Sali Berisha ka publikuar një status në lidhje me takimin e drejtorit të Përgjithshëm të Top Channel, Ben Blushi dhe gjyqtarit Ardian Dvorani, gjyqtar në çështjen që po gjykohet në Gjykatën e Lartë për pronësinë e Top Channel.
Berisha e ka cilësuar se ky është një takim i gabuar në kohën e gabuar, dhe e ka cilësuar si kapje.
Shkrimi i publikuar nga Bold News.
Skandali/ Ben Blushi filmohet me gjyqtarin Dvorani një ditë përpara gjyqit të Top Channel
Një lojë e ashpër e pushtetit ekonomik, ndërthur me atë politik po luhet në terrenin e Gjykatës së Lartë, e cila ka në shqyrtim çështjen e pronësisë së Top Channel.
Aksionet e televizionit kryesor në vend janë shndërruar prej disa kohësh në objekt konflikti ndërmjet Vjollca Hoxhës, vejushës së themeluesit Dritan Hoxha dhe dy aksionerëve të tjerë në shumicë, Aurel Baçi dhe Albert Sino.
Vjollca Hoxha, e cila aktualisht po administron Top Channel, po përdor të gjithë format, përfshirë lidhjet politike, shantazhin, presionin e shpifjen kundër gjyqtarëve që kanë në dorë çështjen e pronësisë dhe që, me shumë mundësi, nuk pranojnë ndikimin e saj.
Por, jo të gjithë gjyqtarët janë në shënjestrën e Vjollca Hoxhës. Një rast tipik është Ardian Dvorani, anëtar me mandat të përfunduar në Gjykatën e Lartë, por që vijon të jetë në detyrë për shkak të boshllëkut ligjor.
Ky i fundit duket se ka marrë përsipër të plotësojë dëshirat e Vjollca Hoxhës. Ky dyshim forcohet akoma edhe më shumë, në bazë të një materiali filmik të siguruar në mënyrë ekskluzive nga “Boldnews.al”. Në një lokal në qendër të Tiranës, gjyqtari Dvorani ka zhvilluar një takim të gjatë në kohë me Ben Blushin, drejtorin e përgjithshëm të Top Channel, i cili është afruar në televizion prej Vjollca Hoxhës disa muaj më parë.
Nga ana tjetër, Blushi është duke luajtur rolin e ndërmjetësit mes Vjollca Hoxhës dhe kryeministrit Edi Rama, raportet ndërmjet të cilëve u krisën disa muaj më parë. Pra, Ben Blushi duket se është njeriu që afron garanci politike dhe gjyqësore për interesat e Vjollca Hoxhës në Top Channel
Në fakt, një takim Dvorani-Blushi nuk mund të përbënte ndonjë interes të veçantë, nëse “Boldnews.al” nuk do të mësonte se biseda mes tyre është zhvilluar një ditë para se Dvorani t’i bashkohej trupës gjyqësore dhe, siç rezultoi më tej, ka këmbëngulur që procesi të merrte një rrjedhë sipas “sugjerimeve” të tij.
Më konkretisht, në datën 25 Maj, konflikti gjyqësor ndërmjet Vjollca Hoxhës nga njëra anë dhe Aurel Baçi e Albert Sino nga ana tjetër do të shqyrtohej në Dhomën e Këshillimit në Gjykatën e Lartë. Paraprakisht, shorti për shqyrtimin e kësaj çështje kishte përzgjedhur treshen gjykuese Artan Broci, Shkëlzen Selimi dhe Medi Bici.
Ky i fundit, pra gjyqtari Bici, në rrethana të paqarta, dha dorëheqjen nga pjesëmarrja në këtë trup gjykues. Burime konfidenciale nga Gjykata e Lartë flasin për presione të ushtruara ndaj Bicit, të cilat e kanë detyruar të heq dorë nga kjo çështje gjyqësore.
Në datë 25 maj 2018, pra një ditë pasi kishte zhvilluar bisedën e gjatë me Ben Blushin, në Dhomën e Këshillimit është paraqitur gjyqtari Ardian Dvorani. Pala kundërshtare e Vjollca Hoxhës pretendon se Dvorani, megjithëse i pa shortuar, ka imponuar pjesëmarrjen e tij në seancën gjyqësore. Prania e tij ishte e paligjshme, për faktin se nuk rezulton që Gjykata e Lartë të ketë zhvilluar short për zëvendësimin e gjyqtarit të dorëhequr Medi Bici.
Kundërshtarët e Vjollca Hoxhës nuk kanë asnjë informacion zyrtar se si është përfshirë Ardian Dvorani, miku i Ben Blushit, në procesin gjyqësor që po shqyrton pronësinë e Top Channel.
Seanca gjyqësore e datës 25 maj është ndërprerë, pavarësisht këmbënguljes së Dvoranit, për shkak se gjyqtari tjetër, Shkëlzen Selimi, ka kërkuar kohë të njihet me aktet e dosjes.
Pra, situata duket se nuk ka shkuar sipas parashikimeve të Vjollca Hoxhës, e cila ka përdorur Ben Blushin për të përcjellë mesazhet e saj tek gjyqtari Ardian Dvorani. Të paktën kjo përshtypje të krijohet nga pamjet filmike të bisedës Blushi-Dvorani një ditë para seancës gjyqësore dhe pjesëmarrjes së pazakontë e qëndrimeve të dyshimta që ka mbajtur gjyqtari me mandat të përfunduar, Dvorani, në seancën në Dhomën e Këshillit të Gjykatës së Lartë.
Vijimi i kësaj historie ka parë nën sulmin e Top Channel-it edhe gjyqtarin Shkëlzen Selimi, i cili kërkoi shtyrjen e seancës gjyqësore për t’u njohur me aktet. Në një kronikë të zgjeruar në edicionin qëndror të lajmeve të së Enjtes, televizioni sulmoi ashpër dhe pa asnjë argument, gjyqtarin Shkëlzen Selimi.
Në kronikë, Top Channel mundohej të prezantonte veten si “parimor”, i cili po përgatit materiale që ndihmojnë Vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por në fakt, kronika, siç rezultoi, ishte e bazuar në shpifje, shantazh dhe presion. “Boldnews.al” ka raportuar më parë për argumentat se përse kronika kundër Shkëlzen Selimit ishte shantazh dhe presion.
Është e qartë që gjithçka në këtë histori, pra si takimi miqësor Blushi-Dvorani, ashtu edhe sulmi i ashpër kundër gjyqtarit Shkëlzen Selimi, janë në funksion të procesit gjyqësor, ku Vjollca Hoxha rrezikon humbjen e primatit të aksioneve në Top Channel.