Ka dy a tri ditë që opinioni publik, media, bota e politikës kanë vendosur në qendër një ngjarje ku një vajzë ka bërë kallzim se është dhunuar nga djali i një deputeti dhe një nën-komisar policie rrëfen se është ndodhur nën presion nga njerëz me pushtet në nivel lokal dhe qendror.
Eshtë detyrë urgjente, sigurisht, për organet e drejtësisë dhe të policisë që të hedhin dritë mbi këtë histori. Në është e vërtetë, gjithkush duhet të mbajë përgjegjësitë e veta ligjore, morale dhe politike; në është fiksion të zbardhet në mënyrë profesionale dhe shumë të besueshme, në është gjysëm e vërtetë të ndahet shapi nga sheqeri.
Rasti më i keq do të ishte të lihet një tymnajë, e cila do ta helmatiste edhe më keq gjendjen e opinionit publik dhe besueshmërinë e tij te politika dhe kryesisht te pushteti, e te organet e rendit.
Duke mos pasur të dhënat e duhura, nuk do të rrekem këtu të bëj supozime dhe hamendje. Por, do të ndalem te disa aspekte që të gjithë i pranojnë, pra merren si të vërteta, tregohen si gjëra normale, kalohen si pjesë e jetës të përditshme, por që në fakt, duke u mësuar me to, i pranojmë të gjitha si gjëra normale. Të natyrshme.
Sikurse theksonte një filozof i viteve ’60, vellua ideologjike peshon pikërisht atëhere kur paragjykimet i pranojmë pa i menduar, pa e kuptuar. Ideologjia është ajo që na duket si e pranueshme vetiu, si e vërtetë e vetvetishme që nuk ka nevojë as për vërtetim as për debat.
Le të bëhem më konkret.
Duke dëgjuar disaherë rrëfimin e nën-komisarit, ajo që ve re në analizën e tij, është se ai, si oficer policie, jo dosido gjithsesi, ndihet i jo i sigurt në jetën dhe veten e vet, dëshmon se ndodhet përpara ndrojtjeve të fuqishme, me një fjalë ka pasur frikë. Njeriu ka frikë. Është normale.
Pikërisht kjo frikë, kjo marrje nëpërkëmbë nga forca të pakontrolluara, kjo ndruajtje që shfaqet e pakontrolluar në ligjërimin e tij, më ka bërë përshtypje. Pse ka frikë një nën – komisar policie? Simptomë e kujt gjëje është kjo frikë? Si reflektohet dhe çfarë mat kjo frikë për gjendjen shpirtrore të qytetarit që ka nevojë të mbrohet nga polici? Si mund të bëhet që policia të mbështetet për të qenë garante e sigurisë dhe e rendit publik?
Ku duket kjo përulje, kjo ndruajtje, kjo pasiguri, kjo frikë?
Te gjithë pranojnë se në një çast të caktuar ka pasur një dialog midis nën – komisarit dhe dikujt që mbronte palën që ishte denoncuar. Nën-komisari lë një takim me të. Ajo që bie në sy është se punonjësi i policisë ka pranuar takimin me palën tjetër. Cfarë shpreh kjo? Nuk ka rëndësi se çfarë ndodhi. Kjo tregon se punonjësi i policisë nuk ka patur sigurinë të mos mbajë kontakte të kërkuara kështu rrugës me palët në konflikt. Në një farë mënyre izolimi dhe paanësia, moskontakti jashtë rregullave formale midis të dyshuarve dhe punonjësit të policisë ka munguar. Polici nuk e ka pasur atë mburojë që ta bëjë atë të paafrueshëm jashtë procedurave formale nga ana e kujtdo individi.
Vazhdojmë me një të dhënë tjetër që del nga rrëfimi i nën–komisarit dhe që merret nga të gjithë si e mirëqenë, si diçka normale. Debatohet në studio televizive nëse nën-komisari e bëri ose jo denoncimin në komisariatin që duhet. Por, në çdo rast pranohet rrëfimi i tij se ai e paska bërë denoncimin si një qytetar i thjeshtë në një rajon policie. Si është e mundur?
I saktë apo i gabuar, i vërtetë apo i pavërtetë, nuk është kompetenca ime të them diçka, gjithsesi pranohet se nën – komisari ka qenë i detyruar të shkojë si cdo qytetar tjetër në një rajon policie për të bërë një kallzim.
Dikush mund të thotë: Edhe ai si cdo qytetar është! E jo! Sepse ai kur bën një kallzim është mbrojtës i rendit publik, është në krye të detyrës dhe nuk mund t’i nënshtrohet të njejtave procedura sikundër çdo njeri nga ne kur ka një hall të tillë.
