Nga Boldnews.al
Njerëz të afërt me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, kanë shpërndarë në media gjatë ditës së hënë informacionin, sipas të cilit Prokuroria e Katanias ka vendosur pushimin e hetimeve të nisura ndaj tij për bashkëpunim me grupin kriminal Habilaj.
Saimir Tahiri është paraqitur mesditën e së Hënës në Prokurorinë për Krime të Rënda, ku me shumë mundësi ka dorëzuar vendimin e pushimeve të Prokurorisë së Katanias. Në dalje të Krimeve të Rënda, ai deklaroi shkurtimisht për median se kishte dorëzuar “një provë deçizive” në favor të tij për hetimet që po zhvillon prokuroria shqiptare prej një viti.
Pas kësaj deklarate, tv Klan transmetoi një kronikë “ekskluzive’, në të cilën u publikuan të dhënat e vendimit të Gjykatës së Katanias, e cila kishte pranuar kërkesën e Prokurorisë Antimafia të këtij qyteti për “arkivimin” e hetimeve ndaj Saimir Tahirit.
Pjesa më thelbësore e vendimit të Gjykatës së Katanias përmblidhet në faktin që: “Prokuroria Antimafia e Catanias ka verifikuar gjithçka dilnin si të dhëna nga përgjimet e Habilajve, veçanërisht pjesët që dukej se implikonin Saimir Tahirin, si blerja e bizhuterive për familjarët e Tahirit, blerja e një kostumi për vetë Tahirin (episode të ndodhura në vitin 2013 dhe 2014) dhe verifikimin përmes Interpolit të të gjitha hyrje – daljeve të Tahirit në zonën Shengen dhe mundësinë që në ndonjë prej udhëtimeve të ishte i shoqëruar me Habilajt.
Megjithatë, përtej këtij përfundimi, ky vendim nuk e ndihmon Saimir Tahirin përballë hetimit që po zhvillon Prokuroria për Krime të Rënda. Arsyet po shpjegohen si vijon:
Së pari, nga vendimi i gjykatës së Katanias rezulton se Saimir Tahiri nuk është hetuar më parë për ndonjë vepër penale në Itali. Në fokus të prokurorisë së Katanias, prej 4 vitesh, kanë qenë vëllezërit Habilaj, të cilët trafikonin lëndë narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Saimir Tahiri rezulton në përgjimet me Habilajt por, duke ndjekur logjikën e hetimit, përsa kohë që autoriteteve italiane nuk u rezulton që ai vetë të ketë kryer personalisht vepër penale në Itali, atëherë ai nuk ka qenë pjesë e hetimit.
Në hetimin për Habilajt, Prokuroria e Katanias ka identifikuar një personazh me emrin “Saimir”, me pushtet, që u krijonte lehtësira anëtarëve të bandës për trafikun e narkotikëve. Por, përsa kohë që ky personazhi i pushtetshëm “Saimir” nuk kishte kryer vepër penale në territorin Italian, Prokuroria e Katanias nuk ka zhvilluar hetime të mëtejshme.
Por, gjithësesi, të dhënat e prokurorisë së Katanias, të ndërthurura me hetimet e zhvilluara nga Krimet e Rënda për veprime e kryera në Shqipëri nga Saimir Tahiri, kanë krijuar dyshimin e fortë se ai ka siguruar kushtet e nevojshme që Habilajt të trafikonin lëndë narkotike nga vendi ynë drejt Italisë. Pra, Tahiri dyshohet se ka kryer vepër penale në Shqipëri dhe jo në Itali.
Së dyti, siç rezulton nga dokumenti i gjykatës së Katanias, Prokuroria e atij qyteti ka nisur hetimet për shtetasin Saimir Tahiri vetëm pasi prokuroria shqiptare zbuloi fakte që e lidhnin drejtëpërdrejtë ish-ministrin e Brendshëm me aktivitetin kriminal të Habilajve.
Hetimi i nisur nga Prokuroria e Katanias vetëm tre ditë pasi Tahiri u shfaq në konferencë për media në Tiranë, ku deklaronte se nuk ishte nën hetim në Itali, është përqëndruar vetëm në dy pika-në faktin që Moisi Habilaj i ka blerë ose jo Tahirit dhe familjarëve të tij bizhuteri të shtrenjta dhe kostum. Por, prokuroria e Katanias e kishte të qartë që këto të dhëna do i kishte shumë të vështirë për t’i provuar.
