Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një skandal në pikën e bllokimit të automjeteve të sekuestruara në Lundër. Një qytetare u ankua se makina e saj ka qëndruar prej 4 muajsh në atë pikë dhe gjatë kësaj kohe, automjeti është shkatërruar.
Megjithëse ka një urdhër të prokurorisë për marrjen e makinës, ajo ende nuk ka arritur të marrë mjetin, pasi punonjës të asaj pike i thonë se duhet të lëvizë privatisht edhe rreth 15 a 20 makina që të dalë e saj.
“Ka 1 muaj që ka dalë urdhri i zhbllokimit dhe nuk marr dot makinën. Nëse dëmtohen makinat e tjera që janë bllokuar, kush mban përgjegjësi” pyet me të drejtë qytetarja.
Pas ankesës, qytetarja shkon në Lundër dhe takon një punonjës policie. E pyet përse makina është e dëmtuar, ndërsa ai i përgjigjet se “ashtu ka ardhur”.
Qytetarja i kërkon të shohë procesverbalin në momentin që ka shkuar makina në atë pikë, ndërsa polici i thotë se duhet të marrë karroatrec privatisht, pasi duhet të lëvizë edhe makinat e tjera. Më pas, qytetarja i lexon procesverbalin punonjësit të policisë, ku mes të tjerave i thotë se makina ishte në rregull në momentin e vajtjes në pikën e bllokimit. I kërkon që të marrë një fotokopje të procesverbalit, por punonjësi i policisë i thotë se duhet t’ia japë OPGJ-së. Qytetarja telefonon OPGJ-në, i cili i thotë se detyra e tyre ka qenë deri në momentin e dorëzimit të automjetit, më pas merret pika e bllokimit.
Qytetarja shkon në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku takon shefin e antidrogës, i cili ka ndjekur edhe çështjen. “Është problemi i tyre ajo, s’është problemi jonë. E ke për detyrë të më japësh makinën t’i thuash atij policit, sepse ti po shpërdoron detyrën o zotëri. Ti nuk po ekzekuton, ti po bëhesh pengesë për ekzekutimin e urdhrit të prokurorit thuaji” i thotë ai.
Pas sorollatjeve, gazetarët e Fiks Fare shkojnë në pikën e bllokimit të automjeteve në Lundër, dhe kërkojnë përse makina është e dëmtuar dhe arsyet përse nuk nxirret nga kjo pikë.
Punonjësi i policisë i thotë gazetarëve se për zhbllokimin e automjetit duhet të vijë personalisht OPGJ-ja që ka bërë sekuestron, pasi ndryshe ai nuk ia jep as qytetares, megjithëse ka një vendim prokurorie dhe një urdhër zhbllokimi nga OPGJ-ja.
Fiksi telefonin OPGJ-në, Sidrit Madhi, që ka bërë këtë urdhër, i cili i thotë se “ne i dorëzojmë aty dhe aty mbaron historia jonë”. Më tej shton se, në asnjë rast, ai nuk shkon te pika atje, pasi bën vetëm procesverbalin dhe me ato dokumente merr makinën. “Pse duhet të shkoj unë atje?! Nuk ka sens. Unë s’jam roje gardhi të nxjerr makinat, unë jam OPGJ. Unë ta jap praktikën në rregull, ti shkon tërhiq mjetin. Kaq! Është shumë e thjeshtë. Tani, atje (Pika e Bllokimit) ashtu funksionon, lëmsh arapi, ashtu ka qenë, ashtu është dhe ashtu do jetë!” përfundon ai.
Gazetarët e Fiksit takojnë edhe përgjegjësin e pikës së bllokimit, i cili thotë se nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, përveçse qytetarja të marrë karroatrec privatisht dhe të heqë makinat e tjera. Sipas tij, kjo gjendje ka 25 vjet dhe se Policia e Tiranës ka vetëm 1 karroatrec. Ai telefonon sallën operative, ku u shpjegon problematikën e qytetares. Pas disa minutash, salla operative i kthen telefonatën dhe i thotë se “karroatreci është i prishur”.
