LSI ka reaguar sot për situatën e rëndë të shpërndarjes së drogave në vend në radhët e të rinjve dhe i ka bërë thirrje shoqërisë shqiptare t’i bashkohet nismës “Të shpëtojmë shkollën dhe Shqipërinë nga droga”.
Deputetja Nora Malaj nga selia e LSI tha: “Dita e sotme dhe ngjarjet e ditës së djeshme na tregojnë më së miri se tashmë shteti ka rënë, krimi ka kapur vendin dhe opinioni publik me zë dhe figurë po kupton se dhuna, krimi, droga, vrasja është kthyer në lajtmotivin e lajmit të ditës dhe se për fatkeqësinë e madhe kombëtare, shitja, shpërndarja e përdorimi i drogave nëpër shkollat e kryeqytetit dhe jo vetëm, sot është kthyer në problem mbarë kombëtar për shoqërinë dhe për çdo familje shqiptare.
Askush dhe asnjë qytetar, prind, mësues apo familje shqiptare nuk mund të pajtohet me këtë situatë alarmante dhe dramatike, me këtë gjendje apatike dhe inegzistent të shtetit, përballë këtij realiteti, me të cilën gjenden sot të rinjtë shqiptarë.
Në emër të grupit të deputetëve të LSI dhe të Opozitës së Bashkuar, thirrjen time dua t’ua adresoj shoqërisë shqiptare për t’i ftuar, të bëhen pjesë e nismës dhe planit të veprimit, si një aksion mbarëkombëtar “ Të shpëtojmë shkollën nga droga”, pasi sot, më shumë sesa kurrë, duhet të jemi të gjithë në një front mbarëkombëtar për shkuljen e kësaj të keqeje në rrënjë, duke marrë në dorë fatet e fëmijëve tanë dhe të ardhmen e tyre .
Sot shteti ka rënë dhe ka kapitulluar përpara realitetit që po shfaqet me përmasa të frikshme në përballje me këtë fenomen. Sot dhe koha është kundra nesh, përsa i përket këtij problemi të frikshëm , të drogës, i cili përhapet me shpejtësi. Në çdo orë, në çdo kohë dhe lëshon tentakulat në çdo qelizë të shoqërisë, për të kaluar nga shkolla, te familja dhe më pas në të gjithë jetën tonë e për të paralizuar çdo gjymtyrë tonën.
Tashmë është koha të veprojmë të gjithë së bashku si një front i vetëm mbarëkombëtar për të zhdukur nga rrënjët këtë të keqe të madhe që është ulur këmbëkryq rreth nesh.
Ftesën e parë për t’iu bashkuar kësaj nisme mbarë kombëtare, e kam për ju të nderuar prindër, ju që me sakrificat tuaja në çdo ditë, çdo moment nuk mund të ndërtoni një të ardhme të sigurt për fëmijët tuaj, nëse nuk do të ndërtojmë së bashku fronin e parë të luftës pa kompromise, për të mos lejuar që fëmijët tanë të bëhen kultivues droge, shpërndarës të lëndëve narkotike dhe aq më keq përdorues të saj. I drejtohem dhe ftoj çdo familje shqiptare, për t’u bërë pjesë e kësaj nisme mbarëkombëtare për ta ç’rrënjosur të keqen nga rrënjët.
Të nderuar prindër, nëse sot nuk bëjmë të pamundurën për fëmijët tanë, nesër do të përballemi me të paimagjinueshmen dhe dhimbja për fëmijët dhe kombin tonë do të jetë katastrofale. Ndaj ju ftoj të bëhemi së bashku në një front për të luftuar këtë të keqe të madhe dhe për të mbrojtur fëmijët tanë, që janë pasuria më e madhe juaja , por edhe kapitali më i madh i kombit dhe njerëzimit.
Ftesën e dytë e kam për të gjithë kolegët e mi të nderuar e të përkushtuar, për të gjithë armatën e madhe të mësuesve. Të nderuar kolegë, ekzistojnë dy ditë në vit që nuk mund të bësh asgjë, njëra quhet “dje” dhe tjetra “nesër”. Ndaj sot është dita e përshtatshme, të duash , të mbrosh, të luftosh, të mësosh , t’ju japësh dije, por edhe të edukosh e ndihmosh të rinjtë, e të mos lejosh që shkolla të kthehet në arenë konsumimi e shpërndarje droge, po të jetë qendër e vatër e dijes, ku jeta dhe aftësimi i të rinjve për jetën të bëhet kryefjala e dimensioni i saj human. Të bëhem të gjithë së bashku gardh me trupat tanë, me mendjen tonë dhe me humanizmin që ju karakterizon, e së bashku me qeveritë e nxënësve dhe studentëve, të luftojmë këtë të keqe në rrënjë, nën moton “ Të shpëtojmë shkollën dhe të rinjtë nga droga”.
