Nga Boldnews.al
Prokurori Gentian Osmani, sipas deklarimeve të tij të pasurisë, rezulton se jeton nën minimumin jetik. Në vitin 2012, në formularin e pasurisë që ka dorëzuar vetë në ILDKP, ai dhe familja e tij kanë jetuar me 100 mijë lekë të reja në vit ose, e thënë ndryshe, me 8 mijë lekë të reja në muaj.
Natyrisht, duket absurde dhe këtë gjë e ka konstatuar edhe Komisioni i Vetingut gjatë procesit të rivlerësimit për prokurorin Gentian Osmani. Por, gjithësesi, KPK e konfirmoi në detyrë Osmanin, edhe pse, sipas gjetjeve të vetë Komisionit, ai nuk mbulonte rreth 45 mijë euro.
Duke i parë me detaje deklarimet e pasurisë, të dorëzuara nga prokurori në ILDKP, rezulton se, të paktën për vitin 2012, ai dhe familja e tij nuk janë ushqyuer fare, pasi të ardhurat vjetore nuk i kanë shpenzuar për nevojat minimale të jetesës. Në atë kohë, Gentian Osmani ka qenë prokuror në Njësinë Task-Force kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Tiranës. Ai njihej si prokurori që vendosi numrin më të lartë të pushimit të hetimeve për zyrtarët e dyshuar për korrupsion dhe fshehje pasurie.
Procesi i rivlerësimit të Gentian Osmanit, sipas kolegëve prokurorë të Osmanit, është i korruptuar politikisht, për shkak se ai kishte në dorë hetimin për përfshirjen në trafik narkotikësh të Agron (Geron) Xhafaj, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Sipas dokumentave, të cilat kanë qenë në dispozicion të Komisionit të Vetingut, rezulton se, në vitin 2012, Gentian Osmani dhe familja e tij kanë krijuar gjendje kursimesh dhe kanë shlyer detyrime financiare në shumën e përafërt me të ardhurat vjetore të bashkëshortëve. Pra, sipas logjikës së thjesht, Osmani dhe familjarët e tij nuk kanë realizuar asnjë shpenzim për ushqim, veshmbathje, arsim, karburant, telefoni, etj, etj.
Në deklaratën e dorëzuar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave në mars të vitit 2013, Gentian Osmani deklaron se ai dhe bashkëshortja e tij, gjatë vitit 2012, kanë përfituar të ardhura në vlerën totale-1.8 milionë lekë të reja.
Po në atë vit, familja e prokurorit, nga këto të ardhura, ka kursyer dhe ka mbajtur gjendje cash në shtëpi shumën prej 1 milion lekë të reja. Kjo shumë, e depozituar në shtëpi, është përdorur në vitet e mëpasshme për shlyerjen e detyrimeve financiare. Pra, në vitin 2012, shuma prej 1 milionë lekë ka qenë stok në shtëpinë e prokurorit dhe nuk është prekur për shpenzime familjare.
Me një llogari të thjeshtë, nga totali i të ardhurave prej 1.8 milionë lekë të reja, duke zbritur shumën që është kursyer në gjendjen cash në vlerën 1 milionë lekë, prokurorit Osmani dhe familjes së tij i ka mbetur shuma 800 mijë lekë të reja për shpenzime familjare.
Por, siç deklaron vetë prokurori në të njëjtën deklaratë pasurie, ai ka paguar edhe 5000 euro, në bazë të një kontrate huaje me interes që kishte marrë dy vite më parë, për blerje apartamenti.
Pra, vijojmë me aritmetikën e thjeshtë-familja Osmani, pasi kishte kursyer dhe hequr veçantë 1 milionë lekë, ata kishin në gjendje vetëm 800 mijë lekë të reja. Nga kjo shumë prej 800 mijë lekë, familja e prokurorit ka paguar edhe detyrimin prej 5000 euro.
Në vitin 2012, kursi i këmbimit euro/lekë ka qenë mesatarisht 1 euro=140 lekë. Pra, Gentian Osmani ka shlyer gjatë këtij viti detyrimin 5000 euro ose afërsisht 700 mijë lekë të reja.
Pas këtyre llogaritjeve, rezulton se Gentian Osmani dhe familja e tij të kenë jetuar vetëm me 100 mijë lekë të reja në vit ose me 8 mijë lekë të reja në muaj, pra, më pak se sa një familje në varfëri ekstreme.
Prokurori Osmani e ka justifikuar “shlyerjen e detyrimit” me një pjesë të huasë prej 20 mijë euro të marrë në vitin 2009 dhe të pashpenzuar plotësisht. Por, në fakt, ai këtë hua e ka marrë me interes 5%, gjë që do të thotë se vlera që duhet kthente ishte më e lartë se sa ajo që kishte marrë. Ndaj, shumat që ai paguante vit pas viti për shlyerjen e kësaj huaje vinin nga të ardhurat e tij familjare.
Këto problematika janë konstatuar edhe nga Komisioni i Vetingut, gjatë procesit të rivlerësimit të prokurorit Gentian Osmani. Agjencia Birn, e cila ka ndjekur në vijimësi seancat dëgjimore në Komisionin e Vetingut raportonte për rastin e prokurorit Osmani: “Sipas relatorit Roland Ilia, nga analiza financiare e aseteve të prokurorit Gentjan Osmani, rezulton se ai nuk ka pasur burime financiare për pagesën e 2 kësteve për apartamentin e porosituar në vitin 2009, me vlerë respektive 15 mijë euro dhe 32,680 euro, për një total prej 47680 euro. Prokurori Osmani ka vetëm një ‘dokument’ të shkruar me dorë për huanë nga shtetasi A.Ç. Ai gjithashtu nuk justifikon me të ardhura pagesën e huasë ndaj shtetasit A.Ç në vitin 2011 në vlerë 7000 euro, në vitin 2012 në vlerë 5000 euro, dhe në vitin 2013 me vlerë 8000 euro”.
E, megjithatë, prokurori Gentian Osmani u konfirmua në detyrë, pavarësisht se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga funksioni gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët kanë pasur problematika shumë herë më të vogla se sa prokurori Osmani.
Të gjitha këto janë të dhëna se procesi i rivlerësimit ndaj Osmanit ka qenë i korruptuar politikisht. Në këmbim të këtij “favori” për karrierën e tij, prokurori i Krimeve të Rënda vendosi që të shmangë nga hetimi vëllain e ministrit të Brendshëm dhe të urdhërojë arrestimin e dëshmitarit që “guxoi” të denoncojë Agron (Geron) Xhafaj.