Trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi, ka folur pas ndeshjes me Ukrainën, të humbur 4 me 1. Panuçi thotë se kjo nuk është një katastrofë, por është një gjë normale. Panuçi në intervistën e dhënë për FSHF-në, ka folur dhe për shkarkimin e mundshëm të tij.
Intervista
Mister, skuadra nuk funksionoi në ndeshjet e fundit, çfarë nuk shkon?
Asgjë e rëndë, asgjë katastrofike, siç duan të duket të tjerët. Kemi zhvilluar dy ndeshje shumë negative, pasi skuadra nuk kishte më benzinë. Kishim shumë vështirësi. Nuk jemi Brazili apo Franca. Nuk kishim Bashën, Xhakën, Memushajn, Grezdën dhe Sadikun. Mavraj kishte 5 muaj që nuk luante, Memolla po ashtu. Ukraina kishte të gjithë lojtarët e Shaktarit dhe Dinamos së Kievit, ka tjetër cilësi. Në këto momente, nëse nuk rikuperojmë lojtarët e rëndësishëm, vuajmë shumë. Jam i bindur që kur të rikthehen futbollistët e rëndësishëm, ata që fituan në Turqi, ata që përballuan Italinë dhe gjuajtën drejt portës së Spanjës 15 herë, do të jemi ok.
Kombëtarja e dy ndeshjeve të fundit nuk ishte e tillë. Pse duhet të mendojmë që do të përmirësohemi në të ardhmen, kur pas humbjes 3-0 me Kosovën, u mposhtëm 4-1 edhe me Ukrainën?
Sepse skuadra gjithmonë ka bërë mirë, sepse në fund të sezonit lojtarët ishin shumë të lodhur. Kishin pushuar për 15 ditë, pastaj erdhën në kombëtare. Nuk më pëlqen të shfajësohem, por bateritë kishin rënë plotësisht. Më vjen keq dhe jam shumë i zhgënjyer dhe i trishtuar si të gjithë shqiptarët, por është e pamundur që kjo të jetë ajo skuadër që fitoi me Turqinë. Kjo është krejt ndryshe, me shumë të rinj. Duhej të provoja shumë të rinj, të rrezikoja, që të shihja nëse dikush ishte gati për kombëtaren. Në shtator, kur të kthehen të gjithë lojtarët, skuadra do të jetë kompetitive.
3 ndeshje, 8 gola të pësuar dhe vetëm një i shënuar. A nuk mendoni se është përkeqësuar shumë gjendja?
Si mund të dilet nga kjo situatë? Skuadra nuk ka bërë mirë në fazën mbrojtëse. Mavraj është një element shumë i rëndësishëm për ne, por në 5 muajt e fundit nuk ka luajtur. Edhe në mesfushë kemi humbur lojtarë të rëndësishëm, ndaj ishim të cënueshëm. Isha unë i pari, që e dija këtë. Por jam i sigurtë që kur të vijnë kualifikueset dhe të kthehen lojtarët, do të bëjmë shumë më mire.
Keni ardhur me mendimin për të ndërtuar një skuadër sulmuese, por me ç’shihet, nuk kemi asnjë mundësi për të qenë të tillë?
Nuk kishim forcë, nuk kishim këmbë. Nuk kishim mendimin për të sulmuar. Edhe ndaj Ukrainës luajtëm vetëm 20-25 minuta, më pas “black out” total dhe erdhi goli i parë. Duhet ta pranojmë situatën, duke shpresuar që të na kthehen shumë futbollistë.
Çfarë do të thotë e kritika e duhur?
Kjo e duhura dhe e ekulibruar, kur vlerësohen të gjitha situatat. Zhvilluam dy ndeshje negative, por ne nuk kemi 60 lojtarë. Kur na mungojmë vetëm 5-6 futbollistëve, shndërrohemi në një skuadër shumë më pak konkurruese. Ky është realiteti.
A mendoni akoma që kjo skuadër duhet të luajë në sulm?
Absolutisht po, sepse mendoj se është e drejtë të bëjmë kështu, kur të kthehet Grezda, kur Roshi të jetë mirë, Sadiku të jetë mirë dhe Manaj të jetë mirë. Do të provojmë të luajmë. Në këto dy ndeshje problemi nuk qëndronte te taktika mbrojtëse, apo sulmuese. Nuk kishim as kokën dhe as këmbët.
Jeni i trishtuar?
I keqardhur, sepse kemi humbur. Duhet të presim dy muaj për ndeshjet e tjera, por jam i bindur se, kur të jemi të gjithë bashkë, do të bëjmë një skuadër të mirë dhe do të provojmë të shkojmë në Europian.
Gazetarët pretendojnë se ndoshta nuk po merrni përgjigjet e duhura nga skuadra. A ju kuptojnë futbollistët?
Në këto dy ndeshjet e fundit ishte e vështirë, sepse ishin me pushime. Për mua ishte shumë e vështirë t’u ndizja dritën. Nuk ia dola, sepse u kishte mbaruar benzina. Gjithsesi, jam i bindur që skuadra më ndjek dhe se në shtator do të jetë krejt ndryshe. Jeni shprehur se lojtarët kanë talent, kanë potencial, por kjo nuk po shihet… Nuk është se nuk po shihet, por nuk kishim gjysmën e formacionit titullar. Ne jemi ekip kombëtar, por nuk kishim shumë lojtarë të rëndësishëm si Xhaka, Grezda, Memushaj, Basha…. Mavraj ka 5 muaj që nuk luan dhe në nivel ndërkobëtar këto gjëra peshojnë shumë.
Të gjitha pyetjet lidhen për një mbrojtje me shumë probleme…
Në këto momente kemi shumë problem, sepse mund të bëjmë pak ndërrime. Kemi Ajetin, që nuk luan te Crotone, Veseli ka luajtur një ndeshje në muajin e fundit, Mavraj 5 muaj pa luajtur. Shpresoj që Mavraj të gjejë shumë shpejt një ekip të ri, sepse është shumë i rëndësishëm për ne dhe duhet të luajë.
Kështu siç po shkojnë gjërat, e ndihesh i rrezikuar?
Për momentin, absolutisht jo, sepse kemi ekulibrat e duhur për të kuptuar që në nëntor gjërat shkonin mirë, me Norvegjinë, brenda ndeshjes. Nëse mendojmë që duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, atëherë gabojmë gjithçka. Nëse jemi të gjithë të bashkuar, atëherë mund t’ia dalim. Mund të humbasim, edhe të fitojmë. Nuk e mendoj aspak këtë rrezik, jam shumë i bindur në punën time.
Si mund të humbasim 4-1 pa marrë një karton të verdhë?
Për këtë i pyeta edhe lojtarët në dhomat e zhveshjes. Pati shumë pak grintë, sepse lojtarëve iu mungonte forca. Kemi luajtur më mirë me Ukrainën se ndaj Kosovës. Ukraina është shumë më e fortë se Kosova, kjo na bën të kuptojmë shumë gjëra.
Por diçka mungon kësaj skuadre…
I mungonin 7 lojtarë.
Jo vetëm për sot…
Përkundrazi, në Turqi kishim “fenomenë”. Ishim një skuadër e madhe, që luante dhe dëfrente. Tani mungojnë 7 futbollistë nga ajo skuadër. Sot mungon gjithçka.
Pas miqësores me Kosovën ju u shprehet se mungon “zjarri”, futbollistët ndaj Ukrainës ishin më mirë fizikisht…
Jo, vetëm gjysmë orën e parë. Pastaj, skuadra nuk ragoi si duhet në kokë, por ky është një moment i veçantë i sezonit.