Një herë e një kohë ia atribuonim dhuntinë e parashikimit perëndive, profetëve dhe priftërinjve. Kurse sot aftësia për të formuluar parashikime të falsifikueshme është marka dalluese e shkencave të njohura. Dhe midis shkencave, ajo që më shumë se çdo gjë tjetër merret me të ardhmen është ekonomia. Në kundërshtim nga kolegët e disiplinave në njëfarë mënyre të afërta, si sociologjia, shkenca politike apo ajo juridike, ekonomistët kanë qenë gjithmonë të gatshëm që t’i përgjigjen me saktësi befasuese çdo pyetjeje lidhur me të ardhmen. Sikur një sociolog pyetjes “kur do të zhduket racizmi?”, t’i përgjigjej duke cituar vitin, muajin, ditën dhe orën e saktë. Ekonomistët kanë një qëndrim shumë të zhdërvjelltë lidhur me çështjen. Kur mjetet e informimit duan të dinë sesa do të rritet PBB-ja (apo inflacioni, papunësia, këmbimi i euros me dollarin), përgjigjet e ekonomistëve ngjajnë të gjitha me sa vijon: “Mos u bëni budallenj. Nuk e kam sferën e kristaltë, është e pamundur të bëhen parashikime, sidomos për sa i përket së ardhmes (ahah!). megjithatë, pres një rritje prej 2.4%”. kështu, ne ekonomistët, nuk jemi asnjëherë të sigurtë dhe nuk dimë asnjëherë asgjë, por injoranca jonë është çuditërisht e saktë, me presje dhjetore. Ka gjithmonë diçka interesante kur fillimi dhe përfundimi i së njëjtës shprehje kundërvihen njëri me tjetrin.
Gabimet famëkeqe të ekonomistëve nuk kanë të bëjnë vetëm me të ardhmen, por shpesh edhe më të kaluarën. Gabojnë për gjëra të thjeshta – çmimet e karburantitostoja e jetesës – dhe janë edhe fatalisht të paaftë që të parashikojnë krizat financiare. Sot jo vetëm që ndahemi lidhur me shkaqet e krizës së 2008 dhe me mënyrën sesi do të mund ta kishim zgjidhur me shpejtësi, por po diskutojmë akoma për shkaqen dhe sesi mund të tejkalohej Depresioni i Madh, i ndodhur afërsisht 90 vite më parë.
Le të marrim çmimet e tregut imobiliar. Çmimet e shtëpive do të duhej të ishin të thjeshtë për t’u parashikuar, pasi të dhënat demografike janë të njohura paraprakisht dhe janë një prej sigurive të pakta që kemi për të ardhmen. Dime edhe sesa janë shtëpitë në ndërtim e, për pasojë, mund të parashikojmë se kur do të jenë gati për të hyrë në treg. Veç kësaj, në ndryshim nga mallrat e tjera, nuk ekzistojnë alternative ndaj shtëpisë. Pavarësisht kësaj, tregu imobiliar është një terren jashtëzakonisht pjellor për flluskat dhe spekulimet.
Si është e mundur? Shtëpitë janë të ndërtuara mbi shpresën. Flluska imobiliare amerikane e kredive subprime, që ka shkaktuar krizën e vitit 2008, është gjeneruar nga parashikime e llogari të gabuara dhe nga një besim i keqvendosur për të ardhmen. Njerëzit dhe bankat qenë të bindura në mënyrë të gabuar se në harkun e disa viteve do të ishim në gjendje që t’i lejonim vetes shtëpi luksi. Por bankat ekzistojnë pikërisht për të na mundësuar që të jetojmë në një shtëpi, të vozisim një makinë dhe të përdorim dispozitivë e elektroshtëpijake që nuk na përkasin (nëpërmjet kredive hipotekore, kredive për konsumin dhe leasing). Nuk bëjmë gjë tjetër veçse vëmë bast për të ardhmen. Kur banka jep një financim, i merr për të mira sigurimet tona se në të ardhmen do të paguajmë. Kështu që i jep besim një parashikimi që bëjmë ne, ndërsa ne u besojmë parashikimeve të të tjerëve. Është i njëjti mekanizëm që ka bërë të lindë paraja: fillimisht paratë nuk qenë gjë tjetër veçse një lloj mjeti pagese (dhe në realitet është akoma).
