Akademiku Artan Fuga e ka pranuar sfidën që i ka bërë dje, kreu i qeverisë Edi Rama, për reformimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë pas paraqitjes së një platforme “rebele” të paraqitur prej tij përballë asaj zyrtares të paraqitur nga Skënder Gjinushi.
Fuga është deklaruar kurdoherë hapur për nevojën e një reformimi të një Akademie të kalbur dhe nuk ka reshtur së kritikuari edhe reformat që u ndërmorën më pas nga qeveria “Rama”.
Pas fjalimit që mbajti dje kryeministri Rama në Akademi, ku e vlerësoi platformën e Fugës si një ballafaqim, si një kontribut, Fuga është përgjigjur në rrjetet sociale me këtë mesazh:
Fuga: “Unë e pranoj sfidën. Rrebelohem sepse kam të drejtë!
Platforma ime për reformimin e akademisë të shkencave, e quajtur sot nga z. Kryeministër, si platformë rrebele, është minoritare në akademinë e shkencave, është e censuruar, e shkelur me këmbë në mënyrë totalitare atje, e keqtrajtuar nga ministria e arsimit që është bërë palë me ose pa dashje me përgjegjësit e rrënimit të Akademisë të Shkencave, por jam i bindur se platforma që propozoj do të ketë përkrahjen e komunitetit shkencor të vendit.
Po, është platformë që ngre krye ndaj dokumenteve të vjetruar që ka prodhuar grupi i punës i ministrisë të arsimit.
Unë do ta coj betejën deri në fund qoftë dhe i vetëm, edhe kundër interesave të mia personale dhe pa u ndaluar asnjë sekondë.
E falenderoj gjithsesi z. Edi Rama që pranoi të rikthejë mbrapsht një projektligj që tashmë ministria e arsimit e kishte pranuar si version i vetëm me procedura totalitare dhe të mbrapshta, me të cilat pastaj nuk votohen veçse ligje të këqinj. Beteja vazhdon!” përfundon Fuga.
Çfarë tha Rama për platformën e paraqitur nga Fuga:
Rama: …sot jemi në një fazë kur mund të shikojmë dritë në fund të tunelit përsa i përket reformimit të Akademisë së Shkencave. Më në fund, gjërat dhe forcat u vunë në një lëvize, të vonuar për shumë e shumë vite dhe më vjen shumë mirë që, sot që flasim, jemi përballë një pune të kryer me zell dhe me përgjegjësi nga grupi i ngritur për të propozuar këtë reformë, nën drejtimin e Profesor Gjinushit, por edhe përballë një platforme alternative, të propozuar nga Profesor Artan Fuga.
Nëse do të qëndronim strikt proceduarialisht në raport me tekstin e reformës, atëherë do duhej që të falënderonim Profesor Artan Fugën për kontributin e tij, po të ecnim përpara, pa u ndalur asnjë sekondë, me tekstin e sjellë nga grupi i punës. Mirëpo ajo që ne na duket më e arsyeshme është që të ndalemi një sekondë.
Të ndalim një sekondë dhe të nxisim një ballafaqim mes këtyre dy alternativa, pavarësisht se njëra është, le të themi, e veshur me petkun zyrtar, kurse tjetra vjen si kontribut nga një anëtar i Akademisë dhe t’ia lëmë diskutimit mes jush dhe me ju drejtimin e mëtejshëm, pasi, mbase në platformën e grupit të punës gjithçka është siç duhet, por mbase në platformën alternative ka gjëra për t’u marrë në konsideratë.
Mbase platforma alternative është më e mirë se ajo e grupit të punës. Pra, nuk janë gjëra që, besoj unë, na takon t’i themi ne, t’i them unë apo ministria. Por e shoh me shumë rëndësi që në fund askush të mos paragjykojë rezultatin dhe të mos ketë një ndarje për shkak se njëra platformë, si të thuash, pati mbështetjen e qeverisë dhe tjetra erdhi në një formë rebelimi ndaj saj. Ma ha mendja se nga kjo vetëm fiton procesi, fiton Akademia që duam për nesër dhe ma ha mendja se në fund të fundit, disa gjëra kanë marrë udhë.”