Vlora është kthyer në tre vitet e fundit në një qytet jo normal. Për shkak se ka me dhjetra persona të zh.dukur palënë gjurmë e nishan. Një prej rasteve më të njohura është ajo e një biznesmeni që u ekstradua nga Kanadaja në vitin 2008.
Babai i tre fëmijëve, Leonard Mehmeti, ishte dënuar për vjedhje me dhunë. Disa vite pas shlyerjes së dënimit, ai u zhduk më 22 nëntor 2016. Leonardi, i njohur me emrin Nani, kishte ngritur bizneset e tij. Një restorant në zonën e “lungo mares” dhe një fermë kuajsh në Panaja të Vlorës, ku dhe është parë në herën e fundit i gjallë.
Mehemet Mehmeti rrëfen se ishin shokët e tij që e lajmëruan për zhdukjen e të vëllait.
“Vjet me 23 nëntor më lajmërojnë se është zhdukur vëllai, Më thanë shokët e vet se nuk po dukej gjëkundi. Dhe na thanë që është vrarë në Durrës. Më 25 shkova dhe denoncova në polici, jo një herë por kam bërë 2-3 herë denoncime në policinë e Vlorës”, – rrëfen i vëllai.
Ajo që dihet për Leonardin është se mesditën e 22 nëntorit të vitit 2016 është nisur nga Vlora në drejtim të Tiranës, “Të zhdukesh nga Vlora deri në Tiranë… ku di unë. Hapëm kamerën që tek shtëpia, e kontrolluam… që në atë ditë s’kemi lënë vend pa kërkuar, prokuroria këtu hiç”, – tha për Top Story i vëllai.
Gjatë pasdites së 22 nëntorit Mehmeti ka provuar të telefonojë disa herë vëllain e tij, por askush nuk përgjigjej. “E kur ka folur ajo vajza, e dashura e tij ishte një punonjëse police, ka folur me mesazh zanor në orën 1 dhe më tha se ishte në punë. Në orën 8 të darkës e kam marrë unë në telefon, nga shtëpia ime, binte zilja por nuk e çonte telefonin. një shoku i vet tha e mora unë në orën 10 dhe ishte I fikur telefoni”, tha i vëllai.
Nga tabulatet e numrit telefonik rezulton që nga numri që posedonte Leonardi të ketë patur komunikimi deri më datën 27 nëntor, ku qeliza e antenave tregon vendndodhjen e fundit në Shijak. Mehmeti tregon se i vëllai frekuentonte shpesh Durrësin për shkak të miqësisë që kishte me Ervin Dalipajn, punonjës policie dhe Xhino Dautajn, i proceduar dhe dënuar në vitin 2012 nga Gjykata e rrethit të Vlorës për vrasje me paramendim.
“Ai shoqërohej me Juxhin Dautin dhe Ervin Dalipajn. Këta merreshin me kultivimin e kanabisin. Takoi vëllanë e dytë Juxhinin dhe i tha që s’dimë gjë ku ndodhet. Por pas 6 muajsh u vranë dhe ata në Shijak. Këta merreshin me kultivimin e kanabisit që për të marrë mallin dhe lekët, mund t’i ketë ndodhur kjo”, tha i vëllai.
Familjarët: Nani u rrëmbye për shkak të trafikut të drogës me Dalipin dhe Dautin
Ish-shefi i krimit ekonomik në Tiranë, i akuzuar për rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut u ekzekutua në prill të vitit 2017, teksa po lëvizte me një makinë “Audi” së bashku me mikun e tij Juxhin Dauti në autostradën Tiranë – Durrës, në afërsi të kryqëzimit të Sukthit.
Ngjarja është ende e pazbardhur për policinë, ndërsa Mehmet Mehmeti thotë se zhdukja e të vëllait ka lidhje pikërisht me implikimin e tyre në trafikun e drogës.
“Për mendimin tim, shkaktari kryesor është vetëm kjo që ju thashë, problem i mallit që u vra. Sepse ai ishte i lirë, bridhte i qetë pa asnjë problem”, thotë Mehmeti. Lidhjet me kupolën e policisë së shtetit për Mehmetin kanë penguar dhe hetimet për zbardhjen e fatit të vëllait të tij.
“Unë them që këtyre nuk u ka interesuar fare kjo punë. Po të ishte përshpejtuar kur unë kam bërë denoncimin, edhe mund të ishte gjetur. Sido që të kishte ndodhur”, – tha i vëllai.
Të kenë një varrë për të vëllanë është gjithë sa kërkon familja Mehmetit, pasi e dinë që tani më Leonardi nuk është më gjallë.
“Ne jemi të shqetësuar shumë, dhe sipas mendimit tim, ai është i vrarë, i zhdukur, por dëshira jonë e madhe është për ta gjetur dhe ata çojmë tek të shumtit”, – shprehet për Top Story i vëllai.
Jetojnë me ankthin e vdekjes sapo në Vlorë gjendet një kufomë e dekompozuar, apo deti nxjerrë në breg trupa të pa jetë.
“Kjo kufoma që është gjendur, është gjetur mbas dy tre muajve. I dekompozuar, si gjatësi si numër këmbe, ne dyshuam por përgjigjja nuk na u dha e saktë. Më morën ADN dhe mbas një muaji më lajmëruan se nuk ngjason, madje shkova në Zvërnec për ata të mbyturit, dhe nuk ishte. Ndërsa kjo kufoma në Karaburna, që diskutuam deri tani, është pa emër deri më sot, ndaj dyshojmë akoma dhe sot”, tha i vëllai. /Top Channel/