Deputeti i LSI-së së Qarkut Korçë, Edmond Panariti ka kërkuar nga qeveria që tu japë paratë e premtuara për subvencione fermerëve. Deklaratat, Panariti i bëri gjatë një takimi me fermerët në njësinë administrative Dardhas të Pogradecit, ku ai shoqërohej gjithashtu dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari. Panariti tha se qeveria duhet të heq dorë nga shpenzimet e saj marramendëse për dixhitalizimin dhe investimet jo prodhuese, dhe të mbajë fjalën e dhënë fermerëve për paratë e subvencioneve. “Ato para të cilat tashmë ju po i shpenzoni pa kursim për dixhitalizim dhe investime jo prodhuese, hidhini tek fshati, hidhini tek fermeri në mënyrë që ai të jetojë me nder, në mënyrë dinjitoze dhe të mos marrë arratinë sikundër e ka marrë tashmë drejt emigracionit, por t’i kthehet punës dhe prodhimit. Ky është mesazhi jonë i qartë. Mesazh që unë e bëj në emër të fermerëve, të cilët unë i kam takuar me dhjetëra e qindra këto ditë në lëvizjet që kam bërë dhe që ka qenë një mesazh i zëshëm. Në rast se ju nuk i mbështesni fermerët ata nuk do të aplikojnë më. Nuk do të aplikojnë më sepse nuk do t’iu besojnë më”, tha deputeti i LSI-së dhe ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.
Ja prononcimi i plotë i Edmond Panaritit
Mijëra fermerë, të cilëve i’u premtuan subvencione për prodhimin bujqësor, për prodhimin blegtoral dhe deri në këtë moment që ne po flasim nuk kanë përfituar as edhe një cent nga ky premtim i bujshëm që u bë. Kjo mollë që shikoni këtu e ka një kosto, është bërë gati për treg, ka koston e punës së fermerit, ka koston e cikleve të trajtimit kimik që nuk janë pak por janë 13, ka koston e plehërimit, do ketë koston e transportit, do ketë koston e futjes në frigorifer, e cila përkthehet në një çmim përfundimtar. Në rast se kjo mollë nuk subvencionohet, kjo mollë nuk do të ketë kurrfarë shansi për të dalë në treg dhe për të konkurruar edhe me prodhimin e importit, i cili subvencionohet fuqishëm në origjinë. Prandaj duhet t’i jepen paratë fermerëve. Në rast se ju nuk do t’ia jepni paratë e premtuara fermerëve ky prodhim nuk do të shkojë në treg, por do të përfundojë buzë rrugës. Prandaj ne nuk mund t’ia lejojmë këtë. Nga ana tjetër ky mesazh nuk vjen vetëm nga pemë rritësit, por vjen edhe nga ata blegtorë të cilët edhe këtë vit ashtu sikundër edhe vjet nuk do të përfitojnë paratë e premtuara të subvencioneve për krerë të bagëtive. Prandaj prodhimet tona blegtorale nuk konkurrojnë dot me prodhimet e importit sepse nuk subvencionohen. Pra bujqësia nuk mbështetet. Dhe një bujqësi që nuk mbështetet është një bujqësi që është thjesht e mbijetesës nuk mund të jetë një bujqësi që është konkurruese dhe për rrjedhojë nuk mund të jetë as fituese. Prandaj ato para të cilat tashmë ju po i shpenzoni pa kursim për dixhitalizim dhe investime jo prodhuese, hidhini tek fshati, hidhini tek fermeri në mënyrë që ai të jetojë me nder, në mënyrë dinjitoze dhe të mos marrë arratinë sikundër e ka marrë tashmë drejt emigracionit, por t’i kthehet punës dhe prodhimit. Ky është mesazhi jonë i qartë. Mesazh që unë e bëj në emër të fermerëve, të cilët unë i kam takuar me dhjetëra e qindra këto ditë në lëvizjet që kam bërë dhe që ka qenë një mesazh i zëshëm. Në rast se ju nuk i mbështesni fermerët ata nuk do të aplikojnë më. Nuk do të aplikojnë më sepse nuk do t’iu besojnë më. Pavarësisht se shpallët me të madhe që i thjeshtuat procedurat tashmë me një kartë identiteti, nuk ka për të aplikuar më njeri për sa kohë premtimet nuk shoqërohen me realizime. Pra ata nuk përfitojnë paratë, nuk do të besojnë më dhe për rrjedhojë bujqësia ngelet këtu ku është, e pa financuar poshtë mesatares së rajonit, një bujqësi e mbijetesës dhe një bujqësi jo konkurruese. Në rast se ne do ti referohemi statistikave bujqësore të cilat për një çudi nuk po bëhen publike, por që ne kemi të dhënat tona sepse marrim të dhënat nga grumbulluesit, nga fermerët. Ju do shikoni që kemi një përkeqësim të bilancit të bujqësisë në krahasim me vjet. Vjet në këtë periudhë kemi pasur një rekord historik të bujqësisë. Unë sapo ish anë përfundim të mandatit tim si ministër. Ne kemi pasur 20% më shumë eksporte të fruta-perimeve. Ndërkohë kemi një bilanc negativ këtë vit dhe bujqësia përsëri po rëndon bilancin negativ i cili e mori veten, u përmirësua, nga 1 me 7 shkoi në një me 3.8. Ne tashmë kemi rrëshqitur përsëri në bilancin negativ të rëndë të bujqësisë dhe për rrjedhojë bujqësia ndodhet në një moment shumë kritik. Prandaj jepini para bujqësisë. Ky është një mesazh i prerë i qartë, kategorik, ndryshe më pas fermerët nuk do ti besojnë më, do t’ju braktisin dhe natyrisht nuk do keni më fytyrë për tu kërkuar as mbështetje dhe as vota.