Jamal Khashoggi është gazetari arab i cili u vra brenda konsullatës së arabisë saudite në Stamboll. Por si shkoi ai drejt vdekjes së tij. Khashoggi hyri në konsulatë në 2 Tetor, për të marrë dokumentacionin që i duhej për t’u martuar me të fejuarën e tij turke. Sipas provave të mbledhura nga hetuesit e të publikuara nga media të ndryshme ndërkombëtare, editorialisti i Uashington Post, është torturuar, vrarë dhe shpërfytyruar brenda ndërtesës, për shkak të kritikave të tij ndaj regjimit në Riad. Vrasja e tij u krye nga një skuadër ekzekutimi që kishte ardhur nga Arabia Saudite me qëllimin për ta vrarë. Pasi Arabia Saudite konfirmoi, më mirë pranoi, se Khashogi kishte ndërruar jetë brenda konsullatës, burime kanë thënë për Skay News se trupi i tij i pajetë ishte prerë në disa copa dhe ishte shpërfytyruar totalisht. Pamjet e ndryshme nga mediat turke duket se kanë arritur të ndërtojnë kronologjinë e asaj që ka ndodhur, por nuk ka asnjë mënyrë identifikimi të pavarur për personat që shfaqen në këto fotografi të marra nga kamerat e sigurisë.
Një avion i vogël privat me në bord nëntë shtetas të Arabisë Saudite, të cilët mendohet të kenë lidhje me vdekjen e Khashoggit, është ulur në aeroportin ndërkombëtar “Ataturk” në Stamboll në orën tre të mëngjesit në 2 Tetor. Një furgon i zi mbërrin në aeroport në të njëjtën kohë që avioni privat ulet në tokë. Grupi i personave kalojnë me sukses sigurinë në aeroport. Për të mbërritur më pas në hotelin Movenpick, ku ndalojnë në holl ndërsa dy prej tyre hipin në ashensor. Një grup tjetër me shtatë shtetas të tjerë arabë vendosen në Hotelin Uiand Grand, ku mbërrijnë me një automjet të zi. Po këtë ditë një anëtar i ekipit të sigurisë së princit të kurorës Mohammed bin Salman, i identifikuar si truproja Maher Mutreb, hyn në konsulatën arabe në Stamboll. Ai mbërrin atje disa orë para gazetarit Khashoggi.
Pamjet tregojnë gazetarin që hyn në konsulatë pas orës 1 të drekës në 2 Tetor. E fejuara e tij Hatixhe Cengiz e pret jashtë ndërtesës. Kamerat e sigurisë në hyrjen e konsullatës, pas disa kohësh filmojnë dikë që mban veshur rrobat e gazetarit, që del nga konsullata. Një përpjekje kjo për të fshehur ngjarjen makabre që sapo kishte ndodhur brenda konsullatës. CNN tregon pamje ku duket një person, të cilin autoritetet turke e kanë identifikuar si Mustafa al Madani, i cili largohet nga konsullata në Stamboll i veshur me rrobat e Khashoggit, me syze dhe me një mjekër false. Pamja u filmua 90 minuta pas hyrjes së gazetarit në ndërtesë. Një tjetër television CCTV, tregon pamje nga konsullata dy orë para se gazetari të mbërrinte atje. Në pamje shihet al Madani që hyn në ndërtesë i veshur ndryshe.
Ndërkohë një furgon dhe nëj automjet i zi mbërrijnë në konsullatë dhe hyjnë në garazh. Kur Khashoggi nuk po dilte më nga konsullata pas disa orësh, e fejuara e tij Hatixhe i telefonoi një prej këshilltarëve të presidentit turk Erdogan si dhe një mikut të gazetarit, duke dhënë alarmin për zhdukjen e tij. Skay News raporton se autoritetet turke u përpoqën që të bllokonin rrugët për të parandaluar që vrasësit e dyshuar të shkonin në aeroport. Gjithashtu ata urdhëruan autoritetet në aeroport që të ndalonin personat e dyshuar gjatë kontrollit të pasaportave. Mendohet se meqënesë një pjesë e madhe e stafit të Arabisë Saudite kanë një status diplomatik, ata mund të kenë kaluar nëpërmjet seksionit VIP të aeroportit. Ndërkohë një fuoristradë e bardhë dhe një avion i vogël privat gjenden në pistën e aeroportit duke i mundësuar largimin nga vendi gjashtë personave. Presidenti turk Erdoan ka qenë ndër të parët që reagoi menjëherë duke deklaruar publikisht se zyrtarët e Arabisë Saudite e kishin planifikuar vrasjen disa ditë më parë, pasi mësuan se viktima do të shkonte në konsullatën arabe në Stamboll.
