Pak ditë më parë, regjisori Altin Basha dha një intervistë për gazetën “Panorama”, në lidhje me takimin e shumëpërfolur me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Takim, që nga ana e Bashës u komentua si “marrëveshje”, ndërsa nga mbështetësit e kauzës për mbrojtjen e godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar, si një takim “individual” dhe nuk përfaqësonte Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.
Përballë sulmeve që degjeneruan në denigrim personal, sidomos në rrjetet sociale, Basha tregon të vërtetën e tij në lidhje me takimin me kryebashkiakun, që, sipas tij, kishte dakordësinë e Aleancës dhe SASE.
Basha është shprehur se ai dhe kolegët e tij u “tradhtuan”, ndërsa nuk u dëgjua fjala e tyre dhe Aleanca i është shmangur përballjes. Pas kësaj interviste, vjen reagimi i Alert Çeloaliajt, kryetar i Sindikatë së Artistëve të Skenës dhe Ekranit (SASE).
ALERT ÇELOALIAJ
Më datën 13 korrik 2018, në gazetën “Panorama” u botua një intervistë e gjatë e gazetares Alma Mile me regjisorin Altin Basha, me titullin: “Altin Basha: Ç’ndodhi në takimin me Veliajn, si na tradhtoi Aleanca”. Duke qenë se në brendi përmendet vetëm, po citoj: “SASE na tradhtoi…”, po ashtu, se në tërësinë e intervistës pas fjalës “Aleanca” (Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, AMT), fjalët më të përdoruara janë “SASE” dhe mbiemri im, pra, Çeloaliaj, unë si Alert, dhe në këtë rast si kryetar i Sindikatë së Artistëve të Skenës dhe Ekranit, e quaj të nevojshme të them të gjithë të vërtetën.
TË VËRTETA DHE TË PAVËRTETAT
Është i vërtetë takimi i datës 25 qershor dhe pjesëmarrësit gjithashtu: Ema Andrea, Robert Budina, unë, Neritan Liçaj, Alfred Trebicka, Romir Zalla, Taulanda Jupi, Arben Derhemi dhe Z. Basha. E vërtetë dhe e sigurt është se ky takim nuk është thirrur nga unë apo nga SASE. Që në fillim të takimit bëra të qartë se qëndrimi im ishte i palëkundur, për shkak të bindjeve të mia, se isha për mbrojtjen e Teatrit aktual. Z. Basha përsëriti mendimin se ishte për teatër të ri. Hodha idenë se duhej një konventë mbarëkombëtare e aktorëve dhe regjisorëve që të merrej vesh nëse ishin pro një teatri të ri apo për të mbrojtur teatrot aktuale TK dhe TKE, si dhe duhet të mblidhej asambleja e SASE për të marrë vendimin e shumicës së anëtarësisë.
Pasi të merreshin këto vendime mund dhe duhet të shkonim të takonim Z. Veliaj, qoftë edhe në zyrën e tij. Në mbyllje të takimit, z. Basha propozoi që konventa kombëtare e komunitetit teatror duhet të mbahej brenda 2 ditëve, pra, logjikisht më dt. 27 qershor 2018. Për rrjedhojë, është totalisht e pavërtetë se me organizimin e takimit me z. Veliaj u ngarkuam unë dhe z. Derhemi. Ashtu siç është e pavërtetë se, po citoj: “Alerti kërkoi kohë që të mblidhej kryesia e SASE-s dhe të zgjidhnin se kë do të kishin përfaqësues”. Çfarë do të negocionin përfaqësuesit e SASE, kur asambleja për vendimin “PRO MBROJTJES SË TEATRIT AKTUAL DHE NJË TEATRI TE RI DIKU TJETER” apo “PRO NDËRTIMIT TË NJË TEATRI TË RI”, u saktësua pas takimit të datës 25 dhe u vendos të mbahej më dt. 28 qershor 2018?!!!
Për sqarim, kjo asamble doli me 75% të votave “PRO MBROJTJES SË TEATRIT AKTUAL DHE NJË TEATRI TE RI DIKU TJETER”. Gjithashtu është e pavërtetë se unë kam konfirmuar po atë pasdite pjesëmarrjen në takimin me z. Veliaj. Ajo që mund të konfirmoj është se ky takim nuk organizohej nga SASE dhe për aq sa më takon as nga AMT. Refuzimin tim për pjesëmarrje në atë takim e kam bërë të qartë edhe në komunikimin e drejtpërdrejtë me z. Veliaj si dhe në takimin që kam pasur me z. Derhemi, më dt. 26 qershor, pas protestës së përditshme në Teatër.
Është i pavërtetë edhe pretendimi për sa i përket konkursit ndërkombëtar. Pas leximit të deklaratës, e kam sqaruar z. Bojaxhi se “pranimi nga ana ime i konkursit ndërkombëtar do të komprometonte qëndrimin tim në mbrojtje të kësaj godine Teatri, pasi konkursi mund të shpallte fitues një projekt për një teatër të ri, po në atë vend, dhe se ky ishte një risk që unë nuk mund ta ndërmerrja, as kundër vetes dhe as kundër Teatrit”. Në fund, unë, SASE dhe AMT votuam për deklaratën që paralelisht kishte përgatitur z. Kastriot Çipi.
