Nga BoldNews
Policia Shqiptare dështoi të zbulonte pritësit e 3.5 milion eurove të zbuluara të Dielën në portin e Durrësit dhe kjo ka shkaktuar shqetësim tek autoritetet belge, të cilat kishin njoftuar paraprakisht homologët e tyre për këtë “ngarkesë” të madhe parash, të gjendura në bordin e dy mjeteve Toyota Yaris.
Përfaqësuesit policorë të Vendeve të Ulëta në Tiranë kanë zhvilluar takime mëngjesin e së Hënës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe në Prokurorinë e Përgjithshme. Burime për “Boldnews.al” treguan se oficerët e huaj nuk kanë marrë asnjë masë për të fshehur shqetësimin e tyre, si në hyrje, ashtu edhe në dalje nga takimet me titullarët më të lartë hetimorë në Shqipëri.
Autoritetet belge kishin njoftuar disa ditë më parë Policinë Shqiptare se po kryej një transfertë e paligjshme prej disa milionë euro në bordin e dy mjeteve, të cilat ishin destinuar për në vendin tonë. Policia ka marrë masat për të identifikuar mjetet dhe porositësit e tyre, me qëllim për të zbuluar se cilët ishin personat që prisnin shumën e madhe të parave dhe origjinën e saj.
Por diçka duket se ka ndryshuar rrugës dhe operacioni policor u përshpejtua mëngjesin e së Dielës. Oficerët shqiptarë ndërhynë menjëherë sapo trageti që po transportonte dy mjetet Toyota Yaris mbërriti në portin e Durrësit. Gjatë kontrollit policor u zbulua sasia e madhe e eurove, numërimi i të cilave, rreth 3.5 milionë, përfundoi pas disa orësh.
Bashkë me “ngarkesën” e eurove, policia shoqëroi edhe tre persona, shoferë dhe shoqërues malli të një kompanie transporti. Në deklarimet e tyre të para, personat e shoqëruar kanë deklaruar para Policisë se nuk kishin dijeni se çfarë gjendej në bordin e mjeteve të mbyllura që në Belgjikë. Në këtë mënyrë, të paktën për momentin, policia shqiptare nuk lejoi që mjetet të shkonin në destinacionin e tyre final, për të zbuluar personat që prisnin shumën e konsiderueshme të pavare.
Kjo është arsyeja që zyrtarët e Vendeve të Ulta në Tiranë kanë përcjellë me shqetësim këtë operacion gjysmak, pavarësisht se ata kanë marrë garanci nga autoritetet e larta hetimore shqiptare se investigimi do të vijojë me intensitet të lartë.
Hetimi po zhvillohet nga struktura “Forca e Ligjit” në Prokurorinë e Durrësit, një task-forcë e krijuar pak muaj më parë në bazë të një marrëveshje ndërmjet Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, Arta Marku. Kjo njësi speciale hetimore ka si qëllim kryesor identifikimin dhe hetimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Deri më tani, përtej deklaratave të shpeshta qeveritare, “Forca e Ligjit” nuk ka spikatur me rezultatet e saj.
Për opozitën shqiptare, “Forca e Ligjit” është një mekanizëm i qeverisë, në bashkëpunim me Prokurorinë, për të fshehur dhe mbrojtur shkelësit e ligjit që sigurojnë vota për shumicën socialiste.
Kjo strukturë tashmë do të jetë përgjegjëse edhe për hetimin dhe zbulimin e personave të përfshirë në trafikimin e 3.5 milion eurove, të zbuluara në fundjavë në portin e Durrësit. Kjo transfertë e paligjshme u paralajmërua pak ditë më parë nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, nga salla e Parlamentit.
Në një fjalim të tijin, Basha replikoi me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke u shprehur: “Ata që zgërdhihen më shumë njëri prej atyre që zgërdhihen më shumë ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbajeni mend këtë që po ju them. Dhe ka porositur një Toyota Yaris, por ta kanë zbuluar Toyotën, o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda. Vazhdo qesh, do ta shikosh se çfarë do të tundet para hundës shumë shpejt”.
Basha la të kuptohet se porosia e Toyota Yaris, së bashku me sasinë e madhe të eurove në bordin e saj ishte destinuar për Taulant Ballën. Hetimi i “Forca e Ligjit”, e drejtuar nga Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, do të zbulojë nëse është i vërtetë apo jo paralajmërimi i Bashës. Deri më tani, rezultoi që kryeopozitari kishte informacion të saktë se në Shqipëri do të mbërrinin automjete me një shumë të madhe eurosh brenda tyre. Mbetet për t’u parë nëse “Forca e Ligjit” e Xhafaj do të konfirmojë edhe paralajmërimin e dytë të Bashës se Toyotat dhe eurot kishin si destinacion final Taulant Ballën.