Në Ditën Botërore të Luftës kundër Korrupsionit, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është vendosur një rosë e verdhë prej gome, tashmë si simbol botëror në luftën kundër korrupsionit.
Përbri rosës është vendosur edhe një tabelë, në të cilën qytetarët kanë vendosur mesazhe kundër korrupsionit.Jeton Zulfaj, ideator i projektit ka thënë se kjo rosë tregon se pavarësisht progresit që është bërë në luftën antikorrupsion në Kosovë, ende ka punë për të bërë në këtë drejtim.
“Rosa është gjashtë metra e madhe dhe e dukshme për shkak se korrupsioni në Kosovë është i madh dhe i dukshëm. Është koha për ndryshime, gjatë vitit që po lëmë pas, kanë ndodhur ndryshime të mëdha në prokurimin publik, ku është rritur transparenca dhe niveli i qasjes në dokumente të cilat flasin për shpenzimet e taksapaguesve”, ka thënë Zulfaj.
Edhe Chrisrina Davis, përfaqësuese e USAID ka thënë se në Kosovë ka ende punë për të bërë në luftën kundër korrupsionit, pavarësisht që është bërë progres.
Këtu ajo ka përmendur mundësinë e qasjes së qytetarëve në dokumentet e prokurimit publik, dhe ka inkurajuar qytetarët që t’i përcjellin vazhdimisht këto dokumente publike. Ajo po ashtu ka premtuar që USAID do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në këtë drejtim, shkruan gazeta Express.
“Kjo rosë e madhe e verdhë është një simbol i paqes dhe lumturisë, por anë e kënd botës tani është bërë edhe simbol i luftës kundër korrupsionit. Kjo rosë po mirëpritet edhe në Kosovë dhe është një rikujtim për të gjithë se me gjithë progresin që kemi pasur këtë vit në luftimin e korrupsionit, na ka mbetur ende shumë punë për të bërë”, ka thënë Davis.
Kurse, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsiont, Shaip Havolli ka thënë se progresi që ka shënuar Kosova në luftën kundër korrupsionit nuk mjafton.