Sa vite doni të jetoni? 100 vjeç tani s’duket më si ndonjë synim dhe aq i lartë. Në vitin 1983, mbretëresha e Anglisë dërgoi 3000 telegrame urimi për persona që po mbushnin 100 vjeç në të gjithë vendin. Në vitin 2016 u dërguan 14,500.
Një në tre fëmijë të lindur në atë vit pritet që të jetojnë aq sa për të arritur numrin me tre shifra. Mos duhet të marrësh një tjetër urim kur të arrish 105 vjeç? Një studim i viteve të fundit tregon se çdo vit që vjen pasi ke mbushur 100 vjeç, mundësitë për të jetuar më gjatë rriten e bëhen 50 me 50, më lart se për 80 vjeçarët. Nëse mbush 123 vjeç, thyen rekordin botëror të arritur nga një grua franceze, e cila vdiq në vitin 1997.
Për shumë të tjerë, as aq nuk mjaftojnë. Shkencëtarë të pavarur si Aubrey de Grey po përpiqen të gjejnë një “kurë” për degjenerimin e trupit me moshën, ndërkohë që trans-humanistët duan ta shmangin fare problemin e plakjes së trupit duke e transferuar mendjen te diçka më jetëgjatë, si realiteti virtual.
Është bërë e modës, prej kohësh tashmë, që dëshira të tilla të shihen si budallallëk naiv. Njerëzit janë gjallesa të vdekshme. Të mençurit e përqafojnë këtë koncept, ashtu si dhe idenë e vdekjes së pashmangshme. Për këta shpirtra të mençur, jetëgjatësia është një mallkim i maskuar si dhuratë. Filmi “Krahët e Dëshirës”, nga Uim Uenders, tregon se si engjëjt lodheshin me jetët e tyre të pafundme dhe dëshironin fort të ishin të vdekshëm. “Çështja Makropolos” e Karel Çapek, e përshtatur në opera nga Janaçek, flet për një grua që zbulon ilaçin magjik të përjetësisë, dhe që mërzitet për vdekje vetëm pas 300 vitesh.
Realistët e kuptojnë se natyra e përvojës njerëzore është ajo e përkohshmërisë. Kjo shpjegohet më së miri në konceptin japonez “mono no avare”, që shpesh përkthehet si “patosi i gjërave”, ndjesia se çdo përvojë, edhe më e mrekullueshmja, ngjyroset nga trishtimi se nuk ka për të zgjatur. Të jesh i përgjegjshëm për këtë nuk e pakëson lumturinë gjatë përvojës, por e shton.
Për shembull, mbaj mend që kam parë Leonard Kohenin në atë që doli se ishte turneu i tij i fundit. Si ai, ashtu dhe publiku, e dinin që kjo mund të ishte hera e fundit që po dilte në skenë. Kjo i dha koncertit një thellësi emocionale, e bëri shumë prekës dhe të paharrueshëm. Por a do të kishim shkuar në koncert, po të dinim se do të vazhdonte të jetonte deri në vitin 2100 e më tej?
Kur dëshirojmë jetën e pafund, ne mohojmë natyrën e përkohshme të gjithçkaje që na rrethon, sidomos të vetes sonë. Të përfytyrosh jetën e përjetshme duhet të hamendësosh se jemi krijesa me vazhdimësi të pafundme. Por filozofët bashkëkohorë, neurokirurgët, psikologët dhe budistët e hershëm bien të gjithë dakord se uni i çdo njeriu është në një fluks të vazhdueshëm, të cilit i mungon thelbi që nevojitet për të qenë të pandryshueshëm dhe të përhershëm. Me pak fjalë, nuk ka asgjë që do të mbijetonte përjetësisht.
Merreni seriozisht këtë mendim, dhe do ta shihni se si ideja e të jetuarit përgjithnjë nuk është e logjikshme. Nëse trupi mund të vazhdojë të durojë me mijëra vite, uni juaj që ekziston tani, në ç’kuptim mund të vazhdojë të ekzistojë edhe në atë kohë? Do të ishte më shumë si një pasardhësi juaj, jo një vazhdimësi e juaja. Ndonjëherë më duket e vështirë ta identifikoj veten me atë që kam qenë në adoleshencë, dhe bëhet fjalë për vetëm 40 vite më parë. Nëse ndryshoj, unë bëhem dikush tjetër. Nëse nuk ndryshoj, jeta ngec në vendnumëro dhe e humb drejtimin.
Edhe po të mbijetojmë për qindra vite, përqendrimi tek e ardhmja shton rrezikun për të lënë pas dore të tashmen. Është një ndjesi e vërtetë, në të cilën ekzistojmë vetëm këtu dhe tani. Të jesh plotësisht i gjallë, duhet që e tashmja të jetë sa më e plotë. Ëndrrat për përjetësi bien ndesh me realitetin e jetës së përkohshme.
Sado të sakta të jenë argumentet kundër pavdekshmërisë, pak gjasa ka që shumica e njerëzve të binden e të sigurohen nga këto mendime që duken të mençura. Ashtu siç besimi te jeta pas vdekjes na ndihmon ta çlirojmë mendjen nga thumbi i vdekjes, po ashtu ndihmon edhe bindja se në fund të fundit nuk është dhe aq thumb.
Aristoteli ishte shumë i ndjeshëm me këtë çështje. Ai refuzonte argumentet e Platonit dhe stoicizmit se vdekja nuk ishte asgjë për t’u parë me pendim. Sa më mirë ta jetojmë jetën, aq më shumë do të stresohemi nga mendimi i vdekjes. Kur e vlerëson jetën si diçka që ia vlen të jetohet, e ndien se çfarë humbjeje e madhe është kur vjen fundi. Të jetosh përgjithnjë mund të jetë fat i tmerrshëm, por të jetosh më gjatë se kaq, dhe me shëndet të mirë, duket si diçka e mrekullueshme.
Një gjë është ta pranosh vdekshmërinë si pjesë të domosdoshme e ekzistencës sonë si qenie me trup fizik, që jetojnë në një kohë të caktuar. Por është tjetër gjë ta shohësh vdekjen me romantizëm ose të mendosh se nuk është gjë e keqe. Pavdekshmëria mund të jetë një ide idiote, por të jetosh më shumë se kaq nuk duket aspak ashtu. Prandaj, qëndrimi im ndaj vdekjes është i ngjashëm me qëndrimin e Augustinit ndaj pastërtisë së virgjërisë. Po, dua të jem i vdekshëm, por të lutem… jo që tani.
Julian Baggini, filozof britanik, The Guardian