QYTETARJA SHKON TE REZERVAT E SHTETIT
Polici- Si ja kaloni
Qytetarja- Si ja kaloni?
Polici- Mirë. Çfarë letrash ke? Kishe probleme për punën e makinës? Që është e dëmtuar?
Qytetarja- Ëhë.
Polici- E dëmtuar ka ardhur.
Qytetarja- Mund ta shoh procesverbalin?
Polici- Sigurisht, me gjithë qejf. Po do ta marrësh ti?
Qytetarja- Unë dua ta marr.
Polici- Po duhet të marrësh karroatrec.
Qytetarja- Dakord, unë e marr karroatrecin, po a e kam kollaj për ta marr.
Polici- Duhet të lëvizin 3 makina.
Qytetarja- Kush t’i lëvizi?
Polici- Karroatreci.
Qytetarja- I imi?
Polici- Do ta paguash ti karroatrecin.
Qytetarja – Unë do paguaj për makinën time.
Polici- Po me, po do lëvizësh ato që të marrësh tënden.
Qytetarja-Si t’i lëviz? Ç’punë kam unë të lëviz ato? Mirë, hajt ta shoh pak procesverbalin.
Polici- Ke pretendime të tjera, nga ana jonë, unë të jap procesverbalin. Makina është e dëmtuar dhe është e cilësuar.
Polici- Atë s’e kam unë.
Qytetarja- Po procesverbali duhet ta thotë.
Polici- Po deshe dhe një fotokopje (procesverbalin) ta jap. Unë s’kam karroatrec.
Qytetarja- Jo ti mo vëlla, unë do paguaj për makinën time, jo për makinat e dynjasë.
Polici- Po ti do nxjerrësh tënden moj.
Qytetarja- Ti ma vë në vend që unë ta nxjerr timen.
Polici- Po s’kam ku t’i vë moj.
Qytetarja- Unë vij të marr makinën, dhe nuk po e marr dot, me një urdhër të prokurores.
Polici- Edhe kaq që po të bëj… Ti duhet të shohësh procesverbalin se çfarë është shkruar në fillim, kur ka ardhur mjeti këtu.
Qytetarja- Po.
Polici- I dëmtuar në pamjen e jashtme.
Qytetarja- Në pamjen brenda si është?
Polici- Aaa atë s’e di unë. Kur vjen këtu, unë i them tjetrit kështu, kaq ka me mua, makinën shikoje nga pamja e jashtme. Unë s’kam më vend ku t’i lë. A i shikon se si i kam? Unë po ta jap.
Qytetarja- Ta lexoj pak (procesverbalin) .
Polici- Fillo lexoje me radhë.
Qytetarja- Tiranë, 2018, 3 gusht..
Polici- Më 3 gusht ka ardhur këtu.
Qytetarja- Unë Besart Doda me detyrë oficer i policisë gjyqësore në drejtorinë vendore të policisë, mbaj procesverbal faktin e lënies në ruajtje të automjetit si me poshtë, një Volzëagen, me targa ….. ngjyrë e zezë në cilësinë origjinale, me pasqyra të thyera me parakolpe të dëmtuara, makinë e dëmtuar tërësisht në pjesën e jashtme. Portat e automjetit, bagazhi janë në gjendje të mbyllur, dhe pasqyrat, fshirëset materialet e lartpërmendura janë në gjendje të rregullt të padëmtuar.
Polici- Po lëre se ça …
Qytetarja- Po jo si lëre mo burrë.
Polici- Po ai e ka cilësuar këtu.
Qytetarja- Lexo pak këtu, fshirëse, fenerë parakolpe, gomat, materialet e lartpërmendura, janë në gjendje të rregullt.
Polici- Dëgjo, dhe mua kur më ka ardhur…
Qytetarja- Po pse lexon ato, pse s’vazhdon më poshtë? Deri në fund thotë,
Polici- Po mirë, doemos, unë shikoj këto këtu.
Qytetarja- Materialet e lartpërmendura janë në gjendje të rregullt, të padëmtuar.
Polici- Mirë.
