Nga Boldnews
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese e konsideroi se kalimi me sukses i procesit të Vetingut ishte “si të kalosh varrin për së gjalli”. Një shprehje aspak e goditur, por që dëshmon edhe për realitetin e rivlerësimit të tij, i cili dukshëm ka qenë shumë favorizues nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Rasti “Dedja” është një ndër më tipikët se si Komisioni i Vetingut ka dalë jashtë qëllimit e parimeve bazë të procesit kushtetues të rivlerësimit, si edhe në pabarazi të dukshme me subjektet e tjerë, të cilat në vetëvete kanë elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës.
Me Vendimin Nr.24 datë 13.06.2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendosi:
Të konfirmojë në detyrë subjektin e rivlerësimit Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Nga përmbajtja e Vendimit Nr.24 datë 13.06.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit rezulton se;
Gjatë hetimit administrativ që KPK ka zhvilluar në lidhje me subjektin e rivlerësimit Bashkim Dedja, nëpërmjet Shkresës së OSHEE Sh.a Nr.26409/1 Prot, datë 29.12.2017, është verifikuar se, në emër të Z. Bashkim Dedja ka rezultuar e regjistruar një kontratë furnizimi me energji elektrike për abonent familjar të një apartamenti të ndodhur në Golem Durrës, si edhe ka rezultuar se, të gjitha faturat e energjisë elektrike në lidhje me këtë apartament banimi në Golem Plazh Durrës i ka paguar subjekti i rivlerësimit Bashkim Dedja.
Gjithashtu, gjatë hetimit administrativ që KPK ka zhvilluar në lidhje me këtë apartament banimi, pavarësisht se apartamenti i banimit ka rezultuar i regjistruar në pronësi të vellait L.D të subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja, ka rezultuar se vëllai L.D nuk ka patur të ardhura të mjaftueshme për blerjen e këtij apartamenti banimi.
Pavaresisht fakteve që dolën në dritë nga hetimi që kreu vetë KPK, kjo e fundit e ka justifikuar në këtë mënyrë fshehjen e pasurise nga Kreu i Gjykatës Kushtetuese:
Ndonëse nga shkresa kthim përgjigje e OSHEE me Nr.26409/1 Prot, datë 29.12.2017 dhe deklarimet e vetë subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja rezultoi e provuar se, ka qenë ky i fundit ai që ka aplikuar dhe i ka kërkuar OSHEE Dega Durrës, hapjen e kontratës së furnizimit me energji elektrike për këtë apartament banimi në emër të tij personal dhe jo në emër të vëllait të tij L.D, KPK nuk ka konstatuar asnjë lidhje të subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja me këtë apartament banimi, duke përjashtuar çdo dyshim ndaj tij për fshehje të pasurisë.
Ndonëse nga shkresa kthim pergjigje e OSHEE me Nr.26409/1 Prot, datë 29.12.2017 dhe deklarimet e vetë subjektit të rivleresimit Bashkim Dedja, rezultoi e provuar që, subjekti i rivlerësimit Bashkim Dedja, në momentin që ka bërë kërkesë në OSHEE Dega Durrës për lidhjen e kontratës së furnizimit me energji elektrike nuk ka deklaruar se, ky apartament banimi është në përdorim apo në pronësi të vëllait të tij L.D, por Bashkim Dedja i ka kërkuar OSHEE lidhjen e kësaj kontrate furnizimi në emrin e tij personal si abonent familjar, KPK nuk ka konstatuar asnjë lidhje të subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja me këtë apartament banimi, duke përjashtuar çdo dyshim ndaj tij për fshehje të pasurisë.
Ndonëse nga shkresa kthim përgjigje e OSHEE me Nr.26409/1 Prot, datë 29.12.2017 dhe deklarimet e vetë subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja, rezultoi e provuar që Bashkim Dedja, në momentin që ka bërë kërkesë në OSHEE Dega Durrës për lidhjen e kontratës së furnizimit me energji elektrike nuk ka dorëzuar Kontratën e Sipërmarrjes së vëllait të tij L.D me Shoqërine e Ndërtimit, Kontratën e Shitblerjes së të vëllait L.D me Shoqërinë e ndërtimit apo çertifikaten e pronësisë mbi këtë apartament banimi në emër të të vëllait L.D, por Bashkim Dedja i ka kërkuar OSHEE Sh.a Dega Durrës përfitimin e shërbimit të energjisë elektrike në emër të tij personal, si abonent familjar, KPK nuk ka konstatuar asnjë lidhje të subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja më këtë apartament banimi, duke përjashtuar çdo dyshim ndaj tij për fshehje të pasurisë.
Ndonëse subjekti i rivlerësimit Bashkim Dedja ka pranuar që e ka përdorur këtë apartament banimi dhe se, periudha në të cilën është hapur dhe ka qenë funksionale kjo kontratë furnizimi me energji elektrike të një apartamenti banimi në Plazh Durrës, përkon me periudhën gjatë së cilës subjekti i rivlerësimit Bashkim Dedja ka kryer detyrën e Gjyqtarit në Gjykatën e Apelit në qytetin e Durrësit, KPK nuk ka konstatuar asnjë lidhje të subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja me këtë apartament banimi, duke përjashtuar çdo dyshim ndaj tij për fshehje të pasurisë.
