“Top Channel” për disa ditë radhazi ka vijuar siç e quan ai “procesin e Vettingut”. Në shënjestër ka vënë gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi, i cili, nesër me datë 27 korrik 2018, del para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Top-Televizioni Kombëtar nën drejtimin e Vjollca Hoxhës dhe Ben Blushit, pas disa sulmeve radhazi sërish në edicionin e mbrëmjes së sotme, është ndalur gjatë tek gjyqtari Shkëlzen Selimi.
Ardian Dvoranin e harroi, nuk tha asnjë fjalë për të, por jo sulmin dhe protestën me soj e sorollop kundër gjyqtarit Selimi.
Topi riktheu sulmet ndaj Selimit, pasi del nesër në KPK.
Në edicionin e mbrëmjes së sotme, rreth tre minuta i janë kushtuar gjyqtarit Selimi.
“Shkëlzen Selimi, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, del nesër në Vetting. Me emrin e tij janë lidhur dosje të mëdha, të cilat si një shërbim për politikën janë mbyllur, përmendim këtu Gërdecin”, nis kronika e TCH.
Kujtojmë se ky nuk është sulmi i parë që ndërmerr TCH ndaj këtij gjyqtari.
Më 7 qershor 2018, nën moton se Top Channel ka vendosur të ndihmojë procesin e filtrimit të gjyqtarëve, “sulmohet” ashpër gjyqtari Shkëlzen Selimi, duke këshilluar shkarkimin e tij.
“Para disa kohësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i refuzuan atij vizën. Shkëlzen Selimi ende nuk ka dalë para organeve të Vettingut, por Vettingu amerikan e rrëzoi atë. Ky është edhe një sinjal se si mund të përfundojë Vettingu i vërtetë. Në listën e pasurive të gjyqtarëve Shkëlzen Selimi paga vjetore e të cilit si gjyqtar është 15 milionë lekë të vjetra në vit, ka një pasuri prej 370 milionë lekësh me një rritje prej 96 përqind”, thuhet në kronikën e datës 7 qershor 2018.
Sërish një ditë më pas, me 8 qershor 2018, Selimi është “goditur”, nga TCH, në edicionin kryesor të lajmeve, duke e qujatur si gjyqtar të skandaleve.
Sipas TCH, mjafton të kërkosh në internet për gjyqtarin Shkëlzen Selimi dhe aty konstaton denoncime pa fund të medias për vendimet gjyqësore dhe pasuritë përrallore të gjyqtarit të lartë.
Nuk kanë përfunduar këtu shenjëtsrimi ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartës. Në edicionin informativ të datës 19 qershor 2018, TCH, sjell kronikën “Ana Veizi kërkon drejtësi: Si e zë gjumi Shkëlzen Selimin? Më vrau babanë për së dyti”.
Dhe më 17 korrik 2018, TCH, është kapur sërish me gjyqtarin Selimi, duke e etiketuar atë si “miku i kriminelëve”.
“Pas Thanzës që si gjyqtar ka shkuar deri ne kushtetuese, u shkarkua Tom Ndreca për shkak të problemeve me drejtësinë. Furtuna po vijon, në Vetting është Artan Zeneli gjyqtari me probleme me pasurinë e tij, ndërsa shpejt ne siten e vettingut hyn, miku i kriminelëve, Shkëlzen Selimi”, thuhet në kronikë.
Qenia e Top Channel në një objekt gjyqësor dhe pronarët e tij palë ndergjyqëse në gjyqin ku gjykon dhe Shkelzen Selimi, dhe hedh poshtë moton e TCH se po ndihmojnë procesin e Vettingut.
Po kush është gjyqtari Shkëlzen Selimi që Top Channel i bën gjyqin publik?
Me një eksperiencë të gjatë pune si gjyqtar Z. Shkëlzen Selimi, emërohet anëtar i Gjykatës së Lartë në qershor të vitit 2011. Z. Selimi ka lindur në 03.05.1974 dhe pas diplomimit si jurist në qershor 1996 për një periudhë të shkurtër kohe ka punuar si kryesekretar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë.
Në shtator të vitit 2000 është diplomuar “Magjistrat” pas përfundimit të studimeve në Shkollën e Magjistraturës, Tiranë. Në tetor 1999 deri në shtator 2000.
Z. Shkëlzen Selimi ka ushtruar detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe gjatë periudhës 2000-2011 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Z. Selimi, krahas ushtrimit të detyrës së gjyqtarit, ka dhënë kontribut dhe si pedagog i jashtëm pranë Universitetit “Ismail Qemali” dega drejtësi në Vlorë dhe në Universitetin jopublik “Pavarësia”, dega drejtësi, në Vlorë.
Aktualisht Z. Selimi është pedagog i jashtëm pranë fakultetit të drejtësisë Tiranë si dhe ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës.
Selimi është magjistrati parë që shkoi në Gjykatën e Lartë si gjyqtar karriere. Në Vlorë ka gjykuar dhe dënuar Vasil Bollanon që hoqi tabelat e rrugës në gjuhën shqipe.
Selimi është gjyqtari që ka mbajtur peshën më të madhe të çështjeve penale në Gjykatën e Lartë. Ka gjykuar bandën e Lushnjës, bandën e Cërrikut, të fortin e Shijakut Ilir Xhakja me burgim të përjetshëm, Dritan Dajtin për vrasjen e katër policëve, Arben Frrokun me burgim të përjetshëm, bandën e Durrësit, trafikantët e njerëzve për në ShBA, kolegene tij të Gjykatës së Lartë, duke e dënuar Majlinda Andrea për korrupsion, rastin e Gërdecit, çështjen e 21 janarit, masën e sigurimit të Emiljano Shullazit etj./CNA.al