Nga Boldnews.al
Artan Broci, anëtar i Gjykatës së Lartë dhe një prej gjyqtarëve më të pasur në Shqipëri, sipas deklaratave publike të pasurisë, ende nuk është përfshirë në procesin e Vetingut. Ai është pjesë e listës prioritare të verifikimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Por ky institucion nuk duket se ka ndërmend ta përfshijë shpejt në kontroll, duke shtuar fiktivisht në listë prioritare emra gjyqtarësh e prokurorësh, për të cilët nuk ka asnjë urgjencë.
Mesa duket, Artan Broci nuk do të kalojë në filtrin e vetingut, deri sa ai të përfundojë një proces të rëndësishëm që ka në dorë. Ai është relator në procesin gjyqësor për pronësinë e Top Channel, ku administratorja aktuale, Vjollca Hoxha ka ngritur një padi civile ndaj dy aksionerëve të tjerë, të cilët kanë edhe shumicën e aksioneve.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili tashmë rezulton se po vepron me standarte të shumëfishta, ka gjetur “mekanizmin” për të shmangur llogari-dhënien e shpejtë të Artan Brocit. Komisioni i Vetingut ka përfshirë në “listë prioritare” disa gjyqtarë e prokurorë, të cilët, sipas ligjit, nuk duhet të ishin ndër të parët që do të kontrolloheshin. Në këtë mënyrë, Komisioni i Vetingut po i bën nder gjyqtarit Broci, duke ia shtyrë daljen në seancë dëgjimore, me shumë mundësi, derisa ky i fundit të japë vendimin për çështjen e pronësisë së Top Channel.
Duket qartë se fati i karrierës së gjyqtarit Broci është në varësi të vendimit që do të japë për padinë e Vjollca Hoxhës kundër aksionerëve të tjerë.
“Boldnews.al” ka identifikuar të paktën 3 raste, kur Komisioni i Vetingut ka përfshirë si subjekte prioritarë kontrolli gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët mund të kalonin në një kohë shumë më të vonë. Në listën prioritare të Vetingut ligji ka përfshirë anëtarët e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, Prokurorin e Përgjithshëm, si edhe kandidatët për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Brikena Ukperaj (Lubonja), gjyqtare në Apelin e Vlorës, u përfshi në listën prioritare të Vetingut, pavarësisht se ajo nuk është kandidate për asnjë prej institucioneve të reja të drejtësisë. Ajo ishte anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) vitin e kaluar. KED është një institucion, anëtarët e të cilit kanë mandat një-vjeçar dhe emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët bëjnë pjesë në të, ndryshohen çdo vit. Gjyqtarja Ukperaj ishte anëtare e KED-së para se të fillonte procesi i vetingut. Tashmë, ajo nuk kandidon për asnjë prej strukturave të reja të drejtësisë, e, megjithatë, Komisioni i Vetingut e përfshiu në “listën prioritare”.
Dritan Rreshka, prokuror në Tiranë përballet të enjten me Komisionin e Vetingut. Rreshka kandidoi fillimisht për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Por, kur në janar të vitit 2018 u caktua si drejtues i Prokurorisë së Tiranës, Rreshka dha dorëheqjen nga kandidimi për në KLP. Pra, automatikisht, ai përjashtohej nga “lista prioritare” e Vetingut. Por, dorëheqja e Rreshkës nga kandidimi nuk ka ndikuar aspak që Komisioni i Vetingut të pezullonte përkohësisht procedurat ndaj tij, për të vijuar me gjyqtarët e prokurorët që kanë më tepër përparësi, përfshirë edhe gjyqtarin Artan Broci.
Rovena Gashi, prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme, ishte pjesë e listës prioritare të Vetingut, për shkak të kandidimit për në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED). Por, prokurorja Gashi, prej muajit Maj 2018, rezulton në pamundësi të ushtrimit të funksioneve të saj, për shkak se është pezulluar nga detyra në vijim të një procesi penal të nisur me nxitjen e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme. Pra, edhe procesi i Vetingut ndaj Gashit nuk kishte asnjë “emergjencë”.
Raste të tilla, me Veting për subjekte jashtë “listës prioritare”, krijojnë dyshime të forta se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po krijon artifica ligjore dhe procedurash, me qëllim shtyrjen në kohë të rivlerësimit të gjyqtarit Artan Broci. Këtij i fundit, me një pasuri shumë herë më të madhe se sa një pjesë e mirë e kolegëve të tij, ende nuk i është caktuar se kur do t’i vijë radha për të dhënë argumentat e tij ligjore mbi asetet dhe llogaritë bankare të krijuara gjatë karrierës së tij.