Ai tha se Khashoggi fillimisht shkoi në datën 28 Shtator në konsullatë për të përgatitur të gjitha dokumentet që i duheshin për t’u martuar me të fejuarën e tij. Arabët mësuan se ai do të kthehej sërish dhe në këtë mënyrë planifikuan dhe zbatuan vrasjen e tij. Erdogan shtoi se vrasësit kanë marrë dhe pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë brenda në konsullatë dhe lajmëruan Khashoggin se takimi i tij ishte konfirmuar për në 2 Tetor. Pas kësaj date gazetari nuk u pa më. Khashoggi ishte arratisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një vit më parë, i frikësuar se do të arrestohej pasi kishte kritikuar ashpër disa vendime të princit të kurorës Salman. Sidomos ndërhyrjen e ushtrisë saudite në Jemen. Ndërkohë princi i kurorës, Salman, e ka cilësuar si një incident të panevojshëm vdekjen e gazetarit. Mediat shtetërore në Arabinë Saudite nxituan të shpërndajnë fotografinë ku familja mbretërore ngushëllon djalin e gazetarit të vrarë, menjëherë pas konfirmimit të lajmit për vdekjen e tij.
Mohammed bin Salman, princi i pushtetshëm, i konsideruar si njeriu më i fuqishëm i Arabisë Saudite, komentoi për herë të parë vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi. Ai premtoi se Arabia Saudite do të përdorë të gjitha rregullat e domosdoshme dhe do të hetojë thellësisht për të zbardhur totalisht ngjarjen si dhe për të vënë para drejtësisë përgjegjësit e këtij krimi të pajustifikueshëm. Sipas tij, faktorë të jashtëm po përdorin këtë ngjarje të dhimbshme për të krijuar tension mes Turqisë dhe Arabisë Saudite, por në fund e vërteta do të fitojë. Ai shtoi se incidenti ishte shumë i dhimbshëm dhe i pajustifikueshëm. Por ngushëllimet e familjes mbretërore saudite djalit të gazetarit të vrarë në Stamboll nuk kanë kaluar pa tërhequr vëmendje e shkaktuar indinjatë. Pavarësisht duartrokitjeve me të cilat u prit nga të ftuarit e Davos në shkretëtirë, princi saudit Mohammed bin Salman nuk ka shumë arsye për të qeshu. Nën presion nga të gjitha anët për përfshirjen e tij të mundshme në vrasjen e gazetarit disident Jamal Khashoggi, mes aleatit Donald Trump, që e cilësoi teorinë e mbretërisë si një dështim dhe rivalit Erdoan që akuzoi Riadin për një vrasje të planifikuar, princi i ri është sulmuar dhe në rrjetet sociale. Menjëherë pas publikimit të fotografisë ku i shpreh ngushëllimet djalit të Khashoggi, Salah.
Me këtë pamje, të shpërndarë nga agjencia e shtypit saudit, princi synonte të shfaqte afërsinë e autoriteteve me familjen Khashoggi. Por kjo ide i është kthyer në një boomerang, pamja e tmerruar e Salah që i shtrëngon dorën atij që mund të jetë urdhëruesi i vrasjes së babait të tij, u ra në sy të gjithëve. Kjo sidomos sepse Riad, që kur Jamal Khashogi nisi të shkruajë për Uashington Post, i ka ndaluar Salah, fëmijës së vetëm të gazetarit, që të udhëtojë jashtë vendit. Pra ai nuk mund të largohet nga Arabia Saudite. Ndërkohë hetimet vazhdojnë, sipas provave të mbledhura deri tani janë gjetur gjurmë që vërtetojnë se trupi i pajetë i gazetarit është copëtuar brenda konsullatës në Stamboll, e më pas ëshët varrosur në oborrin e rezidencës së konsullit saudit. Hetuesit turq këmbëngulin se kanë provat që e cilësojnë ngjarjen si vrasje. Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Riad këmbëngulin se ko është vepër e agjentëve që kanë dalë jashtë kontrollit.
