për të interesuarit dokumente greke për t’u mundësuar udhëtimin drejt këtyre shteteve. Përveç kësaj, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Etnisë Vllahe, Simon Këri dyshohet se mundëson pajisjen e shtetasve shqiptarë me dokumente të kësaj shoqate në funksion të trafikimit të personave në mënyrë të paligjshme.
Në funksion të realizimit të këtij aktiviteti, Simon Këri bashkëpunon me një shtetas, i cili kundrejt shumës 12 000 paund britanikë mundëson nxjerrjen e pasaportës së rregullt gjermane dhe italiane. Si pjesëtarë të këtij grupi kriminal janë evidentuar edhe shtetasit Glej alias Edison Shehu, Arjan Shehu, Avni Lezaj, Bedri Meta, Ermal Mema, Erlis Shehu, Elmas Bilbili.
Shtetasi nën hetim, Arjan Shehu, ka kontaktuar shtetasin nën hetim, Françesk Meta, për të ndihmuar për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin shtetasit, R.M dhe E.M. Shtetasit, pasi i akomodoi në hotelin ngjitur me Spitalin Ushtarak Tiranë dhe pasi nuk iu siguroi dot kalimin në ditën që iu kishte premtuar, i ndihmuan për kalimin e paligjshëm të kufirit pjesëtarët e grupit kriminal të drejtuar nga shtetasi Vejsel Gjolleshi. Me datë 16 janar 2019, shtetasi nën hetim Arjan Shehu ka marrë në qytetin e Fushë-Krujës shtetasin F.M, person i gjetur nga dy shtetas të tjerë.
Pasi është transportuar me furgonin e linjës Tiranë-Gjirokastër në qytetin e Gjirokastrës, është pritur dhe transportuar dhe kaluar në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë nga shtetasi Ermal Mema, me automjetin e tij me targa AA169VN, i cili ndodhej së bashku me dy persona të tjerë të paidentifikuar. Nga të dhënat e përftuara nga përgjimet telefonike dhe vëzhgimet e kryera ka rezultuar se pjesëtarët e grupi kriminal bashkëpunojnë edhe me shtetasit nën hetim, Kostaq (Leonidha) Gjoka dhe Arben Danglli.
Kështu, me datë 14.01.2019, nga përgjimet telefonike dhe vëzhgimet ka rezultuar se shtetasi nën hetim, Kostaq Gjoka, i ka sjellë një zarf me dokumente që dyshohet se janë të falsifikuara, të hetuarit Dritan Gramozi nëpërmjet një autoveture të linjës Korçë-Tiranë, me targa AA916T. Në këtë datë personat nën hetim, Dritan Gramozi dhe Rezart Hoxha, kanë udhëtuar me automjetin me targa AA910 RV nga Saranda në drejtim të Tiranës për të marrë zarfin. Shtetasi Rezart Hoxha ka kontaktuar një person tjetër për marrjen e zarfit. Rreth orës 17:12 të kësaj date, drejtuesi i automjetit me targa AA916T është takuar me drejtuesin e automjetit me targa AE 066T, të dërguar dhe porositur nga shtetasi Rezart Hoxha për marrjen e zarfit.
Pasi ka marrë zarfin, te rrethrrotullimi i Komunës së Parisit drejtuesi i automjetit me targa AA066T është takuar me shtetasit Dritan Gramozi dhe Rezart Hoxha, të cilët kanë marrë zarfin. Gjithashtu, nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi Idi Mita në një rast tjetër është kontaktuar nga shtetasi Dritan Gramozi, të cilit i ka dhënë një kuti me dokumente të dyshuara si të falsifikuara.
Nga përgjimet dhe vëzhgimet e kryera rezulton se shtetasit Kostaq Gjoka dhe Arben Danglli kanë ndihmuar për të udhëtuar me dokumente të falsifikuara një person, i cili ka udhëtuar në drejtim të Gjermanisë dhe ky i fundit, pasi ka telefonuar shtetasin Kostaq Gjoka, i kërkon adresën ku të dërgonte paratë për dokumentet e falsifikuara. Shtetasi nën hetim, Kostaq Gjoka, i ka thënë që paratë t’i dërgojë në emër të shtetasit Arben.