“TRADHËTIA” E SASE DHE ÇËSHTJET E PËRFAQËSIMIT
Mendimi im është se z. Basha ka gjithë të drejtën të takohet me kë të dojë dhe ku të dojë për çështjet që e shqetësojnë. Por kjo e drejtë nuk vjen bashkëngjitur me të drejtën për të përdorur emrin tim për të përligjur veprimet që ai ndërmerr. Nuk është e vërtetë se unë, qoftë personalisht, apo si kryetar i SASE, t’i kem kërkuar z. Basha të më përfaqësojë, mua apo SASE, në takimin e dt. 27 qershor. Së pari e pohon kontradikta kur thotë se, po citoj: “në takim do të shkonim unë, Arben Derhemi, Alfred Trebicka dhe Alert Çeloaliaj”, e më pas, po citoj: “ …kur u takuam për të shkuar në bashki, Derhemi më thotë që Çeloaliaj nuk vjen…”. Nëse do të isha pjesë e takimit, përse do të më duhej të përfaqësohesha nga z. Basha?! Nëse mori vesh që nuk do të shkoja, ku dhe kur i kërkova të më përfaqësonte?!
Së dyti, në asnjë rast, statuti i SASE nuk i jep të drejtën as kryetarit dhe as kryesisë të tjetërsojë të drejtën e përfaqësimit te të tretë, e drejtë që mbrohet fort nga anëtarësia; nëse do të donin të përfaqësoheshin nga dikush tjetër, do të kishin zgjedhur dikë tjetër.
Së treti, z. Basha mori pjesë në dëgjesën e dt. 25 qershor në hotel “Tirana” dhe jo si përfaqësues i SASE. Madje, ai vazhdoi të qëndronte në takim edhe pasi i dërguari i AMT, z. Neritan Liçaj, u largua nga dëgjesa.
Së katërti, përfaqësimi vjen si paketë edhe me raportimin (apo dhënien llogari) për aktivitetin ndaj subjektit të përfaqësuar (SASE), gjë që z. Basha nuk e ka bërë kurrë dhe as nuk i është kërkuar, as nga unë e as nga SASE, për faktin e thjeshtë se nuk i detyrohet asgjë SASE-s, ngaqë nuk është pjesë e strukturave të saj dhe nuk e përfaqëson SASE-n.
Për të gjitha sa më lart, i kërkoj z. Basha të mos përgojojë më emrin tim dhe të sqarojë se cilët pjesëtarë aktualë të AMT i kanë kërkuar të “na përfaqësojë”. Nëse z. Basha ndihet “i tradhtuar”, kjo nuk vjen si pasojë e veprimeve të SASE. Unë nuk mbaj përgjegjësi për trollët në internet, madje e kam denoncuar dhe e denoncoj çdo qëndrim denigrues, fyes apo nëpërkëmbës ndaj kujtdo kolegu në çfarëdo forme të shfaqet ky qëndrim. Të njëjtën gjë ka bërë edhe SASE dhe AMT.
QËNDRIME PERSONALE
Në intervistë thuhet, po citoj: “Të përballemi në një debat televiziv… të debatojmë dhe të thonë të vërtetën”…. “Kam qenë dhe jam i hapur për çdo lloj ballafaqimi… por ata kanë një problem me të vërtetën e tyre” … “E kam kërkuar vazhdimisht këtë ballafaqim dhe vazhdoj ta kërkoj, por heshtin…”. Z. Basha, jam i detyruar që edhe një herë t’ju përgënjeshtroj për këto të pavërteta. Jeni ju që i jeni shmangur ballafaqimit. Nuk është e vështirë që të marrësh takim me kryesinë e SASE: çdo ditë, në ora 19:00, në sheshin e Teatrit.
Por unë mendoj se jeni ju që i jeni shmangur takimit. Unë dhe ju kemi qenë vetëm 15 metra larg njëri-tjetrit, sepse ju, deri më datë 7 korrik, keni zhvilluar prova në sallën “Gëte” të TKE-së, ndërsa unë ndodhesha në protestë aty në shesh. Kurrë nuk erdhët të më takoni, as mua, as kolegët e mi. Për sa i takon kthimit të lëvizjes sonë në një lëvizje të ideuar dhe frymëzuar nga PD, edhe këtë nuk e marr seriozisht.
Për aq kohë sa kemi qenë miq, besoj mund ta kujtoni që unë nuk kam anuar nga e djathta (ose të paktën jo nga e djathta në Shqipëri). Ashtu si ju, e dinë edhe mjaft miq të mi që prej vitit ‘91, të cilët sot militojnë në PD. Nuk e marr seriozisht, sepse nuk besoj se dëshironi të etiketoni si PD-istë mjaft figura të jetës publike, artistike dhe kulturore që vazhdojnë t’i bashkohen sheshit para Teatrit. Apo nuk mendoj se doni të thoni se edhe vota abstenuese e z. Pandeli Majko (të cilin e falënderoj) ka qenë e ndikuar nga PD.
Tek e fundit, unë edhe ju kemi ndarë të njëjtin podium aty në shesh, pra, mund të keni qenë edhe ju i influencuar nga PD kur keni folur. Për sqarim, në dt. 7 maj 2018, në sallën e TKE u ftuan nga SASE të vinin për debat të 140 deputetët e kësaj legjislature. Për fat të keq vetëm opozita u shfaq, edhe ata jo të gjithë. E vlerësoj qëndrimin e tyre si qytetarë dhe i falënderoj për mbështetjen, agjenda e tyre politike rastësisht përputhet me kërkesat tona. Kauzat nuk legjitimohen nga mbështetja ose jo e opozitave të momentit, por nga drejtësia e tyre.