Nga Habjon Hasani
Afro 10 ditë pasi Partia Demokratike publikoi një copëz nga audiopërgjimi i Albert Veliut me personin e dyshuar si Agron Xhafaj, media proqeveritare ka nisur sulmet ndaj gazetarit Jetmir Olldashi.
Ky i fundit bëri një deklaratë sqaruese dje, ku tregoi se si kishte hyrë në kontakt me Albert Veliun (a.k.a Babalja), foli për mënyrën si ishte kryer ai përgjim, tregoi personat politikë me të cilët kishte bashkëpunuar etj.
Mediat proqeveritare kanë nisur një sulm frontal ndaj Olldashit duke u përpjekur ta delegjitimojnë atë, kryesisht në dy teza kryesore:
Teza e parë, duke e paraqitur Olldashin si një militant të Partisë Demokratike dhe aspak si një gazetar.
Teza e dytë, duke vënë theksin (ndoshta me të drejtë) te disa kontradikta mes deklaratave të Babales dhe Olldashit.
Do përpiqem që në lidhje me të dy tezat, të them të vërtetën time, aq sa unë di dhe siç unë i di gjërat në lidhje me Jetmir Olldashin, të kaluarën e tij dhe çështjen konkrete të audiopërgjimit.
Unë e njoh që prej vitit 2002 Jetmir Olldashin, sepse e kam pasur në klasë, ishim të dy studentë të gazetarisë në Tiranë.
Në vitin 2005 kam punuar për herë të parë me të në televizionin A1 që asokohe ishte themeluar nga Koço Kokëdhima.
Jetmir Olldashi në këtë periudhë realizoi gjurmimin e famshëm të Fatos Nanos duke u larë me skaf në Jalë, pasi Nano kishte humbur zgjedhjet.
Filmimi bëri bujë asokohe dhe unë kam të fiksuar dhe një biçim debati në oborrin e televizionit mes Jetmir Olldashit, Julian Llupos dhe Klodian Tomorrit mbi këtë filmim, të katërt punonim në A1 asokohe.
Jetmir Olldashi nuk e ka fshehur asnjëherë faktin se ishte anëtar i Partisë Demokratike, gjatë kohës së fakultetit disa herë më ftonte dhe mua që të bëhesha pjesë e FRPD-së.
Ai u angazhua pas vitit 2006 me punë në disa institucione shtetërore dhe në dijeninë time ai ka qenë në dilemë të fortë nëse duhej të shkëputej ose jo nga gazetaria.
Punoi në ujësjellës, por kur kryetar i Bashkisë së Tiranës ishte Edi Rama dhe jo Lulzim Basha..
Nuk ka punuar asnjëherë te AlUIZNI.
Pjesën më të madhe të kohës që qeverisi PD-ja ai punoi te AMA (Autoriteti i Medias Audiovizive) dhe në dijeninë time ka pasur një marrëdhënie shumë të tensionuar dhe problematike me ish-drejtoreshën e këtij institucioni zonjën Endira Bushati. U synua disa herë shkarkimi i tij nga puna.
Në verën e vitit 2013 unë kam intensifikuar kontaktet me të, ndërsa vetë punoja në gazetën DITA. Asokohe kisha shumë interes të ndiqja garën për kryetarin e Partisë Demokratike ndërmjet Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës.
Jetmiri ka qenë person kyç, që më orientoi mbi personat ose zyrtarët e PD që ishin potencial për informimin tim në kohë reale mbi këtë garë. Misioni u arrit, pasi personat që më referoi Jetmiri më rezultuan tepër të saktë, arrita të merrja çfarë doja prej tyre.
Jetmir Olldashi vijoi punën në AMA dhe ca kohë pas ardhjes së PS-së në pushtet, ndërsa ca muaj më vonë ai e gjeti veten pa punë, ndoshta ky ishte momenti kur kuptoi se gazetaria, për të cilën kishte kryer dhe studimet, ishte zanati që s’duhej ta kishte braktisur dikur dhe synoi rikthimin në gazetari.
Në verën e vitit 2015 ndodhi që unë shkëputa marrëdhëniet me emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit, që asokohe transmetohej në ‘Ora News’.
Pasi u shkëputa, Rakipi më ka kërkuar që t’i sugjeroja një gazetar që mund të merrej me investigime, i kam sugjeruar vetëm një emër, atë të Jetmir Olldashit.