Teologjia dhe fizika
Po le të kthehemi tek e ardhmja. Pse të parashikuarit mbetet jashtëzakonisht e komplikuar, pavarësisht të gjitha modeleve efikase matematikore që disponojmë? Nëqoftëse duam të shtyhemi në pasojat ekstreme e këtij arësyetimi, duhet t’i drejtohemi teologjisë dhe fizikës. Në rast se pyesim një teolog a ekziston një qenie e gjithëdijshme në gjendje që të njohë të ardhmen, për të do të jetë e vështirë të na përgjigjet. Lidhur me argumentin nuk është arritur kurrë një marrëveshje dhe problem duket se duhet të mbesë i hapur edhe prej inteligjencës më të përkryer që arrihet të imagjinohet. Është konkluzioni që është i detyruar të nxjerrë kush beson në disponimin e lirë të qenies njerëzore. Dhe në këtë aspekt është interesante të vërehet se feja nuk është vetëm zemra e kristianizmit dhe e hebraizmit, por është e rrënjosur edhe në ekonominë liberale. Në ekstremin e kundër, mund t’ia bëjmë pyetjen e ngjashme një fizikani. Sikur të njihnim pozicioni, shpejtësinë dhe drejtimin e çdo elementi të veçantë të universit, a do të ishim në gjendje ta parashikonim të ardhmen? Jo. E pohojnë nga njëra anë parimi i papërcaktueshmërisë i Heisenberg (është e pamundur të përcaktohet me saktësi dhe njëkohësisht shpejtësia e pozicioni), nga ana tjetër teoria matematike e kaosit (variacione të pallogaritshme në kushtet fillestare çojnë në variacione të mëdha në të ardhmen). Të zbulosh se çfarë na rezervon e ardhmja me shkallën e saktësisë që do të donim është thjesht e pamundur.
Por ne ekonomistët duket se e kemi harruar. Libri me domethënës lidhur me argumentin e profecive ekonomike të munguara është “This Time Is Different: Eight Centuries of Financial Folly”, i autorëve Carmen Reinhart e Kenneth Rogof. Ata demonstrojnë se ekonomistët tentojnë që të jenë bipolarë: në kohërat e mira tentojnë të japin parashikime tejet optimiste, ndërsa në kohëra të këqija paraqesin një të ardhme më të keqe se ajo që më pas verifikohet. Ekonomistët, që megjithatë e kanë çmuar shumë librin (e botuar në 2009), nuk duket se kanë nxjerrë mësime të mëdha prej tij. Pritshmëritë ndjekin ecurinë e ciklit ekonomik dhe zakonisht nuk bëjnë gjë tjetër veçse e përkeqësojnë. Në rastin më të mirë, modelet tona parashikuese kufizohen që të projektojnë në të ardhmen tendencat në zhvillim. Vështirësitë dalin kur bëhet fjalë për të parashikuar variacionet e tendencës. Ndërsa mund të parashikojmë ecurinë e një vije të drejtë, nuk jemi në gjendje që të parashikojmë kthesat e papritura dhe aq më pak efektet e tyre. Thelbësisht modeli ynë nuk thotë gjë tjetër përveçse këtë: nëse faktet u korrespondojnë pritshmërive tona, atëhere edhe zhvillimi i tyre do të ketë ecurinë që presim. Me pak fjalë, parashikimet nuk janë në gjendje që të kapin një element themelor: ndryshimet e mëdha. Këtë bipolarizëm nuk e gjejmë vetëm në parashikimet në fusha të kufizuara (ato mikroekonomike), por edhe në alternimin midis optimizmit e pesimizmit për tërësinë e ekonomisë (parashikime makroekonomike). Dikur ekonomia njihej si “shkenca e zymtë”, pasi karakterizohej nga një vështrim i ftohtë dhe i errët mbi botën. Por më pas është transformuar në një sektor plot me shpresë e me optimizëm, me shumë shpresa për të ardhmen. Kanë qenë klasikët ata që e kanë bërë ekonominë një shkencë të zymtë: mjafton të mendosh për anglezin Thomas Malthus.
Sipas tij, ekonomia tenton prej natyre që të prodhojë një klasë punëtorësh të varfër, rrogat e të cilëve mezi arrijnë që t’u garantojnë mbijetesën. Veç kësaj, popullsia rritet në progresion gjeometrik, kurse bujqësia në rastin më të mirë në progression aritmetik, ndërsa toka pjellore (midis ‘700 dhe ‘800, kur jetoi Malthus, tipologjia më e rëndësishme e kapitalit) nuk rritet aspak. Nënkupton se nuk do të duhet shumë, pasi toka nuk arrin më të ushqejë popullsinë. Pason fakti që pasanikët do të jenë shumë pak (poseduesit e kapitaleve dhe kapitali, dihet, tërheq kapital tjetër) dhe të varfërit, në fakt, një ushtri. Në 1820, kur Malthus ishte rreth të 50-ave, 94% e popullsisë jetonte në varfëri dhe vuante nga uria. Perspektivat sigurisht që nuk qenë rozë.