Deklarimi i tij është raportim, nuk është thjesht denoncim. Procedura që ai rrëfen e ka marrë atë nëpërkëmbë, pavarësisht vërtetësisë ose jo të ngjarjeve të tjera.
Dhe po të vazhdojmë më tej, askush nuk merret me thënien e nën-komisarit se në një komisariat policie, cilidoqoftë ai, në cilindo rreth apo qytet, njerëz të pushtetshëm mund të hyjnë e të dalin dalin atje nga vetë fakti i statusit të tyre të lartë.
Të kuptohem, unë nuk kam asnjë mundësi të di nëse deputeti, kryetari i bashkisë, kryetari i grupit kuvendor socialist kanë vajtur ose nuk kanë vajtur atë natë në komisariat. Nuk është një çështje ku mund të them diçka. Por, rëndësi ka që kur thotë nën-komisari se njerëzit e pushtetshëm mund të hyjnë e dalin, në parim, si të duan, pa u ndalur në komisariate policie, për këtë nuk ka reagim. Merret si e zakonshme. Hyjnë apo jo deputetët dhe të pushtetshmit lokalë në komisariate pa pasur punë aty?
Vërtet në parim një deputet, një kryetar bashkie, cilidoqoftë ai, një ministër i një dikasteri, mund të hyjnë pa u ndalur në një komisariat policie? Në parim flas. Nuk e di. Unë mendoj se imuniteti nuk të jep të drejtën e hapjes të të gjitha dyerve.
Por, ndihet frika e futur në zakon që para të pushtetshmit qendrohet gatitu edhe kur kjo nuk lidhet me ndjenjën e detyrës.
Debatohet nëse ngjarja ka ndodhur ose jo. Por, kur nën – komisari rrëfen se meqë ishte fundjavë nuk kishte me kë të komunikonte me ndonjë nga shefat a diçka e tillë, një pyetje bëhet shqetësuese: Cfarë ndodh në fundjavë, në darkë? Hallka e hierarkisë nuk funksionoka? Shpresoj të mos jetë e vërtetë sepse kur godina mbetet pa lidhje me eprorin është njësoj sikur policit t’i heqësh mburojën.
Pa tërhequr vëmendjen nga thelbi i ngjarjes, më ka bërë përshtypje edhe pasiguria dhe frika e shqetësimi për sigurinë e vetes që del tërthorazi në rrëfimin e nën – komisarit.
Dy pyetje lindin këtu: Kjo frikë është një ndjenjë personale e dikujt, ose edhe e shtirrur ? Apo rasti e solli që te rrëfimi i një nën-komisari të dalin në pah disa elemente që dëshmojnë për një gjendje disi të ndruajtur, të pavendosur, të trembur, hezituese, të paqartë psikologjike që kapërcen ndërgjegjen individuale?
Eshtë ky rrëfim një simptomë individuale, apo një indicje e psikologjisë kolektive?
Pa dhënë një përgjigje që do të kërkonte hulumtime të tjera, do të kisha prirje të mendoja që gjithçka individuale gjithsesi ka një lidhje me një kontekst më të gjerë. Edhe në mos pastë, fakte të tjera tregojnë se polici i thjeshtë ndihet ndonjëherër i mpakur përpara të fortëve.
Në rrëfim shfaqen silhueta kolegësh të nën – komisarit, personazhe anësore, si figurantë dramash teatri, që qendrojnë në një dritë – hije pavendosmërie dhe mosveprimi.
Nuk po ndalem te shkaqet e mundshme.
Gjithkush i mendon ato sipas mënyrës të vet.
Por, fakti mbetet!
Dhe ne si qytetar na nevoitet një agjent policie i fortë, i respektueshëm ndaj ligjit, në mbrojtje të së drejtës, mburojë e qytetarit, jetim ose me prindër qoftë ai, vajzë ose burrë qoftë, një polic respektues i të drejtave qytetare, me autoritet, pra i mbrojtur, i sigurt në veten e vet, i paimplikuar në një llum kontrabande dhe korrupsioni, i vrojtuar dhe nën vëzhgimin e shefave të tij, nën kontrollin qytetar.
Ne si qytetarë edhe ndodh të kemi frikë, kurse një punonjës policie, në përgjithësi si trupa që mbrojnë rendin dhe qytetarin nuk duhet lënë kurrë në një gjendje pasigurie dhe frike.
Mbrojtësi i rendit ka nevojë të mbrohet! Qytetari ka frikë kur polici ka frikë. Frika e këtij të fundit prodhon frikën e të parit.