Një nga librat që të mbeten në kujtesë, në gjuhën angleze, është “Vdekja e Çuditshme e Anglisë Liberale”. A po dëshmojmë tani vdekjen e çuditshme të një Europe liberale?
Tashmë që populizmi anti-liberal ka pushtuar zemrën e Europës, duke kërcënuar edhe postin e kancelares gjermane, Angela Merkel, rreziku është më i dukshëm se kurrë. Në Europë është krijuar një përçarje e re politike, që është po aq e rëndësishme sa ndasia e vjetër midis së majtës e së djathtës. Ka krijuar fraksione mes partive ekzistuese dhe ka sjellë krijimin e të rejave. Po hap fronte të reja midis kombeve si dhe midis partive. Në njërën anë është kampi “Merkron” (Merkel-Makron), dhe në anën tjetër është “Orbvini” (Orban-Salvini).
Si Merkel, ashtu edhe Makroni, për çështje të rëndësishme si Eurozona, mbështesin zgjidhje liberale e europiane, të bazuara mbi bashkëpunimin ndërkombëtar brenda BE-së dhe në shkallë botërore. Prandaj e quajmë Merkron. Ndërsa udhëheqësi hungarez, Orban, dhe zv/kryeministri populist italian, Salvini, mbështesin zgjidhje anti-liberale, nacionaliste, duke ia hedhur fajin të tjerëve, duke përjashtuar “të tjerët” e etnive dhe kulturave të ndryshme. Ndaj dhe quhen Orbvini. Kryeministri socialist i Spanjës, Pedro Sançez, si dhe presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, e kanë bërë të qartë që i përkasin kampit Merkron. Bavarezët e CSU; Partia e Lirisë në Austri; Partia “Ligj dhe Drejtësi” e drejtuar nga Jaroslav Kaçinski, në Poloni; si dhe disa mbështetës të Brexit, i përkasin standardit të Orbvinit.
Beteja midis Merkronizmit dhe Orbvinizmit do të formojë politikën europiane në vitet e ardhshme. Ndërkohë që politikanët përgatiten për zgjedhjet europiane të verës 2019, grupimi më i madh në Parlamentin Europian, “Partitë Popullore Europiane”, janë kapur me dëshpërim pas partisë “Fidesz” të Orbanit, dhe kanë bërë një afrim të fshehtë ndaj “Ligj dhe Drejtësi” të Polonisë, nga frika se mos kampi Orbvini krijon një aleancë të re që ta konkurrojë. Salvini luan me emrin e partisë së tij, Lega (Lidhja), dhe kërcënon se do të ketë një Lidhje të Lidhjeve në Europë. Zgjedhjet europiane nuk kanë qenw kaq të paparashikueshme prej vitesh.
Pothuajse të gjitha fraksionet brenda BE-së mund të pozicionohen pranë aksit Merkron-Orbvini. Mosmarrëveshjet për Eurozonën dhe buxhetin e radhës të BE-së, për shembull, janë më shumë pranë linjave nacionale se politike. Brexit është 27 vende kundër 1. Por për sa i përket mënyrës se si po luhet politika e demokracisë nacionaliste në Europë, kjo është loja më e re në vend.
Ekipi i Orbvinit është në përparësi, për momentin. Ekipi i Merkronit duket i lodhur, njësoj si ekipet e kombëtareve gjermane e spanjolle në botëror. Ato luajnë me forcë, por nuk arrijnë të shënojnë. E ardhmja e Merkelit është e paparashikueshme, ndërkohë që kancelari austriak, Sebastian Kurz, i cili është kthyer në një lojtar kyç që mund të ndryshojë ekuilibrat, tashmë po anohet nga Orbvini.
Çështja e emigrimit, që mbledh mbështetës në fushën e Orbvinit, është sa reale po aq dhe simbolike. Në vitin 2015, pas asaj që u quajt “gabimi i mrekullueshëm i Merkelit” nga disidenti i Gjermanisë Lindore, Wolf Biermann, në Gjermani hynë shumë refugjatë për një kohë shumë të shkurtër. Më shumë se 2 milionë europianë-lindorë hynë në Britani pas zgjerimit të BE-së në vitin 2004, duke krijuar shqetësime reale për strehimin, punësimin, kujdesin shëndetësor dhe arsimor, të cilat kontribuuan për votën në favor të Brexit. Italia, Spanja dhe Greqia kanë hasur probleme vërtet të mëdha me pritjen e emigrantëve, dhe pa marrë ndihmë nga partnerët e Europës së veriut. Atyre u është dashur të strehojnë një numër të madh refugjates dhe emigrantësh, të cilët rrezikonin vdekjen nëpër ujërat e Mesdheut.
