Neritan Liçaj rrëfen mbi Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit dhe problematikat e “KoKo Fest”. Aktori tregon mangësitë që ka arTurbina dhe premton se nëse kryeministri do të vazhdojë të synojë shembjen, do jetë Teatri Kombëtar që do ta rrëzojë atë. Ndër të tjera iu përgjigj dy pyetjeve të mëposhtme:
Ke bërë prova dhe gjithashtu ke interpretuar në skenën e arTurbinës, si e shikon gjendjen fizike?
ArTurbina nuk është teatër, është qendër arti, prandaj edhe emrin e ka të tillë. Fakti që u bë, është diçka shumë pozitive, mirëpo ajo që lë për të dëshiruar është mënyra se si u bë. Pra, kur merret një nismë e tillë, duhet të bëhet njëherë e mirë dhe ashtu siç duhet bërë. Jo të bësh një qendër të tillë, ku aktori është në situatën ku gjen shtatë tualete dhe vetëm dy dhoma për aktorët. Pra, aty ka vetëm nga një dhomë për aktorët dhe aktoret. Kjo nuk është e drejtë! Po ashtu, lë për të dëshiruar edhe akustika, është si të jesh në një sallë kinemaje, për mos të thënë që është si stallë. Këto që pohoj nuk janë gjëra që po i evidentoj unë, por mund ta konfirmojë çdo aktor, se pavarësisht fasadës, bojatisjes bukur, një teatër duhet të ketë akustikë, dhoma mjaftueshëm ndërrimi për aktorët. Pastaj, problematike është edhe afërsia e rreshtave të parë me skenën, kjo mund të bëhet edhe e sikletshme për aktorët. Por, këto nuk janë problematikat e vetme. Ministria jonë e Kulturës, bën edhe gabime ligjore të tmerrshme. Godina ende nuk i ka kaluar në varësi ministrisë dhe pa pasur asnjë garanci ligjore që ndonjë nga punonjësit ose spektatorët nuk do të vritet aty, transferon trupën e Teatrit duke zhvilluar një Festival Mbarëkombëtar. Nga ana juridike, kjo është diçka krejtësisht e gabuar. T’i jap ministria urdhër Teatrit Kombëtar, dhe këtë rast nuk është faji i Teatrit por i ministrisë që e çon trupën atje pa e marrë akoma godinën në dorëzim. Mirëpo, jemi në atë pikë që këta nuk po pyesin më. Kjo qeveri nuk po pyet më, pasi një shtet demokratik duhet të veprojë me dokumentacione!
Ndërkohë protestat po vazhdojnë…
Protestat do të vazhdojnë sigurisht edhe pse ne të gjithë e dimë se teatri nuk bie, pavarësisht shtrembërimeve që bëhen nga ana e Qeverisë. Unë para 4 muajsh jam shprehur se Teatri Kombëtar do të jetë “bomba”, e cila do t’i vendosë fitilin kësaj arrogance korruptive, dhe kështu ndodhi. Unë jam i bindur që ky teatër nuk bie dhe nuk ka për të rënë kurrë, sepse ka mure shumë të fortë.
Kryeministri është hera e tretë që, si jeniçerët, po i ngjitet mureve të atij teatri dhe kësaj radhe protesta do të vazhdojë deri sa ta rrëzojmë atë nga Qeveria sepse nuk ka më kuptim. Të jetë i bindur se do ta rrëzojmë, nëse vazhdon të tentojë të shembë me dhunë Teatrin. E gjithë Shqipëria e di se halli i tij nuk është të bëj një teatër të ri, por thjesht të vjedhë tokën publike për të bërë para për vete. Ai do gjithashtu ta rrënojë teatrin, sepse e urren atë, sepse teatri është tempulli i fjalës së lirë dhe ai nuk e do fjalën e lirë, këtë e demonstron përditë. Mirëpo kësaj radhe nëse këmbëngul dhe nuk tërhiqet, ne do të vazhdojmë derisa ta rrëzojmë nga Qeveria. Protesta nuk do të ndalet! Ai kujtoi se do të na mposhte duke hequr qafe gjykatat që do na jepnin të drejtë, duke “dhunuar” aktorët, duke i shantazhuar… Mirëpo, gabimi i tij fatal qe se ai nuk na llogariti ne. Kjo nuk tregon mençuri nga ana e tij as si njeri, as si politikan, sepse ka vite që harxhon energji për ta rrëzuar dhe Teatri është po aty. Do të rrëzohet ai dhe teatri do të qëndrojë!
Në përkrahje të Teatrit janë intelektualët e Shqipërisë, është Bashkimi Evropian që po ja bën të qartë, edhe deputetët e CDU-së, ndaj mendoj se ai është i ndërgjegjshëm se nuk mund ta mposhtë teatrin. Ai nuk do ta tregojë, por besoj se e di që ka dështuar. Unë e kam thënë, dhe do ta rithem, ne aty do të jemi deri në fund! Nëqoftë se ai nuk tërhiqet dhe nuk kërkon falje publikisht duke thënë se do ta rikonstruktojë këtë teatër, do ta rrëzojmë nga Qeveria!/Marrë nga Shekulli