Po ashtu, në këtë veprimtari kriminale, nga veprimet hetimore të kryera është përfshirë edhe personi nën hetim, Elmas Bilbili, aktualisht me detyrë punonjës policie, në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, ku në bashkëpunim me personat nën hetim, kanë dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm për kalimin e personave të dyshuar me probleme, kundrejt pagesave apo shpërblimeve.
PËRGJIME
Një nga bisedat ku Këri i thotë bashkëbiseduesit se mund të pajisë edhe me vulë të vllenjës, përpos asaj të Greqisë. A- 355692082XXX Simoni B- 355697209XXX
Jani Simoni-Dëgjo tani, se fola me atë botin unë, sot i mora fotografitë unë, se i kishte lënë në makinë ai çuni i Tosit, më pruri letrat te puna ai mua, fotografitë s’mi pruri. I kishte lënë në lokal te një i njohuri jon, vajta i mora tani unë, s’ka nja një orë që i kam marrë.
Jani-Po.
Simoni-Tani muhabeti është kështu, që ta marrësh për një vit atë.
Jani-Po.
Simoni-Dhjetëmijë lekë është përkthimi edhe merr dhe vulë greke edhe vulë të vllenjës cobane. Tetëmijë lekë është regjistrimi në sistem. Një nga kto bën dy se dy mijë lekë të tëra, i kam marrë me shkrim unë dje pasdite.
Jani-Duhen për fëmijët them.
Simoni-Për të tëra ore, i jep me çmim kompleks ai. Është kryetar i shoqatës së gjithë Shqipërisë, nuk është rajonal. Pesëdhjetë mijë lekë i kam unë. Ti bëj sa copë të duash. Dyste dy mijë lekë copa është. Jani-Bëj timen dhe të nuses po qe.
Simoni-E mirë hajde. Të tjera janë tridhjet e katër mijë lekë
Biseda datë 18 tetor 2018, 10:34:16, midis personit nën hetim, Simon Këri, dhe numrit 00306995600XXX, veçohet me interes për hetimin një bisedë, ku duket se disa nga personat që do të trafikoheshin, nuk kanë arritur të kalojnë me dokumentet e siguruara prej tyre.
Simoni-I the Kristos për atë Florin?
Sofilka-I thashë Kristos, i thashë, për Florin dhe për të tjerët kur të vejë, nuk ka marrë përgjigje për të tjerët. Për Florin do vejë do interesohet, mos të ketë problem paratë, do i marri në qoftë se nuk rregullohet puna
Simoni-Epo thuaji ta marri njëherë në telefon atë Florin, se po më bezdis shumë ai
Sofika-Aaa për Marion dinte ai. Për Florin nuk ka marrë përgjigje
Simoni-Për Florin e ka marrë ai përgjigjen në Ministrinë e Rendit ai Armando
Sofika-Po ka folur me Armandon, po nuk e di se Kristo ka qenë i bllokuar me gripin edhe…
Simoni-Epo më tha Armandua mua që kta që nuk kanë fituar si Flori Mario e tjerë, për dy vjet s’kanë të drejtë të hedhin letrat më
Sofika-Ata letrat s’kanë të drejtë t’i hedhin, po s’kanë problem dokumentet, kanë problem se s’janë përgjigjur mirë
Simoni-S’e di unë si e kanë muhabetin, po t’i kthej ato lekët
Sofika-Po, po, do t’i them unë se për pak kohë do vijë dhe vetë Kristua, po jo këtë radhë, do vejë njëherë në Athinë të shqyrtojë çështjen
Simoni-Po problemi është se ta sqarojë një çikë atë Florin se po më bezdis ai jashtë mase
Sofika-Mirë, mirë se i them unë Kristos kur të vijë sot në drekë, pasdite
Simoni-Mirë, mirë, shëndet
Një tjetër bisedë që Prokuroria e ka veçuar me interes për hetimin është edhe ajo e datës 26 janar 2019, ora 12:38, e shtetases Aleksia (Mimoza/Roksana) Kamaj, e cila komunikon me një tjetër shtetas, që sipas Prokurorisë është duke shoqëruar disa persona që do të kalojnë me linjë ajrore.
