Nga Boldnews.al
Policia e Shtetit, në një deklaratë, e cila synonte të denigronte oficerin që denoncoi me emra deputetët e Partisë Socialiste që e kishin kërcënuar në zyrën e tij, në Postën Policore të Fushë-Krujës, në fakt ka pranuar, në mënyrë “frojdjane” disa të vërteta në këtë histori.
Emiljano Nuhu, deri para pak ditësh punonjës i Policisë së Shtetit, trondit ambjentin politik, kur me një intervistë të tij të Martën, deklaroi se është kërcënuar në zyrën e tij nga disa persona, në prani të deputetit Taulant Balla dhe Rrahman Raja, si edhe kryebashkiakut të Krujës, Artur Bushi, ngjarje e ndodhur në 21 Korrik 2018.
Shkak për këtë kërcënim ka qenë vendimi për arrestimin e djalit të deputetit Rraja, Rexhepit, i cili ishte kallëzuar nga shtetasja Xh.M. për kërcënimin dhe dhunim, si edhe tentativë përdhunimi.
I pari që reagoi kundër intervistës së Emiljano Nuhut ishte Taulant Balla, i cili e mohoi që ai të ketë qenë në Krujë në atë ditë. Gjithashtu, Balla “paralajmëroi” se Policia e Shtetit do e sqaronte situatën dhe, sipas tij, “do të zbulohet se e gjithë historia është gatuar në zyrat e Partisë Demokratike”.
Pas “paralajmërimit” të Ballës, në mbrëmjen e së Martës u shpërnda edhe sqarimi i Policisë së Shtetit, i cili, pavarësisht se mundohej të mohonte deklarimet publike të oficerit, në fakt linte shumë hapësira bosh, të cilat krijojnë dyshimet se drejtuesit e lartë policorë po mundohen që të fshehin të vërtetën dhe të minimizojnë sa më shumë dëmet.
I marrim me radhë faktet, duke i vendosur sipas renditjes në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit:
Oficeri Nuhu deklaron se, prej vitit 2009, ka qenë pjesë e Policisë së Shtetit dhe ka punuar, në shumë raste, si agjent i infiltruar. Për shkak të angazhimit të tij disa-vjeçar, ai ka krijuar një rrjet të gjerë informatorësh, të cilët e kanë informuar se po i kërcënohej jeta, për shkak të hetimeve që kishte nisur ndaj djalit të deputetit Rrahman Raja, Rexhepit.
Policia e Shtetit, në njoftimin e saj, pranon se Nuhu ka qenë prej vitit 2009 efektiv i rolit bazë në Policinë e Tiranës, duke mos dhënë asnjë sqarim për detyrat që ka ushtruar (Nuhu deklaron që ka punuar në shumë raste si agjent i infiltruar, ndërkohë që Policia nuk e mohon).
Policia e Shtetit deklaron se, Emiljano Nuhu, pasi merr gradën nënkomisar, emërohet në Vlorë, në maj 2017. Pas 4 muajsh, sipas njoftimit zyrtar, ai kërkon të largohet nga Vlora, me argumentin se i rrezikohej jeta. Transferimi kryhet, Nuhu emërohet në Komisariatin e Krujës, gjë që do të thotë se argumentat e tij për “rrezikun e jetës” kanë qenë bindëse.
Më tej, Policia jep një detaj që duket i parëndësishëm, por, i vendosur në frymën e përgjithshme denigruese ndaj Nuhut, merr kuptim: “Emiljano Nuhu, nga janari deri në korrik 2018 është shkëputur nga puna, për të ndjekur studimet në Akademinë e Sigurisë”. Kjo e dhënë është theksuar, për të treguar se oficeri Nuhu, prej kohësh nuk ka qenë në punë.
Por, kjo e dhënë nuk e përjashton faktin që ai ka qenë në detyrë në kohën kur është marrë kallëzimi i shtetases Xh.M. ndaj djalit të deputetit. Për këtë moment, Policia sqaron se veprimet e para janë kryer nga një tjetër punonjës i Komisariatit të Krujës.
Në fakt, edhe Emiljano Nuhu e deklaroi në intervistën e tij se veprimet, ato zyrtaret, janë kryer nga një kolegu i tij. Por kjo ka ndodhur pasi ai është kërcënuar në zyrë nga familjarët e personit nën hetim, në praninë e Taulant Ballës, Rrahman Rajës dhe Artur Bushit. Ai deklaron se, me urdhër të shefit të Komisariatit, ai është detyruar të mos kryejë veprimet proceduriale ndaj Rexhep Rrajës e të mos vijonte me arrestimin e tij, sipas bisedës që kishte kryer edhe me prokuroren e gatshme të Prokurorisë së Krujës.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit, në njoftimin e saj, nuk e përmend aspak që Emiljano Nuhu ka kryer veprimet e mëtejshme proceduriale për këtë rast. Ky element, mesa duket, ka qenë i parëndësishëm për linjën zyrtare të Policisë së Shtetit, ndoshta, për faktin që nuk mund ta mohonin të vërtetën që gjendet në dokumenta.