Qytetarja- Automjeti lihet në ruajtje në ambientet e repartit të ruajtjes së makinave Lundër. Po është në gjendje të rregullt thotë këtu poshtë.
Polici- Po të jetë në gjendje të rregullt, le ta mbajë ai përgjegjësinë.
Qytetarja-Atëherë më jep një fotokopje të kësaj.
Polici- Ai që ka shkruar këto këtu lart, le ta mbajë ai përgjegjësinë.
Qytetarja- Mund ta lexosh pak atë më poshtë?
Polici- S’kam pse ta lexoj.
Qytetarja- Po lexoje mo pak.
Polici- Unë lexoj këto këtu..
Qytetarja- Mor vëlla materialet e lartpërmendura janë në gjendje të rregullt, të padëmtuara.
Polici- Mirë, kjo është. Mirë.
Qytetarja- Mund të më bësh një fotokopje të kësaj?
Polici- S’kam ku ta bëj. Të vij oficeri, të vi ta marr, ta bëj.
Qytetarja- Po ti sapo më the që të jap një fotokopje?
Polici- Po s’kam moj. Oficer kush ta ka dhënë këtë?
Qytetarja- Sidrit Madhi E marr unë Sidritin në telefon…
Polici nëma mua numrin.
Qytetarja-Po çfarë të bëj mo vëlla, kam këtë vendimin mund ta marr makinën time?
Polici-Mund të ma japësh çik numrin e atij?
Qytetarja-Ja e marr unë tashti.
Qytetarja-Mund të kem një fotokopje të asaj (procesverbalit)?
Polici-Jo.
Qytetarja-Si jo, po kam të drejtën time ta kem o vëlla. Jam me vendim prokurorie. Si? Apo se janë bërë gabime aty dhe se jep? Apo se e kan bërë si e ka dash qejfi ata?
Polici largohet……
Polici-Vazhdo të lutem shumë, vazhdo , të lutem shumë, …..
Qytetarja-Ajo letër nuk është e saktë.
Polici-Mirë moj, kjo nuk ëhstë e saktë, mua me këtë ma kanë sjellë. Me këtë të përgjigjem. Ti shko ankohu, shko te prokurori. Tqë lutem shumë po nuk je e qartë,
Qytetarja-Jam me urdhër të prokurorit për ta marrë atë makinë.
Polici-Po mirë moj shko prapë dhe thuaj nuk e marr atë makinë pasi e kam të dëmtuar. Kaq.
Kur të sqaroheni, le të vijë oficeri ta marrë, se unë nuk nxjerr më makinë, ehe të vini ju unë nuk u’a jap makinën.
Qytetarja-Që të nxjherri makinën duhet oficeri..?
Polici-Po nuk e jap makinën. Të vijë oficeri ta nxjerr vetë.
QYTETARJA SHKON NË DREJTORINË E POLICISË, TIRANË
Shefi i Antidrogës.- E…? Hajde.
Qytetarja-Po. Si je mirë?
Shefi-Mirë, po më thuaj. Çfarë problemi ka?
Qytetarja-Shkoj për të marrë makinën…
Shefi –E ke vendimin e prokurores?
Qytetarja-E kam.
Shefi-Urdhër ekzekutimi të prokurores, procesverbalin e ekzekutimit e merr makinën automatikisht.
Qytetarja-Vajta, sepse më thonë duhet të lëvizësh 15 makinë që të marr timen
Shefi-Aaaaaa. Këtë se di unë, problemi i tyre. Është problemi i tyre ajo, s’është problemi jonë. E ke për detyrë të më japësh makinën t’i thuash atij policit, sepse ti po shpërdoron detyrën o zotëri. Ti nuk po ekzekuton, ti po bëhesh pengesë për ekzekutimin e urdhrit të prokurorit thuaji. Mbaron filmi. Iku kjo.
Qytetarja-Procesverbali thotë makina është në gjendje të mirë pune.
Shefi-Po, në gjendje të mirë është pse ça ka makina? Shiko makina ka qenë me parakolp të ndërruar e di ti këtë? Ça problemi ka makina?