Kjo profeci e zymtë qe vendimtare për Karl Marksin. Sipas mendimit të tij, sistemi ekonomik nuk mund të lihej i braktisur në vetëvete. Për të kundërshtuar zhvillimet e mjegullta që të prisnin mendonte se duhej një revolucion politik. Historia na zbulon se çfarë ka ndodhur më pas: në disa vende utopia komuniste ka mundur realitetin kapitalist (shpesh ideale dhe utopi janë më tërheqës së realiteti objektiv dhe, për pasojë, konfrontimi nuk asnjëherë i lehtë). Megjithatë vendet kapitaliste, që dukeshin të destinuar në vdekjen e sigurtë, kanë përjetuar një periudhë mirëqenieje, ndërsa ato vende ku është afirmuar shumë i uruari komunizëm hap pas hapi janë transformuar në ferrin e gjallë mbi Tokë (gjë e bërë sot evidente nga diferenca dramatike midis të dy Koreve).
Pavarësisht se komunizmi ka qenë përdorues metodash radikale, si revolucioni dhe shtetëzimi, kapitalizmi duket se ia ka dalë më mirë në ndërmarrjen e realizimit të profecisë dhe të utopisë. Duke lexuar 10 pikat që Marksi propozonte në Manifestin e Partisë Komuniste, vërehet se disa objektiva thelbësorë tashmë janë arritur, jo nga komunizmi lindor, por nga kapitalizmi perëndimor. Veç kësaj, kapitalizmi ka arritur që të realizojë objektivat komunistë (përjashto shtetëzimin e pronës dhe të kapitalit) pa bujën që karakterizonte komunizmin. Ja ka dalë duke bashkuar instrumentat e kapitalizmit me ato të socializmit demokratik.
Kështu, kapitalizmi ka ditur të realizojë ëndërrat komuniste më mirë nga sa nuk ka bërë vetë komunizmi. Mos vallë është goditja më e keqe që mund t’i jetë dhënë sistemit komunist? Perëndimi e ka mundur me vetë armët e tij. Por ekonomia tenton që t’i mbivlerësojë gjithnjë e më shumë aftësitë e vet. Nga këndvështrimi i saj, pas komunizmit ishin të gjitha arësyet për të imagjinuar një të ardhme rozë. Nga ana tjetër, individualizimi i sistemit më të mirë e fitimtar – demokracisë së tregut – është folur për “fundin e historisë”. Veç kësaj, komunizmi nuk është shembur vetëm prej përplasjes ballore me Perëndimin, por nën peshën e kontradiktave të tij. Perëndimit i ka mjaftuar të rrijë duarkryq e të shikojë. Në këtë pikë, ekonomisë nuk i mbetej gjë tjetër veçse të zgjidhte një detyrë të fundit: të konvertonte pjesën tjetër të botës tek tregu dhe tek demokracia. Gjatë viteve ’90, tregjet dhe demokratizimi përfaqësonin perspektivën e vetme për kë dëshironte të jetonte në paqe, në mirëqenie e në harmoni. Dhe sot, sidomos pas përfundimit të eksperimentit në Greqi të drejtuar nga Yanis Varoufakis, gjërat nuk kanë ndryshuar. Dukshëm që e majta alternative nuk ka qenë e aftë që të imagjinojë skenare realiste, edhe kur ka ardhur në pushtet. E majta e ka humbur luftën për të ardhmen dhe parashiukimet komuniste nuk tërheqin më shumë njerëz.
Besim i tepruar
Për këtë arësye, pas rënies së bllokut sovjetik, ekonomia është bindur më shumë se kurrë për statusin e saj si shkencë dominuese. Sipas shumë ekonomistëve, ishte “mbretëresha e shkencave sociale”. Kështu që metodat ekonomike janë shtrirë tek sociologjia, tek shkenca politike dhe tek jurisprudenca. Shumica dërrmuese e ekonomistëve ishte tejet e magjepsur ndaj karakteristikave dukshëm hyjnore të “dorës së padukshme të tregut të lirë”. Ekonomistët qenë tejet të sigurtë se aftësia e tregut për t’u vetërregulluar do të në tragetonte drejt së ardhmes. Ekzistonte besim i tepruar. Sistemi kishte aq shumë besim tek vetëvetja dhe shpresaj qenë aq optimiste sa që Perëndimi ka përfunduar duke akumuluar një borxh të jashtëzakonshëm. Borxhet nuk kanë bërë gjë tjetër veçse e kanë stimuluar më tej rritjen dhe i kanë konsoliduar mekanizmat, duke e mbajtur në këmbë kapitalizmin. Pasi që të akumulohen borxhet, kreditorë e financues duhet të besojnë në mundësinë e fitimeve të ardhshme, duhet t’u japin besim të njëjta profecive optimiste. Dhe në rast se këto ëndërra nuk realizohen, vjen falimentimi.
