Deputeti i PD: Shkolla e magjistraturës nuk e zgjidh kolapsin. Numri i studentëve i kufizua, duhen disa vite derisa studentët të bëhen magjistratë. Zgjidhja e vetme është rikthimi ne shinat kushtetuese që shtroi 22 korriku 2016.
Reforma në Drejtësi, e cila në 21-22 korrikun e 2016-ës, theu tabunë e historikut të Parlamentit shqiptar, duke marrë 140 vota pro, në bazë të së cilës do të ngrihej një sistem i ri drejtësie, sot, pas dy vitesh, jemi në kolaps. Debati politik ka qenë dhe vijoi të ishte i nxehtë deri në ditën e fundit të punimeve të parlametit, ku u shty për në shtator ligji për emërimet e magjistratëve të rinj. “Standard”, i drejtoi disa pyetje deputetit Oerd Bylykbashi, ky i fundit anëtar i Komisionit të posaccëm në atë të reformës në drejtësi si edhe anëtar i Komisionit të Ligjeve. Bylykbashi u pyet nga gazeta lidhur me procesin e Vetting-ut, ku u shpreh se nuk kemi të bëjmë vetëm më një system drejtësie të korruptuar, por kemi të bëjmë me një administratë të korruptuar e cila ka çuar në kolaps gjithë sistemin. Nuk ngurroi të pohonte edhe njëherë se Drejtësia është e kapur politikisht nga Kryeministri Rama në mbrojtje të interesave të tij. Më tej i pyetur lidhur me atë çafrë po ndodh aktualisht në Sistemin e Drejtësisë, ku theksoi se ato vvafrë përmbnante Reforma e re nuk janë përmbushur absolutisht. Në fund të intervistës, lidhur me çështjen aktuale, ligji për magjistratët e rinj, në të cilin mazhoranca propozi disa ndryshime, Bylykbashi citoi se ky ligj, në 2014-ën ka qenë me shumicë të thjeshtë, ndërsa tani, për të siguruar kapjen absolute, u tentua kalimi me shumicë absolute, gjë që opozita nuk do ta pranojë në asnjë moment.
Sa i përket Vetting-ut, në përballjen me këtë proces, një pjesë e mirë e atyre që iu ushtrohet ky i fundit, ka ndodhur që ose janë larguar para nënshtrimit ose nuk e kanë kaluar procesin. A është ky një tregues që institucionet e drejtësisë ishin të mbushur me anëtarë të papërshtatshëm në ushtrimin e profesionit?
Sigurisht që në sistemin e drejtësisë ka shumë gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Po aq e vërtetë është që ky korrupsion ka prekur edhe pjesë të tjera të sistemit siç janë avokatët që shpesh kanë qenë ndërmjetësit e korrupsionit. Një pastrim i thellë dhe pa kompromis i korrupsionit dhe i lidhjeve me krimin që kanë elementë të sistemit të drejtësisë, është i domosdoshëm. Në Shqipëri, shpesh ishte më e lehtë të blije drejtësinë sesa të paguaje një avokat të zotin. Ky mekanizëm shpesh i ka hapur rrugën padrejtësisë dhe ka çuar në këtë perceptim të përgjithshëm mbi sistemin e drejtësisë. Por një gjë duhet të jetë e qartë: është administrata publike e korruptuar, e paaftë, abuzive apo e politizuar që çon në veprime të padrejta e që i detyron njerëzit të përplasen në dyert e gjykatave. E kur lumi i padrejtësive që duhet të filtrohet nga drejtësia është i madh, edhe sistemi i drejtësisë korruptohet. Pra burimi i të keqes nuk është gjykata por administrata e padrejtë. Pa pastruar burimin e padrejtësive, filtri i ri siç mund ta quajmë sistemin e ri të drejtësisë, do të fëlliqet sërish. Problemi me vetingun është se jo vetëm është një mekanizëm që godet pa dallim të korruptuarin dhe të ndershmin duke përkeqësuar më tej perceptimin publik për drejtësinë, siç thotë Komisioni i Venecias në paragrafin 98 të Opinionit të Ndërmjetëm, por problemi kryesor është se është mekanizëm i kapur politikisht që përdoret me qëllim për të kapur më tej sistemin e drejtësisë. Jo vetëm kandidatët për organet e vetingut kishin përgjithësisht një cilësi të pamjaftueshme për një detyrë kaq delikate, por ishin dukshëm të njëanshëm politikisht, duke bërë të paqenë të drejtën e opozitës që të zgjidhte një pjesë të tyre siç udhëzonte Komisioni i Venecias në paragrafin e famshëm 88 të Opinionit Final.Të mos harrojmë, respektimi i këtij paragrafi çoi në konsensusin e 22 korrikut 2016. Rezultatet e deritanishme tregojnë raste flagrante standartesh të dyfishtë kur për të njëjtat kushte disa janë pushuar nga detyra e të tjerë janë konfirmuar vetëm sepse bindja apo shërbimet ndaj qeverisë kanë qenë vendimtare. Në fakt, për luftën ndaj korrupsionit në drejtësi, mekanizmi që mungonte më parë në sistemin e drejtësisë ishte një prokurori antikorrupsion apo siç e quajmë sot SPAK. Tashmë e kemi por vetëm në letër, sepse ka më shumë se një vit që e bllokon ngritjen e tij. Korrupsioni është krim dhe krimi ndëshkohet. Komisionet e vetingut vetëm i shkarkojnë të korruptuarit ndërkohë që ata duhen çuar para drejtësisë. SPAK që mund ta bënte këtë sot mbahet qëllimisht i bllokuar nga Rama, sepse sapo ai të ngrihet, do të marrë dosjet e ministrave të Ramës nga dollapet ku i mban të kyçur Prokurorja e Ramës Arta Marku.
