Nga Boldnews.al
Një aksion i koordinuar i Partisë Demokratike në ditën e parë të shkollës, solli me fakte konkrete gjendjen e mjerueshme të arsimit shqiptar. Mbi 130 shkolla të sistemit parauniversitar janë mbylluar gjatë mandatit qeverisës të Edi Ramës, ndërkohë që disa dhjetra mijëra të fëmijë nuk kanë mundësi të marrin dijet në bankat e shkollës.
Nga Veriu e deri në Jug të vendit, dhjetra shkolla jo vetëm që nuk kanë hapur dyert në fillimin e vitit të ri akademik, por pjesa më e madhe e tyre nuk mund të konsiderohen më institucione arsimore.
Përballë fakteve konkrete të opozitës, fillimisht Edi Rama e më pas ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, reaguan thjesht duke bërë politikë, por pa dhënë asnjë qëndrim mbi mbylljen e një numri shumë të lartë të shkollave publike.
Albana Vokshi, kryetarja e komisionit Parlamentar për Median dhe Edukimin, ka përcjellë në mënyrë dinakime, në profilin e saj zyrtar në rrjetet sociale, denoncimet e deputetëve të Partisë Demokratike, shoqëruar me video, të shkollave të mbyllura në shumë qytete të Shqipërisë.
Nën logon “Rama mbyll shkollat”, deputetët opozitarë kanë renditur shkollat e arsimit parauniversitar, të cilat kanë vendosur drynin ose janë degraduar tërësisht gjatë qeverisjes së Edi Ramës dhe ministres së tij, Lindita Nikolla, e cila, për shumë bashkëpunëtorë të afërt të saj, nuk njihet për nivel të lartë inteligjence.
“Boldnews.al” po sjell në mënyrë të përmbledhur faktet, e publikuara nga Partia Demokratike, sipas hartës së Shqipërisë.
Në Shkodër është mbyllur përfundimisht shkolla e Dajçit, një prej më të mëdhajave në zonën periferike të këtij Qarkut.
Në Mat, Klos dhe Bulqizë janë mbyllur në total 26 shkolla të sistemit parauniversitar. Shkak për këtë është bërë keqqeverisja dhe lënia pas dore e fëmijëve të kësaj zone, më e varfëra në Shqipëri. Një pjesë e fëmijëve, së bashku me prindërit e tyre janë larguar nga Shqipëria, në kërkim të azilit në vende të Bashkimit Europian. Kurse fëmijët që kanë mbetur janë dëshmia më tragjike e varfërisë në Shqipëri-ata punojnë në nxjerrjen e kromit, në relievin malor të kësaj zone.
Në Lezhë janë mbyllur 9 shkolla, një prej të cilave është edhe ajo në vendlindjen e poetit të madh shqiptar, Gjergj Fishta. Është tërësisht ironike kur i kthehesh historisë. Imzot Fishta, në kushte ekstreme, u angazhua t’u jepte arsim fëmijëve të zonës. Rreth 100 vjet më pas, “mrekullia arsimore” e Rilindjes e mbylli përfundimisht shkollën në këtë zonë.
Në Qarkun e Tiranës janë mbyllur 8 shkolla. Natyrisht, janë shkolla në zonat periferike të Qarkut, aty ku nuk mbërrin “Lali Eri” me kamerat e tij dixhitale. Bëhet fjalë për institucione parauniversitare, të cilat frekuentoheshin nga disa qindra fëmijë, kryesisht banorë të rinj të kryeqytetit. Por, këta të mitur nuk mund të gëzojnë farfullimat e prozhektorëve, pasi Erion Veliaj dhe Lindita Nikolla nuk mund të shkojnë para tyre e të japin llogari se përse nuk u sigurohet arsimi bazë.
Në Elbasan janë mbyllur plot 18 shkolla. Madje, nuk ka hapur dyert edhe shkolla e Bradasheshit, për të cilën ministrja Nikolla ka deklaruar se është realizuar një investim prej rreth 2 milionë euro. Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, fëmijët e Bradasheshit nuk e panë dhe shijuan “mrekullinë arsimore të Rilindjes”.
Në Rrogozhinë nuk janë hapur shkollat në ditën e parë. Kushtet e tyre janë në gjendje të mjerueshme dhe nuk mund të presin fëmijë.
Në Lushnje janë mbyllur 14 shkolla. Në ditët e parë të mësimit, tipari dallues i godinave ishte zinxhiri i ndryshkur, i cili sinjalizonte që në ato godina nuk mund të arsimohen fëmijë.
Në Fier, gjithashtu 14 shkolla janë mbyllur përfundimisht.
Në Vlorë janë mbyllur 3 shkolla, njëra prej të cilave me aktivitet arsimor 100-vjeçar. Rilindasit e vërtetë, ata që u munduan për arsimimin e fëmijëve shqiptarë një shekull më parë, nëse do të ishin gjallë, mund t’i merrnin me hu “Rilindasit” e rinj, të cilët bënë gjithçka për të shkatërruar sistemin arsimor në vend.
Në Berat janë mbyllur tre shkolla, njëra prej të cilave Profesionale. Është pikërisht një prej atyre shkollave, për të cilat Edi Rama dhe Lindita Nikolla janë përbetuar se do t’u japin përparësi. Në këtë fillim viti arsimor, përparësia e qeverisë Rama-Nikolla për arsimin është mbyllja e shkollës profesionale në këtë qyte.
Në Pogradec janë mbyllur 8 shkolla, pasi Rama-Nikolla nuk kanë vënë dorë prej vitesh në përmirësimin e infrastrukturës së tyre. Gjithashtu, kjo dyshe, së bashku me pjesën tjetër të kabinetit qeveritar, janë “munduar” që të nxisin fëmijët dhe prindërit e tyre për t’u larguar nga shkolla, në kërkim të punësimit në bujqësi e blegtori në Greqinë e Maqedoninë fqinje.
Në Korçë, të cilën çifti Rama-Nikolla e kanë me dëshirë ta konsiderojnë si “djepi i kulturës”, janë mbyllur 4 shkolla së fundmi. Njëra prej tyre gjendet në Drenovë, në vendlindjen e poetit të madh të Rilindjes së vërtetë, Asdreni.
Në Gjirokastër, Tepelenë e Përmet, 18 shkolla në total nuk janë hapur në këtë fillim viti arsimor dhe, për shkak të gjendjes së tyre, me shumë mundësi nuk kanë për t’u hapur kurrë.