Padia e ish-kreut të burgjeve të diktaturës ndaj Fatmira Dines, bijë e familjes së persekutuar ashpër nga regjimi komunist. Dëshmia e ish-policit Urim Gjata dhe dy dëshmi të tjera për revoltën në burgun famëkeq të diktaturës, atje ku xhelati komandant burgu, lau me gjak të burgosurish, koridoret e oborret e atij kampi.
“Në mes të kampit i lidhur qëndronte Anastas Dhami nga Pogradeci. Edmond Caja së bashku me Ludovik Calin, me pinca i shkulin mustaqet. Thirrjet dhe dhimbjet e Anastasit mbuloheshin nga të qeshurat dhe jargët e kriminelëve me uniforme. Thoma Jergolatit i thyen këmbën. Ludovik Cali dhe krimineli Edmond Caja filluan të qëllojnë me çizmat e meshinit me thumba hekuri, mbi viktimat gjysëm të vdekur të shtrirë në sheshin e kampit”.
Kishin kaluar pak ditë nga revolta e 22 majit të vitit 1984, në burgun e Qafë Barit, kur komandant toge Edmond Caja do të shfaqej me entuziazëm e ngazëllim në ambjentet e mencës së këtij burgu. Kishte urdhëruar mbledhjen e të dënuarve në atë sallë, ku do të komunikonte një lajm shumë të rëndësishëm. Në heshtjen që kishte pllakosur mbi të burgosurit që qëndronin me kokë ulur e në pritje të shkopinjve e shkelmave mbi ta, nisi të dëgjohej zëri i frikshëm i Edmond Cajës.
Dëgjoni vendimin gjykatës:
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi dosjen në ngarkim të të pandehurve, vendosi këto dënime: Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim; Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim… Sokol Progri, me 25 vjet burg, Vllasi Koçi, me 25 vjet burg, Martin Leka me 16 vjet burg, Haxhi Baxhonovski, me 21 vjet burg, Bajram Vuthi, me 15 vjet burg, Ndue Pisha me 25 vjet burg, Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg, Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg, Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg dhe Hysen Tabaku me 11 vjet burg. Për të gjithë vuajtja e dënimit fillonte më 22 maj. Pasi kisht lexuar megjithë gëzimin monstruoz listën e vdkejes dhe burgosjes për ata fatkeqë që gjendshin aty pa bërë asnjë faj, xhelati Edmond Caja kisht lëshuar edhe ulurimën kërcëuese për të tjerët: A ka ndonjë trim tjetër që do matet me ne? Pas pak ditësh në qersho të vitit 1984, dy të rinjtë e dënuar me pushkatim, do të ekzekutoheshin përms gjymtimeve monstruoze të panjohura e të padëgjuara në gjithë përvojën monstruoze të xhelatëve e diktatorëve të regjimeve totalitare nëpër botë. E ka rrëfyer Visar Zhiti në kujimet tij për vuajtjen në burgjet komuniste. Sipas dëshmisë së tij, Sokol Sokolit e Tom ndojës, pasi u pushkatuan, ua nxorën edhe sytë për ti përdorur gjoja për kërkim shkencor.
Karrierë e përgjakur e Edmond Cajes
Për shkak të devotshmërisë së lartë për të lufuar “armiqtë e popullit” Sokol Sokoli e Tom Ndoja të pushkatuar si dhe shumë të tjerë të burgosur, komandanti i togës në burgun e Qafë Barit, Edmond Caja, do t’i besohej një detyrë më e lartë shtetërore. Pak kohë më vonë ai u emërua drejtor i burgut të Qafë Barit dhe pak kohë më pas regjimi komunist e emëroi Edmond Cajen, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve të Shqipërisë.
Në atë detyrë, Caja qëndroi deri sa u përmbys regjimi komunist të cilit i shërbeu me aq devotshmëri. Pas vitit 1992, kur ishte përmbysur diktatura, Edmond Caja shkoi në Gjermani. U largua ndoshta edhe përmes kërkesës për strehim politik në Gjermani. Edmond Caja është prej 26 vitesh në Gjermani si qytetar gjeman. Atje jeton edhe sot, i pashqetësuar nga e shkuara kriminale, “i nderuar” si sipërmarrës e pikërisht për këtë status të ri të tij, ai ka bërë një padi pranë drejtësisë gjermane. Edmond Caja padit shtetasen Fatmira Dine, për prishje të imazhit, sepse ajo ka rrëfyer atje të vërtetën e karrierës së tij të përgjakur, gjatë kohës së diktaturës komuniste.
Fatmira Dine do të përballet së shpejti me Edmond Cajen në gjykatën gjermane. Me shumë gjasë, Edmond Caja do ta fitojë këtë gjyq sepse Fatmira Dine nuk ka shumë fakte për ti ofruar gjykatës gjermane përveç dëshmive që vijnë nga të dënuar viktima të dhunës monstruoze të Edmond Cajes.
Dëshmi për krimet e Edmond Cajes
“Na çuan në kampin famëkeq të Qafe Barit, një ditë dhjetori të acartë e me dëborë të vitit 1986, mua bashkë me Agron e Naim Lalën, vëllezër, nga Borshi i Sarandës dhe një djalë tjetër të gjatë nga Kuçi i Vlorës, i cili quhej Fred, por shokët e tij Naimi e Agroni e thërrisnin Feto. Ishin dënuar si dhe unë për të njëjtën akuzë dhe ishin arrestuar grup bashkë.
Sapo na zbritën nga makina autoburg, na plasën brenda rrethimeve të atij kampi të llahtarshëm. Ishte një i ftohtë siç din të bëjë vetëm në malet e Tuçit të Pukës, i ftohtë i cili na hynte deri në palcë. Një skuader policësh, të cilët mbanin uniforma kapterësh të ushtrisë na u vërsul menjëherë në fyt duke na rrahur me shkopinj druri dhe duke na rënë me këpucë ushtarake në kërcinj të këmbëve. Pasi na zhveshën lakuriq në mes të acarit e dëborës gjoja për kontroll, tek ne erdhi një oficer i veshur me uniformë të policisë me qillota, çizme lëkure e me rrip kraheqafë. Ishte Komandanti i kampit Edmond Caja nga Kuçi i Vlorës, por me banim në Tiranë. Pas shpinës së tij rrinte gati për terror shefi i policisë së kampit Ludovik Cali, një malsor prej Balldrenit të Lezhës. Filloi rrahja e pamëshirëshme ndaj nesh. Më shumë rrahën Fredin sepse komandanti Edmond Caja i thoshte se na fëlliqe Kuçin e Vlorës. Ishte koha pas Revoltës së qafë Barit. Nuk kishte kaluar veçse 2 vite e 6 muaj nga pushkatimi i trimave Sokol Zefi (Sokoli) e Tom Ndoja si dhe mbytja nën tortura e ish ushtarakut të specializuar jashtë shtetit, Sandër (Sadri) Sokoli.
Marrë nga :Kujto.al