Diplomaci dhe hetime: është ky binari në çështjen Khashoggi. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo vizitoi Riadin për të gjetur një zgjidhje me sauditët, dhe ideja kryesore është fajësimi i agjentëve që kanë dalë jashtë kontrollit gjatë një debat të ashpër me viktimën. Kreu i Departamentit Amerikan të Shtetit u takua me mbretin Salman. Sipas CNN, ata biseduan vetëm për 15 minuta, për të biseduar më pas më gjatë me princin e kurorës Mohammed. Pompeo, në fund të takimit, falenderoi autoritetet saudite për impenjimin në hetimet transparente dhe të shpejta për këtë ngjarje. Diplomatët amerikanë deklaruan se bisedimet ishin të sinqerta dhe të drejtpërdrejta, fjalë që konfirmojnë vullnetin për të mbyllur ngjarjen në një mënyrë që të ruhet aleanca historike mes dy vendeve. Në media qarkulloi lajmi se mbretëria pranon se përgjegjës janë anëtarë të shërbimit sekret, por që kanë vepruar në mënyrë të pavarur. Presidenti amerikan, Donad Trump, nga ana e tij bisedoi në telefon me princin e kurorës Mohamed. Ky i fundit mohoi se ishte në dijeni të asaj që i kishte ndodhur gazetarit. Por premtoi një hetim të imtësishëm.
Një nga pyetjet kryesore është nëse komando kishte për qëllim vetëm rrëmbimin e gazetarit disident, dhe papritur gjërat shkuan keq. Sipas burimeve të CNN, sauditët po përgatisin një raport që konfirmon këtë skenar dhe që mund të shkarkojë të gjithë përgjegjësinë në një grup agjentësh “që kanë devijuar”, duke premtuar se përgjegjësit do të ndëshkohen. New York Times duke cituar burime anonime, shton një detaj të rëndësishëm: urdhëri për të marrë në pyetje Khashoggi në mënyrë të vendosur, është dhënë nga një funksionar shumë pranë me princin Mohammed. Ai madje kishte autorizuar dhe sekuestrimin e gazetarit, por agjentët e vranë atë duke tejkaluar urdhërat që kishin marrë. Po sipas New York Times, janë të paktën pesë personat e dyshuar nga autoritetet turke, të cilët mendohen se janë përfshirë në zhdukjen e disidentit saudit. Dhe katër prej tyre janë të lidhur me princin e kurorës Mohammed bin Salman. Një nga personat e identifikuar është një shoqërues i përhershëm i princit në udhëtimet e ti jashtë vendit. Tre të dyshuarit e tjerë kanë lidhje me ekipin që kujdeset për sigurinë e princit.
Hetuesit e skenave të krimit pasi kanë kaluar 9 orë në konsullatën arabe të Stambollit, kanë mbledhur gjurmë të rëndësishme, elemente që konfirmojnë eliminimin fizik të gazetarit. Ata kanë marrë kampionë nga terreni i kopshtit ku më pas dhe u gjet trupi i viktimës. Mes shumë rindërtimeve të ngjarjes, ajo që duket më pranë realitetit është kjo: agjentët e kanë sulmuar Khashoggin sapo ai ka hyrë në ndërtesë, më pas është droguar, dhe është futur në dhomën e konsullit ku është rrahur barbarisht. Vetëm pas shtatë minutash ai ka ndërruar jetë skena e krimit është pikërisht zyra e konsullit, i cili sipas Al Xhazirës ishte i pranishëm gjatë gjithë kohës. Menjëherë pasi gazetari ka ndërruar jetë vrasësit kanë vendosur të copëtojnë trupin e tij me anë të një motosharrë. Edhe pse më parë u supozua se trupi i tij mund të ishte shkrirë në acid. Presidenti turk Erdogan u shpreh se sauditët kanë lyer nga e para disa ambiente pikërisht për të fshehur gjurmët. Ndërkohë konsulli është kthyer në Arabinë Saudite.
Në nivel ndërkombëtar ka reaguar dhe komisoneri i lartë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bakelet, duke kërkuar që t’u hiqet imuniteti funksionarëve të përfshirë në këtë çështje. Ndërsa Turqia këmbëngul që të dyshuarit të gjykohen në Stamboll aty ku ndodhi dhe krimi, i cili fsheh ende shumë mistere.