Nga Boldnews.al
Vetëm dy ditë përpara se të shpëtonte nga telashet me ligjin Fatmir Xhafajn dhe vëllain e tij të dyshuar për trafik narkotikësh, Agron (Geron) Xhafaj, prokurori Gentian Osmani i ka bërë një tjetër nder të madh “Rilindjes”.
Firma e prokurorit Osmani gjendet në vendimin e pushimit të hetimeve për anëtarët e bandës së lidhur me Sokol Sanxhaktarin, dhëndrin e kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini.
Në cilësinë e zv.Drejtuesit, Osmani ka njoftuar Gjykatën se Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur të mos vijojë hetimet për shtetasit Suel Çela (i njohur edhe si Marjus Lulaj), Enea Bekteshi dhe Klemend Xhaferri. “Boldnews.al” ka siguruar në mënyrë ekskluzive dokumentin, me firmën e prokurorit Osmani, me anën e të cilit Prokuroria njofton Gjykatën për Krime të Rënda mbi vendimmarrjen e saj përkëtë rast.
Suel Çela, Enea Bekteshi dhe Klemend Xhaferri po hetoheshin me masë sigurimi “arrest me burg”, pasi akuzoheshin se, në shtator të vitit 2017, kanë tentuar të vrasin punonjës policie, në një ngjarje të ndodhur në hyrje të Tregut Ushqimor të Elbasanit.
Pas më shumë se një viti hetimesh, Prokuroria e Krimeve të Rënda, në mungesë të plotë transparence dhe në shkelje të Kodit të Procedurës Penale, ka vendosur të mos e hetojë më këtë çështje. Kjo prokurori, pa marrë më parë miratimin e Gjykatës, e ka kaluar rastin për kompetencë, në prokurorinë e Elbasanit, ku, sipas prokurorëve në varësi të Donika Prelës, ata duhet të hetohen për vepra shumë më të lehta penale.
Në një shkresë zyrtare, Donika Prela ka autorizuar zëvendësin e saj, Gentian Osmani, që të njoftoj Gjykatën mbi vendimin e prokurorit të çështjes për kalimin e dosjes për kompetencë në Prokurorinë e Elbasanit. Praktikisht, ky vendim i Krimeve të Rënda do të thotë që hetimi për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj punonjësve të policisë është pushuar. Por, ndërkohë, ky veprim është kryer në shkelje të Kodit të Procedurës Penale, i cili kërkon që, vendimmarrja e prokurorit për pushimin e hetimit duhet të konfirmohet në gjykatë.
Në rastin konkret, me firmën e Gentian Osmanit, Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur të anashkalojë vendimmarrjen e Gjykatës, duke u mjaftuar vetëm me njoftimin mbi vendimmarrjen e prokurorit për mos-vijimin e mëtejshëm të hetimeve ndaj Suel Çelës, Enea Bekteshit e Klemend Xhaferrit.
Sipas kërkesave proceduriale, Prokuroria për Krime të Rënda, nëse në fund të hetimeve nuk ka gjetur elementë të veprës penale të “vrasjes së punonjësit të Policisë në tentativë” duhet që të kërkonte pushimin e çështjes pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila ka dhënë edhe masën e sigurisë për 3 të dyshuarit për këtë vepër penale. Dhe, vetëm pasi vendimi i pushimit të miratohet nga Gjykata për Krime të Rënda, atëherë dosja mund t’i kalonte për kompetencë Prokurorisë së Elbasanit, për vepra të cilat nuk janë në tagrin e Krimeve të Rënda.
Por, duke mos pasur siguri se gjykata do të miratonte kërkesën për pushimin e çështjes për vrasjen në tentativë të policëve, Donika Prela, nëpërmjet Gentian Osmanit, ka vepruar nëpërmjet një artifice ligjore, duke mos u shprehur aspak për “pushimin e çështjes”, por vetëm për shpalljen e moskompetencës.
Për më tepër, në vendimin për shpalljen e moskompetencës, Prokuroria për Krime të Rënda shprehet se Prokuroria e Elbasanit duhet t’i marrë të pandehur 3 anëtarët e grupit të Sokol Sanxhaktarit për veprat penale të “goditjes për shkak të detyrës” dhe “kundërshtimit të punonjësve të policisë”. Në këtë mënyrë, prokuroria e Donika Prelës ul me gati 10-fish marzhet e dënimit për Suel Çelën, Enea Bekteshin e Klemend Xhaferrin.
Nga praktika e konsoliduar gjyqësore, “vrasja e punonjësit të Policisë”, mbetur në tentativë, dënohet me minimumi 10 vjet burgim, por edhe më lart. Ndërsa veprat, për të cilat Donika Prela dhe Gentian Osmani i kërkojnë Prokurorisë së Elbasanit të hetojë 3 të pandehurit, parashikojnë dënimin nga gjobë deri në 1 vit burgim.
Për më tepër, kjo vendimmarrje e Prokurorisë për Krime të Rënda bie ndesh edhe me praktikën e institucionit të Prokurorisë, pikërisht për këtë rast konkret. Në nëntor 2017, Prokuroria për Krime të Rënda ndoqi të njëjtën praktikë, duke shpallur moskompetencën për çështjen dhe duke ia kaluar Prokurorisë së Elbasanit, pa kaluar më parë vendimmarrjen e gjykatës.
Në atë kohë, Prokuroria e Elbasanit e kundërshtoi vendimin e Krimeve të Rënda dhe kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme që të zgjidhte situatën e konfliktit të kompetencës. Prokuroria e Përgjithshme, e cila në atë kohë nuk drejtohej nga Arta Marku, i dha të drejtë Prokurorisë së Elbasanit dhe kërkoi nga Prokuroria për Krime të Rënda që të vijonte sipas procedurës.
Tashmë, kur ka kaluar më shumë se një vit dhe kur dy zonjat, Arta Marku dhe Donika Prela drejtojnë strukturat kryesore të Prokurorisë, miqtë e dhëndrit të Qazim Sejdinit shumë shpejt mund të dalin të lirë. Ndaj Suel Çelës, Enea Bekteshit e Klemend Xhaferrit nuk rëndon më akuza e “vrasjes së punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë. Këtë “dhuratë” ua kanë bërë Marku e Prela, të cilat, të dyja së bashku, kanë vendosur të injorojnë Kodin e Procedurës Penale, i cili i detyron që vendimin e pushimit të çështjes t’ia parashtrojnë Gjykatës për Krime të Rënda.
Dhe, e gjithë kjo shkelje proceduriale në favor të atyre që njihen si anëtarë të “bandës së Qazim Sejdinit”, është formalizuar me firmën e prokurorit Gentian Osmani.