Prokuroria e Katanias duhet ta ketë pasur të qartë që nuk do të zbulonte asnjë provë dokumentare për blerjen e bizhuterive nga Moisi Habilaj në favor të Saimir Tahirit. Në dhjetor 2017, Prokuroria e Katanias, e investuar nëpërmjet letër-porosisë së Prokurorisë Shqiptare, ka pyetur pronarët e dyqanit të bizhuterive “Donin”, nëse kanë të regjistruara pamje filmike të vitit 2013-2014, kohë kur Moisi Habilaj ka blerë bizhuteri për Saimirin (Tahirin). Pronarët e “Donin” i janë përgjigjur interesimit të prokurorëve se nuk kanë regjistrime të kamerave të sigurisë për vitet 2013-2014, pasi ka kaluar kohë e gjatë dhe ato fshihen automatikisht. Njëlloj, e njëjta përgjigje është marrë edhe për dyqanin ku është blerë kostumi i shtrenjtë për Saimirin (Tahirin).
Pra, në këto kushte, Prokuroria e Katanias e kishte të pamundur që të provonte se Moisi Habilaj i ka blerë bizhuteri të shtrenjta Saimir Tahirit. Ndaj, në këto kushte, kur nuk ka pasur dyshime për vepra penale që ish-ministri i Brendshëm mund të kishte kryer në territorin Italian, gjykata e Katanias ka vendosur arkivimin e çështjes. Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë Shqiptare kanë avancuar dhe janë siguruar të dhëna me interes për hetimin.
Së treti: Nga të dhënat e siguruara nga autoritetet shqiptare, rezulton se Saimir Tahiri ka zhvilluar takime të ndryshme me vëllezërit Habilajt, ndërkohë që ata kryenin trafikun e drogës dhe ishin nën hetim nga Prokuroria e Katanias. Kështu, në Gusht 2014 rezulton se Saimir Tahiri ka qenë me familjen e tij për pushime në Greqi dhe aty ka shkuar edhe Artan Habilaj, i cili përdorte në atë kohë mjetin e ish-ministrit të Brendshëm, Audi AA 003 GB. Në kthim, Artan Habilaj ka marrë nga porti i Sarandës mjetin lundrues skaf, me të cilin kishte udhëtuar drejt Greqisë, pa u regjistrua në dalje, Saimir Tahiri. Artan Habilaj, pasi ka marrë skafin, është nisur drejt portit Triport të Vlorës. Pak ditë më pas, ky skaf, me drejtues Moisi Habilajn, është nisur drejt Italisë. Pra, kjo është një dëshmi për lidhjet e fuqishme që kishte Tahiri me Habilajt. Por nuk është vetëm ky rast dhe ky fakt që kompromenton Saimir Tahirin.
Së katërti: Po ashtu, gjatë hetimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, kanë rezultuar të dhëna ku evidentohet se gjatë muajit Korrik dhe Gusht të vitit 2017, Saimir Tahiri ka bërë pushime jashtë vendit, në shtetin e Malit të Zi dhe Itali, shoqëruar nga familjarët e tij si dhe disa persona të tjerë, kryesisht punonjës policie dhe njëri prej tyre është shtetasi Orest Sota. Në këtë udhëtim shtetasi Saimir Tahiri ka përdorur për disa ditë një mjet lundrues privat ose turistik, duke qënë dhe vetë drejtuesi dhe kapiteni i këtij mjeti lundrues.
Orest Sota u arrestua në Elbasan rreth 3 muaj pas këtyre udhëtimeve dhe në bordin e mjetit me të cilit po udhëtonte iu gjetën patentat e lundrimit të Saimir Tahirit dhe shuma prej 863 mijë eurosh. Ky episod ndodhi pak javë pasi prokuroria për Krime të Rënda kishte nisur hetimin ndaj Tahirit dhe prokurorët dyshojnë se shuma e gjetur në automjet i përket pikërisht ish-ministrit të Brendshëm.
Hetimet e Prokurorisë së Katanias për grupin e Habilajve siguruan indicje të shumta për bashkëpunimin e Saimir Tahirit në krijimin e lehtësirave për trafikun e narkotikëve. Pjesa më e madhe e të dhënave mbi Tahirin u siguruan gjatë hetimeve shqiptare, pasi u vunë në dijeni se Prokuroria e Katanias kishte lëshuar urdhër-arreste për Habilajt. Në kuadër të hetimeve shqiptare, aktualisht janë në kërkim edhe tre ish-drejtues të lartë policorë të Vlorës, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar klanin Habilaj për të trafikuar lehtësisht tonelata me kanabis drejt Italisë.