Nga Boldnews.al
Ndërsa kryeministri Rama mbante fjalën e tij në Parlament, jashtë saj protestuesit banorë të zonës së Unazës së Re që pritet tu shemben shtëpitë, shpërthyen në dhunë e përplasje me forcat e policisë. Bilanci deri më tani nuk ka vend për interpretime, me 12 policë dhe tre protestues të plagosur. Shkëndijën e konfliktit të dhunshëm e dha vetë kryeministri, që teksa bënte ironi me banorët, duke i përmenduar me emra e cituar fjalë përbuzëse me dialekt të veriut, u shpreh se nuk do ketë asnjë dëmshpërblim për zaptuesit e pronave.
Rama vijonte me batuta deliri përballë deputetëve socialist, që u “shkrinë” së qeshuri me shakatë e kripura të kryeministrit, por në hyrje të parlamentit viktimë e sulmeve ranë efektivë policie dhe banorë, mes të cilëve edhe një punonjëse e efektivëve “Shqiponja” që sipas mjekëve ka dëmtin në katër gishtat e njërës dorë nga shpërthimi i një kapsolli. Kaq mjaftoi që çështja të kthehej në politike dhe përbetim të kreut të qeverisë se me “keputjen e gishtave të polices 24-vjeçare ishte shkelur vija e kuqe nga protestuesit”.
Përveç “vijës së kuqe” është edhe vija e hollë ndarëse mes problemit social nga prishja e objekteve të banimit dhe zënies së pronës dikujt tjetër dhe ndërtimit pa kriter mbetet e vështirë për tu ndarë. Mes 300 objekteve që pritet të shemben nga ndërtimi i Unazës së Re ka banesa të ndërtuara me mund, por ka edhe objekte që shërbejnë për tregti, lokale, dyqane, madje edhe hotele.
E zunë atë pronë edhe nga mungesa e shtetit, ndërtuan mbi ta djersën e dekadave punë dhe tani u thuhet të dalin nga banesat për ndërtimin e një vepre që do kushtojë 40 milionë euro, edhe pse është vetëm 2.2 kilometra, që në gjuhën e shifrave i bie 19 milionë euro për vetëm një kilometër rrugë. Për të kuptuar aferën e pastër në këtë tender të çartur mjafton të veçohet kompania që ka marrë përsipër ndërtimin e rrugës, është “Sallillari sh.p.k”. Një kompani që Rama e pati përzemër që në kohën kur ishte kryetar i Bashkisë Tiranë.
Më pas po me këtë subjekt Erion Veliaj nuk u kursye, duke u gjendur thuajse në çdo tender të bashkisë së kryeqytetit. Për këtë aferë Rama ka shkelur “vijën e kuqe” të korrupsionit që nisin nga qeveria e mbyllen me Bashkinë Tiranë. Pagesa prej 19 milionë eurosh për vetëm një kilometër rrugë, qoftë me nënkalime e mbikalime, nuk është e justifikueshme as nga pjesa propogandistike e qeverisë. Për ta halli më i madh është që të mbulojnë me deklarata shifrën që kapërcen çdo logjikë ndërtimi të çdo vepre. Me kosto të ngjashme në botë ndërohen tunele detare.
Rama, në një situatë të tillë problemin e madh nuk e ka vetëm me banorët që preken nga ky projekt, por me mllefin popullor që çdo ditë njihet me abuzimet e mëdha të qeverisë. Përbuzja deri në akstrem e akuzave dhe kritikës së ndërkombëtarëve që të kishte kujdes me PPP-të e famshme, Rama iu përgjigj me një çmenduri shpenzimesh. Për pesë akse rrugore me ofertë të pakërkuar, qeveria do të lëvrojë 1.2 miliard euro për 13 vite.
Sikur të mos mjaftonte megaafera ku 5 kompani të vetme marrin 1.2 milardë euro nga xhepat e shqiptarëve, qeveria dhe Bashkia Tiranë nënshkruajnë kontratën për ndërtimin e Unazës së Re në shifrën prej 40 milionë eurosh për vetëm 2.2 kilometra rrugë. Shifrave Rama nuk mund të bëje bisht, ndaj propaganda qeveritare prej ditësh pranë mediave që kontrollon japin të dhëna të sitsura, për të justifikuar shpenzimet e mëdha të shtetit më të varfër të Europës.