Nga Boldnews.al
Me një vendim haptazi në shkelje flagrante të ligjit e mbylli ciklin si gjyqtare në Apelin e Vlorës Brikena Ukperaj (Lubonja), para se të nisi detyrën si anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).
Më 22 nëntor 2018, vetëm dy javë para se të zgjidhej anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Lubonja-Ukperaj i dha fund një procesi civil që e mbante thuajse prej 3 vitesh në duar, me një vendim që është tërësisht në kundërshtim me ligjin.
Gjyqtarja Brikena Ukperaj ishte drejtuese e trupit gjykues, ku palë kundërshtare ishin shtetasit H.B dhe A.R., në një proces civil për përcaktimin e kuotave në një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (shpk).
Shtetasit H.B. dhe A.R. kishin nisur në vitin 2007 një aktivitet të përbashkët tregtar, ku secili kishte kontribuuar me 50% të kuotave. Në vitin 2011, ortaku H.B. ngriti pretendimin se ai kishte investuar shuma të konsiderueshmë në shoqëri, të llogaritura në rreth 40 milionë lekë të reja. E, për këtë arsye, ai kërkoi nga ortaku i tij që ky kontribut t’i përkthehej në rritjen e kuotave në kompaninë e përbashkët.
Ortakët nuk gjetën mirëkuptim dhe, në bazë të ligjit “Për shoqëritë tregtare”, ortaku H.B., në vitin 2011, kërkoi nga gjykata caktimin e një eksperti kontabël, me qëllim që të rivlerësonte kontributin dhe, rrjedhimisht, edhe kuotat e ortakëve
Gjykata e shkallës së parë Vlorë caktoi një ekspert kontabël për të vlerësuar lëvizjet financiare të kryera nga bashkëpronarët, sipas kërkesës së ortakur H.B. Eksperti kontabël, i caktuar nga gjykata, arriti në përfundimin se ortaku H.B. kishte kontribuuar të ardhurat e tij në kompaninë e përbashkët me A.R dhe, për këtë arsye, ai llogariti që paditësit H.B. i takonin 86% të aksioneve të kompanisë. Gjykata e Vlorës kreu vlerësimin e aktit të ekspertimit dhe vendosi të pranojë konkluzionin e ekspertit, duke i njohur në këtë mënyrë ortakut H.B. rritjen e kapitalit në kompani, me vendimin nr. 187, dt.31.01.2011.
Ortaku tjetër, A.R, gjatë shqyrtimit civil, ngriti pretendimin se H.B. kishte fallsifikuar librat financiarë të kompanisë. Mbështetur në këtë pretendim, ortaku A.R., dorëzon kallëzim penal për bashkëpronarin e kompanisë. Prokuroria e Vlorës, pas hetimeve të kryera, arriti në konkluzionin se dokumentat ishin fallsifikuar e, për këtë arsye, dërgoi çështjen për gjykim në ngarkim të ortakut H.B. Por, Gjykata e Apelit të Vlorës, më dt.21.10.2014 ka vendosur pushimin e çështjes penale, duke argumentuar se nuk ka fallsifikim.
Pas këtij vendimi, ortaku A.R. i drejtohet me ankim civil Gjykatës së Apelit të Vlorës. Në të cilin kundërshtonte uljen e kuotave të tij në kompani, sipas të vendimit të gjykatës së Vlorës të vitit 2011. Gjykata e Apelit, pasi shqyrtoi ankimin, me vendimin nr. 617, dt. 07.05.2015, konstatoi se gjykata e shkallës së parë ka kryer shkelje të rënda proceduriale e ndaj çështja duhej rikthyer sërish në gjykatën e Vlorës për t’u shqyrtuar nga një tjetër trupë gjykuese. Sipas Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë ka kryer një vlerësim mbi aktin e ekspertimit, diçka që nuk është parashikuar në ligji. “Për shoqëritë tregtare”.