Ndonëse nga i gjithë hetimi administrativ dhe deklarimet e subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja është provuar që ai ka kërkuar lidhjen e kontratës së furnizimit me energji elektrike në këtë apartament banimi në emër të vetë personal, si abonent familjar dhe se ka paguar gjithmonë faturat e energjisë elektrike dhe vazhdon t’i paguajë ende për këtë apartament banimi, KPK nuk ka konstatuar asnjë lidhje të subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja me këtë apartament banimi, duke përjashtuar çdo dyshim ndaj tij për fshehje të pasurisë.
Ndonëse nga i gjithë hetimi administrativ i zhvilluar prej KPK në lidhje me këtë apartament, është provuar që ky apartament banimi është blerë në kohën që subjekti i Rivlerësimit Bashkim Dedja kryente detyrën e Gjyqtarit në Durrës, që shërbimi i energjisë elektrike mbi këtë apartament banimi është kërkuar prej z. Bashkim Dedja, që pagesat e faturave për shërbimin e energjisë elektrike janë bërë nga ana e subjektit dhe se ai ka pranuar përdorimin e këtij apartamenti banimi për vete dhe familjen e tij, KPK nuk ka konstatuar asnjë lidhje të subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja me këtë apartament banimi, duke përjashtuar çdo dyshim ndaj tij për fshehje të pasurisë.
Ndonëse nga i gjithë hetimi administrativ i zhvilluar prej KPK u provua që vëllai L.D, i subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja, gjithmonë ka jetuar dhe ka punuar në Dibër, ku jeton edhe sot e kësaj dite familjarisht dhe se nuk ka banuar apo t’a ketë përdorur për vete ndonjëherë apartamentin e banimit në Golem Plazh Durrës, KPK nuk ka konstatuar asnjë lidhje të subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja me këtë apartament banimi, duke përjashtuar çdo dyshim ndaj tij për fshehje të pasurisë.
Ndonëse faturat e energjisë elektrike të këtij apartamenti banimi paraqesin konsum real të energjisë elektrike vetëm gjatë muajve të verës, periudhë gjatë së cilës ky apartament banimi, sipas deklarimeve të vetë subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja, është përdorur prej tij, ndërsa e gjithë periudha tjetër e vitit rezulton me tarifë shërbimi, ndërkohë që është vërtetuar se vëllai L.D, ne emër të të cilit figuron i regjistruar ky apartament banimi ka jetuar dhe ka punuar në Dibër dhe se nuk vërtetohet që ai të ketë banuar apo t’a përdorë për vete këtë apartament, KPK nuk ka konstatuar asnjë lidhje të subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja me këtë apartament banimi, duke përjashtuar çdo dyshim ndaj tij për fshehje të pasurisë.
Ndonëse nga i gjithë hetimi administrativ i zhvilluar prej KPK u vërtetua që vëllai LD i subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja nuk ka patur të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar blerjen e këtij apartamenti banimi në Plazh Durrës dhe nuk u administrua asnjë dokumentacion që të vërtetonte ushtrimin prej L.D të aktivitetit tregtar privat apo prodhues dhe as mbi nivelin e të ardhurave nga ky aktivitet, KPK ka marrë të mirëqëna deklarimet e Kreut e Kushtetueses se, vëllai i tij ka siguruar të ardhura të vazhdueshme nga toka bujqësore, pemëtaria, blektoria dhe bujqësia, duke përjashtuar çdo dyshim ndaj subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja për fshehje të pasurise prej tij në lidhje me këtë apartament banimi.
Ndonëse gjatë gjithë hetimit administrativ të zhvilluar prej KPK, nuk u arrit të vërtetohej qëllimi i blerjes së këtij apartamenti banimi prej vëllait L.D në Golem Plazh Durrës, në një kohë që rezulton se ai gjithmonë ka jetuar dhe ka punuar në Dibër dhe se asnjëherë nuk e ka përdorur për vete këtë apartament banimi e se nuk ka kërkuar lidhjen e shërbimit të energjisë elektrike për këtë apartament banimi e nuk ka kryer asnjëherë pagesat për detyrimet që rrjedhin mbi këtë apartament banimi, KPK nuk ka hedhur asnjë dyshim ndaj subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja për fshehje të pasurisë në lidhje me këtë apartament.
Ndonëse gjatë gjithë hetimit administrativ të zhvilluar prej KPK, subjekti i rivlerësimit Bashkim Dedja ka pranuar përdorimin e këtij apartamenti banimi për vete dhe familjen tij për një afat të pacaktuar dhe veçanërisht gjatë pushimeve verore, Kreu i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka deklaruar asnjëherë, në deklarimet periodike vjetore përdorimin e këtij apartamenti banimi.
