Prej vitesh Shqipëria ka bërë përpjekje për ndërtimin e strukturave akomoduese moderne për qëllime turistike. Praktika e koncesioneve ka qenë një praktikë e tentuar për t’u ndjekur që herët. Një koncesion i tillë do të shtrohej për diskutim në parlamentin shqiptar në fund të vitit 1933. Në një prej seancave të mbajtura në nëntor të 1933 do të diskutohej një projektmarrëveshje që ishte nënshkruar mes ministrit të Financave dhe një tregtari me banim në Durrës për ngritjen e një hotel të rangut të parë me kapacitet 100 dhoma fjetje me të gjithë kushtet e nevojshme, brenda të cilit të kishte një kazino të madhe, salla dëfrimi për ballo, një bar, një teatër dhe kinema.
Praktikisht, për Shqipërinë e atyre viteve ky resort do të ishte më i madhi në vend, e ndoshta nga më modernët e Ballkanit. (Hotel Dajti që do të ndërtohej disa vite më vonë e që do të ishte projekti më i madh hotelier në vend do të kishte 100 dhoma por sërish do të ishte më i vogël se ky projekt). Projekt koncesioni ishte lidhur mes zotit Kristaq Zagoridhi (tregtar) dhe ministrit të Financave Abdurrahman Dibra. Projekti ishte ambicioz e parashikonte ndërtimin e një resorti të ngjashëm me ato në MonteCarlo apo SanRemo. “Hoteli në fjalë do të ketë një gazino madhështore me salla dëfrimi për ballo, bar, theatro, cinema dhe për lloje të ndryshme siç janë në Sanremo, Montekarlo ku ushtrohen lojet roulette, trente, qarante, bacara, chemindefer, bulette e të tjera loje hazardi të kësaj dore.
Hoteli do të zbukurohet rreth e përqark me lulishte e pemishte që do të kenë vende të posaçme për tenis e lojna të tjera të jashtme dhe për brinjë detit një banjo moderne me organizata të shëtitjeve me barka dhe të sporteve të tjera që mund të tërheqin të huajt e ta bëjnë plazhin e Durrësit një vend dëfrimi” shkruhej në projektkoncesionin e nënshkruar në tetor të vitit 1933 e që një muaj më vonë po diskutohej në sallën e parlamentit në parim. Koncesionari merrte përsipër të shtronte me asfalt të gjithë rrugën nga qyteti i Durrësit deri në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Po ashtu, koncesionari merrte përsipër të instalonte një central elektriku për të furnizuar me energji zonën e plazhit, kundrejt tarifës që kishte caktuar për këtë shërbim Bashkia e Durrësit.
Resorti dhe ngërçi i kazinosë
Marrëveshja parashikonte se qeveria shqiptare merrte përsipër që t’i akordonte koncesionarit të drejtë ekskluzive të ushtrimit të lojërave të fatit për një afat 33 vjeçar e të mos jepte asnjë koncesion e leje të tjera për këtë qëllim. “Është e nënkuptuar se e drejta ekskluzive i përket vetëm ushtrimit të lojnave të hazardit të ndryshëm” shkruhej në projekt-koncesionin që diskutohej në parlament. Qeveria merrte përsipër gjithashtu që të vinte në dispozicion të koncesionarit gratis për të gjithë afatin e koncesionit, tokën e nevojshme për të bërë ndërtimet e instalimet e parashikuara, të cilat gjithashtu përjashtoheshin nga taksat e detyrimet doganore.
Stafi i huaj
Marrëveshja ishte e detajuar e parashikonte ndër të tjera edhe stafin që do të punësohej. Kamarierët e krupierët e kazinosë do të merreshin të huaj. “Qeveria merr përsipër me leju koncesionarin që të sjellë nga jashtë 30 persona të huaj, burra e gra, me qëllim që t’i përdorë në shërbime të ndryshme të hotelit e kazinosë” shkruhej në projektkoncesion. Mbi të ardhrat bruto të përvitshme të kazinosë koncesionari detyrohej të pagunte 10 % të të ardhurave. Shërbimi i brendshëm në kazino dhe tarifa e lojërave do të caktohej me anë të një rregulloreje të veçantë e cila do të kishte dhe pelqimin e qeverisë.
