Nga Boldnews.al
Përmbaruesit gjyqësorë privatë kanë vendosur të pezullojnë aktivitetin e tyre, në përgjigje të veprimeve arbitrare të pushtetit qëndror dhe presionit të grupeve të caktuara të interesit, nëpërmjet të cilave u vendos ulja e tarifave për shërbimin e tyre.
Në një Moratorium të nënshkruar në datën 24 Shtator 2018, Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësore Privatë (DHKPGJP) deklaron se kjo masë merret për të mbrojtur figurën e anëtarëve të saj, e cila cënohet nga Udhëzimi i Përbashkët i Ministrit të Financave dhe Ministrit të Drejtësisë nr. 30, dt. 30.08.2018.
Në bazë të këtij Udhëzimi, tarifat shërbimit të përmbaruesve gjyqësore ulen në një minimum të tillë, i cili rrezikon edhe ekzistencën e tyre. Përmbaruesit Gjyqësorë private e kanë kundërshtuar edhe më herët këtë Udhëzim, si gjatë kohës kur ai po draftohej, edhe pas miratimit të tij.
Por, qëndrimet e tyre nuk u morën në konsideratë nga autoritetet e larta shtetërore. Për përmbaruesit, ky Udhëzim është nënshkruar për shkak të presionit që ushtrojnë mbi ministrat bankat e nivelit të dytë, të cilat synojnë të ulin ndjeshëm kostot e tyre në dëm të shërbimeve të ofruara nga DHKPGJP.
Përballë arrogancës së institucioneve të pushtetit qëndror, Dhoma Kombëtare e Përmbaruese Gjyqësorë ka vendosur të miratojë masën e parë reaguese, atë të pezullimit të përkohshëm të shërbimeve të tyre.
Në Moratoriumin e nënshkruar këtë të Hënë, Përmbaruesit Gjyqësorë Privatë kanë vendosur që të pezullojnë veprimet e tyre për një afat prej 15 ditësh për çështjet që kërkohen të vihen në ekzekutim nga palët kreditore që janë persona fizikë ose juridikë, përjashtuar institucionet bankare dhe ato financiare jo bankare.
Për këto të fundit, pra për bankat dhe institucionet financiare, afati i pezullimit të veprimeve nga zyrat përmbarimore private do të jetë 90 ditë. Efektet pezulluese të këtij Moratoriumi do të shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nga të gjitha përmbaruesit dhe zyrat përmbarimore, të cilat janë pjesë e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë.
Ndërkohë, Moratoriumi ka përjashtuar nga efektet e pezullimit ato çështje, për të cilat veprimet përmbarimore kanë nisur para datës së nënshkrimit të tij, pra, para 24 Shtatorit 2018.
Moratoriumi ka parashikuar edhe sanksione për këdo përmbarues gjyqësor privat, i cili thyen rregullat e pezullimit të parashikuar në të. Kështu, çdo anëtar i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Privatë që kryen veprimtarinë gjatë afatit të pezullimit, do të përjashtohet nga anëtarësia për periudhën 1-vjeçare.
Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, duke besuar në reflektimin e institucioneve të pushtetit qëndror, ka parashikuar gjithashtu se efektet e Moratoriumit do të bien në rast se pezullohet Udhëzimi i Përbashkët i Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Pas miratimit të këtij Moratoriumi, teksti i tij i është dërguar për dijeni dy ministrive, si edhe strukturave të tjera publike e jopublike, të cilat kanë raporte me përmbaruesit gjyqësorë privatë.
Pak javë më parë, në krah të Përmbaruesve Private shqiptarë është vendosur edhe Unioni Ndërkombëtar i Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë. Presidenti i Unionit, Marc Shmitz, në një letër drejtuar ministrit të Financave, Arben Ahmetaj dhe Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në mesin e Gushtit 2018, ka renditur një seri rekomandimesh dhe zgjidhjes së debatit ndërmjet qeverisë e përmbaruesve shqiptarë, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, të njohura edhe nga Bashkimi Europian.
Por, i gjithë investimi i Unionit të Përmbaruesve Ndërkombëtarë nuk është marrë aspak parasysh nga dy ministrat, të cilët, vetëm pak ditë pas letrës së Marc Shmitz, kanë nënshkruar Udhëzimin që rrëzon sistemin aktual të tarifimit, duke cënuar rëndë profesionin e lirë të Përmbaruesit Privat Gjyqësor.