Emigrimi është edhe çështje simbolike, pasi ngre shqetësime për kulturën dhe identitetin e vendit. Niveli i emigrimit të paligjshëm në BE ka rënë shumë që nga viti 2015, por kjo nuk i qetëson ndjenjat e njerëzve për mënyrën se si kanë ndryshuar vendet e tyre. Në një sondazh të drejtuar nga Fondacioni Bertelsmann në vitin 2017, 50% e personave të intervistuar ishin dakord me fjalinë “ka kaq shumë të huaj në vendin tonë, sa ndonjëherë ndihem si i huaj”. Në Itali, kjo shfiër ishte 71%.
George Dangerfield, autori i “Vdekjes së Çuditshme të Anglisë Liberale”, argumenton se liberalët ranë në Anglinë e shekullit të 20-të ngaqë refuzuan t’i përgjigjen forcave të reja, si lëvizja e grave për të drejtë vote, lëvizja e laburistëve dhe nacionalizmi irlandez. 100 vite më vonë, kriza e Europës liberale është kryesisht rezultat i forcave që ka krijuar vetë liberalizmit. Liberalizimi, evropianizimi dhe globalizimi kanë prodhuar ndryshime të shpejta e të dukshme në shoqëritë europiane.
Shumë veta e kanë parë këtë si një ndryshim për keq. Duke shfrytëzuar këto pakënaqësi, populistët tregojnë një histori të thjeshtëzuar, se si duke mbyllur kufijtë e duke “marrë kontrollin”, do të rikthejnë një të shkuar imagjinare me më shumë punësim, me familje të lumtura e me komunitete kombëtare tradicionale. Ndërkohë, revolucioni dixhital, që tani po përparon me inteligjencën artificiale, do të sjellë më shumë ndryshim e pasiguri, sidomos në vendet e punës.
Liberalët kanë një listë të gjatë me detyra, nëse duan të reagojnë në Europë. Do të jetë e vështirë të gjesh përgjigje racionale e praktike ndaj problemeve të vërteta të barazisë dhe pasigurisë. Jemi ende në fazën e fillimit për gjetjen e përgjigjeve, dhe shënjestra jonë është duke lëvizur shumë shpejt, për shkak të revolucionit dixhital. Politikat radikale si të ardhurat bazë universale apo garancia bazë e vendit të punës do të jetë një prej kërkesave. Edhe po të kemi një Xhon Mejnard Kejns të ri, duhet kohë të shkosh nga puna intelektuale e Kejnsit te një program zgjedhor që të fitojë votimet për një parti laburiste të drejtuar nga Clement Attlee.
Përtej kësaj, Europa Liberale duhet të gjejë mënyra të reja për t’iu adresuar nevojave të thella emocionale për bashkësi e identitet që po shfrytëzojnë populistët. Siç mund të shihni në çdo botëror, identiteti kombëtar mbetet një burim i pakrahasueshëm pasioni dhe përkatësie. Për të ardhmen e afërt, është iluzion të besosh se mund të konkurrohet me identitete transkombëtare apo përmbi-kombëtare. Ndërkohë që përpiqemi të forcojmë një identitet Europian të ndarë midis shumë shteteve, një identitet vërtet global (të cilën botërori i futbollit e përfaqëson, në një farë mënyre), ne nuk mund ta lëmë kombin në dorë të nacionalistëve. Që të plotësojmë europianizmin dhe ndërkombëtarizimin, na duhet patriotizmi pozitiv dhe qytetar, si ai që po reklamon Makroni në Francë.
E gjitha kjo duhet të shkrihet në një program që të fitojë zgjedhjet. Pastaj duhet një parti për t’i fituar zgjedhjet me atë program. Por as parti të tilla nuk kemi shumë. Makroni, me lëvizjen e tij “Republika po përparon”, është përjashtimi që vërteton rregullin. Në çdo vend tjetër, liberalët kanë humbur ndaj tendencave anti-liberale të partive të mëdha të qendrës së majtë e të djathtë, përfshi laburistët dhe konservatorët e Britanisë. Partitë e qendrës së djathtë kanë marrë pushtet vetëm duke kënaqur qasjet anti-liberale të partnerëve populistë që kanë në koalicione, si Austria dhe Holanda.
E gjitha kjo më shtyn drejt idesë se beteja për Europën liberale do të zgjasë me vite. Gjërat mund të bëhen më keq para se të nisin të bëhen më mirë, duke krijuar më shumë mundësi për Orbvinin e më shumë pengesa për Merkronin. Jo, nuk besoj se jemi duke dëshmuar vdekjen e çuditshme të një Europe liberale, por duhet të përgatitemi për një rimëkëmbje të gjatë e të mundimshme.
Timothy Garton Ash, the Guardian