Për shfrytëzimin e kësaj sipërmarrje, koncesionari kishte të drejtë të formonte një shoqëri dhe me t’u aprovuar ajo, ky koncesion do të regjistrohej në emër të shoqërisë. Në këtë rast, kapitali themelor i saj lejohej edhe të ishte i huaj. Në përfundim të afatit të koncesionit, godinat dhe të gjitha instalimet e tjera do t’I dorëzoheshin qeverisë falas dhe në gjendje funksionale. Garancia financiare që duhej vendosur nga koncesionari ishte 60 mijë franga ari. Në relacionin e projekt koncesionit, evidentohet se një investim i tillë ka në fokus “tërheqjen e mjaft vizitorëve përjashta duke e bërë plazhin në fjalë një vend dëfrimi mjaft modern”
Qëndrimet kundra të mbajtura në seancë plenare
Diskutimi i projekt-koncesionit u bë vetëm në parim, pasi më pas do të kalote për shqyrtim në komisionet përkatëse. Megjtihatë, në këtë diskutim në parim nuk do të mungonin as kundërshtitë nga deputetë të njohur të atyre viteve. Eshref Frashëri do të dilte kundër projektit me argumentin se shkakton dëme morale e material.
“Pas mendimit tim, kjo projektligj bjen dam si materialisht ashtu edhe moralisht dhe prandaj nuk jam antar që të pranohet” do të shprehej ai. Ndërsa Fejzi Alizoti shprehej parimisht pro ndërtimit të hotelit por kundërshtonte sjelljen e stafit nga jashtë si dhe hapjen e kazinosë. “Për ngrehjen e një hoteli në plaxhën e Durrsit besoj se s’ka njeri ta kundërshtojë; po për përhapjen e nji kumara zyrtarisht nuk jam antar. Gjithashtu nuk jam antar qi koncesionarit t’i jepet cartabianca qi të sjellë kamarieret nga jashtë, me nji fjalë, qi të bajë si të duen. Po të pranohet me të drejtë me ba ndryshimet në komisjon e pranoj” u shpreh ai.
Thoma Orolloga do të kërkonte shpjegime nga ministri i Financave, nëse ishte e mundur që projekt-koncesionit t’i bëheshin ndryshime në komisione dhe nëse koncesionari do të ishte i hapur t’i pranonte ato. “Në çdo vend përjashta janë ngrehë të tilla hotele e gazino. Kur kemi një plaxhë kaq të bukur pse të mos ngrehim edhe ne një hotel kësisoj qi mund të tërheqi edhe vizitues nga jashtë. Ngrehja e nji gjaje të tillë mue nuk me duket nji gja e papëlqyeshme. Ngrehja e nji hoteli kësisoj lypë si mund ta marrin me mend secili, nji kapital mjaft të math dhe nuk dij në mund t’a kryej koncesionari. Kujtoj se po të kërkohen modifikime të arsyeshme do t’i pranoj koncesionari këto sende me gjithë se pranohen en block komisioni ka të drejtë të kërkoj modifikime. Prandaj lutem të pranohet e të shkojë në komision” do të përgjigjej ministri i Financave Abdurraman Dibra.
Projekt-koncesioni do të pranohej në parim në seancë plenare e do t’i referohej komisioneve parlamentare. Në bisedimet parlamentare nuk jepen më detaje për këtë projekt-koncesion dhe as studiuesi Haxhi Shkoza nuk e ka përfshirë në kapitullin e koncesioneve këtë projekt. Gjithsesi, investimet madhore në sektorin e hotelerisë dhe turizmit në Shqipëri do të bëheshin në fund të viteve ’30 dhe fillimin e viteve ’40 kur ndërtohen Hotel Dajti, Hoteli i Gjuetisë në Lezhë dhe ai që më vonë do të emërtohej Hotel Vollga në Durrës. Ndërkohë, në vitet ’40 në Durrës, hoteli më i famshëm do të ishte “Grande Albergo dei Dogi” i sapondërtuar (Më vonë do të emërtohej Vollga). Po ashtu, ishin edhe hotel “Augusteo”, Hotel “Europa”, Hotel “Internazionale”, Hotel “Iola”, Hotel “Isola Bella”, Hotel “Pallas” dhe Hotel “Splendido”./Scan.tv