Gjithashtu, Emiljano Nuhu deklaron se ka marrë kërcënime nga Rrahman Raja dhe një familjar i tij, pasi ai kishte nisur të kryente veprimet ndaj djalit të deputetit. Nuhu deklaron se, pasi e kanë komunikuar në rrjetin Whatsapp, ai është takuar me Rrahman dhe Redjan Rajën në një lokal në Tiranë. Gjatë bisedës, dy personat Rraja e kanë kërcënuar dhe Emiljano Nuhu është drejtuar tek Komisariat nr. 6 për të bërë kallëzim.
Policia e Shtetit, në njoftimin e saj, e konfirmon këtë takim, por thotë se ata kishin njohje të mëparshme dhe në bazë të komunikimit në “Whatsapp”, sipas policisë rezulton se nuk ka pasur kërcënime. Policia pranon se Nuhu, menjëherë pas këtij takimi, ka bërë kallëzim, por nuk jep asnjë shpjegim se si ka mundësi që, këto dy palë, miq, sipas njoftimit, me njëri-tjetrin, kanë përfunduar në kërcënime. Gjithashtu, Policia nuk e thotë zyrtarisht që shkak i kallëzimit kanë qenë pikërisht kërcënimet e deputetit Rraja për veprimet që oficeri Nuhu po kryente ndaj djalit të tij.
Policia vijon më tej, duke sqaruar se Emiljano Nuhu ka bërë kërkesë për transferim. Kjo kërkesë është miratuar dhe ai është transferuar për në Komisariatin e Beratit. Këtu është edhe një moment shumë i dyshimtë i veprimeve të drejtuesve të Policisë ndaj oficer Nuhut.
Në kërkesën për transferim që i ka drejtuar Drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, oficeri Nuhu e argumenton kërkesën e tij me “rrezikun për jetën” dhe me faktin që “të jetë pranë familjes”, e cila jeton në Tiranë. Kërkesa e tij për transferim pranohet nga Veliu, i cili, mesa duket, nuk e ka lexuar kërkesën e Nuhut deri në fund, i cili kërkonte të ishte pranë familjes, rezidente në Tiranë. Ardi Veliu e ka vlerësuar se Nuhu mund të ishte pranë familjes duke u transferuar…në Berat.
Vijon njoftimi i Policisë: “Në këtë detyrë (Berat) ka qëndruar deri në datë 13.09.2018 dhe më pas nuk është paraqitur, por ka braktisur detyrën…”. Emiljano Nuhu ka bërë publike kërkesën për dorëheqjen nga Policia e Shtetit, e cila u është dërguar drejtuesve të tij në dt. 14 Shtator 2018. Pra, nuk ka asnjë braktisje të detyrës, siç pretendon, me dashakeqësi Policia.
Dhe, “qershia mbi tortë”, Policia e mbyll njoftimin e saj, duke deklaruar se “Emiljano Nuhu, në kallëzimin e tij, nuk përmend asnjë prej emrave që deklaron sot në intervistën në media (Taulant Balla, Artur Bushi, shën.red), emra, të cilët në asnjë rast nuk i ka përmendur në komunikimet me eprorët e tij. Megjithatë, SHÇBA po kryen verifikim dhe hetim të thelluar për gjithë pretendimet e ngritura nga oficeri Emiljano Nuhu në letrën e bërë publike si dhe në intervistën e dhënë prej ti”.
Pra, Policia u kujdes të shpëtojë Taulant Ballën edhe nga ky siklet, por ndërkohë deklaron se SHÇBA po kryen verifikim të thelluar për pretendimet e Emiljano Nuhut. E gjitha kjo duket hipokrizi dhe tentativë për të mbuluar skandalin, për faktin se nënkomisari Nuhu i ka vënë në dijeni në mënyrë periodike dhe permanente për gjithçka eprorët e tij, si edhe drejtuesit më të lartë të Prokurorisë dhe institucioneve të tjera shtetërore.
Deri para intervistës të Emiljano Nuhut, siç edhe duket, nuk ka pasur asnjë vullnet për të sqaruar ngjarjen. Pas deklarateve të nënkomisarit, tani SHÇBA do të kryejë verifikime të thelluara…..