00306993104XXX: Hë Moza.
Aleksia: Hë, ca bëre.
00306993104XXX: Ne po ikim për në aeroport.
Aleksia: E mirë zemra, futu vetë, shiko atje deri sa të hipin, okej.
00306993104XXX: Mirë në rregull.
Aleksia: Mos i lër kshu të rrinë bashkë. Mirë?
00306993104XXX: Jo, jo.
Aleksia: Mirë zemra, hajt puc.
00306993104XXX: Hajt paçim.
Biseda e datës 12 janar 2019, dëgjohet Dritan Gramozi, i cili komunikon me Leonard Merkajn dhe flasin në lidhje me pajisjen me viza të dy personave.
Dritan-Alo
Leonard-Hë mo, mos fli gjumë o derbardhë, lëvizni fillo, lëviz
Dritan-Ja mo, tani.
Leonard-Sa ke, sa janë?
Dritan- Dy, dy.
Leonard- E mirë, asaj gruas nuk do t’i bësh vizë, atë vulën.
Dritan-Jo, jo, të dy do t’i bëj, të dy do t’i bëj.
Leonard-E bravo, e mos ashu mua.
Dritan-E
Leonard-Hë, lëvizni tani, avash-avash…
Dritan- Ja për pak, për pak se
Leonard- E mir, mir, jam n’Kakavijë jam unë
Dritan- Ok, hajd.
Biseda e zhvilluar në datë 14 janar 2019, ora 11:49, shtetasi Dritan Gramozi komunikon me shtetasin Rezart Hoxha. Sipas Prokurorisë, ata diskutojnë në lidhje me kalimin e
klandestinëve me makinë në doganë.
Dritan: Për dy minuta, ja të kaloj dhe makina tjetër, që vjen nga dogana, kalojë njëra është dhe një tjetër, tani vjen ai për dy minuta lart.
Rezart Hoxha: Po merrmë te tjetri mua.
Dritan: Po mo, ja vjen tani, ai është, që vjen nga poshtë.
Rezart: E pashë, e pashë, hajt.
Dritan: Nxirre, hajt, shpejt se vjen një makinë thuaj, kthehu shpejt, thuaj edhe.
Rezart: Nga vjen nga Dogana?
Dritan: E
Rezart: Hajde çuni.
Një tjetër bisedë e veçuar nga Prokuroria, me interes për hetimin, është ajo e datës 20 dhjetor 2018, ora 10:02, mes shtetasit Dritan Gramozi dhe shtetasit Aleksia (Mimoza/Roksana) Kamaj. Në bisedë, Dritani duket i shqetësuar për kontrollet e ushtruara me dron.
Aleksia: Hë mo.
Dritan: 0re, se na erdhi një makinë nga mbrapa me një dron.
Aleksia: Çfarë?
Dritan: Me dron, me dron.
Aleksia: E ça ka?
Dritan: Hiç, lëshonte, lëshonte ashuja.
Aleksia: Ça lëshonte ore.
Dritan: Lëshuan dron, dron mo vlla, kontrollojnë rrugën.
Aleksia: Tallesh ti?
Dritan: Dron në ajër, për kokë të fëmijëve, ja..
Aleksia: Ua.
Dritan: E, e njeh mirë ti këtë, e njeh.
Aleksia: Ai, po ore, është nga Ballshi ai, mos ke probleme…
Dritan: Ik, hajt, hajt, hajt.
Aleksia: Mbaro punë andej
/Panorama/