E ardhmja nuk ka qenë kurrë ekzaltuese sa në këtë moment. Robotët e pajisur me inteligjencë artificiale mund të fitojnë qytetarinë. Parashikohet se kompjuterët do të zëvendësojnë punën njerëzorë dhe duket se mund të realizohet ajo shpresë themelore që ka karakterizuar gjithmonë historinë e njerëzimit: të reshtë së lodhur për të siguruar ngrënien. Evolucioni, deri më tani thelbësisht biologjik, mund të jetë premise e një habitati dixhital (hiperhapësirë në internet) që qeniet njerëzore po krijojnë në këtë moment. Mund të jetë agimi i një ndryshimi epokal: një “transferim” në kuptimin e vërtetë të fjalës të popujve në një realitet tjetër. Me një këmbë jemi tashmë brenda kësaj bote dichitale. Ndoshta edhe fëmijët tanë do të hyjnë akoma më shumë, pasi realiteti ynë mund të pësojë të njëjtin evolucion e përjetuar nga e kaluara: një herë e një kohë natyra ishte habitati ynë, kurse sot është bërë një atraksion për t’u vizituar herëpashere, nuk e banojmë më. Sistemi operativ Ëindoës ka qenë një produkt simbolik i imagjinatës së gjeneratës tonë, një konstruksion ideal. Emri “dritare” është absolutisht i gjetur: Ëindoës na mundëson që ta hedhim shikimin mbi një hapësirë dichitale, megjithëse duke qëndruar në një mjedis të njohur.
Parashikoj se hapi i ardhshëm do të jetë diçka e quajtur the doors, dyert. Nuk do të kufizohemi më së shikuari botën dixhitale nga një dritare që hapet në ekranet e kompjuterëve tanë, do të futemi drejtpërsëdrejti në të. Do të lëmë pas krahëve botën tonë të vjetër të realitetit, siç lamë dikur prapa krahëve pyjet, ku herëpashere kthehemi si vizitorë, pa i banuar më. Dhe do të jetë ekonomia ajo që do të na tragetojë drejt kësaj bote të re, e mirë apo e keqe qoftë ajo. Çfarë lloj bote do të jetë? Varet nga aftësia jonë për të formuluar një profeci të besueshme, për t’i dhënë jetë e për ta treguar në mënyrë që institucionet të jenë të gatshme që ta mirëpresin.
Për t’u ditur
“Krizat dhe skandalet e vitëve të fundit nuk do të thonë se ekonomia është një shkencë jo e besueshme. Këto gjëra kanë ndodhur, pasi kemi injoruar atë që tashmë dinim”, shkruan në “Los Angeles Times” John Ioannidis, Profesor Mjekësie dhe Statistike në Stanford University. “Ndoshta problem është se u kemi besuar njerëzve të gabuar. Për shembull, shumë besojnë se ekspertët e vërtetë të fushës së parasë janë miliarderët. Në realitet opinionet e tyre shpesh nuk mbajnë parasysh dëshmi shkencore dhe janë të shlira nga realiteti. Veç kësaj, disa politikanë kanë një përgatitje të dobët në fushën e ekonomisë. Kur drejtonte Eurogrupin, hollandezi Jeroen Dijsselbloem theksonte se kishte studiuar Ekonomi në universitet, por më pas u detyrua që të rrëfejë se nuk ishte e vërtetë”. Sigurisht, shton Ioannidis, nuk mund të mohohet se shumë studime ekonomike janë kryer me të dhëna të kufizuara apo të deformuara, duke prodhuar konkluzione të gabuara apo duke injoruar realitete domethënëse. “Fatmirësisht janë gjithnjë e më të shumtë ekonomistët që kërkojnë të realizojnë studime të riprodhueshme edhe nga kolegët”. Dhe shumë revista u kërkojnë më shumë transparencë hulumtuesve dhe u imponojnë që të ndajnë të dhënat, procedurt dhe softuerët evenetualisht të përdorur për përpunimin. “Anipse vitet e fundit ekonomia ka pësuar goditje të rënda”, konkludon Ioannidis, “kjo disiplinë mund të jetë ende e besueshme”.
(Tomáš Sedláček është një ekonomist çek. Nga 2001 deri në 2003 ka qenë Këshilltar Ekonomik i Presidentit Václav Havel).