Jetmiri nisi punë në emisionin “Të PaEkspozuarit” por disa muaj më vonë, si pasojë e pengesave konjukturiale, Jetmir Olldashi sëbashku me regjizorin e emisionit të “PaEkspozuarit”, Artan Ramën, themeluan projektin investigativ ‘Publicus’.
Ata kapën një mundësi bashkëpunimi me VizionPlus dhe bënë bujë të madhe me serialin ‘Kodrina e Vdekjes’ , një investigim për vdekjen e Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës.
Investigimi ishte i kopsitur dhe i fortë, pronarët e VizionPlus nuk përballuan dot presionet politike për të bllokuar transmetimin dhe stafi i ‘Publicus’ denoncoi censurën publikisht.
Jetmir Olldashi, Artan Rama dhe Indrit Habilaj janë tre njerëzit që punuan për investigimin mbi vdekjen e Ardit Gjoklajt në ‘Publicus’.
Bënë investigimin por ama mbetën të papunë dhe në rrugë, pasi emisionit të tyre iu mbyllën të gjitha dyert nëpër televizione.
Jetmiri mbeti pa bukë dhe iu desh të kthehej andej nga kishte ardhur, shkoi sërish te emisioni ‘Të PaEkspozuarit” me Ylli Rakipin, në kohën kur ky i fundit transferoi emisionin ne News24.
Kjo është trajektorja profesionale që unë di dhe unë njoh për Jetmir Olldashin. Ai se ka fshehur ndonjëherë se ka qenë anëtar i Partisë Demokratike, sikundër ka dhënë prova se di të punojë profesionalisht me investigime mirëfilli.
Olldashi, Babalja, kanabisi, linçimi
Ndaj Jetmir Olldashit ka pasur një sulm frontal, i pritshëm, por tepër i nxituar dhe paragjykues ama.
Mediat rilindëse e kanë etiketuar si mashtrues apo dhe si militant të PD-së Jetmir Olldashin, bazuar në disa detaje në intervistën që ai i bëri Babales, këto detaje nuk përputheshin me deklaratën e vetë Olldashit.
Por nëse Babalja ka bërë një finte në intervistë dhe ka thënë se “Agronin nuk e incizova unë”, kjo nuk është ndonjë mospërputhje që mund të rrëzojë të vërtetën e një investigimi.
Sepse është vetë procesi investigativ që lë gjurmë, ti duhet të njoftosh, të flasësh me njerëz, të udhëtosh të komunikosh me SMS dhe këto janë gjëra të dokumentueshme.
Sikundër nuk është faji i Jetmir Olldashit që një natë të bukur Maji, Babalja u paraqit në selinë e Partisë Demokratike, kërkoi ndihmë për kokën e vetë dhe familjes; dhe kur në PD i kërkuan që të linte një intervistë para se të largohej nga vendi, Babalja vuri kushtin dhe tha se do pranonte të intervistohej vetëm nga Jetmir Olldashi se vetëm atij i besonte.
Nëse ndonjë jurist apo skemaxhi në Partinë Demokratike e ka instruktuar Babalen ‘të mos pranojë se bëri përgjimin’ pasi kjo mund ta vinte para përgjegjësisë, ky nuk është problem i Jetmir Olldashit dhe Jetmiri nuk ka se ç’ti bëjë sugjerimeve idiote që mund të vijnë në një situatë presioni dhe nguti në orën 3 të mëngjesit.
E kam kontaktuar në orët e fundit Jetmir Olldashin, pyetja e parë që i bëra ishte nëse ai mund të dokumentonte udhëtimin me Babalen.
Jetmiri më dha 4 elementë orientues:
- Më datën 23 Tetor ai ka njoftuar zyrtarisht me shkresë të protokolluar në News24 se do të nisej për në Vlorë për një investigim. Unë e kam parë me sytë e mi këtë shkresë sepse Jetmiri posedon kopjen e saj.
- Më datën 24 tetor ai ka marrë makinë me qira, me akt-përdorimi, një makinë tip ‘Toyota Yaris’ dhe bashkë me Babalen janë nisur drejt Vlorës.
- Qelizat e telefonit të Jetmirit dhe Babales të datës 24 tetor 2017 mund të verifikohen dhe dallohet menjëherë nëse ata kanë udhëtuar sëbashku.
- Materialet audio që kanë siguruar në disa episode kanë regjistruar zërin dhe bisedat e Jetmirit dhe Babales.
Jetmir Olldashi më tha se ai Babalen e ka njohur në Tetor 2017 nëpërmjet një burimi të vetin që i kërkoi ta ndihmonte. Për disa ditë Jetmiri ka pasur dyshimet e veta dhe një lloj mosbesimi ndaj Babales dhe ngutit të tij për të kryer regjistrime.