Sipas këtij ligji, në rastet e mosmarrëveshjeve mes ortakësh, gjykata ka për detyrë vetëm caktimin e ekspertit dhe vendimi i ekspertit është me fuqi detyruese. Sipas kësaj dispozite, eksperti në përfundim të aktit kontabël, nuk ka nevojë që të marrë miratimin e gjykatës për rezultatet, por ia dorëzon atë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.
Çështja civile ndërmjet ortakëve H.B dhe A.R. rikthehet sërish në gjykatën e shkallës së parë, e cila cakton një ekspert tjetër. Ky i fundit, kryen aktin e ekspertimit, duke i njohur sërish paditësit R.B. kontributin në shoqëri, duke caktuar se atij i takojnë 79.5% të kuotave, ndërkohë që ortakut A.R. i takojnë vetëm 20.5%.
Me vendimin nr.853, dt. 27.04.2016, gjykata e Vlorës, në përmbushje të detyrimeve ligjore, vendos “depozitimin e aktit të ekspertimit pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit”. Pra, në këtë rast, gjykata e Vlorës ka kryer korrekt detyrën e saj si “arbitër” dhe nuk ka kryer asnjë vlerësim mbi aktin e ekspertimit, ashtu siç përcaktohet në nenin 68 të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”.
Ortaku që humbi kuotat, A.R., në muajin Maj 2016, i drejtohet sërish Gjykatës së Apelit. Çështja i caktohet një trupe gjykuese, të drejtuar nga gjyqtarja Brikena Lubonja (Ukperaj), por procesi gjyqësor nuk nis. Pas më shumë se 18 muajsh, në Dhjetor 2017, ortaku që kishte fituar shumicën e aksioneve, H.B, i drejton një kërkesë kryesueses së trupit gjykues, Lubonja-Ukperaj, për të nisur dhe shqyrtuar çështjen “brenda një afati të arsyeshëm”, siç parashikohet nga ligji procedurial.
Pavarësisht kësaj kërkesë, procesi gjyqësor vijon të zvarritet. Në tetor 2018, shtetasi R.B. i drejtohet Gjykatës së Lartë, me shpresën që kjo e fundit të ndërhyjë tek Gjykata e Apelit Vlorë për të zhvilluar procesin gjyqësor.
Pas këtyre përpjekjeve gati 3-vjeçare, trupa gjykuese e kryesuar nga Brikena Lubonja Ukperaj, me vendimin nr.60-2018-3743, dt. 22.11.2018, vendosi: “Prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe pushimin e çështjes”.
Ky vendim, i cili ende nuk është zbardhur, krijon përshtypjen e një absurdi në të paktën dy elementë. Sipas këtij vendimi, ai prish vendimin e shkallës së parë, gjë që do të thotë se rrëzon caktimin e ekspertit kontabël, pasi vendimi i vetëm i gjykatës më të ulët është caktimi i ekspertit (dhe depozitimi i ekspertizës), pra është i paankimueshëm për shkak se nuk ka objekt ankimi.
Gjithashtu, ky vendim i trupës gjykuese të Apelit, drejtuar nga Brikena Lubonja (Ukperaj) vendos pushimin e çështjes, pra, pa i dhënë përgjigje ankuesit A.B., nëse pretendimi i tij për uljen të padrejtë të kuotave qëndron apo jo.
Në këtë mënyrë, me anën e kësaj vendimmarrjeje, gjyqtarja Brikena Lubonja Ukperaj ka lënë pa zgjidhje një konflikt civil mes dy ortakëve, ku njëri pretendon se ka të drejtën e rritjes së kuotave në kompani, pasi ka kryer investime, vlera e të cilave arrin në rreth 40 milionë lekë të reja.
Gjyqtarja Brikena Lubonja (Ukperaj) u zgjodh anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi u konfirmua si magjistrate nga Komisioni i Vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe, më tej, edhe Komisioneri Publik, nuk morën parasysh një numër të lartë denoncimesh nga qytetarët në adresë të gjyqtares Lubonja dhe vendosën konfirmimin e saj në detyrë, pa u dhënë përgjigje ankesave të qytetarëve.