Gjykatat, Prokuroritë, pas nënshtrimit të Vettingut për anëtaret, kanë ngelur me një numër shumë të vogël anëtarësh. Përpos, institucione të ngritura drejtësie, në bazë të reformës së nisur, nuk kemi. Por edhe ato aktualët po shkojnë drejt një procesi denigrues. Çfarë po ndodh me sistemin e drejtësisë dhe pse?
Sistemi i drejtësisë është në kolaps total për shkak të një reforme të konceptuar keq, hartuar keq dhe ku qartazi qëllim kryesor ka qenë kapja. Me marrëveshjen e 21 korrikut 2016, opozita siguroi zbatimin e plotë të paragrafit 88 te Opinionit të Komisionit të Venecias. Ai paragraf siguronte që organet e vetingut dhe dy organet kryesore të drejtësisë së ardhshme, KLGJ dhe KLP, të mos kapeshin politikisht. Ishte kjo marrëveshje që pikërisht para dy vjetësh, në orët e para të 22 korrikut 2016, të votoheshin ndryshimet kushtetuese me unanimitet. Sigurisht problemet e rënda të strukturës së sistemit të ri të drejtësisë mbeteshin aty, por konsensusi do të zbuste ato. Për fat të keq, konsensusi u thye, dhe 6 ligje kryesore përfshirë atë të vetingut, u miratuan pa konsensus dhe për më keq, në thyerje të kushtetutës. Vetëm ligji i SPAK u miratua me konsensus sepse u pranuan propozimet e opozitës me mbështetjen e ndërkombëtarëve. Opozita ka kohë që e ka kryer rolin e saj. Dha votat e konsensusit me 22 korrik pra i dha besuëshhmëri reformës, denoncoi më pas shkeljen atij konsensusi nga mazhoranca, u ankua në Gjykatën Kushtetuese për shkeljet e Kushtetutes dhe megjithatë, mori pjesë në procesin e vetingut dhe të KLGJ e KLP. Por opozita nuk mund të pranojë që mazhoranca e Edi Ramës të kapë drejtësinë. Aktualisht, Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë jane mbyllur, Prokuror të Përgjithshëm sipas kushtetutës nuk ka dhe ajo që është në detyrë është një shkelje flagrante e kushtetutës. KLGJ dhe KLP nuk ngrihen dot sepse janë të bllokuar nga vetingu dhe nuk dihet kur do të ngrihen. Pa to nuk ka Prokuror të Përgjithshem, gjykatë të posaçme antikorrupsion, SPAK dhe BKH, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është i bllokuar dhe kjo pengon zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Pra siç e shihni, ky është një kolaps total dhe nuk shihet fundi i këtij tuneli të errët për shqiptarët që duan drejtësi, duan gjykata të drejta që nuk i kontrollon qeveria.
Sa i përket ligjit që është kaluar për miratim në Kuvendin e Shqipërisë, për emërimet e magjistratëve të rinj. Ndryshimet në këtë ligj janë kundërshtuar nga opozita. Çfarë mund të thoni për këtë tentim të mazhorancës?
Mazhoranca ndërtoi të gjithë sistemin në funksion të kapjes së drejtësisë. Këtë bënë edhe me shkollën e Magjistraturës. Pasi e vune nën kontroll, e kthyen ligjin e shkollës nga një ligj i thjeshtë në ligj me shumicë të cilësuar. Kjo, vetëm që të çimentonin kapjen në të ardhmen e të mos ndryshohej dot ligji pa votat e tyre. Sa për kujtesë, në 2014 e ndryshuan ligjin me votat e tyre me shumicë të thjeshtë vetëm që të shkarkonin drejtorin e shkollës. Pra dikur ishte ligj i thjeshtë, sot është ligj me shumicë të cilësuar që askush të mos ketë mundësi të zhbëjë mekanizmin e kapjes që kanë futur në ligj. Çështja është se i bënë llogaritë gabim me reformën dhe vetingun. Nuk llogaritën që vettingu do të shkaktonte shpejt një gropë në sistem dhe mungesë gjyqtarësh e prokurorësh. Pra do të bllokohej drejtësia. Por shkolla e magjistraturës nuk e zgjidh dot këtë. Numri i studentëve është i kufizuar dhe i pamjaftueshëm e në çdo rast, duhen disa vite derisa studentët të bëhen magjistratë. Deri atëherë, shqiptarët nuk do të kenë gjykatë ku të ankohen për padrejtësitë e qeverisë dhe administratës së saj. Nga ana tjetër, PS synon që të hapë udhën që Shkolla e Magjistraturës të regjistrojë studentë me bindje të majtë e që më pas do e kthejnë favorin tek Rama kur në rolin e gjyqtarit dhe prokurorit, do të mbyllin dosjet e korrupsionit të Ramës dhe ministrave të tij. Opozita nuk mund të pranojë kapjen afatgjatë të drejtësisë nga partia që qeveris dhe as mund të pranojmë që dështimi i sistemit të kurohet me aspirinë dhe çaj të nxehtë. Sëmundja që është në zemër të dështimit është shumë më e rëndë, është shkelja në çdo aspekt i konsensusit kushtetues të dy viteve më pare, ndaj mazhoranca nuk mund të presë që opozita të votojë këtë ligj. Zgjidhja e vetme është rikthimi ne shinat kushtetuese që shtroi 22 korriku 2016. /Gazeta Standard/