Por njëherësh e shihte Babalen si një potencial të mirë për t’i siguruar akses në magazinat e kanabisit.
Tamam-tamam, misioni që Jetmiri ka pas ndërmend ishte që të fotografoheshin dhe të filmoheshin magazinat e kanabisit duke stimuluar një blerje.
Babalja gjatë kohës që njohu Jetmirin ka përfolur shumë emra të fortësh dhe familjarësh të njerëzve me pushtet dhe sipas asaj që Jetmiri më tregoi, Agron Xhafaj ishte një ndër njerëzit ndaj të cilit Babalja kishte shumë duf, por Agron Xhafaj nuk ishte një target i domosdoshëm për Jetmirin. Targeti ishin magazinat e kanabisit.
Puna e të dyve në Vlorë dhe orientimi nga Babalja, bëri që në një moment Babalja të rikthehej në një lokal dhe kur u rikthye, hyri i vetëm atje dhe u përball me Agron Xhafën.
Ky është momenti kur është zhvilluar dhe dialogu i famshëm mes Agronit dhe Babales.
Pasi kanë bërë dhe disa përpjekje të tjera Jetmiri ka ardhur në Tiranë dhe e quante një dështim me veten e tij sepse nuk kishte siguruar dot asnjë material filmik me magazinat e kanabisit, të cilat i kishte dhe prioritet.
Madje as nuk i ka raportuar dot të gjitha takimet në Vlorë me drejtuesin e emisionit sepse udhëtimi i Jetmirit në Vlorë u quajt i dështuar në mungesë të pamjeve të magazinave të kanabisit.
Itinerari i ndjekur nga Jetmiri dhe Babalja në Vlorë do të transmetohet të hënën e 21 Majit në emisionin ‘Ajsberg’ me të gjitha detajet e veta.
Për shkak të mosmarrëveshjeve personale, Jetmiri u shkëput sërish nga emisioni ‘Të Paekspozuarit’, ndërsa nuk arriti dot të montonte një emision për kanabisin, e la Babalen ‘të zhgënjyer’ dhe e ndjeu veten të kërcënuar, kur kuptoi se ato regjistrime audio mund t’i bëheshin telash koke, ndërsa ai i mbante të arkivuara por Babalja ankohej lartë e poshtë.
Papunësia e përsëritur, vështirësitë, presioni dhe rreziku, e lanë me pak aleatë dhe ndonëse paragjykohet kaq shumë sot, trokitja e tij te dera e opozitës dhe dorëzimi i regjistrimeve aty, mund të jetë akti më i mençur që do të bënte një gazetar në ato kushte.
Të gjithë ata që e kritikojnë sot, le ta kthejnë njëherë nga vetja e tyre se çdo të kishin bërë në një situatë të ngjashme, sa opsione kishin për të marrë garanci për kokën?
Është shumë kollaj të shesësh moral e të akuzosh dikë politikisht, por ishte sërish i njëjti Jetmir bashkë me kolegët e Publicus që dhe pse arritën të kryenin një hetim cilësor mbi landfillin e Sharrës, u shpërblyen me censurë, braktisje dhe e gjetën veten pa opsione dhe pa bukë në mes të rrugës.
Kush nga moralistët që duartrokitën investigimin e Sharrës e vrau mendjen këto muaj nëse autorët e atij emisioni kishin një punë apo nëse kishin një rrogë? Kush u shqetësua për ta? Kush u interesua?
E vrau njeri trurin se ç’bëhej me këta gazetarë që hetuan landfillin?
Më ka ndodhur të përjetoj dhe vetë faturën e një investigimi që mund të prekë interesa të fuqishme, dikur në vitin 2008 kur unë personalisht kam pasur dilemën e Jetmir Olldashit, por me çështjen Fazlliç.
I kam ende të dokumentuara dhe arkivuara SMS-të konfidenciale dhe e-mailet me disa personazhe politikë dhe mediatikë të asaj kohe dhe kam vendosur me vetëdije që të hiqja dorë nga egoja profesionale dhe ekskluziviteti i çështjes dhe ta amortizoja duke e shpërndarë në disa media, pasi nuk doja të më ndodhte kjo që po i ndodh sot Jetmirit.