Qytetarja-Ka qenë edhe me fenerë të dëmtuar, kaq.
Shefi-Makinën nuk ta ka prek njeri me dorë, këtë ta garantoj unë.
Qytetarja-Tani unë e pashë..
Shefi-Po unë po të them, s’ta ka.. nga ana jonë nuk dimë gjë ne, se ça kanë bërë ata sipër është punë e tyre.
Qytetari-Po pra, problemi është si ta marr makinën unë?
Shefi makina nuk është më përgjegjësia jonë, megjithatë ti do u thuash atyre, kur të shkosh te polici atje do u thuash të më marrë mua në telefon. Edhe e sqaroj unë atë nëqoftëse ai të bën naze. Dakord? Makinën s’ta ka lëviz njeri, këtë ta garantoj,
Qytetarja-Po them në çfarë gjendje është atje.,
Shefi-Atje nuk e di unë se ça bëjnë. Kanë kamera s’kanë kamera atje nuk e di.
Qytetarja-Sipas procesverbalit, makina thuhet që është në gjendje të mirë.
Shefi-Tani ne nuk jemi mekanik, ne e shikojmë makinën nga jashtë, e ndezim makinën, u ndez makina , iku me rrotat e veta deri atje lartë, e kyçëm erdhëm.
BISEDË ME PËRGJEGJËSIN E PIKËS SË BLLOKIMIT
Gazetari – Kush duhet t’i heqë tani?
Komandanti – Shteti duhet t’i heqë.
Gazetari – Po shteti ju jeni.
Komandanti – Po s’jemi ne shteti.
Gazetari – Po kush është shteti?
Komandanti – Po s’kam unë forcë me pas karroatrec, me urdhëru karroatrec.
Gazetari – Pika e bllokimit, nuk ka një karroatrec atje?
Komandanti – Jo more, si! Një karroatrec ka e tërë Tirana.
Gazetari – Po pse duhet t’i heqë kjo qytetare 10 makina?
Komandanti – Po nga halli more, a do ta marrë maqinën, nga halli!
Gazetari – Ça halli?
Komandanti – Nga halli more me marrë maqinën, nga halli. Jo s’e i takon dhe është gjynah se harxhon lekë.
Gazetari – Si do e zgjidhim, meqenëse se …
Komandanti – Eh, si do e zgjidhim. Ky s’është problem si sotëm.
Gazetari – Sa vite po bën?
Komandanti – 25 vjet. Në qoftë se ka dëmtime, ajo nuk e prek mjetin, në sekondë sa e sheh. Vjen këtu dhe bën denoncimin, policit te OPGJ-ja.
Gazetari – Si mund ta zgjidhi?
Komandanti – Rruga më e shkurtër, popullorçe, ti thua pse ma thua këtë, të marrë karroatrec, të lëvizë mjetet atje, të marrë maqinën. Tashti, në sytë tënd, po i bëj një kërkesë sallës, dëgjo një çik.
Telefonon Sallën Operative të Policisë së Tiranës
Salla Operative – Po urdhëro.
Komandanti – Përshëndetje!
Salla Operative – Përshëndetje!
Komandanti – Ruzhdi Bici jam, komandant i objekteve.
Salla Operative – Po urdhëro.
Komandanti – Kam një problem te pika e bllokimit të mjeteve në Lundër.
Salla Operative – Po.
Komandanti – Dhe një qytetare ka ardhur të marrë mjetin në zbatim të letrave të çuar nga prokurori dhe OPGJ-ja, po duhet karroatrec që të lëvizë ca automjete që të dalë ai mjet.
Salla Operative – Në Lundër ëë?
Komandanti – Po.
Salla Operative – Po i them njëherë qarkullimit, po …
Komandanti – Nuk e di, fol njëherë. Dhe të lutem, më kthe një përgjigje, po të pres.
Komandanti – Po.
Salla Operative – Ju konfirmoj që karroatrecin e ka me defekt, nuk punon!
Komandanti – Unë Komandanti, çfarë të bëj, si mendon, t’i nxjerr nga xhepi të paguaj karroatrecin?!