Maqedonia sipas gjitha gjasave do të ketë emër të ri dhe këtë e kanë vendosur dy shtete që 25 vite janë në kontest rreth emrit dhe identitetit të vendit. Më 17 maj në Sofje të Bullgarisë, Zoran Zaev tha se ka propozuar emër kreativ që do të pranohet nga dy palët. Por, tashmë u bë e ditur se emri i ri i Maqedonisë do të jetë: Republika Ilinditase e Maqedonisë.
Kryengritja e Ilindenit njihet si term prej vitit 1903 dhe është lufta kundër Perandorisë Osmane (PO). Kongresi Revolucionar Maqedonas në Selanik ka sjellë vendim në atë kohë që me ardhjen e pranverës të çohen në kryengritje ndaj sjelljes së vrazhdë të PO-së.
Më vonë, në Manastir është rishikuar vendimi i Selanikut për kryengritje. Damjan Gruev, Boris Sarafov dhe Anastas Lozançev kanë vendosur që kryengritja të bëhet më 2 gusht të vitit 1903, apo në ditën e quajtur Dita e Shën Ilisë, prej edhe ku ka mbetur emri ILINDEN.
Gjatë kryengritjes, ndërkohë është krijuar edhe Republika e Krushevës që ka zgjatur vetëm disa ditë.
Kryengritja e Ilindenit ka zgjatur vetëm disa ditë dhe ka qenë luftë e përbashkët kundër Perandorisë Osmane.
Sipas librave historikë, me autorë maqedonas, gjatë kësaj periudhe janë vrarë mijëra kryengritës dhe ushtarë të PO-së, janë djegur qindra fshatra, janë dëbuar nga Maqedonia për në Bullgari mijëra banorë dhe ka pasur shumë të plagosur.
Për Maqedoninë e tanishme ”Ilindeni” është një datë e shenjtë në histori, edhe pse Bullgaria thotë se është datë e rëndësishme edhe për ta. Gjithashtu, Ministri i Mbrojtjes i Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov tha se kryengritja e Ilindenit ishte një kryengritje bullgare.
Përndryshe, dy gushti në Maqedoni është festë shtetërore.
Por çfarë në të vërtetë është Ilindeni dhe sa realisht i përfaqëson ai shqiptarët?
Ilindeni është një ditë e rëndësishme për maqedonasit meqenëse përmban komponentën nacionale maqedonase dhe atë fetare sllavo-ortodokse. Njëkohësisht mund të konsiderohet se Ilindeni është festa kryesore në shtetin monoetnik të Maqedonisë ku jetojnë më shumë 30% shqiptarë. Por cila është domethënia e kësaj feste?
Në vitin 1903, më 2 gusht është organizuar Kryengritja e Ilindenit, një kryengritje e organizuar nga Organizata Revolucionare Maqedonase (e njohur si paraardhëse e partisë së djathtë maqedonase OBRM-PDUKM ose në maqedonisht – VMRO-DPMNE-së) kundër Perandorisë Osmane.
Kjo organizatë, qëllimet dhe përfaqësuesit e saj janë objekt kontesti dhe pretendimesh për përvetësim nga të dy popujt, maqedonas e bullgarë. Pas fitores së kësaj lufte, u krijua Republika e Krushevës, ku thuhet se në mënyrë të barabartë janë përfaqësuar maqedonasit, shqiptarët dhe vllehët.
Pra kjo kryengritje përdoret për të dëshmuar se në Maqedoni solidarizimi dhe bashkëpunimi mes etnive ka ekzistuar gjithmonë. Por, kjo është festë edhe për të majtën maqedonase. Më 2 gusht 1944 në manastirin “Prohor Pçinski”, i cili sot ndodhet në Serbi, është mbajtur kuvendi i parë i KAÇKM-it (Kuvendi Antifashist Nacional për Çlirim të Maqedonisë) ku është vërtetuar Maqedonia si njësi federale e barabartë me republikat tjera në Jugosllavi. Maqedonasit e quajnë Ilindeni i dytë.
Ilindeni për maqedonasit është edhe festë fetare. Ilinden në shqip do të thotë dita e Ilisë. Shën Ilija (Sveti Ilija) sipas besimit sllavo-ortodoks është profet që lidhet me kultin e e rrufesë.
Në opinionin maqedonas, pavarësia e Maqedonisë nga Jugosllavia, akt i cili u bë me bojkotimin e referendumit nga ana shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet, njihet si Ilindeni i tretë dhe kanë paralajmëruar se një zgjidhje e kontestit të emrit sipas propozimit të ri do të përfaqësonte Ilindenin e katërt për Maqedoninë.