Sepse isha askushi, isha i varfër, i pafuqishëm dhe i pambrojtur për të përballuar faturën e një loje që mori përmasa që as i imagjinoja dot kur e nisa atë investigim mbi kompanitë dhe aktivitetin e Damir Fazlliç.
Ndaj dhe faktin që Jetmir Olldashi ka kërkuar ndihmë te PD-ja e shoh si një provë të një investigimi serioz, sepse i tillë është mjedisi mediatik këtu, kur bën një punë që mund të prekë interesa të fuqishme, ka shumë gjasa të mbetesh një i papunë dhe të futesh në spirale pushteti të cilat nuk i përballon dot nëse s’ke krahë dhe je i vetëm.
Në vijim të gjithëçkaje kam shkruar më lartë, mendoj se kolegët gazetarë pavarësisht pozicionimit, mund të bëjnë punën e tyre, qoftë dhe të pozicionuar politikisht, mund të ngrenë pyetje dhe të kërkojnë shpjegime, por nuk kanë asnjë të drejtë të linçojnë dhe të paragjykojnë një investigim që Jetmir Olldashi mund ta ketë nisur pa pasur fare ndërmend Agron Xhafën, pa e imagjinuar se do mbërrinte në këtë spirale të bujës politike dhe lojës së pushtetit.
Kanabizimi është një fenomen (në radhë të parë ekonomik) në Shqipëri dhe përtej çimkave dhe raportimeve të caktuara, personalisht kam qenë i prirur ta shoh si një trajektore ekonomike dhe të hulumtoj arsyet se pse Edi Rama dha dritën jeshile që të mbillej jeshilja dhe pse amerikanët dhe BE-ja nuk e denoncuan asnjëherë këtë fenomen.
Jam përpjekur të shmang nga Hashtagu këto historitë policeske sepse siç unë e shoh dhe i kuptoj janë spirale pa kuptim. Nëse kryeministri i një vendi vendos kanabizimin si rrugëzgjidhje për të shlyer ndonjë borxh ndërkombëtar apo për të futur para në qarkullim, në konceptin tim nuk ka më asnjë rëndësi se kush janë personat zbatues, dikush do e bëjë atë punë.
Agron Xhafaj, Habilajt apo kushdo qoftë, janë thjesht pasoja, tjetërkund është motivi, shtysa.
Por ky është thjesht këndvështrimi im personal, nuk kam asnjë të drejtë të paragjykoj punën e cilitdo koleg që niset për të dokumentuar diçka, qoftë plaçkë apo individ, madje përpiqem të mos paragjykoj dhe kur punët bëhen me çimka, metodë të cilën unë personalisht e përçmoj dhe mendoj se nuk ka asnjë lidhje me misionin gazetaresk, pasi çimkat i konsideroj teknikë ekskluzive e misioneve parandaluese/subversive të shërbimeve të inteligjencës ose të shërbimeve të hetimit gjyqësor.
Kanabizimi nuk mund të jetë një histori policeske dhe as një histori aq e thjeshtë për kredo politike, sepse është kollaj të akuzosh e t’i krijosh siklete sot Edi Ramës për kanabizimin, e të përdorësh qoftë dhe fabula policeske, mirëpo kjo përveçse ndonjë përfitim të çastit nuk mund të sjellë dot një rrugëdalje, pasi kanabisi është problem ekonomik para se të jetë problem policesk.
Por duket se kanabizimi i ka dyzuar të gjithë.
E dyzuar është opozita që nxiton me të drejtë të denoncojë politikisht implikimet me kanabisin, por nuk ka thënë dot asnjë fjalë se si do ta adresojë këtë problem ekonomik kur të vijë në pushtet. E si për ironi Edi Rama ja përdori aq shumë Lazaratin politikisht opozitës kur ndërhyri forcërisht, për ta kompleksuar opozitën, ndërsa tani kanë ndërruar rolet, sepse është opozita që e akuzon.
I dyzuar është dhe Edi Rama që ndërsa miratoi në heshtje kanabizimin e vendit për shkak të leverdisë ekonomike, në të njëjtën kohë nisi të konceptonte dhe vettingun e policisë.
I zhyti policët mirë e mirë në kanabis dhe më pas u tha do bëni vetting.
I dyzuar është dhe Jetmir Olldashi, i cili ka dëshirë të bëjë punë dhe investigime të mira, të sigurojë page e karrierë, mirëpo sa herë bën ndonjë të tillë, e gjen veten pa punë, ose dhe më keq, e gjen veten në epiqendër të një cikloni që nuk do donte t’ia shkaktonte vetes. /Hashtag.al/