LSI ka bërë të ditur sot para medias arsyet pse nuk ka ndjekur seancën parlamentare në Kuvend dhe ka dhënë arsyet pse është kundër ligjit të statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që është sjellë nga mazhoranca për t’u ndryshuar në disa pika.
Ish-ministri i Drejtësisë Nasip Naço tha: “Në thelb të dy neneve që kërkohen nga dy deputetëv të mazhorancës është fakti se në mungesë të KLP dhe KLGJ, kërkojnë që ne të kthehemi 360 gradë prapa në mënyrë që të japin edhe njëherë mundësi KLD për të bërë edhe njëhërë emërimet e studentëve magjistratë, që duhet të ishin emëruar që në vitin 2016 sipas parashikimit të ligjit.”
Deklarata e plote
Dalja ime në këtë moment ka të bëjë me faktin e mungesës së deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në sallën e Kuvendit, ku u shpjegua qartë nga Kryetari i Grupit Parlamentar, por do të doja që nëpërmjet jush të marrin dhe një mesazh qytetarët. Mungesa jonë kishte të bënte me falsifikimin e votës për ligjin për Teatrin dhe sigurisht sot ishte një nga seancat për të diskutuar dhe ligji për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. Një propozim ky i ardhur nga dy deputetë të mazhorancës për të bërë ndryshimet e këtij ligji, I cili nuk ka më shumë se dy vjet që është miratuar.
Në thelb ndryshimet në dy nenet që kërkohen nga dy deputetët e mazhorancës është fakti që në mungesë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe në mungesë të Këshillit të Lartë Gjyqësor kërkon që ne të kthehemi 180 gradë mbrapa, që ti japim edhe njëherë mundësi Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të bërë emërimet e studentëve magjistratë, studentë këta që duhet të ishin emëruar që në vitin 2016, sipas parashikimit të ligjit.
Unë personalisht në Komisionin e Ligjeve dhe në emër të Grupit Parlamentar të LSI nuk kam pranuar që të votojë nenin 1, që ka të bëjë me nenin 160 të ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve, që I jep edhe njëherë mundësinë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, këtij Këshilli të anatemuar nga ana jonë, të anatemuar nga ana e ndërkombëtarëve, nga vetë mazhoranca, dhe për shkak të këtij Këshilli, I cili ishte bërë barrierë për gjithë sistemin e Drejtësisë, që nga emërimet nepotike, që nga çdo propozim të bërë nga Ministrat e Drejtësisë dhe nga unë si ish-ministër I Drejtësisë kur I kam propozuar këtij Këshilli rreth 44 gjyqtarë për të proceduar dhe nga këta 24 për shkarkim, dhe Këshilli I Lartë I Drejtësisë më ka mbështetur vetëm në 4 apo 5 raste.
E njëjta gjë ndodh dhe me Ministren e Drejtësisë të kësaj mazhorance, pra nuk është mbështetur për të bërë emërimet apo shkarkimet e gjyqytarëve. Si mundet që Grupi Parlamentar I LSI-së apo dhe unë si ish-ministër I Drejtësisë që tu japim edhe njëherë mundësinë një pjesë e këtyre anëtarëve të KLD-së, të cilët do ti quaja llumin e sistemit të drejtësisë?! Që tu japim edhe njëherë mundësinë që këtyre studentëve magjistratë, të cilët sa dalin nga bangat e shkollës tu kërkohen ndere personale, ndere që do të vinë ditë më pas në Konferencën e Përgjithshme Gjyqësore, ku të kërkojnë votën për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor?! Gjë që nuk ka për të ndodhur dhe nuk mund të ndodhë.
Unë personalisht apo dhe Grupi Parlamentar I LSI-së nuk mund të votojmë nenin 1. Që do të thotë nenin 160, që ka të bëjë dhe me emërimin e studentëve prokurorë magjistratë. Si mundet që ne ti japim mundësinë Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme në detyrë që ajo të bëjë emërimin e këtyre studentëve magjistratë?!
Ligji I vjetër që ne me të drejt e mbështetëm dhe e reformuam parashikonte që emërimet apo shkarkimet e prokurorëve ti bënte Prokurori I Përgjithshëm nëpërmjet Presidentit. Sot, ka një arsye më shumë që të mos ta votojmë pasi kjo Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme do ti emërojë këta studentë magjistratë dhe do tu kërkojë votën nesër në mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve, që ka të bëjë me zgjedhjen e anëtarëve të KLP-së.
Në nenin 170, apo në nenin 2 të këtij projektligji që ka të bëjë me vazhdimin akademik të studentëve që do pranohen në shkollën e Magjistraturës, sigurisht që kemi patur debate dhe unë personalisht e kam mbështetur në Komisionin e Ligjeve, sepse në thelb Reforma në Drejtësi mbështetet te Shkolla e Magjistraturës, një shkollë e cila nga viti 2000 I ka dhënë sistemit të drejtësisë rreth 180 gjyqtarë magjistratë, por edhe rreth 170 gjyqtarë prokurorë. Dhe kjo është baza e Reformës, atë që kemi dashur për të bërë për të ardhmen e sistemit gjyqësor në Shqipëri.
Në Komisionin e Ligjeve siç ndodh gjithmonë nga kjo mazhorancë kërkuan që numri 25 të shtohej 50 për efekt të shkollës së Magjistraturës dhe sigurisht që ne e pranuam që ky numër të ishte më i madh për shkak të Reformës në Drejtësi, për shkak të Vettingut që një pjesë e gjyqtarëve do largohen nga sistemi për shkak të Vettingut apo dhe duke dalë në pension për shkak të moshës. Por menjëherë nga deputetë të mazhorancës u amendua që të hiqej viti akademik 2019-2020 dhe 2018-2019 për marrjen e këtyre studentëve magjistratë deri në muajin tetor, sepse ata janë të bindur dhe nuk duan që Reforma në Drejtësi të eci para, nuk duan që të krijohet Këshilli i Lartë Gjyqëso dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Vetë fakti që amenduan dhe hoqën vitin akademik tregon qartë që nuk janë të interesuar për Reformën në Drejtësi, nuk duan që krijohet KLGJ me institucionet që ai do të ngrejë. Nuk duan të krijohet KLP për të bërë emërimin e magjistratëve të rinj, për të krijuar SPAK-un dhe institucionet e tjera. Pasi frika nuk është e opozitës, frika në çdo rast është e mazhorancës dhe ju keni parë që janë ministrat e mazhorancës, të cilët janë vënë përballë sistemit të Drejtësisë. Ata kanë frikë nga reforma dhe të gjitha amendimet që bëjnë, i bëjnë për të marrë flamurin e reformës, por me ministrin Tahiri apo rastet e ndryshme të tjera treguan qartë që nuk janë të interesuar dhe duan që Reforma në Drejtësi të bëhet në kalendat greke.”