Nga Boldnews.al
Pjesa më e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë dalë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit janë shkarkuar nga detyra. Shumica dërrmuese e tyre kanë marrë “karton të kuq”, për shkak të parregullsive në deklaratat e pasurisë apo për shkak të ndonjë nipi apo familjari të kapur me doza hashashi.
Disa gjyqtarë dhe prokurorë e dinin paraprakisht vendimin e shkarkimit, edhe para se të niste zyrtarisht procesi i Vetingut. Kjo kategori ose ka mbajtur qëndrime që nuk i kanë pëlqyer kryeministrit Edi Rama ose nuk kanë qenë dakord me shumë aspekte të Reformës në Drejtësi, të cilat, siç po duken tashmë, mbartin subjektivizëm dhe abuzime.
Por, shumë prej gjyqtarëve të shkarkuar e kanë pasur “suprizë” vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi ata kanë shpresuar që kryeministri Edi Rama do t’i shpërblente për qëndrimin pro-Veting që kanë mbajtur gjatë diskutimeve të gjata politike. Gjithashtu, ata kanë shpresuar edhe tek ambasadori, tashmë i larguar, Donald Lu, i cili u ka premtuar konfirmimin në detyrë, sidomos anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët kishin në dorë rrëzimin e ligjit të shumë-kundërshtuar të Vetingut.
Ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” shkoi dy herë në testin para Gjykatës Kushtetuese-fillimisht në bazë të një ankimi të Partisë Demokratike dhe më tej nga Unioni i Gjyqtarëve. Në të dy rastet, pavarësisht se ky ligj kishte dispozita “të jashtëzakonshme”, siç i konsideroi edhe Komisioni i Venecias, sërish mori dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese.
Më shumë se sa për ligjshmëri, shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese pro ligjit të Vetingut, vetëm për faktin se, me këtë qëndrim, do të fitonin “mirënjohjen” e dyshes Rama-Lu.
Vetëm dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese i qëndruan “presionit” të qeverisë, amplifikuar nga ambasadori amerikan Donald Lu. Dhe, sigurisht, ata e dinin që vetingu për ta do të ishte negativ, shumë përpara se ata vetë të dorëzonin formularët e pasurisë.
Gjyqtarët Besnik Imeraj dhe Gani Dizdari ishin të vetmit, në pakicë, që menduan zyrtarisht se ligji për të Vetingun ishte anti-kushtetues. Qëndrimi i tyre nuk u pranua, duke vendosur në këtë mënyrë edhe fatin e karrierës së tyre. Besnik Imeraj vendosi të jepte dorëheqjen nga funksioni, para se ndaj tij të niste procesi i Vetingut. Gani Dizdari qëndroi në detyrë, pavarësisht se e dinte rezultatin e paravendosur të Vetingut-ai u shkarkua rreth dy javë më parë, për faktin se e bija e tij kishte marrë hua te disa persona, të cilët, sipas KPK, nuk kishin mundësi ta ndihmonin.
Anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese, ata që i qëndruan besnik ligjit të Partisë Socialiste dhe që besuan Edi Ramën e Donald Lu, nuk patën fat më të mirë.
Fatos Lulo ishte i pari që u shkarkua nga ligji që mbështeti vetë, kur Partia Demokratke paraqiti ankimimin. Gjithësesi, Lulo kishte dhënë sinjale që, përveç këtij ligji, ai nuk do të mbështeste projekte me absurde ligjore, të mbërritura nga qeveria.
Altina Xhoxhaj nuk e vuri asnjëherë në dyshim projektin e Rama-Lu. Ajo votoi dy herë pro ligjit të Vetingut. Në fund, u shkarkua, pasi nuk plotësonte kriteret “e jashtëzakonshme” të rivlerësimit kalimtar.
Fatmir Hoxha, gjithashtu iu bind vullnetit të qeverisë dy herë. U shkarkua, pavarësisht premtimeve që mund të ketë marrë për rikonfirmimin në detyrë, mjafton që të mos nxirrte probleme të ligjit.
Vladimir Kristo, pasi bëri edhe “shërbimet e fundit” pro-qeveritare, u largua nga detyra, pasi mandati i tij në Gjykatën Kushtetuese kishte kohë që kishte përfunduar.
Bashkim Dedja, kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe njeriu që loboi më shumë tek kolegët e tij për të miratuar ligjin e qeverisë, e kaloi me një fitore “si e Pirros” fazën e parë të Vetingut. Ai kishte pritur dhe shpresuar që nuk do të kishte asnjë problem me filtrat e KPK-së. Por, nuk rezultoi kështu. Pavarësisht se u rikonfirmuar në detyrë nga shkalla e parë e Vetingut, komisionerët nuk arritën të argumentonin si duhet arsyet se përse i dhanë dritën jeshile. Dedja duhet të presë vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i cili është investuar nga Komisioneri Publik.
E vetmja që nuk ka pasur probleme deri më tani është gjyqtarja Vitore Tusha. Ajo i qëndroi linjës së qeverisë për ligjin e Vetingut, kaloi me sukses fazën e parë të KPK-së dhe ndaj saj nuk ka asnjë apelim në shkallën e dytë.
Përtej Gjykatës Kushtetuese, të paktën deri më tani, kanë zbuluar veten edhe dy gjyqtarë të tjerë në rangjet më të ulta, të cilët ndihen të zhgënjyer që i kanë besuar dyshes Edi Rama-Donald Lu.
Artan Lazaj, gjyqtar në shkallën e parë në Tiranë, pas shkarkimit nga detyra, iu kundërvu në rrjetet sociale deputetet së Partisë Socialiste, Vasilika Hysi. Në një diskutim në profilin e një gazetareje, Lazaj shkruan: “Vasilika Hysi, sa më ke zhgënjyer. Më kërkuat ndihmë për hartimin e ligjeve të Reformës, më premtuat që për këtë ndihmë të vyer do të informohej KPK dhe asnjë gjë nuk ishte bërë nga të gjithë ju”.
Të njëjtin zhgënjim shprehu edhe gjyqtari i Apelit të Tiranës, Ervin Metalla, i cili në profilin e tij në rrjete sociale publikon një vjershë bulevardeske të shumë viteve më parë: “Mora pushkën dola malit/ të luftoja në furtunë/ ku ta dija unë i varfëri/ se armiku isha unë”, duke iu referuar pikërisht faktit se edhe ai, si ekspert ligjor, ka dhënë ndihmën e tij për ligjet e Reformës në Drejtësi.
Kjo listë, me shumë mundësi do të përditësohet, pasi shumë gjyqtarë dhe prokurorë jo vetëm kanë marrë premtimet nga Edi Rama se do të konfirmohen në detyrë, por edhe do të marrin poste të larta në institucionet e reja. Në fakt, pozicione drejtuese nuk ka për të gjithë, kështu që, një pjesë e tyre do të “digjen” rrugës së Vetingut.