Ftesën e tretë ja u adresoj të gjithë armatës së punonjësve social, psikologëve të shkollave dhe mjekëve, që me humanizmin dhe profesionalizmin e tyre, më mirë se kushdo e dinë se çdo të thotë një i ri i droguar, drama që shkakton në një familje të pambrojtur dhe plagë sociale që i shkaktohet për të gjithë shoqërinë. Sot të rinjtë, familjarët dhe shoqëria kanë nevojë për t’ua thënë disa të vërteta dhe pse ato janë të trishta e të dhimbshme, e më pas për t ‘i ndihmuar që t’i dëgjojnë, t’i kuptojnë rreziqet dhe t’i kalojnë situatat e vështira, për të mos lejuar që jeta e të rinjve të ketë një fund tragjik.
Ndonëse fëmijët janë të prindërve biologjikë , të mos harrojmë se ata janë edhe të botës ku lindin , të kësaj bote të egër, ku fenomeni i drogës është rreziku më i madh real që i kanoset shoqërisë. Vetëm ata që kanë guxim për të shkruar fjalën “fund”, janë të aftë për të shkruar fjalën “fillim”.
Ju ftoj të bashkoheni me ne në këtë aksion mbarë kombëtarë për t’i dhënë fund drogës në shkolla dhe për ta zhdukur këtë të keqe me rrënjë.
Ftesën e radhës ua adresoj mediave dhe rrjeteve sociale. Mirënjohje për të gjitha mediave investigative dhe të tjera, rrjetet sociale që në çdo çast nuk kanë rreshtur së denoncuari rastet dhe situatat, me të cilat po përballet ky fenomen sot në Shqipëri. Tashmë jemi në një momentit që të gjithë së bashku , si një fron i vetëm të luftojmë pa pushim për të luftuar pa kompromise , për të demaskuar dhe sensibilizuar opinioni publikë për ta zhdukur këtë të keqe nga shkolla dhe nga mjediset ku punojmë e jetojmë. Të mos harrojmë që e nesërmja nuk është gjë tjetër ,por vetëm e sotmja për të cilin jemi kujdesur dje.
Ekzistojnë katër gjëra që nuk mund ti kthesh: Një gur pasi e ke hedhur, një fjalë pasi ta thuash, një mundësi pasi e ke humbur dhe kohën pasi ka kaluar.
Ftesa për shoqërinë civile , organizata jo qeveritare, që në fokusin dhe në misionin e tyre kanë luftë pa kompromis me të keqen për mbrojtjen e të rinjve dhe fëmijëve, është ftesa e radhës për t’ju bashkuar nismës mbarë kombëtare “Të zhdukim drogën nga shkolla”. Tani është koha për veprim. Është koha që shoqëria civile dhe organizata e të rinjve ta mbështesin si një akt kombëtar, për të luftuar këtë të keqe të madhe.
Ftoj të gjithë grupin e deputetëve “ Miqtë e Fëmijëve” dhe “Aleancës së Grave”, që të bëhemi një front i përbashkët për të marrë nisma ligjore dhe për të bërë ndryshime e duhura në ligjet aktuale, për të ashpërsuar masat për parandalim , për të rritur më shumë ndërgjegjësimin dhe për të detyruar organet dhe institucionet që të punojnë pa kompromis për eliminimin e këtij fenomeni vrastarë , për më të mirë e kombit dhe të vendit. Unë sot në emër të LSI, opozitës së bashkuar, në mbështetjes e kauzës kombëtare për luftimin frontal dhe pa kompromis , në një front të vetëm, për të ccliruar shkollën nga droga, bëra ftesën e hapur për t’iu bashkuar Planit Kombëtar për Veprim, për t’u bërë bashkë të gjithë për të mbrojtur të rinjtë dhe fëmijët e vendit tonë. Ka vetëm dy kohë në jetë: tani dhe shumë vonë! Ju ftojë në këtë aksion mbarëkombëtar , të kapim kohën tani për të mirën e kombit tonë, që më pas historia dhe brezat mos të na akuzojnë që ishim shumë vonë!”