Ndonëse gjatë gjithë hetimit administrativ të zhvilluar prej KPK, subjekti i rivlerësimit Bashkim Dedja ka pranuar kryerjen prej tij të pagesave të faturave të energjisë elektrike për këtë apartamet banimi, që nga momenti i hapjes së kontratës së furnizimit dhe pa ndërprerje edhe sot e kësaj dite dhe se këto shpenzime në formën e dhurimit, nuk i ka deklaruar asnjëherë në deklarimet periodike vjetore dhe as në Deklaratën e Pasurisë Veting, KPK e ka justifikuar Kreun e Gjykatës Kushtetuese duke thënë se, ndërmjet vëllezërve kishte një kontratë porosie me gojë, nëpërmjet së cilës, subjekti i rivlerësimit Bashkim Dedja kishte marrë vetëm përsipër të paguante, pa asnjë arsye dhe pa asnjë kundërshpërblim, në favor të vëllait të vet, detyrimet e energjisë elektrike të këtij apartamenti banimi, në pronësi të vëllait L.D, pa patur të drejtë përdorimi të këtij apartamenti, ndërkohë që vetë subjekti e ka konfirmuar përdorimin e apartamentit të banimit dhe vetë në përmbajtje të këtij vendimi KPK e pranuar përdorimin e këtij apartamenti banimi prej subjektit të rivlerësimit mbështetur në marrëdhënien e shëndoshë familjare që ata kanë.
Ndonëse gjatë gjithë hetimit administrativ të zhvilluar prej KPK, subjekti i rivlerësimit Bashkim Dedja ka pranuar përdorimin e apartamentit të banimit të vëllait për një periudhë të pacaktuar, dhe se u vërtetuan pagesat e shërbimeve për këtë apartament banimi nga Kreu i Gjykatës Kushtetuese, KPK nuk e ka konsideruar vëllanë L.D të subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja si person të lidhur të tij, me arsyetimin se, në raport me këtë apartament banimi subjekti i rivlerësimit Bashkim Dedja dhe vëllai i tij L.D nuk janë në cilësinë e dhuruesit, të huamarrësit apo të huadhënësit dhe se, vëllai L.D nuk është në të njëjtën çertifikatë familjare me subjektin e rivlerësimit Bashkim Dedja.
Mungesën e dokumentacionit për të vërtetuar nivelin e të ardhurave dhe mundësisë ekonomike të vëllait L.D, të subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja, për të paguar çmimin e këtij apartamenti banimi, KPK e ka justifikuar me arsyetimin se vëllai i subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja nuk ka qenë ndonjëhere subjekt i deklarimit të pasurive dhe nuk ka kryer ndonjëherë ndonjë funksion zyrtar që mbart detyrimin për deklarimin e pasurisë.
Përjashtimin e çfarëdolloj dyshimi të arsyeshëm e të bazuar, që subjekti i rivlerësimit Bashkim Dedja mund të ketë bërë fshehje të pasurisë dhe se kjo pasuri të jetë realisht e subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja, KPK e ka justifikuar me arsyetimin se, ky apartament banimi është i regjistruar në ZVRPP Durrës dhe është lëshuar çertifikatë pronësie në emër të vëllait L.D të Kreut të Kushtetueses, Bashkim Dedja.
Deri më tani, 23 gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar nga detyra bazuar vetëm në bindjen e brendshme të KPK për fshehje të pasurisë, pa asnjë provë që të vërtetonte lidhjen e tyre me pasuri të caktuara. Mungesa e çertifikatës se pronësisë nuk i ka pirë ujë gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë dhe se, për këta fatëkeq, fatura e dritave apo e ujit ka qenë sipas KPK, prova fatale për shkarkim, ndërsa në rastin e Kreut të Gjykatës Kushtetuese, KPK ka marrë rolin e avokatit mbrojtës, për çlirimin e tij nga provat që kishte mbledhur ajo vetë.
Këto prova që rezultuan gjatë hetimit administrativ dhe mjaft probleme të tjera në lidhje me pasurinë e Kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i ngriti edhe anëtarja e trupit gjykues te KPK, Komisionerja Xhensila Pine, e cila për më tepër kishte qenë edhe Ralatorja e çështjes dhe që, në përfundim të këtij procesi, kërkoi shkarkimin e tij nga detyra.
Këto probleme me pasurinë e Kreut të Gjykatës Kushtetuese i konstatoi edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, që menjëherë kërkoi ankimimin e vendimit të KPK dhe shkarkimim nga detyra të Kreut të Gjykatës Kushtetuese.
Këto probleme me pasurinë e Kreut të Gjykatës Kushtetuese i ngriti edhe Komisioneri Publik në ankimin e tij ndaj vendimit të KPK për Kreun e Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shkarkimin e tij nga detyra.
Bashkim Dedja përballet të Mërkurën me trupën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në bazë të kërkesës së Komisionerit Publik për shkarkimin e tij nga detyra.